Vështrim/Analizë

Albulenë Halili e Shemsedin Ibrahimi: Nyja gordiane e Maqedonisë së Veriut

(tablo rreth regjistrimit të popullsisë)

“Totalitarizmi mund të lulëzojë atje ku njerëzit refuzojnë sistematikisht që të merren me realitetin dhe janë të gatshëm të zëvendësojnë arsyen me ideologjinë dhe trillimet.”

Hana Arend

Prolog

Nyja Gordiane e Maqedonisë së Veriut është regjistrimi i popullsisë. Ai përbën njërin nga proceset më të rëndësishme për shqiptarët, që nga pavarësimi i vendit nga ish Jugosllavia, por njëkohësisht është thelbësor edhe për të ardhmen e vetë shtetit.

Maqedonia e Veriut po përgatitet që operacionin më të rëndësishëm për vendin, regjistrimin e popullsisë, ta realizojë pas një vonese pothuajse dydekadëshe. Kjo vonesë per se dëshmon mungesën e vullnetit, por edhe paaftësinë e këtij shteti për të realizuar një operacion, i cili në një shtet e shoqëri normale, do të qe vetëm një operacion i thjeshtë statistikor. Kjo vonesë e parëndomtë për një shtet evropian, në të njëjtën kohë hedh dyshimin rreth legjitimitetit të strukturave shtetërore gjegjëse, se regjistrimi, i cili nuk ka mundur të realizohet për dy dekada, do të mund të realizohet si dhe të realizohet sipas standardeve të duhura.

Por, pyetja thelbësore që duhet të parashtrohet tani është: përse në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk është vetëm një operacion statistikor?

E para, për shkak të natyrës së këtij shteti, të rregulluar kësisoji që në gjenezë të tij, numri i banorëve të etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut përcakton gjithçka, duke nisur nga kushtetuta, ku përcaktohet se kujt i përket sovraniteti, të drejtat kolektive, përfaqësimi në institucione, ndarja territoriale, listat zgjedhore, përdorimi i gjuhës shqipe, shpërndarja buxhetore e kështu me radhë. Pra, përqindja e etnive që jetojnë në këtë shtet është kategori kushtetuese. 

Ndërkaq arsyeja e dytë madhore është se gjithmonë ka pasur tendenca që këto numra të manipulohen me qëllim të ruajtjes së status quo-së.

Sfondi historik

Nëse u hedhim një vështrim historik të dhënave zyrtare statistikore të regjistrimit të popullsisë, do të vijmë në përfundim se në Maqedoni, duke filluar nga viti 1949, tendenca e strukturave të ndryshme shtetërore republikane dhe federative të asaj kohe kanë qenë në drejtim të minimizimit të numrit të etnisë shqiptare, rritjes së numrit të etnisë maqedonase dhe asaj turke dhe mospërfilljes së etnive të tjera, të cilat në të shumtën e rasteve janë regjistruar si maqedonas. E gjithë kjo është bërë duke përdorur forma të presionit dhe të manipulimit strukturor.

Presioni kryesisht është përqendruar në dy kahe. Njëri kah ka qenë manipulimi konceptual, duke krijuar bindje pasigurie, në kuptimin e krijimit të hamendjes për numrin e të tjerëve dhe pa e vënë kurrë në diskutim numrin e “popullsisë shumicë”. Kjo vërtet ka krijuar pasiguri dhe frikë të shqiptarët, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u shpallën bashkëpunëtorë të fashistëve, armiq të shtetit dhe në një formë – të padëshiruar. Duke u shpallur të padëshiruar, atyre iu ofrua opsioni i largimit nga vendi nëpërmjet marrëveshjeve tashmë të nënshkruara midis ish-Jugosllavisë dhe Turqisë për shkëmbimin (lexo: shpërnguljen) e popullsisë myslimane. 

