„Edhe treqindë gjaqe e varre po u bënë, përsëri duhet ulur në cergë e biseduar“, – thonte shpeshherë i urti Anton Çetta gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve në vitin 1990, ndonëse mes nesh e serbëve nuk janë treqindë gjaqe e varre, por janë mbi 1 400 vjet armiqësi, grindje, konflikte e luftëra, mbi 1 400 vjet përpjekje për t’i pushtuar e nënshtruar shqiptarët pa bërë asnjëherë përpjekjen më të vogël për t’i shuar konfliktet e luftërat, pa bërë përpjekje asnjëherë për të vendosur paqen! Edhe këto dhjetë apo sa vjet kaluan nga fillimi i bisedimeve mes shqiptarëve e serbëve me ndërmjetësimin e miqëve, si jemi mësuar t’i quajmë, nuk kishte asnjë përpjekje serioze nga ana e serbëve për t’ua zgjatur dorën shqiptarëve por, përkundrazi, përpjekjet e tyre gjithnjë ishin përpjekje për ta thyer dorën shqiptare, e cila miqësisht edhe pas gjithë atyre lumenjve gjaku të derdhur, u mbeti e shtrirë!?
U ndërruan qeveritë, u ndërruan edhe presidentët, u zhvilluan bisedime si në Rambouillet ashtu edhe në Vjenë e Bruksel, u arritën edhe „marrëveshje“ por, pothuajse asnjëra prej tyre nuk u realizua si duhej. Serbia vozhdonte lojërat e saj dhe gjithnjë kërkonte më shumë. Edhe tani po kërkon. Po kërkon kompromise, sikur shqiptarët nuk paskëshin bërë kompromise në raport me Serbinë, por cili do të ishte kompromisi, apo cilat do të ishin ato ende nuk po thuhet, por, megjithatë po mbetet hapësirë për t’u kuptuar.
Bisedimet ka kohë që janë ndërprerë, përjashto skenat teatrale të Washingtonit në vitin e me aktorin kryesor Richard Grenell, e cila Kosovës ia solli një njohje me kusht!
Kërkesat për bisedime kanë filluar dhe çdo gjë që vije nga miqët tanë, qofshin letra urimi për fitoren në zgjedhje, qofshin letra tjera, në vete përbëjnë kërkesën për fillimin e dialogut të ndërprerë me Serbinë dhe nganjëherë i marrin edhe format e presionit…
Në javën që po e përcjellim u tha se Albin Kurti do të shkojë javën e ardhshme në Bruksel, por nuk do të takohet me Vuçiqin.
Albin Kurti jo vetëm që nuk duhet t’u shmanget, por ai duhet të shkojë në bisedime, jo sa për teatër, fotografi e për të bërë kompromise si kanë bërë tjerët para tij, të cilat për Kosovën nuk sollën ndonjë gjë të mirë, por për t’ia vënë Vuçiqit para fakturën për të cilën ka kohë që na ka folur, ngase kompromiset tani më janë bërë, madje shumë më shumë se ç’është dashur të bëhen. A nuk ka qenë kompromis pranimi i pakos së Ahtisaarit, e cila e përjashton bashkimin e Kosovës (me këdo tjetër!) përifshirë edhe Republikën e Shqipërisë, bashkim i cili ishte dhe mbeti gjakim i të gjitha gjeneratave që nga ndarja e saj? A nuk ka qenë kompromis rezervimi i vendeve në parlamentin e Kosovës për pakicën serbe? Ku ka ndodhur që një pakicë me 3-4 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë së një vendi t’i ketë aq shumë vende të rezervuara në Parlamentin? A nuk është kompromis lejimi mospaguarjes së energjisë nga serbët në veri të Kosovës? A nuk është kompromis (i heshtur) lejimi i ushtrimit të pushtetit në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës në komunat ku udhëheqin serbët? Po të numërohen kompromiset, ato vërtetë na dalin shumë dhe po që se i bëhen kompromise tjera Vuçiçi sot, apo cili do qoftë nesër, do të vazhdohet me kërkesa tjera për kompromise të reja dhe një ditë në radhë do të vije edhe kërkesa për kompromis për të hequr dorë Kosova nga pavarësia e vetë dhe të kthehet në kuadër të Serbisë me një autonomi kulturore.!? Ata nuk ngopen dot.
Në cilën do kërkesë e që e përmedndin zyrtarët e Republikës së Kosovës, zyrtarët serbë në anën tjetër, iu bijnë daulleve me gjithë forcën dhe me gjithë forcën e zërit çirren duke thënë se „shqiptarët nuk duan bisedime,“ se „ata po i minojnë bisedimet“, se „ata po bëjnë presion“, se „ata po shantazhojnë…“ e plotë insinuata tjera.
Me Serbinë ka çfarë të bisedohet dhe duhet të bisedohet! Temat duhet të jenë: Çështja e të „pagjeturve“, të ashtuquajtur. Po u them të pagjetur të ashtuquajtur ngase Vuçiqi dhe Daçiqi e dijnë se ku gjenden. Ata ishin pjesë e makinerisë fashiste të Milosheviçit, prandaj për këtë duhet biseduar. Ata duhet të tregojnë ku gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë në Kosovë e të vorrosur gjithandej Serbisë… Duhet për të biseduar edhe, ashtu siç ka thënë zoti Kurti disa herë tjera para se të bëhëj kryeministër, për dëmshpërblimet për gjithë ato shkatërrime e dëme që Serbia ia ka bërë Kosovës. Faktura duhet t’i vihet para Vuçiçit.
Temë bisedimesh duhet të jetë edhe çështja e reciprocitetit – jo reciprocitetit me maune mallërash e tabela regjistrimi veturash, por çështja e statusit të minoritetit serb në Kosovë, i cili nuk është tjetër pos pasardhës kolonizatorësh dhe minoritetit shqiptar në Serbi – Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, që është autokton në trojet e veta. Për këtë nuk do të duhej zgjatur shumë! Serbia duhet t’i dorëzojë dokumentet në bazë të të cilave u garantohen të drejtat shqiptarëve në Preshevë Bujanoc e Medvegjë dhe zyrtarët e Kosovës të njëjtat të drejta, por edhe obligime t’ia garantojnë pakicës serbe në Kosovë e pastaj të flitet për reciprocitetin në fushat tjera.
Kryeministri Kurti nuk duhet dhe nuk ka pse të shmanget nga bisedimet me Serbinë, pos nëse në ekipin e vet e merr edhe ndonjërin nga anëtarët e ekipeve të kaluara, të cilët nuk u dalluan për gjë tjetër pos për kompromise që për Kosovën nuk sollën gjë të hajrit.
Vuçiçi po e synon Kosovën e cunguar edhe njëherë, por Kosova e cunguar, të cilën po e synon Vuçiçi, nuk na duhet. Nuk i duhet askujt as Kosova në OKB, e cunguar…
Zoti Kurti e din se çka do të duhej të bisedonte me Vuçiçin… Ai na ka treguar edhe neve qysh pa ardhur në krye të qeverisë dhe nuk ka pse frikohet nga takimet dhe bisedimet me të. Ne do ta mbështesim!