Budapest, HUNGARY: Albanian President Alfred Moisiu is pictured in the blue hall of the presidental palace of Budapest Castle hill, 15 June 2006, prior to official talks with his Hungarian counterpart Laszlo Solyom. Moisio arrived yesterday for his two-day official visit to Hungary. AFP PHOTO / ATTILA KISBENEDEK (Photo credit should read ATTILA KISBENEDEK/AFP via Getty Images)
Portreti/intervista

Intervistë me Kryetarin Alfred Moisiu

Presidenti flet edhe për aspekte të tjera, si për shembull, pse Partia Socialiste nuk ka një qëndrim të prerë dhe të vendosur për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Çfarë mendon ai për zgjedhjet e fundit në Kosovë, për fitoren e Albin Kurtit dhe si e shikon çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ai thotë se nuk mund të bëhem mohues i të drejtave të kombit tim. Zoti e ka bërë Shqipërinë ashtu sikurse ka qenë, kurse njeriu e prishi, e copëtoi…

Në këtë kulm të fushatës për zgjedhjet e rëndësishme të 25 prillit, iu drejtova me disa pyetje Presidentit Alfred Moisiu, një nga figurat kryesore dhe më me autoritet të pas vitit 1990. Ai pranoi me kënaqësi të fliste për gazetën DITA, sikurse ka bërë edhe shumë herë të tjera në të kaluarën.

“Gjyshi i politikës”, sikurse e quajnë shpesh, ndihet shumë mirë midis miqve të shumë të tij, politikanë dhe intelektualë. Megjithëse në vitin e 92-të të jetës, ai është tejet i kthjellët dhe ka një gjykim racional për të gjitha zhvillimet, ndërsa ndjek me vëmendje gjithçka ndodh në vend dhe në botë. Shkruan përditë, lexon shumë dhe jep intervista sa herë i kërkojnë. Me një korrektesë shembullore dhe me përgjegjësi maksimale si kur flet, dhe kur shkruan, Presidenti iu përgjigj të gjitha pyetjeve tona, duke dhënë edhe këshillat e tij të vyera për të dhënë ndihmesën e tij që në këtë vend të bëhet më e mira në interes të popullit. Ja pse shprehet ai se po nuk respektuam veten, të mos presim të na respektojnë të tjerët!

Më tej, Presidenti flet edhe për aspekte të tjera, si për shembull, pse Partia Socialiste nuk ka një qëndrim të prerë dhe të vendosur për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Çfarë mendon ai për zgjedhjet e fundit në Kosovë, për fitoren e Albin Kurtit dhe si e shikon çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ai thotë se nuk mund të bëhem mohues i të drejtave të kombit tim. Zoti e ka bërë Shqipërinë ashtu sikurse ka qenë, kurse njeriu e prishi, e copëtoi…

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti President! Kemi hyrë në fazën finale të zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti. Janë padyshim zgjedhje të rëndësishme. Zgjedhësit janë në mëdyshje se kë të zgjedhin: Këta që janë në pushtet apo ata që janë në opozitë? A është kjo një dilemë shekspiriane apo është më e thjeshtë se sa konceptohet?

– Sigurisht në çdo periudhë zgjedhore, me afrimin e datës së caktuar, rriten së tepërmi ndjesitë për pritshmëritë e rezultatit zgjedhor. Kjo krijon jo vetëm një situatë ankthi, por edhe rrit në mënyrë galopante si kuriozitetin ashtu edhe përgjegjësitë përkatëse për rezultatet. Forcat politike pjesëmarrëse shtojnë në maksimum aktivitetin e tyre propogandistik dhe sqarues për programet e tyre zgjedhore. Kjo është normale dhe e njëllojtë kudo, në vendet demokratike. Ka luftë mendimesh dhe programesh. Përpjekje për të bindur elektoratin, veçanërisht atë të lëkundur ose gri, që i thonë, pikërisht për këtë pjesë zhillohet edhe beteja kryesore, pasi për fat të keq tek ne pjesa e elektoratit militantesk nuk konsiderohet shumë problem. Ata thonë do t’i shkojmë pas atij, pranë të cilit kemi lidhur kalin, qoftë për mirë ose për keq. Demokracia e vërtetë mund të konsiderohet e arritur kur pjesa e lëkundur e elektoratit shtohet dhe pakësohet pjesa militanteske. Por tek ne, megjithëse kanë kaluar 30 vite që kemi përmbysur diktaturën, situata pak ka ndryshuar, ende dominon pjesa e militantëve. Kjo edhe e lehtëson punën e partive, pasi dinë se ku duhet përqëndruar vëmendja kryesore.