Shqiptarët, të ndodhur në udhëkryq historik, e patën shumë vështirë të qëndrojnë gjatë dhe disa prej tyre edhe iu nënshtruan kësaj trysnie. Kështu, sipas të dhënave statistikore, në vitin 1953, numri i shqiptarëve është përgjysmuar dhe është rritur numri i turqve edhe pse logjikisht turq nuk do të duhej të kishte në Maqedoni, meqenëse ishte realizuar marrëveshja e këmbimit të popullsisë myslimane (lexo turke). Çuditërisht, gjatë këtij viti dyfishohet numri i kësaj etnie. Nuk ka statistikë e as metodologji që është në gjendje që ta shpjegojë këtë, porse me fjalor dhe metoda politike, për të mos thënë gjenocidale.

Tabela 1. Të dhëna nga regjistrimi i popullsisë gjatë viteve 1953-2002

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, shteti i pavarur (Maqedonia, Republika ish-jugosllave e Maqedonisë) përveç sistemit e elitës institucionale e politike, nga regjimi pararendës trashëgoi edhe mendësinë shtetërore dhe qasjen ndaj shqiptarëve, të cilët mbetën qiraxhinj në shtëpinë e vet.  

Edhe sot, Maqedonia e Veriut ka një shoqëri multietnike, por sistemi kushtetues, pra shteti i krijuar në gjysmën e territoreve historikisht shqiptare, është monoetnik. Sipas preambulës, të amendamentuar me ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, ky shtet u takon qytetarëve të ndarë në dy kategori: popullit maqedonas dhe qytetarëve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, (…). 

Së dyti, po në preambulë thuhet se këta qytetarë, “në përputhje me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM-së dhe të Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran (…)”. Shikuar historikisht, për hir të së vërtetës, në asnjërën nga këto ngjarje historike nuk pasqyrohet vullneti i shqiptarëve. Këto ngjarje janë bërë: ose pa shqiptarët, ose kundër tyre.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut janë realizuar dy regjistrime të popullsisë: në vitin 1994 dhe 2002. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është kryer në vitin 2002. Numri i përgjithshëm i banorëve sipas këtij regjistrimi ka qenë 2 022 547 milionë banorë, përqindja e maqedonasve – 64.2%, ndërkaq ajo e shqiptarëve – 25.2%. 

Përgjatë gjithë këtyre viteve, në hapësirën shqiptare ka pasur zëra se shqiptarët në Maqedoni të Veriut përbëjnë: më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të popullsisë, se numri i popullsisë shqiptare është 33%, 47 %, më i lartë se 40%, etj.

Në vitin 2011 ishte planifikuar që të realizohet procesi i regjistrimit, por ai pati dështuar për shkak të mospajtimeve midis partnerëve të koalicionit qeveritar rreth metodologjisë dhe siç thuhej, vështirësive teknike.

Perspektiva

Procesi i regjistrimit është caktuar që të realizohet gjatë periudhës 1-21 prill 2021. Ligji për realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë u miratua në Kuvend në janar të këtij viti. Votimi i këtij ligji u bojkotua nga opozita maqedonase OBRM-PDUKM dhe E majta (Levica). Vlen të theksohet se i tërë spektri politik shqiptar pa dallim, ka votuar pro këtij ligji. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme se ligji është metodologjia për përgatitjen dhe realizimin e regjistrimit, e cila u shpall nga drejtori i Entit shtetëror për statistikë pa shqyrtim publik, ditë pas votimit të ligjit në kuvend. Sipas kësaj metodologjie, familjarët nuk do ta kenë të drejtën të deklarojnë përkatësinë etnike dhe fetare të afërmve të tyre që janë në mërgim. Pra regjistrimi i të afërmve të cilët nuk gjenden në vend në kohën e regjistrimit, lihet në mëshirën e një sistemi onlajn jofunksional dhe me shumë probleme.

Vetja dhe Tjetri

Gjatë gjithë këtyre viteve regjistrimi i popullsisë është parë si gogol nga strukturat shtetërore, ndaj dhe është shmangur deri sa më kjo nuk ishte e mundur. Këto struktura në një farë mënyre kanë qenë gjatë gjithë kohës të vetëdijshme për realitetin demografik në vend. Ndonëse Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar procesin e regjistrimit që nga viti 2002, strukturat shtetërore gjegjëse kanë të dhëna të mjaftueshme për të pasur projeksione mbi gjendjen aktuale demografike dhe lëvizjet e popullsisë. 

