Shqipëria/Aktualitet

Ibish Neziri: MIRË ME ALBININ PO ME DEMAÇIN ÇFARË KENI

Të gjitha hilet e Kushtetueses, KQZ-së, PZAP-së e së fundit edhe e Supremes dolën për fushë. Po shihet se të gjithë e kanë me Albinin. Ai në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet as deputet e as kryeministër, por ani, të mos bëhet, se nuk bëhet nami, po me bartësin e çmimit Saharov, me bartësin e dekoratës „Hero i Kosovës“ me bartësin e titullit „Nderi i kombit“, Adem Demaçin, çfarë kanë vallë?

Ndonëse fushata zgjedhore ende zyrtarisht nuk ka filluar dhe ende nuk ka ndodhur nga ajo ndonjë kontaminim i madh, fushatën e kanë filluar dhe e kanë kontaminuar ambientin jashtëzakonisht shumë studiot televizive, sidomos T7-shi, në krye me Berat Buzhalën dhe me atë, mmth, Valon Sylën.

Është e drejtë e secilit t’i ketë simpatitë e veta për njërën apo tjetrën parti. Po ashtu është e drejtë e secilit që i jepet rasti para kamerave televizive dhe kudo qoftë tjetër ta shpreh edhe mendimin e vet, por jo edhe të rrejë, të shpifë dhe të trillojë për njerëzit që kanë bërë historinë, si Demaçi.

Të thotë njeriu se janë aq të padijshëm të ashtuquajturit analistë Berat Buzhala e Valon Syla mos të ta marr mendja, por se janë qëllimkëqinj, nuk lë vend për të dyshuar.

Të thuash se Adem Demaçi ka qenë kundër Ibrahim Rugovës është absurd sui generis, njësoj sikur të thuash se edhe të burgosurit politikë ishin kundër tij. As njëri e as të tjerët nuk ishin kundër tij e as kundër partisë që ai krejtësisht në rrethana të dyshimta e themeloi, madje jo vetëm që nuk ishin kundër, por edhe u angazhuan me tërë qenien e tyre për ta ndihmuar atë dhe shtrirjen e partisë së tij, duke besuar se vërtetë do të jetë një forcë e cila çështjen shqiptare do ta çojë para e jo ta ruaj statusquon, siç ndodhi.

Llogaria ju doli e gabueshme ngase sapo Organizatat Themelore të Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe ato të Lidhjes Socialiste e kryen tranfsormimin e tyre duke u shndërruar në degë e nëndegë të LDK-së, udhëheqësit e LDK-së u kthyen kundër të burgosurve politikë dhe filluan diferencimin dhe largimin e tyre si të pabesueshëm, madje vunë njerëz edhe nga ish strukturat e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror që t’i përcillnin, të cilët njihen edhe me emra e mbiemra, por për këtë njëherë tjetër.

U tha se Adem Demaçi ka qenë komunist, u tha se Adem Demaçi ka qenë marksist – leninist, u tha se Adem Demaçi nuk ka qenë në burg për shqiptarët, u tha se Adem Demaçi ka qenë kundër Ibrahim Rugovës, u tha se Adem Demaçi bashkë me të burgosurit politikë ka qenë edhe kundër LDK-së dhe këto, të gjitha bashkë, janë shpifje janë më shumë se çnjerëzore, janë skajshmërisht të poshtra dhe tendencioze sa çnjerëzorja, tendencioziteti e poshtërsia e mundin në këtë rast injorancën e mosdijen.

Adem Demaçi nuk është burgosur as si komunist e as si marksist – leninist. Ai nuk është burgosur as për ndonjë ideologji. Ideologjia e tij ka qenë një dhe e vetme – bashkimi i kombit, si e drejtë e patjetërsueshme, „bashkimi me nënën Shqipëri“, për çka edhe i mbajti 28 vjet burg duke ia kaluar edhe Mandelës, duke u bërë jo Mandela i Kosovës“ si nisën ta quajnë, por Adem Demaçi i Shqipërisë, Nderi i Kombit. Të thuhet siç tha, mmth, Valon Syla “Duhet me qenë të saktë se po e gënjeni historinë. Për çka u akuzu Adem Demaci 8 vitet e para. Nuk u akuzua as për shqiptari e as për tjetër.