Sigurisht që pjesa e elektoratit  që gjykon me objektivitet do të zgjedhë atë forcë politike që ka program konkret, të arritshëm, të argumentuar dhe që kanë krijuar bindje se ato që thuhen realizohen. Për fat të mirë, pas 30 viteve njerëzit tek ne janë bërë më pragmatistë dhe dinë tani më mirë të zgjedhin. Qytetarët tani shikojnë më konkretisht se sa dhe si janë plotësuar angazhimet, sa është përmirësuar jeta, se sa është përparuar, e të tjera arritje të zhvillimit. Pra, bindu dhe pastaj voto.

– Zoti Moisiu! Prej disa vitesh po flitet për një reformë në drejtësi. Thelbi i saj konsiston në ndëshkimin e atyre që e meritonin të ndëshkoheshin. Pra të korruptuarit, vrasës dhe të tjerë… Si ju duket reforma e deritanishme dhe a duhet ajo të vazhdojë të thellohet?

– Mendoj se Reforma në Drejtësi është një nga arritjet më të mëdha që kemi pasur, këto vitet e fundit. Klasa jonë politike, e bindur apo e detyruar, arriti që ta miratojë atë reformë dhe nën vëzhgimin e BE dhe të SHBA. Kështu, ndonëse jo me ritmin e dëshiruar dhe të parashikuar, prap se prap ajo po ecën përpara. Deri tani janë konstituar të gjitha institucionet e reja të parshikuara sipas ligjit, megjithëse disa institucione ende nuk janë plotësuar tërësisht me efektivin që parashikohet. Gjithësesi puna po vazhdon. Pengesat në të shumtën e rasteve janë të krijuara nga politika, e cila megjithëse vetë e miratoi reformën, nuk bën kujdesin e duhur për t’i realizuar detyrimet e saj në kohë. Këtu ajo ka shfrytëzuar disa shtigje që u krijuan ditën e fundit, që jo pa qëllim kam thënë: “RAKISË JU HODH UJË”. Janë pikërisht ndryshimet që ju bënë nga fundi, të cilat u përdorën për të krijuar zvarritje të njëpasnjëshme, që i kemi parë.

Tani u takon atyre që janë zgjedhur në SPAK dhe në organet e tjera, që të kryejnë punën  e tyre për të vënë para përgjegjësisë njerëzit që kanë abuzuar në detyrat e tyre dhe kanë krijuar pasuri të pajustifikuar si dhe kanë krijuar premisa për zhvillimin e krimit dhe korrupsionit.

Institucionet e krijuara sipas ligjit të reformës duhet të zhvillojnë punën e tyre me përgjegjësi të lartë, tempin e duhur dhe pa frikë. Duhet ta dinë që populli i përkrah dhe pret shumë prej tyre. Por sondazhet e fundit tregojnë se durimi i njerëzëve dhe besimi i tyre po shteron, presin që sa më parë dhe më shpejt të goditen figura të rëndësishme, të cilët kanë abuzuar dhe keqpërdorur pasurinë publike, duke u pasuruar padrejtësisht. Shohim në shtypin e përditshëm akuza shumë të rënda, por po na krijohet përshtypja se prokurorët e caktuar për këtë punë sikur janë indiferentë. Ashtu sikurse dhe i mbështesim njerëzit që bëjnë pjesë në institucionet e reja të drejtësisë, ashtu dhe mund të kërkojmë që ata të zëvëndësohen nëse nuk kanë kurajon e duhur profesionale për të vepruar. Është humbur shum kohë, e cila duhet të rikuperohet me shpejtësi.

– Një nga pyetjet që më bëjnë shpesh miq të mi dhe lexues të DITA-s është kjo: Pse nuk pozicionohet qartas Partia Socialiste në mbrojtje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërsa kryetari Edi Rama ka bërë që disa shfaqje publike në mbrojtje të Mit’hat Frashërit dhe të ballistëve? Cili është qëndrimi juaj për Luftën antifashiste dhe çfarë do t’i këshillonit Edi Ramës për këtë periudhë të historisë sonë kombëtare?