Projeksionet mbështeten në natalitetin, mortalitetin dhe rritjen e popullsisë në vend. Përveç këtyre, pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet, do të duhej të mundësonte sigurimin e projeksioneve të pavaruara të cilat përpilohen nga të dhëna e indikatorë zyrtarë nga dikastere të ndryshme shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë, kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike, ato të telekomunikacionit, ndërmarrjet publike komunale e kështu me radhë.

Sa i përket natalitetit, të dhënat nga tabela e mëposhtme dëshmojnë se rritja natyrore sipas përkatësisë etnike për vitet 2008-2010, te shqiptarët është pozitive krahasuar me atë tek etnia maqedonase, ku vite me radhë është i pranishëm një trend rënës. 

Tabela 2. Lëvizja natyrore e popullsisë në vitet 2008-2010  

E njëjta gjë ndodh, sipas të dhënave zyrtare statistikore edhe me vitet pasuese 2015-2019, edhe pse te këto të dhëna mungojnë shifrat e vdekshmërisë sipas përkatësisë etnike, gjë që na pamundëson që të kemi rezultate lidhur me lëvizjen natyrore të popullsisë për këto vite dhe të bëjmë krahasime me periudhën paraprake.

Tabela 3. Numri i foshnjeve të lindura gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Tabela 4. Struktura e lindjeve gjatë viteve 2015-2019 sipas përkatësisë etnike të nënës

Në figurat më poshtë, tabelat 3 dhe 4 janë paraqitur vizualisht për dy vite të zgjedhura nga botimi i fundit vjetor i Entit për Statistika, pra vitet 2015 dhe 2019, me qëllim të krahasimit.

Figura 1. Lindjet sipas përkatësisë etnike në vitin 2015

Figura 2. Lindjet sipas përkatësisë etnike 2019

Më poshtë kemi hartën me të dhëna ku pasqyrohet rritja natyrore e popullsisë gjatë vitit 2019 sipas rajoneve statistikore sipas të cilave është e ndarë Maqedonia e Veriut. Nga harta shihet qartë se rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe të popullsisë në krahasim me rajonet tjera. 

Figura 3. Rritja natyrore sipas rajoneve statistikore për vitin 2019

Te projeksionet shqiptare duhet të merren parasysh po ashtu deklaratat e përfaqësuesve shqiptarë, si ato në pushtet, ashtu edhe ato të opozitës. Këtu duhet pasur parasysh deklaratat si ajo e zv. ministrit të Punëve të Brendshme A. Nuhiu, i cili para një muaji pati thënë se: “sipas pasaportave valide, 30.4% janë shqiptarë duke marrë parasysh se ka edhe shqiptarë që nuk posedojnë pasaporta në shqip”. Në të njëjtën periudhë kohore, ish ministri i Arsimit Ademi, deklaroi se numri i nxënësve për vitin shkollor 2017/18, ka qenë 121 mijë e 272 maqedonas respektivisht 64,22%, ndërsa i atyre shqiptarë 60,709 respektivisht 32,15%”.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi në shkollat e mesme thonë se mbi 35 përqind e nxënësve të regjistruar në nivel të republikës janë shqiptarë. Numri i nxënësve maqedonas mund të jetë edhe më i vogël nëse merren parasysh se shumë nxënës shqiptarë, por edhe nxënësit e bashkësive etnike turke, rome, vllehe, serbe e boshnjake që mësimin e vijojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase.

Edhe nga opozita shqiptare kemi analiza dhe përfundime që janë në të njëjtën vijë. Deputeti i opozitës shqiptare H. Snopçe pati deklaruar në janar të këtij viti se: “Nëse merren të mirëqena të dhënat e vitit 2002 dhe nëse statistikisht i analizojmë lëvizjet e lindshmërisë dhe vdekshmërisë prej vitit 2003 deri në vitin 2019, unë ju garantoj se shqiptarët nuk janë më pak se 29 %, por janë mbi 29 %.”

Sa i përket palës maqedonase, diskursi i tyre mund të mos jetë i harmonizuar, por interesi i tyre i përbashkët dhe qëllimi final gjithsesi se po. 

