Portreti/intervista

Dhimiter Shtembari: Llazar Muço figurë e shquar e Lushnjes dhe e gjithë Shqipërisë

Të dashur miqtë e mi!

Në radhën e figurave të shquara që nderojnë jo thjeshtë Lushnjen apo Myzeqenë, por pse jo – edhe vendin, është edhe ish diplomati Llazar Muço. Kush është kurioz të dijë diçka më shumë lidhur me jetën e tij, le të lexojë këtë tregimth të shkurtër.Lexim të këndshëm, të dashur miq!Brenda thjeshtësisë së diplomatit Llazar Muço fshihej madhështia e karakterit të tij. Ndërsa së bashku me shokun tim Jovan Jano ishim duke pirë kafe në një lokal pranë shkollës 9 vjeçare “Sabaudin Gabrani” të kryeqytetit, na afrohet një miku ynë, Abdyl Lako, skraparli. – Kafen e kam pirë, – na thotë, – por kam dëshirë të shkëmbej dy llafe me ju. – Kënaqësia është e jona, – ia kthejmë në një gojë dhe i çohemi në këmbë. Sa do të donim t’i kishim të gjithë shokët e miqtë si Abdyli! Pranë tij, kushdo do të ndihej i lumturuar. Po, po; i lumturuar. Se ai sikur ta fut dorën në shpirt dhe të nxjerrë së andejmi çka të mundon a të mërzit.- Kur kujtoj diplomatin Llazar Muço, lushnjar, – na thotë, – jam gati t’i përulem me shumë respekt çdo myzeqari.E dëgjojmë të na thotë kështu dhe menjëherë ia ngulim sytë në fytyrë. Ç’ishte kjo që dëgjonim?!Pa pritur t’i kërkonim ndonjë shpjegim më të hollësishëm, ai vazhdon: – Isha me shërbim diplomatik në Dar es Salaam të Tanzanisë. Paga mujore që merrja ishte e mjaftueshme vetëm për ne dy bashkëshortët në Tanzani, por duheshin të holla edhe për fëmijët këtu në Shqipëri…Qëndron një hop dhe Abdyli vazhdon: – Na patën ardhur në Dar es Salaam punonjës të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, që nga ata të degës së Financës e deri një zëvendësministër, por… askush nuk na pati kthyer ndonjë përgjigje që të na kënaqte kërkesën që i shtronim.Dhe, sakaq, Abdyli na shikon në sy sikur kërkon të na thotë “mos ndoshta po ju mërzis?!” Dhe kur kupton, se jemi duke e ndjekur me shumë interesim, vazhdon: – Një herë na vjen atje ku shërbenim, në Dar es Salaam, diplomati Llazar Muço, atëherë drejtor Drejtorie në Ministrinë e Punëve të Jashtme. “Do t’ia shtroj edhe këtij kërkesën që kam” i them time shoqe. “Mooos! – më thotë gruaja, – juve nuk jua ka zgjidhur zëvendësministri, pret që t’jua zgjidh ky!”. “Megjithatë, grua, – iu drejtova time shoqe, – do t’ia them”. Dhe gjeta rastin që të bisedoj disi veçantë me të. Kur nisa t’i thosha atë që mendoja, dëgjova të më thotë: “Pa dale të nxjerrë pak bllokun e shënimeve. Sepse edhe harrojmë”. Se si u ndjeva kur tha kështu. Asnjë nga bashkëbiseduesit e mëparshme nuk kishte mbajtur shënime, paçka se me gojë ishin zotuar se do ta ngrinin si problem në Ministri. Ia qava hallin, duke i lënë të kuptonte, se si problem ishte jo vetëm i imi, por edhe i tërë kolegëve që bënin po atë punë që kryeja edhe unë në ambasadë. “Dakord, – m’u drejtua, – do ta bisedoj në Ministri dhe brenda dy javësh do të merrni përgjigje”. “Shumë ju faleminderit!” – ia ktheva. Dhe u ndamë.Teksa vazhdonte tregimin, Abdyli na ndiqte me sy se si reagonim. – I tregova gruas se si kisha vepruar. Ajo tundi kokën dhe…“Mirë ke bërë, more burrë, por… mos prit ndonjë lajm kush e di se çfarë! Kur nuk bëri gjë zëvendësministri, zor se do të mund të bëjë ky!” Ato ditët e atyre dy javëve që me tha diplomati Llazar Muço, mezi i prisja të kalonin njëra mbas tjetrës. Fundin e fijes së bisedës së mikut tonë Abdyl Lako e morëm me mend, por konkretisht na e tregoi vet ai: – Fiks mbas dy javësh vjen njoftimi në ambasadë, se paga ime mujore rritej me një përqindje të mirë. Kur e mësoi ime shoqe këtë lajm të gëzuar, m’u shpreh: “Shyqyr që nuk më dëgjove mua, more burrë!”Llazar Muço, bir i shquar i Krutjes së Sipërme në rrethin e Lushnjes, mbaruar me rezultate të larta për Diplomaci në Moskë, gjatë karrierës së gjatë ka arritur të jetë deri edhe drejtor Drejtorie në Ministrinë e Punëve të Jashtme.I martuar me Xhenin, intelektuale e dalë prej fisit të mirënjohur Bano në Lushnje, Llazari krijoi një familje të shkëlqyer.Ndërsa shërbeja gazetar në Tiranë, në vitin 1987 e më tej, i shkoja shpesh në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në zyrë e gjeja teksa rrinte përballë një diplomati tjetër të shquar, siç ishte i mirënjohuri Sulejman Tomçini. Nga i mrekullueshmi Sulejman ende kam në vesh shprehjen: “Ne e njohim mirë se cili është Llazar Muço si diplomat, por ky ende nuk e njeh mirë vetveten”.Diplomati Llazar Muço ka vite që është ndarë nga jeta edhe pse i ri në moshë. Ai ka qenë dhe mbeti deri në fund njëri i heshtur; i thjeshtë, tepër i thjeshtë. Por brenda asaj thjeshtësie fshihej madhështia e karakterit të tij.