(Fjala lamtumirëse)
Të nderuar miq, shokë dhe farefis të familjes Muja!
E nderuar Familje Muja!
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore!
Me dhimbje dhe nderim për bacën Haradin po i them dy fjalë lamtumire për njeriun dhe shqiptarin që me gjithë jetën dhe familjen e tij ishte në anën e duhur, ishte në anën e përpjekjeve dhe të luftës për çlirimin e tokave tona të pushtuara nga Jugoserbia, ishte në anën e zhvillimit, përparimit dhe emancipimit të Kosovës së lirë e të pavarur nga Serbia.
Baca Haradin ishte i lindur në fshatin Gradicë në vitin 1939, në kohë dhe rrethana të pushtimit, të dhunës e terrorrit të kralevinës serbe. Ishte lindur në kohën e shpërnguljes së madhe të shqiptarëve për në Turqi. Vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai përjetoi edhe aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve nga shteti pushtues i Tito – Rankoviçit.
Në moshën e tij të pjekur Baca Haradin ishte njohur dhe ishte lidhur me Lëvizjen e viteve të gjashtëdhjeta të Adem Demaçit, Ahmet Haxhiut, Hazir Shalës dhe bashkëveprimtarëve të tyre. Në demonstratatë e vitit 1981 ishte përkrahës aktiv bashkë me rrethin e tij familjar, si me Fehmi Lladrocin e shumë veprimtarë tjerë, kundër shtetit okupues Jugoserb. Baca Haradin ishte në shënjestër të organeve shtetrërore pushtuese të ndjekjes edhe për faktin se shtëpia e tij ishte kthyer në një nga strehët dhe bazat më të rëndësishme të LPK-së që nga viti 1981 e deri në çlirim. Në shtëpinë e bacës Haradin kishin gjetur strehë dhe siguri figura të LPK – UÇK -së si: Ali Ahmeti nga Zajazi i Kërçovës, Fadil Vata, Afrim Zhitija, Fahri Fazliu, Sabit Veseli, Xhavit Haziri, Bardhyl Mahmuti, Azem Syla e shumë veprimtarë e drejtues tjerë të Lëvizjes që janë gjallë e që s’mund të përmenden të gjithë. Kjo shtëpi kishte pritur e strehuar edhe Edmond Hoxhën e Qerim Kelmendin dhe shumë veprimtarë e luftëtarë tjerë të kohës së Luftës Çlirimtare të UÇK-së.
Për kontributin kombëtar të Bacës Haradin mund të flasim gjatë. Por, në një fjalë lamtumirëse si kjo mund të themi shkurt se ai shkoi në amshim si atdhetar, që arriti lirinë dhe çlirimin e vendit, si prind e familjar i lumtur, që ka arritur t’i shoh dhe përjetojë të realizuara idealet për të cilat u angazhua me tërë qenien e tij, u përpoq e punoi pa u lodhur.
Jemi krenarë që e njohëm dhe u frymëzuamë nga fjala, puna dhe qëndrimi i tij atdhetar e burrëror. Jo vetëm ne, por edhe shumë shokë tjerë, heronj, dëshmorë, martirë e veprimtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së, që ishin në lidhje direkte me të dhe familjen e tij.
Baca Haradin kishte edhe një djalë Dëshmor, Agim Mujën, i cili ishte pjesë organizative e LPK-së dhe operativës së UÇK-së.
Ai ishte Baba i bijve veprimtarë e atdhetarë, në shërbim të kombit, me rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e çlirimit të vendit dhe gjithmonë të gatshëm për sakrificë: si Shaban, Shaip, Naim, Fatmir e Arsim Muja.
Sot, të gjithë pjesëtarët e familjes së Bacës Haradin, vazhdojnë me mësimet më të mira atdhetare, morale e njerëzore, për të kontribuar për atdheun, këshilla të cilat ata i respektuan nga ilegaliteti në vitet ’80 e deri në çlirim dhe shtetndërtim.
Baca Haradin sot fizikisht po ndahet nga ne, por, të gjithë ne që e njohëm, miqtë, dashamirët dhe shokët e tij dhe të familjes, jemi krenar me jetën dhe veprën e tij atdhetare.
Ai na la shembullin se si një familje e tërë ishte e përfshirë me tërë kapacitetin e saj në vijat e para të veprimtarisë atdhetare, vijën e parë të luftës çlirimtare dhe të zhvillimit e pavarësimit nga Serbia.
Të nderuar Familjarë të Bacës Haradin,
Ngushëllime për Bacën Haradin! Të jeni krenarë me jetën dhe veprën e tij!
Baca Haradin, përgjithmonë ka mbetur në kujtimet më të çmuara tonat, si atdhetar, si prind e si udhërrëfyes se si duhen kombi, atdheu e shteti, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në histori ndër breza.
I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e bacë Haradinit!
I qoftë i lehtë dheu i tokës shqiptare!
Prehu në paqe Bacë!