Pas shpalljes se regjistrimi do të realizohet, vlen të veçohen dy deklarata mjaft indikative të kreut të shtetit. E para, se: “liderët e partive politike do të duhet të nënshkruajnë deklaratë politike dhe se rezultatet nga regjistrimi nuk do të sjellin rishikimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit apo Kushtetutës”, dhe e dyta, se ai është kundër përfshirjes së grafës etnike në formularin e regjistrimit. Kjo gjithsesi se është shprehje e panikut dhe frikës nga përballja me rezultatet e regjistrimit, po qe se ai kryhet siç duhet, që do të shpërfaqte realitetin e mohuar përgjatë gjithë historisë së këtij shteti. 

Në këtë vijë, është edhe deklarata e drejtorit të Entit shtetëror për statistika, i cili në një artikull të Balkan Insight në vitin 2020, pati deklaruar se etnia nuk është faktori thelbësor në Maqedoninë e Veriut. 

Ka reagime të ndryshme, por emërues i përbashkët i këtyre reagimeve është numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që në vitin 2012 ish-udhëheqësi i OBRM-PDUKM, Lupço Georgievski kishte deklaruar se shqiptarët përbëjnë 30% të popullsisë.

Opinioni maqedonas është i ndarë në dy pjesë sa i përket procesit të regjistrimit. Ata që e përkrahin OBRM-PDUKM, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i vogël se 20% dhe e shprehin frikën se rezultatet nuk do të jenë të sakta dhe ky numër do të jetë shumë më i madh. Pjesa tjetër janë përkrahësit e LSDM-së, të cilët janë për realizimin e regjistrimit dhe deklarohen se nuk do t’i kontestojnë rezultatet, por se në fund, të njëjtat nuk do të ndikojnë në të drejtat e fituara të asnjë etniteti. Në këtë vijë ishin edhe deklaratat e mësipërme të presidentit të vendit.

Pleksja e procesit

Nuk ka mbetur as edhe një muaj nga fillimi i procesit dhe çështjet që dalin në pah mund të ndikojnë ndjeshëm rezultatin e regjistrimit. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në një takim me homologen e tij bullgare në mars të këtij viti, duke u përgjigjur lidhur me ankesat bullgare për shkeljen e të drejtave të bullgarëve dhe pamundësisë së tyre për ta kultivuar dhe shprehur identitetin e tyre deklaroi se “organizatat qytetare duhet të takohen dhe të kërkojnë nga këshillat  regjistrues të shtojnë një rubrikë për regjistrimin e bullgarëve”. Bullgaria deri tani ka ndarë me mijëra pasaporta bullgare në Maqedoninë Lindore duke mos përjashtuar as ish zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Sipas një të dhëne, të vitit 2006, në gazetën maqedonase “Veçer” thuhet se që nga viti 1990 e deri në nëntor të 2006, 10 198 maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare. Sipas të dhënave zyrtare të prezentuara në tetor të vitit të kaluar në parlamentin bullgar, në periudhën prej janarit 2010 deri në tetor 2020 janë ndarë gjithsejt 66 mijë shtetësi bullgare për shtetas maqedonasë. 

Epilog

Në Maqedoninë e Veriut të gjithë flasin për numrin e shqiptarëve e askush nuk flet për numrin e të tjerëve në këtë shtet. Çka do që të kishte ndodhur me numrin e  përgjithshëm të popullsisë, do të kishte prekur të gjitha grupet etnike në këtë vend. Pra, nëse kanë emigruar shqiptarët, kjo nuk do të thotë se nuk kanë emigruar edhe maqedonasit, turqit, serbët, etj. Nëse është zvogëluar numri i shqiptarëve si pasojë e emigrimit, kjo s’do të thotë se nuk është zvogëluar edhe numri i të tjerëve në këtë vend.

Parashikimi i parë, lidhet me numrin e përgjithshëm të popullsisë, i cili, sipas të gjitha parametrave matëse, pritet të jetë diku rreth 1 milionë e gjysmë. Vitin e kaluar vetë drejtori i Entit shtetëror të statistikave pati deklaruar se: “Kam frikë se nuk ka më shumë se 1.5. milionë banorë në shtet, por këtë nuk mund ta vërtetoj”. 

