Po kalojmë ditë dimri në kohë pandemie dhe papërgjegjësie elektorale. Edhe pse një dimër i lehtë si rrallë herë në dekadat e fundit, prapëseprapë dimri është dimër dhe shoqërinë tonë akoma e përballë me fenomene të njëjta, sikur e ka përballur në të shkuarën me mungesë energjie në kohë e pa kohë, me rrugë të lëna në fatin e motit dhe qytetarëve, me rrjet interneti të degraduar deri në revoltë me shkëputjet tepër të shpeshta e linja të paqëndrueshme, kur shumë shërbime e punë deri dhe shkollimi për shkak të pandemisë kryhen në kushte largësie (nga shtëpia). Kaos në arsim, kaos në përballimin e pandemisë, kaos në zbatim ligji! Me një fjalë, shteti dhe shërbimet publike kanë kute të ndryshme për hapësira dhe shtresime shoqërore.
Fushata elektorale edhe pse në paraafate e ka afektuar përballimin e Pandemisë dhe numrat e infektimeve kanë filluar të rriten. Sot lufta kundër pandemisë nuk ekziston në kuptimin përtej qytetar të thjeshtë. Përballimi i pasojave të saj nga vet qytetarët, të dënuar a të infektuar, dhe repartet e specializuara po dhunohet nga fushata. Kur fushata futet në mes më nuk ka masa, dhe për ironi të dhunimit që po na e bëjnë si shoqëri në kërkim të suksesit kundër pandemisë, zbatuesit e ligjit po na e fyejnë inteligjencën me dy – tri dënime koti, nga 200 euro, që u dhanë subjekteve, të cilat natën e ditën po tubojnë qindra e mijëra qytetarë nëpër ambiente, në shkelje të masave. Dënimet do duhej të ishin kapilare, për kokë pjesëmarrësi në ato shfaqje të turpshme në thyerje masash, dhe dënime të lëndueshme për partitë me shuma të mëdha parash dhe mënjanim nga gara elektorale për papërgjegjshmërinë shoqërore.
Zbatuesit e ligjit nuk po ia dalin të ngriten në përgjegjësi detyre, pasi janë segmente të institucioneve të kapura. Të tilla sikur janë, ato po na fyejnë po aq sa edhe po na dëmtojnë. Tubimet elektorale në moszbatim masash në kohë pandemie kanë filluar t’i japin efektet e veta me numrin në rritje të infektimeve. Papërgjegjshmëria e organizatorëve të tubimeve elektorale dhe trushpërlarja e ndjekësve, bashkë me mos reagimin e zbatuesve të ligjit, janë trekëndëshi ku po dhunohet qytetari dhe qytetaria jonë.
Heshtja e të gjithëve po vret po aq sa gatishmëria për ta mbyllur zërin e protestës për këtë shëmti që po thuret nga partitë dhe institucionet ligjzbatuese, të cilat e kanë për detyrë të kujdesen për masat anti Covid. Reagimi policor, qoftë si dhunë, qoftë si procedim ligjor kundër grupimit të PSD-së, të udhëhequr nga Dardan Molliqaj, me rastin e protestës kundër mbylljes së syve nga institucionet përballë shkelësve të masave anti Covid, sikur janë partitë politike dhe mbështetësit e tyre, jo vetëm se kaloi në heshtje të gjithmbarshme shoqërore, por edhe u bë kundërveprim institucional policor e ligjor në shkelje të vet ligjit. Ky absurd mund të ndodhë vetëm tek ne!
Pse po heshtin të gjithë dhe pse po heshtë shteti? Çfarë kuptimi kanë masat anti Covid kur ato shkelen nga politika dhe dënojnë qytetarët? Çfarë kuptimi ka shteti kur ai është selektiv?
Janë këto disa nga pyetjet që sot për sot nuk po e shqetësojnë askë nga jeta përfaqësuese, organizative apo institucionale, por që po rëndojnë mbi shëndetin e shoqërisë, mbi ekonominë tonë dhe që po dhunojnë ndërgjegjen tonë qytetare.
Qe bërë shumë zhurmë, dhe atë me të drejtë, kur Vetëvendosje në tentim mbrojtjeje të pushtetit nga ku po e rrëzonin, provoi të shantazhonte me kërcënimin e ndodhjes së popullit për çka pati bërë provëprotestat shëmbëllyese në kohë pandemie. Sot, pse heshtet nga tjerët? Pse heshtet edhe nga vet Vetëvendosja, e cila asokohe qe vënë nën akuzë.
Këtë heshtje nuk kemi se si ta quajmë ndryshe veç se moral i degraduar institucional e politik, para se të themi moral i degraduar shoqëror. Edhe pse këto shkelje kanë të bëjnë me shëndetin tonë, ne rrimë e heshtim, rrimë e presim dhe vuajmë pasojat. Deri kur do të na përdorin ca nga ne “mish për top” nëpër maskarada elektorale në shkelje masash, dhe pse të shumtit tjerë kemi gjetur strehë në heshtjen e turpshme ku krahas masave, të cilat në përdorim dy kutesh nuk janë tjetër vetëm se poshtërim shtetëror mbi qytetarët e qytetarinë nga ku po e vuajmë ekonominë e lënduar dhe sëmundjen e vazhdueshme?
Deri kur?!!!