Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CX) – FIERZA – ME LIQENIN, DIGËN DHE HIDROCENTRALIN E SAJ

Fierza është fshat i Krasniqes, e ndodhur në luginën ku lumi Valbonë i bashkohet lumit Drin. Në fakt, janë dy Fierza, njëra përballë tjetrës, Fierza e Tropojës dhe Fierza e Pukës, të cilat i ndanë Drini. Këto dy Fierza realisht përbëjnë një fshat, i cili ka qenë i banuar nga ilirët e fisit të Pirustëve, së paku që nga koha e pushtimit romak. Lashtësinë e fshatit e tregojnë rrënojat dhe gjurmët e kishave të ndërtuara në atë kohë, gjurmët e një rruge romake etj. Ato që e bëjnë të famshëm Fierzën në brigjet e Drinit është shtrirja e liqenit më të madh, ngritja e digës më të lartë dhe ndërtimi i hidrocentralit më të madh në vend. Edhe pse në territorin e tyre ndodhet gjiganti hidroenergjetik, Fierza pothuaj nuk ka përfituar gjë prej tij. Edhe këtu ndodhë ndërprerja e energjisë elektrike me ditë e javë, sikur edhe në fshatrat tjerë përreth tij. Shpesh ka pas mosmarrëveshje rreth asaj, se kujt i takon HEC-i; Tropojës apo Pukës. Zona e Fierzës, e përbërë nga tetë fshatra, njihet edhe si zonë turistike. Dihet se në vitin 1944 fshati kishte 230 shtëpi. Gjatë ndërtimit të HEC-it fshati ishte dyfish më i populluar, kur ishte ndërtuar edhe kampi dhe konvikti punëtorëve, sepse kishin ardhë punëtorë e specialistë nga shumë krahina e qytete të vendit. Fshati dikur kishte shkollë tetëvjeçare, shtëpi kulture, muze, shtëpi lindjeje, shitore etj. Hidrocentrali i Fierzës është ndërtuar për shtatë vjet (1971 – 1978) në lumin Drin në fshatin Fierzë. Diga e tij, e cila në kohën kur është ndërtuar ishte e dyta në Evropë për nga lartësia (sot e katërta) me 161.5 m., me gjatësi 360 m. e me thellësi deri më 128 m. e krijon liqenin artificial të Fierzës, më të madhin në Shqipëri, me sipërfaqe prej 72, 5 km2. Boshti gjatësor i liqenit ka rreth 70 km, duke kaluar një pjesë e tij edhe në territorin e R. së Kosovës, deri në fshatin Nashec. Hidrocentrali ka katër turbina, me kapacitet prej 500 MW, i cili filloi prodhimin e energjisë elektrike në vitin 1978, kurse me kapacitet të plotë në vitin 1980. HEC-i i Fierzës, i quajtur dikur me emrin “Drita e Partisë”, është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në R. e Shqipërisë. Madje, HEC-i i Fierzës për nga madhësia është i dyti në rajon, pas HEC-it të Gjerdapit. Për ndërtimin e tij kanë punuar rreth 14 mijë punëtorë, inxhinierë e specialistë të fushave të ndryshme. E gjithë diga dhe HEC-i, si dhe të gjitha objektet përcjellëse të kësaj vepre madhore janë projektuar e ndërtuar nga punëtorët e inxhinierët shqiptarë, kurse teknologjia e prodhimit dhe pajisjet janë marrë në Kinë. Pajisjet dhe teknologjia, të ardhura nga Kina, është shkëmbyer me mineral kromi. Për krijimin e liqenit janë zhvendosur shumë fshatra e vendbanime, në mesin e të cilëve është zhvendosur edhe qyteti (i vjetër) i Kukësit. Liqeni, të cilin mund ta quajmë edhe si Liqeni i Kukësit, e rrethon me ujë qytetin, Kukësin e Ri, nga tri anë. Pos prodhimit të energjisë elektrike liqeni shfrytëzohet edhe për peshkim. Me qëllim të rritjes dhe kultivimit të peshkut, Liqeni i Fierzës, në rreth 5000 hektarë sipërfaqe (nga 7000, sa ka), është shpallur nga Qeveria si “hapësirë ujore me interes për peshkim”. Në liqen jetojnë 15 lloje të ndryshme të peshqëve, si: gjuhca, luçiperka, krapi, ballgjëri etj. Pas ngritjes së digës dhe krijimit