“Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”, thoshte Heroi i Shqipëris, Isa Boletini.
Isa Boletini,
kjo figurë markante, që zënë vend të pa diskutueshëm në historinë e popullit
shqiptarë krahas atyre që dhanë aq shumë për lirinë e atdheut si Prishtina,
Curri, Gurakuqi, Qemali, Seferi e shumë të tjerë. Isai, u rritë me armë në
dorë, jetoi me te, dhe përplot një jetë rrugëtoi me te, drejt shtigjeve të
lirisë së atdheut. Lindur dhe rritur në Boletin të Mitrovicës, në një familje atdhedashëse,
gjyshi i tij Murseli dhe i ati Ademi, nuk kishin pushuar kurrë së reshturi për
çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Në kushte dhe rrethana të atëhershme
shoqërore, politike, ekonomike, por edhe rrethana tjera të traditës u rrit,
burrërua dhe u kalit Isa Boletini i cili tërë jetën e vet ia përkushtoi çështjes
së atdheut.
Fuqitë Evropiane me vendimet e tyre të mbrapshta, rënduan edhe më shumë pozitën
e shqiptarëve, duke mohuar të drejtën tonë për vetëvendosje, duke ndarë tokat
tonë në favor të shteteve fqinje! Mbledhja e zezë e Shën Stefanit, pasuar nga
ajo e Kongresit të Berlinit (13 qershor 1878), i vunë thikat e grabitjes mbi
tokat tona, megjithatë, populli ynë kurrë nuk u pajtua me fatin tragjik të
ndarjes së tokave shqiptare. Kështu, nën trysninë e këtyre rrethanave edhe Isai,
iu bashkëngjit rrugës së përpjekjeve për çlirimin e atdheut. Ai për herë të
parë me armë në dorë u ndesh kundër pushtueseve tanë në betejën e Slivovës në
vitin 1881, si të thuash, ai për herë të parë aty, ndjeu erën e barotit që e
përcolli atë tërë jetën.
Isa Boletini,
përkrah figurave të mëdha të kombit tonë, me armët e lirisë, goditen në shtat
lubitë e Hafëz, Mehmet, Qyrdi, Hilmi, Shemsi, Magjar e Turgut Pashave. Goditen
Sulltan e Krajl gjakatarë, ndërkaq më armën e diplomacisë, goditën Portën e
lartë, Serbinë, Malin e Zi, Rusinë… befasoi Vjenën, Selanikun, Parisin,
Bukureshtin, Londrën e deri në Uashington! Isa Boletini, luftoi pa kompromis
kundër serbëve dhe malazezëve pushtues e tinëzarë, të cilët për ta thyer Isanë
e sulmuan me dhjetëra herë, duke ia djegur edhe shtëpi e katandi!…
Isa Boletini, me shërbimin e tij që i bëri atdheut, kullën e tij e shndërroi në
kullë Legjendë. Së bashku me kullën, po rritej edhe emri dhe heroizmi i tij dhe
i popullit shqiptarë në përgjithësi, që po vritej e pritej për lirinë e vet.
Përpjekjet e një pas njëshme të armiqve tanë të ndryshëm, me dhelpëri e
diplomaci për ta komprometuar Isain, duke i ofruar atij ofiqe të larta, pasuri,
flori, tokë e jetë Pashai, sikur shkuan kot, pasi që Isai kurdoherë ua priste shkurt
dhe qartë, duke iu thënë:
“ Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e atdheut tim dhe për lirinë e popullit tim!”…
Me gjithë presionet që i bënë Isait, duke e mbajtur pengu në Turqi, ai asnjë herë nuk hoqi dorë nga lufta për çlirimin dhe bashkim kombëtarë. Ata provuan me joshjet e tyre, me pasuri e dredhi, se mos Isait po ia mbushnin mendjen të qëndronte përherë në Turqi, mirëpo, jo, Isai si gjithmonë i prerë dhe i qartë, ju thoshte:
“ Ju falëm nderit për “kujdesin” që po m’tregoni për mua, por ma i mirë ashtë për mua Boletini im me ata gurë e kepa, se sa e tanë Stambolla!”…
Boletinin, lufta për liri të atdheut e bëri strateg dhe diplomat. Ai artin luftarak e përsosi me pushkë në dorë, kurse artin e diplomacisë e mësoi nga tribuni Hasan Prishtina, Bajram Curri, Imail Qemali, Luigj Gurakuqi etj. Aftësia e Isait prej luftëtari, dhe modestia e tij më së njerëzore e bëri atë më të afërt dhe më me ndikim tek masat e gjëra popullore. Prandaj Isai, organizonte kurdoherë dhe pa as një kundërshtim masat e gjëra popullore. Isa Boletini, posedonte dhunti prej luftëtari, strategu e diplomati, pa dyshim dhunti prej tribuni popullor.