U hi për marksizëm – leninizëm. Ki të burgosur që janë futur për shqiptari dhe për marksizëm – leninizëm. Po hyjmë më 2021 dhe ende nuk e dimë se kush është me shqiptari e kush për marksizëm – leninizëm.” (Gazeta Express, 28.01.2021)

Ai u dënua se në mbledhjen e shkrimtarëve të Kosovës i ishte kundërvënë Dobrica Çosiqit, i cili kishte kërkuar të shkruhej në frymën e vëllazërim – bashkimit mes kombeve e kombësive të Jugosllavisë, i cili në të vërtetë asnjëherë nuk kishte ekzistuar. Ai u dënua se iu kundërvu marrëveshjes Tito – Yenen për shpërnguljen e shqiptarëve, nëse nuk gaboj, të vitit 1953. Ai u dënua se iu kundërvu çdo marrëveshjeje dhe elaborati për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta. Ai u dënua se e formoi dhe e udhëhoqi „Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ dhe jo se ishte marksist apo leninist. Se u burgos për marksizëm – leninizëm e thonë vetëm Berat Buzhala dhe, mmth, Valon Syla, dashakëqinjë edhe ndonjë tjetër, kuptohet, nëse nuk është futur leku në mes.

Adem Demaçi kurrë nuk shkroi poezi për Titon. As në simpoziume që u organizuan për të, nuk u paraqit me kumtesa. Madje, as sekretar partie në ndonjë institucion kulturor a shkencor nuk ishte. Ai, kur prokurori Radovan Bullajiqi i tha“: Ty asgjë nuk të ka munguar, ti ke botuar vjersha dhe tregime, ti ke botuar libër, ke studjuar me bursë të Jugosllavisë letërsinë botërore në Universitetin e Beogradit, je redaktor i letërsisë botërore në Shtëpinë Botuese „Mustafa Bakija“. Ti të gjitha i ke pasur dhe asgjë nuk të ka munguar“, si askush tjetër iu përgjigj: „E vërtetë! Asgjë nuk më ka munguar dhe të gjitha unë i kam pasur, por nuk i ka pasur populli im!“

Adem Demaçi me aktgjykimin K.br.25/59 të datës 17 mars të vitit 1959 do të shpallet fajtor dhe do të dënohet me 5 vjet burg për vepër penale nga neni 118, pika 1 e Ligjit Penal dhe nenit 117, pika 1 e Ligjit Penal, lidhur me nenin 16 pika 1, poashtu e Ligjit Penal ngase dëshmitarit A. G. në Beograd dhe në Prishtinë nga viti 1956 i ka thënë se „ndaj shqiptarëve po kryhet diskriminim, se serbët janë në pushtet e shqiptarët punojnë punë fizike“, se në Prishtinë, para dëshmitarit O. Sh., në vitin 1958, ka thënë se „pushteti po e pengon zhvillimin e kulturës kombëtare në gjuhën shqipe, se shkollat shqiptare po mbyllen si dhe po bëhet presion mbi shqiptarët, të cilët janë pa të drejta në jetën shoqërore dhe politike.“

Lexuesve dhe sidomos dy të apostrofuarve më lartë po ua vë në dispozicion faksimilin e faqës së parë të aktgjykimit me të cilin u dënua Adem Demaçi. Faksimili, siç po shihet, është në çirilicë dhe nëse Berati nuk di, me siguri se si një sinkron që janë, do t’i ndihmojë Valoni për ta lexuar sepse ai e njeh mirë këtë alfabet dhe këtë gjuhë. Ka qenë tri vjet në Beograd.

Në fjalën përfundimtare Demaçi i drejtohet trupit gjykues me fjalët: „Prej këtu po iu them edhe një herë, se nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipnisë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan, as në Jugosllavi e as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë ta ketë këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë Serbia ka për t’u ba shkaktare e shpartallimit të krejt Jugosllavisë, dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq“.

Neni 1 i Statutit të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve pikë për pikë është definuar kështu:

„Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme me shumicë prej shqiptarësh që gjenden ende në administrimin e Jugosllavisë, domethanë, qëllimi i parë dhe i fundit i lëvizjes sonë asht- çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet- Shqipninë.“

 Këto janë arsyet e burgosjes së Demaçit e jo arsye tjera që në mënyrë krejt të papërgjegjshme na i nxjerrin para goxha „analistët” e sipërcekur.