– Për arsyen, nuk jam unë njeriu i duhur për të dhënë përgjigje, mund të pyesni ndonjë të Partisë Socialiste. Përsa i përket mendimit tim lidhur me këtë problem historik jam shprehur dhe më parë. Gjithsesi po ritheksoj se Lufta Nacionalçlirimtare është një nga pjesët më të ndritura të historisë të popullit tonë. Ishte ajo që na ka radhitur në radhët e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Pa atë luftë nuk dihet sesi do t’i kishte shkuar fati Shqipërisë. Shpesh në biseda, kur dëgjojmë gjithë ato shpifje për atë periudhë, iu them miqve të mi: “Ore, nuk e di mos kemi bërë gabim që luftuam kundër pushtuesit?”.  Është një pyetje që del vetvetiu, pasi nuk e kuptoj pse gjithë ky vrer nga disa pseudohistorianë dhe pseudoanalistë. Them me bindje se bëhet një ngatërresë me dashakeqësi e luftës me periudhën pas saj, të cilën që më 22 mars 1992 e dënoi shumica dërrmuese e shqiptarëve. Dëshiroj ta theksoj edhe një herë se armiqësia që u krijua gjatë luftës midis një pjesë të shqiptarëve, gjë që ka ndodhur pothuajse në të gjithë Europën e pushtuar, mbahet gjallë padrejtësisht sot e kësaj dite vetëm e vetëm sepse i intereson një pjese të politikanëve. E pra ky është një krim tjetër që po i bëhet shqiptarëve nga këta politikanë për interesat e tyre të ngushta partiake dhe personale.

Mendoj se çdo qëndrim apo sjellje e gabuar ndaj historisë, është me pasoja të rënda në edukimin e brezit të ri. Nuk ka popull serioz që nuk nderon me respekt dhe dashuri sakrificat e të parëve për liri dhe demokraci. Çdo qëndrim ndryshe dëmton në trashëgiminë dhe përgatitjen patriotike të brezave pasardhës. Historia nuk mund të rishkruhet, ajo trashëgohet dhe transmetohet ashtu sikurse ka ndodhur, me të mirat dhe të  këqiat e saj. E bardha është e bardhë dhe e zeza është e zezë, pavarasisht nga dëshirat dhe interesat që kanë. Por tani pasi kanë kaluar afro 70 vite, nuk mund të mbajmë shqiptarët të ndarë, sepse kështu iu intereson disa partive dhe udheheqësve të tyre. Ndonëse e kam thënë edhe herë të tjera , po e përsëris: Po nuk respektuam veten, të mos presim të na respektojnë të tjerët!

– Le të kthehemi te zgjedhjet e 25 prillit. Cila do të ishte këshilla juaj për këto zgjedhje?

– Zgjedhjet për çdo vend janë një proces politik tepër i rëndësishëm, që tregon nivelin e demokracisë. Në çdo vend demokratik rrotacioni ose vazhdimësia e qëndrimit në pushtet, arrihet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në vendin tonë tashmë janë zhvilluar shumë zgjedhje. Kështu që nuk mund të thuhet se nuk dimë apo nuk kemi përvojë si të organizojmë dhe të zhvillojmë zgjedhje në nivelin e duhur. Zgjedhjet mund të bëhen pis vetëm me dëshirën e drejtuesve politikë. Dhe kjo ndodh kur ata në plan të parë nuk kanë interesat e vendit, por dëshirën për të ardhur me çdo kusht në pushtet ose për të ruajtur me çdo kusht pushtetin e marrë. Ndërkohë populli tashmë i ndërgjegjësuar do të bëjë dallimin ndërmjet tyre dhe personalisht do t’i këshilloja bashkëkombësit e mi që të mos i shmangen procesit, por të dalin të votojnë, pasi kjo është e vetmja mundësi reale që ka secili prej nesh për të ndikuar në zhvillimin pozitiv të vendit tonë.

