Sejdi Gega: Pushka e Besim Ndrecës paralajmëronte fundin e pacifizmit kapitullues dhe Luftën Çlirimtare
Më 3 maj 1995, në kohën kur Serbia po forconte terrorin në emër të “aksionit për mbledhjen e armëve” ndodhi edhe përpjekja për t’ia marrë edhe Besim Ndrecës armën e brezit. Mirëpo, Besimi nuk ishte nga ata burra që dorëzonin armën pa luftu. Dy policët serbë, që kërkonin ta çarmatosnin Besim Ndrecën, mbetën të vrarë nga plumbat e tij. Ngjarja kishte ndodhur në vendin ku punonte Besimi. Pas vrasjes së policëve që tentuan t’ia merrnin armën e brezit Besimi largohet drejt fshatit të tij i ndjekur nga forca të mëdha ushtarako – policore dhe nga një helikopter. Forcat e pushtuesit po përpiqeshin ta kapnin të gjallë trimin shqiptar. Në Fushën e Thatë të fshatit Legjend – Malësi e Re, Besim Ndrecaj, në një luftim të pabarabartë do të vras edhe shumë policë tjerë para se të binte heroikisht në altarin e lirisë. Besimi është shquar për shpirt atdhetari, për të cilën dëshmon fakti se pushtuesi serb dy herë e denoi me burg. Ai nuk iu frikësur aspak dhëmbëve të okupatorit e as «këshillave» të subjekteve politike pacifiste, por me mllefin që ishte mbledhur nga torturat kriminale të Shoshkoviqit, armën nuk do t’ia japë, po do t’u japë plumba në gjoks, që të dyve. Besimi kishte marrë automatikun dhe revolen e njërit nga policët e vrarë dhe ishte nisur në drejtim të Legjendës… Akti i Besim Ndrecës dhe pushka e tij ua ndali turrin hordhive barabare që torturonin mizorisht popullatën shqiptare në stacionin e policisë në Lubizhdë të Prizrenit, po, edhe në vendet tjera të Kosovës. Jehona e kësaj epopeje të lavdishme u përhap si rrufeja në mbarë trojet shqiptare dhe në mërgim.
Profesori atdhetar, BAJRAM Kurti, në cermonin e varrimit, do t’i drejtohet ndër të tjera me këto fjalë: “Çohu Besim Ndreca një herë e shih këta mijëra dasmorë që t’kanë ardhur të ta urojnë ditëlindjen, pavdekësinë, qëndresën heroike… Pushka e jote, o Besim Ndreca, vrau dyfish: nga njera anë, vrau kulçedrën fashiste serboçetnike dhe nga ana tjetër, vrau tradhtin e pacifizmit dhe kolaboracionistëve, veglave të shitura të armikut. Pushka e jote është lajmtari i lirisë… ” Lavdi jetës dhe veprës heroike të heroit Besim Ndreca dhe gjithë atyre që ndjekën shembullin e Besimit!