Ai në tri burgosjet e njëpasnjëshme i numëronte ditët e vitet nëpër qelitë e errëta e të lagshta të kazamateve jugosllave që nuk qëndronin larg „Arqipelagut Gullag“ të Sollzhenjicinit. As demonstratat e studentëve dhe punëtorëve shqiptarë të vitit 1981 nuk i dënoi, dhe as i diferencoi kolegët e bashkëpunëtorët e vetë siç kishte ndodhur, ta zëmë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ai as kryetar Prishtine e as ministër në qeveritë kuislinge nuk kishte qenë ndonjëherë. Ai e vazhdonte luftën në mënyrën e tij për çlirim dhe bashkim kombëtar të filluar që në vitet e 50-ta kur edhe u burgos e dënua për herë të parë. Ai nuk u dënua për librin „Gjarpinjtë e Gjakut“, por „Gjarpinjtë e Gjakut“ u dënuan për të, si thonte një mik imi!

Se Adem Demaçi ishte kundër Ibrahim Rugovës dhe LDK-së, e thonë të njëjtit. AdemDemaçi nuk ishte kundër Ibrahim Rugovës e LDK-së, por me të dalë nga burgu porosia e tij ishte: „Mos thuani Adem Demaçi, Adem Demaçi, po vishjuni atyre, ndihmojini ata!“ dhe këtë e thoshte që ta ruante unitetin e të mos krijonte ndasi mes shqiptarëve, të mos e dobësonte forcën goditëse. Edhe bashkëkombësve të vetë nga viset shqiptare në Maqedoni, të cilët shprehnin rezerva në nismëtarët e themelimit të PPD-së iu thoshte: „Për dy parti atje jeni pak. Duhet të jetë vetëm një parti shqiptare që forcën ta keni më të madhe!“, por Adem Demaçi përjetësisht nuk mund t’i këndonte ninulla Ibrahim Rugovës e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët në mënyrë përfekte e ruanin qetësinë në Kosovë, që më shumë se një herë i shërbyen satrapit të Ballkanit si argument se „atje (në Kosovë pra) gjithçka është në rregull.“ „Sikur të mos ishte në rregull, do të kishte trazira, por ja, e shihni se nuk ka!“. “Ma qetësi e kam në Prishtinë se në Beograd”. Ai, qoftë edhe me çmimin e lirisë apo jetës, nuk ishte mësuar ta lakonte kurrizin e ta zgjaste qafën që të mos ia vriste zgjedha, prandaj edhe do ta ngrite zërin kundër kësaj politike, krejtësisht disfatiste. Ai, natyrisht se do të dilte kundër saj, pa pasur ndonjë gjë personale kundër njërit apo tjetrit, e sa për „Ballkaninë“ ata që flasin, le ta lexojnë më parë e pastaj të kokorasin. Se Adem Demaçi mbi çdo gjë kishte lirinë e Kosovës dhe bashkimin e kombit e jo ndonjë ideologji tjetër, do ta dëshmojë edhe në kohën e luftës së UÇK-së kur në mes të Prishtinës, në kohën kur të tjerët Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quanin herë „fantazmë e ushtri faksesh“ e herë „dorë e zgjatur e UDB-së“, do ta hapte Zyrën e UÇK-së dhe denjësisht do ta përfaqësonte UÇK-në.

Duos së lartëpërmendur, në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme dhe këtij debati të panevojshëm e krejtësisht tendencioz, iu bashkua edhe Luta i LDK-së, i cili tha: „strukturat që dikur ishin LDK, të ndihmuar nga njerëzit që besojnë Demaçin, po dëshirojnë ta rrënojnë shtëpinë politike të Ibrahim Rugovës, por kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë. LDK është e madhe.” (Gazeta Express, 28.01.2021)

Po, jo o Lutë, jo, qebesa! LDK-në dhe strukturat e saj i shkatërruat ju që sikur Çiçikovi te „Shpirtra të vdekur“ të Gogolit, shkapuritni nëpër varret e atyre që u vranë në rrethana të panjohura, sa herë që afrohen zgjedhjet. Ato i shkatërruat dhe po i shkatërroni ju që për 20 vjet ishit në pushtet dhe asnjëherë të vetme nuk e bëtë as përpjekjen më të vogël që t’i ndriçoni ato vrasje. Ju Lutë, ju dhe askush tjetër, prandaj, mos i fajëso ata që faj nuk kanë, mos e fajëso as Demaçin dhe atë që ata e besojnë!