Patjetër që çdokush prej nesh duhet të analizojë drejtë dhe saktë çfarë ka bërë njëra apo tjetra forcë politike, kur ka qenë apo është në pushtet.

Është shumë e rëndësishme që të mos shitet vota. Një veprim i tillë tregon në radhë të parë  mungesë respekti ndaj vetes, pa folur që është një gjest shumë i ulët që përçmon demokracinë.

Gjykoj se përdorimi i fjalëve apo kërcënimeve, që komunikojnë disa politikanë të rëndësishëm, është jo vetëm mungesë besimi por edhe ngarkon padrejtësisht me tensione situatën parazgjedhore, veçanërisht ditën e zgjedhjeve. Një fjalë e thënë nga lart, pa kujdes, jep jehonë negative tek masa e zgjedhësve. Veprime të tilla, zakonisht të mirëmenduara nga personat që i kryejnë, i ngarkon ata me përgjegjësi. Mendoj se edhe organet përkatëse të drejtësisë nuk duhet të qëndrojnë indiferent në të tilla raste. Është më mirë  të parandalosh sesa të shqyrtosh pasojën dhe të kërkosh mandej fajtorin.

– Më 14 shkurt u bënë zgjedhjet në Kosovë. Fitoi Albin Kurti bindshëm. Mirëpo ai ka prioritet bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, një opsion që nuk përshtatet dhe nuk mbështetet nga kancelaritë perëndimore.  Ju, mendoni se Albin Kurti ka të drejtë, apo aleatët tanë europerëndimorë?

– Mendoj se në 14 shkurt kosovarët folën qartë se çfarë duan dhe çfarë presin. Ishte një arritje e rëndësishme për demokracinë e tyre dhe për shtetin e ri të Kosovës, gjë për të cilën unë shpreh respektin tim të thellë për vëllezërit e mi shqiptarë të Kosovës.

Gjatë kohës që isha në detyrën e Kryetarit të Shtetit, shpesh gazetarët e huaj më drejtonin pyetjen se si e shikoja çështjen e “Shqipërisë së Madhe”, ku dhe përgjigjet e mia të asaj kohe njihen. Pyetjes tuaj prapë i përgjigjem se Shqipëria nuk është as e madhe dhe as e vogël, ajo është aq sa e ka krijuar Zoti. Përsa i përket bashkimit, do të thoja se për tani rruga e vetme do të jetë nëpërmjet integrimit europian. Ky është mendimi im i hershëm dhe i sotëm.

Nuk dua ta fus veten te nacionalistët ekstrem, sepse nuk jam i tillë. Por nuk mund të bëhem mohues i të drejtave të kombit tim. Zoti e ka bërë Shqipërinë ashtu sikurse ka qenë, kurse njeriu e prishi, e copëtoi, duke filluar që nga viti 1878, në Kongresin e Berlinit; më 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe më tej në 1921 në Konferencën e Paqes në Paris. Dihet historikisht se në këtë konferencë vendin tonë e shpëtoi Presidenti Uillson, gjë për të cilën ne shqiptarët i jemi përjetësisht mirënjohës popullit amerikan. Pra nëse ne kërkojmë bashkim, nuk bëjmë gjë tjetër veçse  kërkojmë thjesht që pjesërisht ta kthejmë vendin tonë atje ku e ka vendosur  Zoti. Dëshira e shprehur nuk është gabim, tjetër punë se kur mund të arrihet dhe si. Normale si kërkesë, pasi ne nuk duhet të dalim ndesh me zhvillimet dhe interesat e Bashkimit Europian, por ndërkohë ne mund të ecim pa frikë drejt asaj. Dimë se qeveritë e dy vendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, kanë bërë disa hapa, kanë marrë edhe disa vendime, tjetër se shumica e tyre kanë mbetur në letër. Gjithësesi ne mund të ecim drejt unifikimit të gjuhës së shkruar, vlerësimit të historisë, bashkimit të aktiviteteve kulturore, ekonomike, zgjidhjes dhe lehtësimit të punës së doganave, kalimit të kufirit e të tjera fusha me interes të përbashkët. Të gjitha këto veprime të ndërsjellta do të jenë në të mirën e dy vendeve  tona, pa ndaluar punën për integrimin europian.

* President i Republikës së Shqipërisë (2002-2007) Gazeta DITA