Prof. Dr. Lulëzim Lajçi: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – testament dhe busull orientuese e shqiptarëve
“… jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por dhe ta mbrosh dhe ta shpëtosh me gjak… Këto pa dyshim të gjitha kurdoherë unë i kam pasur për zemër dhe për to kam derdhur tërë zotësinë e jam përpjekur me mish e me shpirt…” [1] Gjergj Kastrioti – Skënderbeu
Hyrje
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17.1.1468) është kryeheroi ynë kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptarëve, që udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman, për bashkim politik-shtetëror të popullit shqiptar.[2]
Fitoret e shumta ushtarake dhe të njëpasnjëshme e ngritën Skënderbeun në shkallën e heroit kombëtar. Emri i tij u dëgjua edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ai u bë i famshëm edhe jashtë atdheut të tij, sepse atëherë kur ky dilte fitues para sulmeve të mëdha osmane, Perëndimi vetë pësonte humbje të rënda dhe të shpeshta në luftëra me të njëjtin armik.[3] Në këto luftëra Skënderbeu nuk mbronte vetëm interesin e tij e as popullit të tij, por thjesht manifestonte një ndjenjë të përkatësisë, të epërsisë qytetëruese kundër një hordhie ushtarake që gjithsesi duhet të ketë përbuzur. Është thuajse e pashpjegueshme se si një prijës i një populli të vogël me aq arrogancë e sfidonte superfuqinë ushtarake dhe ekonomike të asaj kohe.[4] Për se sa kohë që vazhdoi rezistenca shqiptare sulltanët osmanët nuk mundën të kalonin në Itali. Në këtë mënyrë Skënderbeu bëri të mundur edhe lulëzimin e rilindjes evropiane, reformimin, zhvillimin e shtypshkrimit (1456) dhe eksplorimin e botës perëndimore, ku do të strehofshin qindra e mijëra pasardhës të tij.[5]
Për këtë arsye Gjergj Kastrioti Skënderbeu u kurorëzua edhe si një hero i qytetërimit oksidental dhe emri i tij kapërceu emrat e shumë udhëheqësve të shquar ushtarakë të Oksidentit të atëhershëm.[6]
Nga shumë ekspertë, gjenialiteti i tij ushtarak është krahasuar me atë të Lekës së Madh. Gjeneralmajori James Wolfe, komandant i ushtrisë angleze në rrethimin e Kuebekut në Kanada, i shkruante Lordit Sidnei se “Skënderbeu ua kalonte të gjithë oficerëve të lashtë dhe modernë në udhëheqjen me një ushtri të vogël defensive. Këtë e kam takuar në historinë turke dhe askund tjetër”. Në veprën “Tatëpjeta dhe rënia e Perandorisë Romake”, historiani Edmund Gibbon thoshte: “Në listën e heronjve, Janosh Huniadi dhe Skënderbeu së bashku kanë merituar vëmendjen tanë, meqë arti i tyre ushtarak e ka vonuar shkatërrimin e Perandorisë Bizantine… Princi shqiptar me të drejtë mund të shquhet dhe lavdërohet si kampion i pavarësisë se tij kombëtare. Entuziazmi i tij prej kalorësi dhe mbrojtësi të besimit e kanë renditur atë përkrah emrave të Lekës së Madh dhe Pirros…”.[7]
Skënderbeu si luftëtar dhe strateg gjenial shkëlqeu në histori, sa që edhe vetë Napoleon Bonaparti në kujtimet e tij të shkruara në Shën Helenë e quan kryetrimin shqiptar si njërin ndër ushtarakët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. [8]
