Vështrim/Analizë

Bislim Elshani: Si fliste Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

Një budalla e hedh një gur në lumë dhe 100 të mençur nuk e nxjerrin dot. Si fliste Skënderbeu dhe si flisnin princërit shqiptarë në Kuvendin e Lezhës me 1444? Në kohën kur i detyruam të flisnin shqip edhe grekët e vjetër e pellazgët “parahënorë” të neolitit, nuk e zgjidhim dot se ç’gjuhë fliste një princ shqiptar para 5 shekujsh! Sapo na mbushet mendja se tashmë i kemi sqaruar të gjitha, del një derdimen i papërditësuar me të gjitha faktet dhe risitë e studimeve historike dhe pasi ka lexuar ndonjë shënim relativizues mbi prejardhjen etnike e gjuhësore të Skënderbeut, merr guximin e të marrit që të tallet me ata që supozojnë e që pohojnë se Skënderbeu ka folur shqip, si me shoqen e tij Donikën e me bashkëfamiljarët tjerë, ashtu dhe me princër e bashkëluftëtarë të vendit e të kohës. Dhe kur themi “me ata” këtu nënkuptohen të gjitha mendjet e shquara rilindase, që nga Naimi, De Rada e Gavril Dara, e deri te shumica e historianeve të sotëm shqiptarë e të huaj. Guri që hodhi narcisoidi Rron Gjinovci në një bisedë publike në TV7 nuk prodhoi asnjë diskutim dhe asnjë qasje serioze lidhur me çështjen e gjuhës apo gjuhëve që kanë përdorur princërit feudalë shqiptarë të shek. XIV-XV. Është afërmendsh që korrespondencën dhe komunikimin diplomatik ata e bënin në ndonjërën nga gjuhët e shkruara elitare, liturgjike e diplomatike të kohës, latinisht, greqisht, sllavisht e osmanisht. Gjuha shqipe në këtë kohë nuk ishte as elitare dhe as diplomatike, por thjesht një gjuhë popullore, ashtu siç ishte italishtja në raport me latinishten përpara Dantes. Mirëpo Formula e Pagëzimit e sekretarit të Skënderbeut, Pal Engjëllit, për t’u ardhur në ndihmë banorëve vendës të zonave të largëta që ritin e pagëzimit ta bënin në gjuhën shqipe në vatrat e tyre pa pasur nevojë të dalin nga fshati, tregon për një rrethim etno-gjuhësor shqiptar të sundimtarëve arbër. Pasthirrma luftarake “Embetha” (e mbi ta!) e Lek Dukagjinit me 1467 dëshmon gjithashtu gjuhën e komunikimit të ushtarëve të kësaj kohe. Ekzistenca e një komuniteti arbëresh që u shpërngul në Itali pas vdekjes së Skënderbeut dhe pas pushtimit turk të vendit, si dhe ruajtja e emrit dhe legjendave për Skënderbeun me një krenari e kokëfortësi të pashembullt kundrejt superioritetit kulturor rrethues italian, flet më së miri për faktin se si komunikohej në viset shqiptare në shek. XV. Përzgjedhja nga princërit shqiptarë si vend emigrimi pas pushtimit turk, jo e ndonjë vendi sllav, hungarez apo gjerman, por pikërisht e atyre vendeve që kanë pasur komunikim të vazhdueshëm dhe historik me shqiptarët, që nga Roma antike, gjithashtu heq çdo dyshim lidhur me tiparet etno-gjuhësore të kësaj kohe në viset shqiptare. Nuk është fare e rëndësishme se në cilën gjuhë është zhvilluar Kuvendi i Lezhës, dhe nëse Crnojeviqët kanë ditur të flasin edhe shqip, përpos sllavishtes, duke qenë jo vetëm në krushqira, po edhe të rrethuar me plot fise shqiptare në Mal të zi. Është afër mendsh që Skënderbeu të ketë folur me dërgatat osmane osmanisht, me dërgatat veneciane latinisht e italisht e me ndonjë dërgatë tjetër ballkanike në greqisht apo sllavisht. Por është gjithashtu afër mendsh që me ushtarët e tij, të rekrutuar nga fshatarësia vendore pa qasje në arsimin e në kulturën elitare greko-latine, ai të ketë folur shqip. Ashtu siç, psh. Isa Boletini, disa shekuj më vonë, si komandant i gardës së sulltanit, në Dollma-Bahqe e në Top-Kapi të ketë folur turqisht, ndërsa në Boletin e në Vlorë shqip. Ashtu siç dokumentat e Lidhjes së Prizrenit i kemi në turqisht, ndonëse është afër mendsh që Abdyl Frashëri me Ymer Prizrenin rrugëve të qytetit të Lidhjes të kenë komunikuar në gjuhën shqipe, me gjithë mospërputhjet dialektore. Pra e vërteta nuk duket aq e thjeshtë, sa për të lëshuar britma, sharje e diskualifikime. Mirëpo, nëse në gjithë këtë çorodi, del ndonjë kakaviç e vë në dyshim vlerat bazike të nacionalizmit shqiptar të inauguruara nga ortodoksët dhe bektashinjtë shqiptarë të Jugut (Veçilharxhi, Vretoja e Frashërllinjtë), apo nga arbëreshët e Kalabrisë, siç bëri ca ditë më parë një analist tjetër i po këtij televizioni, atëherë po, vërtetë që kemi probleme serioze me injorancën tonë kronike që mund të na çojë nga gabimi në gabim. Siç është p.sh. kuturisja qesharake e ndonjë Vjose apo Albini, që do t’ua mësojë nacionalizmin vëllezërve tanë në Tiranë!