Lëvizja\UÇK

FARIDIN TAFALLARI: 5 SHKURTI I VITIT 1982 – PLAGË QË DHEMB EDHE SOT

Më 5 shkurt 2021 bëhen plot 39 vjet nga 5 shkurti i vitit 1982, dita e varrimit të Tre Yjeve të Pavdekësisë: JUSUF e BARDHOSH GËRVALLËS dhe KADRI ZEKËS, të vrarë pabesisht nga UDB-ja, më 17 janarin e kobshëm, të po atij viti, në Shtutgard të Gjermanisë. I vrau UDB-ja e ish-Jugosllavisë me ndihmën e spiunëve shqipfolës, i vrau në pabesi me ndihmën e tradhëtisë, para shtëpisë, në atë natë të zezë e të acartë, ata, bijë trima të Shqipërisë e të shqiptarisë. Dhe, 19 ditë pas vrasjes së tyre, u dha leja me shumë vonesë nga organet gjermane për të bërë varrimin. Kjo vonesë ndodhi, sepse konsullata e ish Jugosllavisë titiste nuk i lejoi Trimat e vrarë të ktheheshin në vendlindje për t’u varrosur! Edhe të vdekur ata Yje e tmerronin Jugosllavinë titiste. Ne i bëmë kërkesën organeve përkatëse, nëpërmes avokatit, por edhe në mënyrë të organizuar e kërkuam këtë gjë, sepse donim me patjetër që Trimat e Pavdekësisë të varroseshin në vendlindje, në tokën e Kosovës së shtrenjtë shqiptare. Shkuamë të organizuar para asaj konzullate vrastare, ku në rreshtat e parë ishin babai i Kadri Zekës, xha Pajaziti si dhe nëna Ajshe, nëna e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, siç shihet edhe në foton e parë. Por, konzullata nuk na e dha këtë të drejtë dhe, u detyruam të varrosnim Trimat në Shtutgard-Gjermani, ku pas 20 viteve , pas Çlirimit të Kosovës, u rivarrosën me nderime në vendlindjen e tyre të dashur, në dheun e tokës arbërore, për të cilën u sakrifikuan dhe u vranë! Por, kurrë nuk duhet harruar që, për këto 20 vite rresht, bashkatdhetarët tanë i vizituan varrezat e tyre në Shtutgard për çdo 17 janar, duke protestuar fuqishëm për vrasjen e tyre, nëpër rrugët kryesore të qytetit të Shtutgardit. Ata, që ishin me zemër e gjak të vërtetë shqiptari iu bashkangjiteshin këtyre rreshtave të gjatë të protestuesve. Sa shumë bashkatdhetarë, në ato vite, kanë udhëtuar edhe me mijra km nga qytetet më të largëta të Gjermanisë, si Hamburgu e qytete tjera, por edhe nga shtete të tjera të Europës, nga Zvicra, Belgjika, Austria, Franca etj. Vinin në mënyrë të organizuar, vinin familjarisht. Udhëtonin me autobusa apo varg me makina për të bërë homazhe… Vargu i gjatë i bashkatdhetarëve tanë, shoqëruar edhe me familjet dhe fëmijët e tyre,kurrë nuk rreshti së bëri homazhe në varrezat e Shtutgardit, pranë gurëve, ku preheshin në tokën gjermane bijtë e shqiptarisë, sado ftohtë dhe acar të ishin 17 janarët përkujtimorë! Por, edhe në këto raste çdo gjë kryhej në mënyrë të organizuar, duke marrë lejen e nevojshme për të demostruar së pari në rrugët pranë qendrës së Shtutgardit si dhe, duke zbatuar orarin e caktuar. Pas demonstratës, po ashtu në mënyrë të organizuar shkonim te varret e shokëve në varrezat e Shtutgardit. Gjithashtu për varret e Trimave, gjatë kësaj kohe 20 vjeçare, është treguar një përkujdesje e madhe për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Dhe, për mirëmbajtjen e varreve janë angazhuar pak shokë, një rreth fare i ngushtë, si për pastrimin e barit, apo ndërrimin e luleve, sipas nevojave të stinës… Me shumë rëndësi për mua, bashkëluftëtarin e JUSUF dhe BARDHOSH GËRVALLËS e KADRI ZEKËS është që, ata tash janë në altarin e pavdekësisë dhe… se, kurrë nuk do të jem i qetë, i shëruar nga plaga e dhimbjes për vrasjen e tyre, pa u zbuluar se, kush, cili i vrau YJET e PAVDEKËSISË??! Prandaj 17 JANARI dhe 5 SHKURTI i vitit 1982 janë për mua dhimbje të një plage, që nuk gjen shërim…