Sipas një italiani, të quajtur Petruzi, në një letër dërguar Senatit të Venedikut, jepen disa karakteristike më parë të panjohura për heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Sipas Petruzit, bashkëkohës i Skënderbeut që e kishte parë disa herë në beteja, “Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskuloz… me dhunti dhe fisnikëri që nga lindja e tij…“Natën, shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati. Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombëtare (artit të veshjes se vendit)… Ai është jashtëzakonisht i masës në të ngrënë dhe në të pirë… ndërsa, për nga morali, ai mund të shërbejë si shembull (model)… I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar… Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuajse të të gjithë luftëtarëve të tij i njeh…”[9]. Përveç gjuhës amtare, Petruzi kishte thënë se Skënderbeu fliste rrjedhshëm turqishten, tatarishten, sllavishten, latinishten, persishten dhe Velshisten e se po ashtu e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake.[10]
“Thënë shkurt, shkruan Joseph J. Dioguardi, Gjergj Kastrioti ishte një gjeni i papërsëritshëm ushtarak, me besim dhe guxim të madh, filozof dhe njëri që mbajti gjallë dhe ushqeu si askush tjetër lirinë personale dhe pavarësinë kombëtare. Sot figura e tij e madhërishme, me shpatën në dorë i hipur mbi atin e tij madhështor, u jep nur kryeqyteteve të Italisë, të Austrisë dhe të Hungarisë”. [11]
Kuvendi i Lezhës më 2 mars 1444 – një ide novatore në rrafshin evropian
Gjergj Kastrioti Skënderbeut doli në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare pas disfatës së osmanëve në Betejën e Nishit (Zllaticës), më 3 nëntor 1443. Ai u kthye në Krujë tri javë më vonë dhe më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e lirisë, flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore. Me gjithë kushtet e vështira që ekzistonin në fillim të viteve 40, Skënderbeu diti të zgjidhte hallkën që i duhej për një fillim të mbarë të kryengritjes çlirimtare. Sikurse na njofton Barleti, Skënderbeu sapo kishte shpalosur, në kalanë e Krujës, flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenore, shkoi krahinë më krahinë duke ju shpjeguar masave fshatare karakterin e luftës çlirimtare duke i ftuar ata të rrëmbenin armët kundër zgjedhës së huaj, duke i bindur se do të luftonin jo për zotërim e tij feudal, por për lirinë e tyre, për të çliruar jo një krahinë të veçantë, por mbarë atdheun e robëruar.[12]
Pasi arriti t`i bindte krerët feudalë, të demoralizuar nga dështimet e mëparshme, që të linin mënjanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkoheshin në një front të vetëm luftarak kundër sundimit osman, më 2 mars 1444, Skënderbeu konvokoi Kuvendin e gjithmbarshëm i cili u mbajt në Lezhë, në kishën e Shën Kollit, e para besëlidhje shqiptare.[13] Edhe pse u mbajt në zotërimin e Venedikut, megjithatë, qëndrimi i venedikasve ishte tipik. Ata në Kuvend ishin të pranishëm jo si miq, por si vëzhgues me qëllime të caktuara spiunazhi. Arsyeja për një qëllim të tillë shihet ne faktin se Republika e Venedikut, që ishte në marrëdhënie të mira me sulltanin, nuk donte që ato t`i prishte. Dhe çdo gjë që u premtimin shqiptarëve nuk ishte gjë tjetër veçse fjalë boshe.[14]
Kuvendi i Lezhës, që njihet edhe si Lidhja Shqiptare në historinë e popullit shqiptar, për herë të parë, paraqet bashkimin e krerëve feudalë shqiptarë në shkallë kombëtare.