Megjithatë, ky regjistrim mund të mos e shpërfaqë të vërtetën demografike dhe pabarazinë e mohuar sistematike mbi të cilën rri ulur këmbëkryq ky shtet, por një gjë është e vërtetë, ai nuk do të nxjerrë numër më të vogël të shqiptarëve, sepse pikërisht te shqiptaret të gjithë treguesit e matshëm janë rritës. 

Mbarëvajtja dhe rezultatet e regjistrimit mund të sjellin dy skenare të mundshme, si vijon:

– Në skenarin më të mirë, pra në qoftë se procesi i regjistrimit përshkohet nga respektimi i rregullave dhe parimeve të pranuara botërisht për të kryerjen e këtij procesi, rezultatet e regjistrimit pritet që të shpërfaqin një realitet krejtësisht të ri e të mohuar për një kohë të gjatë.

Çështja problemore atëherë do të ishte, duke marrë për bazë argumentimin më lart, se ky realitet i ri duhet të përligjet dhe të sanksionohet edhe juridikisht, pra që në aktin më të lartë juridik, kushtetutën e vendit, e cila është po ashtu pjesë thelbësore e problemit të këtij shteti, duke e shfuqizuar burimin e të gjitha marrëzive që rrjedhin nga koncepti non sens i popullit 20%.

– Në skenarin më të keq mund të ndodhin dy variante edhe atë: OBRM-PDUKM të mos i njohë rezultatet e regjistrimit dhe të propozojë një datë tjetër të mbajtjes së tij, që do të kishte ndërlikime brenda dhe jashtë në aspektin e legjitimitetit institucional, ose rezultatet e dala na regjistrimi të jenë si pasojë e ndonjë manipulimi sistematik të krijuar dhe zbatuar me vite që formalisht të ulin numrin e shqiptarëve. Kjo e fundit, do t’i elektrizonte dhe zhgënjente ata, kurse veprimet për të ardhmen askush nuk do të mundte t’i parashikonte.

Në të dy skenarët e paraqitur më lart, shqiptarët duhet të veprojnë me një zë, të ofrojnë alternativat, rrugëzgjidhjet dhe strategjinë e ardhshme. Partitë politike shqiptare, dhe jo vetëm ato, por edhe universitetet shqiptare, OJQ-të, mediat, sektori privat dhe inteligjencia duhet të mobilizohen, që t’i paraprijnë procesit. 

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet:

  • Të krijojë mekanizma që nuk do të lejojnë që procesi i regjistrimit të zhvillohet pa përfshirjen e plotë të ekspertizës dhe politikës shqiptare që në fillim e deri në përfundimin e regjistrimit;
  • Të bëjë fushatë për të promovuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë shqiptare si një proces shumë i rëndësishëm dhe historik i shqiptarëve;
  • Të krijojë debat gjithpërfshirës, ku nuk do të diskutohet vetëm për regjistrimin e shqiptarëve, por të diskutohet si një proces i përgjithshëm shoqëror, ku shqiptarët janë faktor kyç.

Po ashtu, ata duhet të jenë të përgatitur për të dy situatat:

– Në rast se rezultatet nuk janë në përputhje me projeksionet e tyre dhe treguesit e institucioneve të tjera të cilat janë paraqitur më lart në këtë artikull; apo edhe në rastin e kundërt, pra,

– Në qoftë se këto projeksione e evidenca dalin të vërtetuara.

Ndodhemi, pra përpara një procesi kombëtar historik dhe kemi nevojë për qasje policentrike e fushëveprim shumëvektorësh që do t’i përfshijnë të gjithë aktorët e shoqërisë sonë. Ashtu siç kemi nevojë për vigjilencë, unitet dhe një strategji bashkëkohore për të ardhmen tonë dhe brezave që do të lëmë pas.


Shënim:

Tabela 1 dhe 2 janë marrë nga Profesor I. Zeqiri, tabela 3 dhe 4 dhe figura 3 janë marrë nga Enti Shtetëror i Statistikave, ndërkaq figura 1 dhe 2 janë krijuar nga autorët e këtij teksti nga të dhënat zyrtare të marra nga Enti statistikor.

© 2021 PanAlbanica.