Ne po i kuptojmë edhe të ashtuquajturit panelistë që janë bërë hallkë e atyre që e kanë dënuar dhe fyer Demaçin, duke gënjyer e shpifur për të, si duket për ta dëmtuar Albinin. Ne mund t’i kuptojmë se mbase edhe mund të ketë hyrë leku. Ne po iu kuptojmë edhe juve se e keni me Albinin, ngase po i frikoheni ndryshimit, por nuk po kuptojmë se çfarë vallë keni me të madhin Adem Demaçin.

Për çka u akuzua Adem DEMAÇI në vitin 1959?

Lexojeni aktakuzë!


PPQ NR. 14/ 59. 19.2.1959 PRISHTINË

Në bazë të nenit 44 alineja 2, paragrafi 2 të Ligjit të Procedurës Penale

AKUZOJ

ADEM DEMAÇIN, nëpunës nga Prishtina, i lindur më 1936 në Prishtinë, nga i ati Zeqir dhe nëna Nazmije, e lindur Halimi, i pamartuar, di shkrim- lexim, shqiptar, qytetar i RFPJ-së, shërbimin ushtrak nuk e ka kryer si i paftë përgjithmonë, nuk është dekoruar, nuk është dënuar më parë, në burgun hetues është që nga 19 nëntori i vitit 1958,

SEPSE

1.Me qëllim që të shkatërrojë pushtetin popullor dhe të prishë bashkim -vëllazërimin e popujve të Republikës  Federative  Popullore  të Jugosllavisë:

 a)dëshmitarit Adem Gajtani, duke filluar që nga viti 1956, disa herë në Beograd dhe në Prishtinë, i ka folur se ndaj shqiptarëve po kryhet diskriminim, se serbët janë në pushtet, kurse shqiptarët kryejnë punë fizike;

b) Gjatë vitit 1958 në prani të dëshmitarit Shemsi Osmani në Prishtinë ka deklaruar se pushteti po e pengon zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe, se shkollat shqipe po mbyllen, dhe se po bëhet presion mbi shqiptarët, të cilët janë të diskriminuar në jetën publike;

c) Që gjatë viteve 1957 dhe 1958 dëshmitarit Rafael Sopi, në Prishtinë, disa herë i ka thënë se pushtetarët po e pengojnë zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosmet, se pushteti i tashëm në Jugosllavi po i shpërngul shqiptarët për në Turqi me qëllim të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve në këtë Krahinë dhe në këtë mënyrë të pengojë bashkimin e saj me Shqipërinë;

ç) Në prani të dëshmitarit Sabit Ratkoceri në Prishtinë, gjatë vitit 1958,  disa herë  ka folur se si ndaj shqiptarëve në Kosmet po bëhen shumë padrejtësi, dhe se Kosova e Metohia historikisht i takojnë Shqipërisë;

d) Para dëshmitarit Anton Pashku në Prishtinë gjatë vitit 1958 disa herë ka deklaruar se pozita e shqiptarëve në Kosmet është e mjerë dhe se ata janë në pozitë të pabarabartë me popujtë e tjerë;

dh) Se në pranverën e vitit 1958 në Prishtinë para dëshmitarëve Zekeria Cana, Ali Aliu, Din Mehmeti, Fahredin Gunga ka deklaruar se pushteti po i shpërngul shqiptarët për në Turqi me qëllim që Kosmetin ta mbajë si territor të vetin, dhe se nga ana e pushtetit po kryhet diskriminim ndaj shqiptarëve të kësaj Krahine;

e) Ditën dhe muajin e papërcaktuar të vitit 1956 në Prishtinë, dëshmitarit Ismet Bytyçi i ka deklaruar se shqiptarët po i humbin të drejtat e tyre që u janë garantuar me Kushtetutë, dhe se shkollat shqipe po mbyllen dhe se do të vazhdojnë të mbyllen të gjitha;

Në këtë mënyrë i pandehuri ka kryer vepër penale të propagandës armiqësore sipas nenit 118, alineja 1 të LP;

