Shqipëria/Aktualitet

Jorgo Mandili: Njerëzit edhe mund ta kapërdijnë varfërinë po kurrë padrejtësinë

Në këtë shkrim nuk do të interpretoj ,as do të jap ndonjë opinion.Do të ekspozoj një ngjarje mbi drejtësinë në Amerikë ,në Virgina për një gjyqtar të Gjykatës Supreme dhe secili vetë le t’a krahasojë atë me çka ndodh tek ne me gjyqtarët ,prokurorët e në përgjithësi me drejtësinë e re . Rastësisht duke kërkuar në galerinë e fb ,m’u shfaq në një postim të një viti më parë , nga miku im , profesori i universitetit Oakland, mataematicieni Tanush Shaska… “një gjykatës në Amerikë, i cili akuzohej për korrupsion publik mund të dënohet me 395 vjet burg dhe 5.5.milionë dollarë gjobë. Ka përdorur disa sende të zyrës, credit card dhe makinën e institucionit”. Ky informacion më shtyu të kërkoja diçka më tepër rreth kësaj ngjarjeje që lidhet me drejtësinë.Gjatë kërkimit mësova se bëhej fjalë për një mashtrim federal të Allen H. Loughry II, një gjyqtar 47-vjeçar i Gjykatës Supreme të Apelit të Virxhinias së West Virginia. Loughry, i cili mori detyrën në vitin 2012, u zgjodh për të shërbyer si Shef i Drejtësisë në Gjykatën Supreme të Virxhinias Perëndimore në prill 2017. Ai u akuzua nga një juri e madhe federale për mashtrime të shumta, deklarata dhe dëshmitarë të rremë,për 22 akuza Ndër veprat e shumta penale, Loughry është akuzuar se ka përdorur një automjet qeveritar dhe kartë krediti për udhëtime personale si dhe përdorimin në mënyrë të paligjshme prej tij të mobileve historike, një tavolinë që i përkiste arkitektit të famshëm Cass Gilbert. Ai gjithashtu është akuzuar për përpjekje për të penguar dhe ndikuar në mënyrë korruptive në dëshminë e një punonjësi të Gjykatës Supreme në një hetim të pashmangshëm të jurisë.Loughry u arrestua nga agjentët e FBI-së në mëngjes në shtëpinë e tij dhe u dërgua në gjykatën federale në Charleston për përpunim dhe për të planifikuar dënimin e tij. Akuzat: – mashtrime ,deklarata të rreme ,përdorim sende zyrash,credit card dhe mjeti qeveritar në mënyrë të paligjshme – përdorim mobiljesh historike , tavolinë , në mënyrë të paligjshme – përpjekje korruptive për dëshminë e një punonjësi të Gjykatës supreme. Krahasoni këto akuza për këtë gjyqtar ,që mori dënim maksimal me aferat korruptive të gjyqtarëve tanë, që përpos largimit nga detyra asnjë përgjegjësi për pasurinë , falsifikimet,mashtrimet , abuzimet me ligjet etj…u lejuan të trashëgojnë pasurinë e venë me padrejtësi mbi kurrizin e gjakun e të dobtëve . Për rastin e gjyqtarit në fjalë ,ja se çfarë kishte deklaruar Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Mike Stuart për këtë ngjarje : “Një juri e madhe federale ka akuzuar një gjykatës në gjykatën më të lartë të shtetit për krime federale të shumta dhe serioze,” “Në këtë ditë (Dita e Virxhinias Perëndimore ) njerëzit e shtetit tonë të madh meritojnë më të mirën. Ata kanë punuar shumë dhe shumë kohë për të mos toleruar sjelljen e keqe që godet në zemër besimin e publikut nga zyrtarët e tyre të zgjedhur. Kam ndërmend të bëj gjithçka që mundem për të siguruar që njerëzit tanë të kenë qeverinë e ndershme që meritojnë”. Lexojeni me kujdes deklaratën e prokurorit … “do të bëj gjithçka që mundem për t’i siguruar njerzit tanë të kenë qeverinë e ndershme që meritojnë”…”për të mos toleruar sjelljen e keqe që godet në zemër besimin e publikut nga zyrtarët e tyre të zgjedhur”Krahasojeni deklaratën e këtij prokurori me deklaratat e ish prokurorit tonë pa shkollë të mesme A.Llalla ,kur i mbante njerëzit me ” shpresë” se… ” së shpejti do të shikoni….prisni sa të mbarojmë hetimet etj deklarata të tilla ” fjalë të mira e gurë në trastë”. Dhe përfundimi? Asgjë ! Sa ishte prokuror vetëm veprime dhe qëndrime për të mbrojtur dhe për të mbyllur dosje krimi dhe korrupsioni publik të politikanëve dhe kriminelëve dhe të pasurohej brenda një periudhe të shkurtër duke u kthyer në një latifondist tokash. Dhe gjëmb në këmbë nuk i hyri për këto veprime abuzive dhe të papërgjegjshme të këtij Prokurori mediokër (kështu i duhej politikës). Jo vetëm kaq! Por edhe u lejua të “arratisej” e të fshihej si një ” mi gjirizi” në Gjermani se Amerika e kishte bllokuar. Tani gjoja