Hydajet Hyseni: AT(DHETAR)I YNË I MIRË (Poezi për atdhetarin e shquar, Atë Shtjefën Gjegjovin…)
- E panë nëpër tuma, murana rrënoja,
Me kafka, amfora, gjerdanë, mburoja…
I thanë: “Ç’ po bën aty, o Ati ynë i mirë?”
U tha: “Kërkoj shpirtin e fisit, o bir…
“E panë në oda, dasma, varrime,
tek mblidhte fjalë, vaje, ninulla, pleqërime…
I thanë: “Ç’ po bën ashtu, o ati ynë i mirë?”
U tha: “Ruaj bardhësinë e plisit , o bir…
“E panë me libra e fletore, me pleq e vogëlushë,
Në qele, mësonjëtore, në male, në fushë…
I thanë: “Ç’ po bën, o Atë, o Ati ynë i mirë?”
U tha: “Zgjidh enigmën e eklipsit, o bir…
”E panë si mplakte natën, në male, me komitë,
Në kuvende, në beteja, në prehje, në pritë…
I thanë: “Ç’ po bën atje, o Ati ynë i mirë?”
U tha:” I rrit flatrat feniksit, o bir”…
2. Pastaj u dëgjuan krisma,
Dhëmbët skërmiti bulçi e përgjakur e sfinksit,
Dhe nuk e panë më;
E gjetën në të ardhmen,
Dritë matanë eklipsit,
Në shpirtin e fisit,
Në bardhësinë e plisit,
Në hirin dhe flatrat e feniksit!
Dritë pa zjarr,
Pa hije,
E amshuar,
E dëlirë,
At(dhetar)i ynë i mirë!