Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CIX) -LIQENI I KOMANIT – NJË MREKULLI MES MALEVE TË LARTA
Shtegtime nëpër Atdhe (CIX)LIQENI I KOMANIT – NJË MREKULLI MES MALEVE TË LARTA Mes viteve 1979 e 1988 është ndërtuar rezervuari i madh i ujit – liqeni artificial, diga dhe hidrocentrali i Komanit, për ndërtimin e të cilit punuan 12 mijë punëtorë. Hidrocentrali ka fuqi instaluese prej 600 MW, kurse diga e liqenit është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Evropë, e lartë 133 metra dhe e gjatë 290 metra. Liqeni i Komanit ndodhet në rrjedhën e lumit Drin dhe është liqeni i mesëm i kaskadës së lumit Drin. Rrethohet me male të larta të thepisura, me kodra e pyje të dendura, me shpatije vertikale që bien thik në liqen, duke krijuar gryka të thella e të ngushta. Liqeni fillon aty ku mbaron liqeni i Fierzës, në fshatin Fierzë e mbaron në pendën e ngritur në fshatin Koman, që pasohet pastaj nga Liqeni i Komanit. Ka sipërfaqe prej 12 km2, gjatësi rreth 35 km, gjerësi 50 deri 400 metra dhe thellësi deri 110 m. Pos lumit Drin, në liqen derdhen edhe lumi Valbona dhe Lumi i Shalës. Komani ndodhet 32 km nga Vau i Dejës dhe 53 km nga Shkodra. Nga ana tjetër e liqenit, vetëm 30 minuta udhëtim nga Bajram Curri dhe pak më shumë se një orë nga Gjakova, duhet bërë deri në Fierzë, ku mund të merret trageti e të udhëtohet për në fshatin Koman. Liqeni i Komanit është pjesë e sistemit të madh hidroenergjetik të Shqipërisë në kaskadën e lumit Drin. Hidrocenrali, në fshatin Koman, është vepër madhështore, është HEC-i i dytë më i madh në kaskadën e lumit Drin me kapacitetin më të madh prodhues të energjisë elektrike. Pos për energji, liqeni i Komanit shfrytëzohet për transport liqenor, për turizëm e peshkim. Për lundrim ka filluar të shfrytëzohet që nga viti 2000, duke e lidhur zonën e Malësisë së Gjakovës dhe Kosovën në rrugë të shkurtër me Shkodrën dhe bregdetin e veriut. Nëpër të zhvillohet transporti turistik me tragete, anije e barka, por edhe transporti i brendshëm ujor i udhëtarëve e i mallërave. Në liqen shërbejnë dy tragete në shërbim të turizmit dhe udhëtimit, me kapacitete të mëdha për vendosjen e njerëzve e të mjeteve të transportit. Udhëtimi me traget zgjatë rreth 2.5 – 3 orë dhe organizohet që nga pranvera deri në vjeshtë, që nga prilli deri në tetor. Liqeni shfrytëzohet, pos udhëtarëve të zakonshëm, edhe nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj, nga specialistë që hulumtojnë natyrën, historinë, kulturën dhe zakonet e popullsisë së zonës. Fshati Koman është vendi i kalimit të ilirëve në shqiptarë, ndryshe e njohur në arkeologji si Kultura e Komanit. Në Koman janë zbuluar varreza të shek. VI – VIII p.e.r., që lidhen me kulturën e hershme shqiptare. Në këtë pjesë, në zonën e Lumit të Shalës, sipas gojëdhënave, i ka kaluar vitet e fundit të jetës princi i famshëm, Lekë Dukagjini. Zona e liqenit ka nevojë për investime për t’u bërë një destinim edhe më tërheqës e më i pëlqyeshëm turistik. Para së gjithash, duhet rregulluar rruga Koman – Vau i Dejës, që është në gjendje shumë të keqe. Duhet ndërtuar vende e objekte të përshtatshme për vendosjen e turistëve, sepse bujtinat janë të rralla, të vogla e të papërshtatshme. Liqeni duhet mbrojtur dhe shpëtuar nga ndotja; nga mbeturinat urbane dhe veçanërisht nga mbeturinat plastike, që vijnë nga lumenjtë. Këto mbeturina nganjëherë e shëmtojnë liqenin e na turpërojnë para turistëve të huaj. Pos udhëtimit nëpër liqen me traget, me anije apo me barkë, turistët mund të vizitojnë edhe fshatrat e vogla, të shtrira si margaritarë brigjeve të liqenit, me kullat interesante të stilit autokton. Nga fshatrat me pozitë e pamje mbi liqen dallohet Berbulli me kullat e bukura. Aty gjejmë lumin përrallor të Shalës, lumin Daica e disa lumenj e përrenj tjerë, i gjejmë shpellat e shumta në shkëmbinjtë e rrëpishëm, grykat e thella të lumenjve që derdhen në liqen, plazhet liqenore, Ishullin e Paqes etj. Përmes liqenit mund të vizitohet Lumi i Shalës, që është nga vendet më të bukura e magjepse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e Evropë. Liqeni i Komanit është kthyer në një destinacion turistik i dorës së parë, është bërë nga vendet më tërheqëse e më të vizituara nga turistë të vendit e të huaj, sidomos të turistëve nga Kosova. Lundrimi me traget apo me anije paraqet një shëtitje të mrekullueshme ujore, një kënaqësi, një përvojë e një aventurë, që duhet përjetuar. Udhëtimi përmes një natyre të paprekur është një udhëtim i papërshkrueshëm e i paprovuar gjetiu. Nuk ka vend tjetër dhe përvojë tjetër që të magjeps sa Liqeni i Komanit dhe lundrimi nëpër të, lundrimi mes një peisazhi malor, që shkon nga 170 deri 1500 metra lartësi mbidetare e që krahasohet me fjordet norvegjeze. Udhëtimin me traget nëpër Liqenin e Komanit mediat e huaja e kanë vlerësuar si njërin nga udhëtimet më interesante e më mbresëlënëse në Evropë. Prandaj, duhet provuar!