po “dënohet” me gjykim të shkurtuar me dy vjet burg dhe heqje e së drejtës së ushtrimit të profesionit për 5 vjet duke i lënë edhe pasurinë e bërë si prokuror !?!? Krahasoni akuzat për këtë përfaqësues të lartë të drejtësisë sonë me ato të gjyqtarit të gjykatës së lartë në Virxhinia ! Dhe konkluzioni: Përgjegjshmëri dhe ndëshkueshmëri – për të mos thyer besimin e publikut tek drejtësia tek ligji- në Amerikë ! Papërgjegjshmëri dhe pandëshkueshmëri duke thyer besimin e publikut tek ne! Njerëzit ,varfërinë e durojnë duke shpresuar për një jetë më të mirë ,por padrejtësinë nuk e durojnë ,kur shikojnë se si jepet padrejtësia tek ne nga gjyqtarë e prokurorë të paaftë të korruptuar ,xhambazë , që bëjnë pazare me ligjin .I pamë në në procesin e Vetingut. Pamë “babëzinë” e tyre për pasuri, inkompetencën profesionale dhe figura të dyshimta morale. Shumica e tyre, ish oficerë sigurimi, “plepistë” të Saliut me kurse gjashtëmujore, të tjerët mbaruar në universitetet tona private e publike, në shumicën e rasteve me diploma të blera ,që gjatë këtij tranzicioni, nën udhëheqjen e politikës, kanë bërë kërdinë me pronat, krimet, dhunimet,tjetërsimet etj, duke e futur Shqipërinë në ” vetëgjyqësi” dhe në një qerthull të tillë krizash morale, politike, ekonomike e sociale , që nuk ka Veting t’a kthejë këtë vend në gjendje normale – t’i kthehet besimi popullit tek drejtësia dhe forca e ligjit. Madje aq keq, sa që, edhe po të vinte në krye të Prokurorisë tonë, vetë M. Sturt, do ta kishte të vështirë në mos të pamundur për t’i kthyer besimin njerëzve tek drejtësia dhe zbatimi i ligjit .Sa fillon dhe hidhet një hap nga drejtësia e re ,menjëherë reaksioni kundër drejtësisë rreshtohet për t’iu kundërvënë asaj . Nuk duan politikanët e korruptuar dhe ” makleshët e gjekleshët” e tyre të lindë ” fëmija” .U provua me rastin” Medihoxha” për Gërdecin për gjykimin e 26 të vrarëve,mbi 300 të plagosur e një fshat i rrafshuar dhe i kontaminuar.Nuk u gjykua ” për mungesë provash” ,dëshmitarët u “aksidentuan” , Mehdihoxha fitoi imunitet si deputet nga Saliu , për të mbrojtur djalin e vet dhe kështu dosja u mbyll . Ndërkaq ortakët e tyre në Amerikë u gjykuan dhe u dënuan madje u realizua edhe një film me titullin” Qentë e luftës” .Kurse këtu vazhdon tallja dhe komedia e kësaj ngjarjeje ku vetë protagonisti kryesor ish ministri i mbrojtjes ,gjykimin e kësaj çështjeje nga SPAK,e quan ” politik” e në mbrojtje të kësaj kauze ,del “armata” e analistëve të tipit “maklesh e gjeklesh” ,duke i mëshuar aspektit politik ,sepse sipas tyre për të krijuar ” ekuilibër” duhet të gjykohet edhe një politikan i korruptuar nga mazhoranca . Në vend që të zbulojnë të vërtetat, imagjinojnë, fantazojnë, denigrojnë, aludojnë, parashikojnë, profetizojnë, për të krijuar në opinion një të ” vërtetë tjetër paralele” , për t ‘u shplarë trurin njerëzve . Flasin kot, dëgjojnë asgjë dhe shikojnë hiç. Bashkime tingujsh si fjalë, mullarë fjalësh si fjali, kapica fjalësh si mendim. Por më e keqja e mjeranëve të tipit ” makleshë e gjekleshë” është kur përpiqen të mbahen si profetë të mëdhenj kundrejt të tjerëve, në vend që të heshtin derisa të mësojnë t’i thonë gjërat thjesht dhe qartë. Logjikë leshi makgjeku- vahmirrëse e së vërtetës ! Por lajmi i mirë është se 28 agjentë të FBI- së shqiptare po kthehen në Shqipëri pranë BKH-së ,pas trajnimit të tyre në Amerikë .Do t’iu kujtoja këtyre agjentëve të rinj deklaratën e bërë nga agjenti i vjetër i FBI-së Nick Boshears ,pas arrestimit të gjyqtarit të Gjykatës supreme (që përmendëm më lart) …”Korrupsioni publik është një përparësi e lartë hetimore për FBI-në,” sepse shkatërron besimin e publikut dhe minon sundimin e ligjit.” Shpresojmë ,që Drejtësia e Reformuar t’i kthejë popullit besimin tek drejtësia dhe sundimin e ligjit tek të gjitha dosjet e mbyllura për “arësye procedurale” apo” mungesë provash” .Dhe dosje të tilla nuk janë pak ,që implikojnë që nga ish presidentë e deri tek oficerë të gardës .Detyrë e vështirë është , por deri atëhere nuk është keq që njerëzit t’a shtyjnë jetën e tyre me besimin se një ditë do të ketë Drejtësi dhe Demokraci në mos për këtë brez , të paktën për brezat e ardhshëm !.