Selim Gashi: Protesta që bashkoi dhe trimëroi popullin e Rahovecit kundër Jugoserbisë pushtuese e terroriste
(Në kujtim dhe nderim të Heronjve tanë: Nasemi Elshani, Ilmi Krasniqi, Agron Fetahu dhe Halim Hoti)
Pikërisht sot, më 10 shkurt, mbushen 31 vite nga dita kur u organizua dhe u mbajtë demonstrata kundër Jugoserbisë pushtuese, që më 27 janar të atij viti kishte vrarë bijtë e popullit – veprimtarët e Lëvizjes: Nasemi Elshanin, nga fshati Nagavc, Ilmi Krasniqin, nga Hoça e Vogël, Agron Fetahun, nga fshati Celinë dhe Halim Hotin, nga Krusha e Madhe. Ata ranë nga plumbat e armikut në dalje të fshatit Brestoc, në ballë të demonstratës së madhe për liri e për pavarësi nga Jugoserbia. Edhe demonstrata e 10 shkurtit u thirrë dhe u organizua nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe nga simpatizantët e saj. Asaj iu bashkua pa hezitim populli patriot i komunës së Rahovecit. Vendimi për thirrjen e demonstratës u bë pas konsultimeve që bëmë ne, bashkëveprimtarët e LPK-së. U morëm vesh që demonstrata të bëhej në dyjavorin e vrasjes së katër veprimtarëve tanë në shenjë përkujtimi e nderimi dhe kundër shtypjes, dhunës e terrorit të pushtuesit. Demonstrata do të niste nga fshatrat Celinë e Krushë e Madhe dhe do të marshonim nëpër fshatrat Nagavc e Hoçë e Vogël, deri te vendi ku ranë për të mos vdekur kurrë të katër Dëshmorët e Lëvizjes dhe të Shqipërisë: Nasemiu, Ilmiu, Agroni dhe Halimi. Për drejtimin dhe mbarëvajtjen e demonstratës vendosëm veprimtarët më të mirë, të cilët, për t’u njohur nga demonstruesit, mbanin në krah nga një shirit të kuq. Rreshtat e njerëzve ishin shumë të gjatë. Kolonës nuk i dukej fundi. Kërkuam nga kujdestarët që të bënin numrimin e protestuesve, meqë shihej që një protestë aq e madhe nuk mbahej në mend të ishte mbajtur më parë. Doli të ishin mbi njëzetmijë protestues, që protestonin kundër vrasjes së bashkëkombësve të tyre nga policia pushtuese dhe kërkonin liri e pavarësi për Kosovën shqiptare. Pas njoftimit që na erdhi, se forcat policore të pushtuesit kishin zënë rrugën te vendi ku kishin rënë katër Dëshmorët e Atdheut, ndaluamë mes të fshatit Brestoc. Ksaj here ishim përgatitur edhe për ndonjë provokim të mundshëm nga ana e policisë serbe, pra edhe për më të keqen. Disa nga shokët ishim të armatosur (për herë të parë po e bëj publike). Pas konsultimit që bëmë, disa nga ne, që ishim më në moshë dhe me armë në brez, dolëm në ballë të protestës, kurse nxënësit dhe të rinjtë, që ishin deri aty në ballë, i zhvendosëm më prapa. Disa nga ne në kokë mbanim plisin e bardhë. Disa nga shokët që kishin armë me vete shkuan para protestuesve për të parë nga afër dhe për të siguruar vendin ku kishin rënë Dëshmorët. Policia serbe e kuptoi se ishim shumë dhe të vendosur edhe për të qëndruar dhe për të shkuar te vendi gjallë a vdek, prandaj u tërhoqën dhe u larguan nga vendi ku do t’i nderonim Heronjtë tanë. Protesta bashkoi si asnjëherë më parë popullin e Rahovecit rreth idesë për qëndresë deri sa të fitohejë liria. U nderuan Heronjtë tanë që dy javë më parë kishin rënë nga breshëria e plumbave të policisë pushtuese dhe iu dha mesazhi Serbisë se vrasja e bijve tanë nuk na kishte ligështuar dhe as na kishte frikësuar, por se përkundrazi na kishte vetëdijsuar dhe na kishte dhënë forcë e guxim të përgatitemi për beteja dhe sakrifica edhe më të mëdha e më të organizuara për çlirimin e tokave tona të pushtuara…