Vetëm për ato parti e grupe, vetëm për ata politikanë karrieristë e udhëheqës matrapazë dhe vetëm për ato medie e kalemxhinj që do të kishin dëshiruar një proces zgjedhor të komprometuar, konfliktual dhe të dhunshëm thonë që “populli foli përçart!! Këta i gjenë kryesisht dhe më me ndikim në Tiranë e Prishtinë. Prejardhjen politike dhe ideologjike e kanë të ndryshme (të parët esadisto – zogiste, kurse të dytët kryesisht jugotitiste e kolaboracioniste…), por qëllimet të njëjta: kompremetimin, nxirjen dhe dëmtimin e imazhit të shtetit tonë Amë dhe, për rrjedhim, të kombit shqiptar me qëllim të fundit përçarjen e kombit në vija të ndarjeve partiake, krahinore, fetare dhe territoriale – shtetërore (sipas ndarjes së dhunshme të kombit e të Shqipërisë nga pushtuesit dhe aleatët e tyre, të cilët edhe sot angazhohen për ta mbajtur kështu të copëtuar kombin shqiptar dhe Shqipërinë e tij, duke “harruar” se kanë ikur kohërat e lojës me çështjen shqiptare… Shqiptarët e Shqipërisë andej Drinit (një e treta e Shqipërisë) foli qartë e foli prerë: Ikën kohërat e kaosit e të nëpërkëmbjes së shtetit e të krenarisë kombëtare! Uroj që kjo POROSI të lexohet dhe kuptohet drejt nga ata që u gabuan dhe mashtruan! Kombi dhe Shqipëria jonë ka nevojë për secilin deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare… (Redaksia)
DASH përgëzon Shqipërinë për zgjedhjet: Vazhdojmë partneritetin me Ramën, opozita të njohë rezultatin. Ambasadorja,Juri Kimi: Populli foli qartë! Prisni raportin final të OSBE – së!
Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka përgëzuar Shqipërinë për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Në një status në rrjetet sociale, Price shkruan se vazhdojnë të shpresojnë për një partneritet të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojnë fushatën e fortë të opozitës.
“Sh.B.A përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tij të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e DASH.
Ndërkohë edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim foli për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit, pasi ripublikoi deklaratën e DASH.
“Ne e përgëzojmë Kryeministrin Edi Rama dhe PS për fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që i dha zë shumëkujt dhe frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë. Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Prisni raportin final të OSBE, i cili duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet e Shqipërisë. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm e në paqe”, tha Ambasadorja Kimi.