Isai kontribuoi
fuqishëm edhe në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave tek populli ynë atë kohë,
me qëllim që të krijojë një unitet sa më të gjerë popullor. Këtë e kishte bërë,
duke u nisur nga shembulli i vet personal. Në një kuvend që e kishte thirrur Isai,
ishin tubuar shumë burra të asaj ane. Isai vërejti se aty po mungonte Ahmet
Shtitarica dhe pyeti:
Burrani, ku është Ahmeti?. I thanë se nuk kishte pasur guximin të vinte, nga se
ia kishte borxh gjaku! Ta sillni këtu me një herë!- urdhëroi Isai, duke shtuar:
“Gjak
borxh sot na ka vetëm anmiku ynë, ne jena vëllazen e duhena me u bashkua e me
dek për liri të vatanit!”…
Isa Boletini, ndër beteja të pa rreshtuar e detyroi disa herë portën e lartë që
të bëj lëshime. Ai e pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, duke
likuiduar edhe konsullin e saj Grigori Shçerbinin të cilin e vrau luftëtari i
shquar i lirisë Ibrahim (Halit) Popoci nga Gjilani.
Në pamundësi të përvetësimit të Isait, xhonturqit e vunë përpara një sërë
sprovash të rënda, madje edhe duke ia marrë të dy djemtë peng, Halitin dhe
Tafilin.
Isai i palëkundur me këtë rast u përgjigj:
” Jam ba gati që të dy djemtë e mi t’i bëj kurban për atdhe, por jo edhe me ia puthun dorën anmikut të atdheut tim!”…
Isa Boletini së
bashku me Idriz Seferin, Ramadan Zaskocin, Hasan Ferrin, Dem Jusufin, Elez
Hoxhën, Hasan Hysë Budakovën e shumë trima të tjerë, morën pjesë në dhjetëra
beteja për shpëtimin e atdheut, ndër betejat më të përgjakshme ishte ajo e
grykës së Carralevës. Në këtë betejë Isai tregoi aftësitë e një strategu të
vërtetë. Me 18 maj 1912, në një kuvend që u mbajt afër Vushtrrisë, ku ishin
tubuar edhe krerë nga Dibra e Shkodra, madje ishte prezent edhe vet sekretari
personal i Ismail Qemalit, Isai mbajti qëndrim të prerë:
”
Asht i domosdoshmeni zgjanimi i kryengritjes sonë në tokat shqiptare, sot nuk
ka me ba sehir, të tanë duhet me luftua që të çlirohemi sa ma parë!”…
Lubitë Osmane, Isa Boletinin e rrethuan disa herë me qëllim që ta
likuidonin, ndodhte që Isai edhe plagosej në luftë, por që kurrë nuk dobësohej
morali i tij luftarak. Ishte i pa thyer dhe shokëve u jepte kurajë siç e thotë
edhe kënga popullore:
Po i lidh
plagët me maramë
bini shokë ta bajmë piskamë
jem shqiptarë s’dorzohna t’gjallë
pa na ra zjarmi në qafë…
Me 1912 Edit Durham shkruan:
”Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar dhe humanist i madh i cili donte pafundësisht lirinë e tokave shqiptare. Luftëtarët e tij nuk urrenin popujt e tjerë, thjeshtë, ata dëshironin lirinë për popullin e vet!”…
… Ismail
Qemali, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, kur mori
lajmin se po vinte Isa Boletini, mori flamurin dhe i doli vet përpara, duke i
thënë:
” I
madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për pavarësinë e
Shqipërisë!”…
Në prill të vitit 1913, delegacioni ynë
mbërriti në Londër, ku po zhvillohej Konferenca e ambasadorëve. A. Herbert
shkruan:
“Isa Boletini ishte figura më piktoreske e këtij delegacioni dhe e quajti atë Robin Hudi shqiptar!”…
Në maj të atij viti, Isa Boletini u shpreh qartë edhe kundër vendimeve të kësaj konferencë duke ju thënë:
” N’është se Evropa nuk do ta zgjidhte drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi, dhe për këtë faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi!”…
Në kohën kur
ushtria Austriake po përgatitje për të pushtuar Podgoricën, forca të mëdha
policore malaziase të ndihmuara edhe nga konsullata Franceze, tradhtisht e
vranë Isa Boletinin me 23 janar 1916 së bashku me dy të bijtë e dy nipat, si
dhe me shokët e tij, si: Hajdar e Idriz Radishevën dhe Nesim Nimanin. Vrasja e
pa besë ia ndërpreu Isait jetën në kulmin e veprimtarisë së tij luftarake dhe
diplomatike. Kur u vra Isa Boletini, ishte vetëm 52 vjeçar! Ai sfidoi të gjitha
kurthet që armiqtë ia kishin përgatitur, dhe me guxim vazhdoi së marshuari
drejt rrugëve të lirisë. Ai kundërshtoi fuqishëm vendimet e pa drejta të
Konferencës së Londrës për copëtimin e tokave shqiptare, në dobi të shteteve
grabitqare fqinjë.
Ai thoshte:
” Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!”…
Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në 1962, shteti Shqiptar Isa Boletinin e shpalli Hero të popullit!