2. Që gjatë vitit 1957 dhe 1958 është përpjekur ta shkëpusë Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë dhe t’ia bashkangjesë Shqipërisë, për të cilin qëllim dëshmitarit Avdi Avdiu i ka thënë se duhet formuar grupe ilegale dhe të sigurohet makina e shkrimit me të cilën do të shtypeshin afishet, dhe se ai, dëshmitari, duhet t’i gjejë disa persona në Shkup, që do të lidheshin me këtë organizatë në Kosmet. Po ashtu, dëshmitarit Adem Gajtani i ka thënë se me dëshmitarin Avdiu e ka formuar organizatën ilegale, të cilën do të udhëheqë ai vetë dhe bashkë me të, edhe dëshmitari Gajtani, Avdi Sinani dhe të tjerë, dhe se i pandehuri ka marrë mbi vete organizimin e njerëzve në Prishtinë dhe në rrethinën e ish rrethit të Llapit, me çka, po ashtu, në bazë të nenit 1 ka kryer vepër penale nga neni 117, alineja 1 të LP në lidhje me nenin 16 alineja 1 të LP.

PROPOZOJ

Që pranë kësaj gjykate të mbahet shqyrtimi gojor dhe të hapet procedura e shqyrtimit, në të cilin do të ftohej edhe ky  prokuror.

Që ditën e mbajtjes së shqyrtimit nga burgu të sillet i pandehuri Adem Demaçi.

Që ditën e shqyrtimit të thirren dhe të merren në pyetje dëshmitarët: Adem Gajtani, student nga Shkupi, rruga Dimitrije Vllahova nr.62; Shemsi Osmani nga Prishtina, rruga e Sutjeskës nr.1; Avdi Avdiu, student nga Shkupi, Pallati i Studentëve, ndërtesa IV nr.5; Rafael Sopi, gazetar nga Prishtina, Blloku II i banesave – ndërtesa nr.4; Sabit Ratkoceri, nxënës i klasës së IV-të të Gjimnazit “Ivo Lolla Ribar” në Prishtinë; Ndue Pashku, gazetar nga Fushë Kosova, ndërtesa nr. 42; Zekeria Cana, Qyteti i Studentëve, Beogradi i Ri, dhoma nr. 352; Ali Aliu, Qyteti i Studentëve, Beogradi i Ri, dhoma nr.234; Din Mehmeti, Qyteti i Studentëve Beogradi i Ri, dhoma nr. 943; Fahredin Gunga, student nga Beogradi, rruga e Zagrebit nr.1; Ismet Bytyçi, artist nga Shkupi, rruga 135 nr.123; Shefqet Popova, rruga e Vuçiternës nr. 13; Sylejman Drini nga Prishtina, rruga e Rijekës nr.29 dhe Xhafer Ruzhdiu, mësues nga Prizreni.

ARSYETIM

Pas përfundimit të hetimeve në lëndën penale, të përmendur në dispozitivin e aktakuzës, është vërtetuar gjendja faktike:

Përpjekjet armiqësore të të pandehurit Adem Demaçi ndaj Jugosllavisë Socialiste nuk janë të datës së tashme. Përkundrazi, ai  është radhitur në anën e armikut qysh kur ishte nxënës, kur i ndiqte mësimet në klasët e larta të gjimnazit.

Pas përfundimit të Gjimnazit ka filluar të studiojë, dhe si student ai është përpjekur që disponimin e vet armiqësor ndaj rregullimit shoqëror ta përcjellë te personat e tjerë. Si më të përshtatshmit për këtë i ka zgjedhur shokët e vet të shkollës, duke besuar se në ta do të mund të këtë ndikim më të madh. Në përpjekjet e tij armiqësore i pandehuri ka shkuar aq larg, saqë disa dëshmitarëve u ka folur edhe për nevojën e kryerjes së atentateve në disa udhëheqës të Kosmetit.

Gjendja e lartpërmendur faktike është vërtetuar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve si dhe me pranimin e tërësishëm të vetë të të pandehurit.

I pandehuri ka pranuar se me disa njerëz ka biseduar për nevojën e formimit të një organizate ilegale, e cila do të kishte për qëllim luftën kundër rregullimit të RFPJ-së, por mbrohet se zyrtarisht nuk ka formuar një organizatë e tillë.

Në bazë të një mbrojtjeje të këtillë të të pandehurit mund të përmendim se është me rëndësi fakti se ai është përpjekur që ta formojë një organizatë të tillë, të cilin fakt e pranon edhe vetë i pandehuri, përndryshe, konsiderojmë se arrestimi i tij me kohë e ka penguar formimin e kësaj organizate, siç e pranon edhe ai vetë.

Në bazë të asaj që u tha, jemi të bindur se aktakuza është e mbështetur në ligj.