Fjala mortore për lufëtarin e lirisë Hasan A. Hoti (Cani)
Të pikëlluar familjarë të Hasan Ali Hotit, të dëshpëruar miq, shokë, dashamirës, ju bashkëluftëtarë të pikëlluar, në fillim ju shpreh ngushëllimet e mia të siqerta për humbjen e njeriut tuaj dhe njeriut tonë-Canit. Ka disa momente në jetë kur njeriu ndodhet para mëdyshjeve të mëdha që mund të jenë përcaktuese për fatin e tij dhe të njerëzve që i rrethojnë. Por, pikërisht janë këto çaste që na bëjnë ata që jemi, nëse bëjmë zgjedhjen e duhur. Hasan Ali Hoti (Cani) u bashkua me disa shokë në një nismë të re për t’i dalë zot atdheut të robëruar. Në mesin e viteve ’90 në këto anë tashmë ishte shtrirë një lëvizje kombëtare për çlirimin e Kosovës që mëtonte organizimin e luftës për çlirim nga pushtuesi shekullor, dhe Cani në ndjekje të parimeve të tij morale, vlerave historike të familjes së tij, i mbështeti këta shokë dhe bashkë me ta u nis rrugës së nderit e të lavdisë. Angazhimi i tij në njësitin për furnizim me armatime në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës ishte mëse i natyrshëm. Ai nuk mund të mbante qëndrim indiferent karshi momenteve historike që po i kalonte atdheu ynë. Rreshtimi në radhët e UÇK-së, madje ndër të parët në fshatin Ratkoc e në njësitin e gatishmërisë së përhershme luftarake në Ratkoc e këto anë, i dha vulë angazhimit të tij atdhetar. Natyrisht secili njeri ka cilësitë e veta dhe dallimet që e bëjnë unik. Cani ishte i hareshëm e zëmërmirë, i guximshëm dhe i vendosur në qëndrimet e tij. Njerëzit dëshironin të shoqëroheshin me të, sepse ishte unik në mënyrën si i trajtonte ata. Trashëgimia familjare e bënte të veçantë në mesin e shokëve dhe të besueshëm. Ai mori pjesë në shumë aksione e ballafaqime të rrezikshme me armikun, por asnjëherë nuk e pamë të ligështuar e të dorëzuar. Edhe atëherë kur UÇK pësoi goditje të rënda dhe dikush mund të ketë menduar se, “kjo punë kaq e pati”, Cani gjeti mënyrë për të vazhduar rrugëtimin e tij atdhetar. Nuk mund të mohohet fakti se, lufta për çlirimin e Kosovës ishte ndër aktet më madhore të kombit shqiptar, ndërsa betejat e mëdha dhe të vogla, kanë peshë të madhe historike. Në këto beteja u përballën me rreziqet e panumërta ata që e kishin vendosur që çështjen e lirisë të mos e linin për nesër. Ndër ata që me guxim e vendosmëri u përball me rreziqet ishte edhe Hasani ynë, i cili bënte pjesë në njësitin elitar të UÇK-së në Koshare. Thyerja e kufirit të hekurt shqiptaro-shqiptar ishte ndër aktet më të lavdishme të luftës tonë çlirimtare dhe Cani ishte protagonist i kësaj ngjarjeje të madhe historike. Zaten aktet e këtilla e vënë njeriun në një pozitë të caktuar nderi e krenarie-vlera që do t’i mbajë në shpirt e zemër sa të jetë gjallë. Por jo vetëm kaq: këto vlera do të barten e trashëgohen edhe nga pasardhësit, sepse janë vlera universale të lirisë e atdhedashurisë.Familja e Canit do të ketë me se të krenohet, sepse trashëgimia që ai ia la familjes së tij dhe krejt neve, do të shërbejnë si model i sjelljes njerëzore në çaste të caktuara historike. Shokët dhe bashkëluftëtarët do ta kujtojnë e nderojnë figurën atdhetare të Hasan Ali Hotit, ndërsa vendlindja ta çmojë përkushtimin e tij për të mirën e përgjithshme. Ndonëse luftëtarët e lirisë nuk do të jenë fizkisht në mesin tonë, jehona e bëmave të tyre do të jetë e pranishme për shumë mote. Kjo për faktin se frytet e lirisë që e gëzojmë janë mbjellë, janë ujitur me djersën e gjakun e luftëtarëve të lirisë dhe shoqëria duhet t’iu jetë mirënjohëse për angazhimin e tyre. Ashtu siç do t’i jetë mirënjohëse jetës dhe veprës të Hasan Ali Hotit – Canit. Emri i tij do të renditet ndër ata emra të respektuar e të nderuar dhe përkulja para varrit të tij është shenjë e vlerësimit të këtij kontributi. Familje e respektuar e Canit, mbajeni kokën lartë! Ai e kreu detyrën ndaj atdheut dhe popullit të tij ashtu siç i ka hije një atdhetari, prandaj duhet të krenoheni me veprat e tij.Ju pastë lënë këmbën e mbarë dhe e kujtofshi gjithmonë për veprat dhe punët e mira që ka bërë, ndërsa shokëve e miqve ju them se, vlerësimi për jetën dhe veprat e Canit është obligimi ynë moral. Lavdi e nderim për luftëtarin e lirisë Hasan Ali Hoti (Cani)! I paharruar qoftë kujtimi për të!Lavdi!