të liqenit peshqit u shtuan dhe u kultivuan, por u zhdukën disa nga llojet e peshqëve që jetonin sa ishte lumi, si është trofta, ngjala etj. Mirëpo, pas viteve 90-ta fondi i peshqëve në liqen është varfëruar dukshëm, sepse peshku nuk është kultivuar, që d.m.th. nuk është hedhur rasat peshku në ujë. Derisa dikur liqeni jepte 120 mijë tonelata peshk në vit, tash peshkimi ka rënë në 25 mijë tonelata në vit. Pos gjuetisë së egër e të paligjshme, peshku gjuhet edhe me dinamit, duke e dëmtuar rëndë faunën ujore të liqenit. Liqeni është jashtëzakonisht i përshtatshëm për lundrim e për turizëm. Është ndërtuar një vend ankorimi i mjeteve lundruese, por liqeni tash për tash nuk është i përgatitur për lundrim. Shumë lehtë mund të rregullohet lundrimi për shëtitje turistike, por lypsen pak investime. Pos për turizëm, nëpër liqen mund të lidhen shumë fshatra bregliqenore me Kukësin apo Fierzën, si lidheshin dikur, kur zhvillohej transport me anije për njerëz e mallra. Por, që të krijohen kushte për lundrim duhet mbajtur ujin në nivel të qëndrueshëm, si rregullator, e këtë nivel do ta mbante HEC-i i Skavicës, i cili tash për tash, qe 60 vjet, është vetëm projekt. Rregullator i furnizimit me ujë të dy liqeneve të mëposhtme, Komanit dhe Vaut të Dejës, është liqeni i Fierzës. Problemi i prurjes së mbeturinave nga lumenjtë në liqen, si dhe derdhja e ujërave të zeza të papërpunuara nga qytetet e ndryshme, është i madh edhe këtu. Gjithashtu, edhe hedhja e mbeturinave minerale nga minierat dhe e mbetjeve ndërtimore krijon gjendje të rënduar të mjedisit liqenor. Me ndotjen e lartë të ujit dhe me peshkimin e paligjshëm po dëmtohet flora dhe fauna e liqenit. Përmes Drinit të Bardhë ndotja vjen edhe nga qytetet e R. së Kosovës, kurse përmes Drinit të Zi ndotja vjen nga qytetet e R. së Maqedonisë së Veriut. Ndotja më e madhe shfaqet kur niveli i liqenit është i ulët, kur mungojnë të reshurat për shumë kohë.

Në vitin 1962 ishte bërë një marrëveshje me palën jugosllave, e përsëritur edhe në vitin 1976, që niveli i liqenit të Fierzës të kalojë edhe në ish-territorin R. F. të Jugosllavisë (në Kosovën e pushtuar). Sipas kësaj marrëveshjeje përmbytja e tokave në territorin “jugosllav” kushtëzohej me ndërtimin e hidrocentralit në Zhur, që Shqipëria të pajtohej me devijimin e një pjese të ujit të lumit Luma për nevojat e HEC-it të Zhurit, që nuk u ndërtua kurrë. Kështu, nga liqeni i Fierzës janë përmbytur qindra hektarë tokë të fshatrave Vërmicë, Shkozë, Dobrushë, Vlashnjë, Kobaj dhe Gjonaj, komuna e Prizrenit. Një mosmarrëveshje rreth ujit për HEC-in e Zhurit kanë ndodhur edhe para një dekade mes Prishtinës e Tiranës (qeverive), kur Kosova kishte ndërmarrë një nismë për ta ndërtuar këtë hidrocentral, por që nuk u ndërtua. Në luginën apo në rrjedhën e lumit Drin, lumit më të madh në R. e Shqipërisë, janë krijuar tri liqene të mëdha; Liqeni i Fierzës, Liqeni i Komanit dhe Liqeni i Vaut të Dejës, në të cilat janë ndërtuar tri diga gjigante dhe tri hidrocentrale të mëdha, me kapacitet të përgjithshëm prej 1350 MW. Ku mbaron njëri liqen, fillon tjetri, duke krijuar panoramë magjepëse dhe korridor ujor lidhës e komunikues mes malësorëve të zonës së bregliqeneve, edhe pse destinim kryesor i tyre është prodhimi i energjisë elektrike. Ky korridor është shndërruar në një atraksion të lartë turistik, i vizituar gjithnjë e më shumë nga turistë të vendit dhe të huaj.