Skënderbeu si “primus inter pares” u zgjodh Kapiteni i Përgjithshëm (“Capitaneus generalis”). Princërit shqiptarë krijuan me të, atë raport që kishte dhe Dhimitri i Arbërit kur i quante bujarët e shekullit XIII “homines mei”. Po ky raport, për shkak të përmasave të luftës, do ta lartësonte përherë e më shumë Skënderbeun si Zot i Shqipërisë (“Domines Albaniae”). Ideja e bashkimit është ideja e konvergjimit, e krijimit të shteteve kombëtare, ide kjo tepër novatore e fundit të mesjetës dhe e epokës së Rilindjes Evropiane. Që më përpara se sa Makiaveli ta bënte formulimin e shteteve kombëtare si teori për Evropën, shkruan Moikom Zeqo, Kuvendi i Lezhës e mbartte mesazhin e vet, duke e bërë flamurin e shqiponjën dykrenare të Skënderbeut simbolin heraldik të krejt kombit shqiptar. Të mos harrojmë se bashkimin e Italisë dhe të Gjermanisë, përkatësisht Garibaldit dhe Bismarkut, e aspiruan dhe luftuan ta realizojnë shekuj më vonë, në shekullin XIX. Kuvendi i Lezhës shpaloste një ide novatore në rrafshin evropian. Ky aspekt ndërkombëtar i tij nuk duhet mohuar. Në rrafshin ballkanik vetëm shqiptarët e bënë një Kuvend të tillë, kaq rezultativ, çka nuk e bënë dot popuj të tjerë të gadishullit, me përjashtim të hungarezëve etj.[15] Në planin e jashtëm Kuvendi i Lezhës, si në rastet e paraardhësve të shtetit të Arbërit dhe të Regnum Albaniae, që midis Perëndimit evropian dhe Lindjes bizantine zgjodhën Perëndimin, bëri gjithashtu një zgjidhje të saktë jetike dhe strategjike: d.m.th., lidhjen me Perëndimin kundër Lindjes, ku bizantizmi qe zëvendësuar nga otomanizmi, egërsisht i fuqishëm dhe fatal. Skënderbeu dhe bashkëkohësit e tij konfirmuan shkëlqyeshëm statusin evropian të Shqipërisë dhe ua lanë pasardhësve shembullin aktual të integrimit përfundimtar në Evropë.[16]
Vektori evropian i padiskutueshëm i Kuvendit të Lezhës ia fuqizonte rezistencën dhe mbijetesën Shqipërisë, i krijonte lidhjet e mëdha me qytetërimin evropian në aspektin kulturor, humanist, po edhe në aspektin fetar të krishterë, sepse lufta titanike e shqiptarëve për liri u përjetua edhe në kuadrin e konfliktit madhor midis krishterimit dhe islamizmit, ndonëse nuk u fundamentalizua asnjëherë.
Kjo shpjegon faktin pse Skënderbeu u metaforizua si “Atlet i Krishtit” dhe akoma dhe sot është emri shqiptar, që e lidh Shqipërinë me Evropën më shumë se çdo emër tjetër. Kuvendi i Lezhës është dhe mbetet një guidë e Shqipërisë. Mund të thuhet, se pa Kuvendin e Lezhës, ndoshta s’do të kishim sot kombin shqiptar dhe se Kuvendi i Lezhës është ende sot një dëshmi e marrëveshjes dhe konsensusit të institucionalizuar kombëtar.[17]
Në Kuvend morën pjesë pothuajse të gjithë bujarët shqiptarë e sidomos ata të cilët ishin në krye të kryengritjeve të mëparshme kundër osmanëve, siç ishin Gjergj Arianti, Andrea Thopia, Nikollë Dukagjini, Teodor Korona Muzaka, Stefan Cernojeviqi, nga Zhabjaku i Malit të Zi, bashkë me të bijtë dhe krerët e tjerë nga Shqipëria e Veriut dhe ajo e Jugut.
Ndonëse ekzistonin divergjencat në mes bujarëve shqiptarë, kuptohet të ngarkuar me interesat e tyre personale e sidomos të ruajtjes së pronave të tyre, megjithatë u arrit vendimi që bashkohen në luftën e përbashkët kundër osmanëve. Formimi i saj shënon në të njëjtën kohë edhe pikënisjen për veprën e madhe politike që u krye dora – dorës me fitoret e mëdha ushtarake: formimin e shtetit shqiptar të bashkuar, i cili shënonte nga ana e vet një hap të madh përpara në krahasim me gjendjen e mëparshme, kur Shqipëria vuante nga copëzimi politik dhe nga anarkia feudale. Ky hap i madh historik është ngushtësisht i lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili u shqua jo vetëm si një komandant i shquar ushtarak dhe si një strateg gjenial i betejave, por edhe si një udhëheqës i talentuar politik, që diti të thyente prirjet centrifugale të feudalëve dhe t`i shkrinte zotërimet e tyre partikulariste në një shtet shqiptar të bashkuar.[18]
Milan Shuflaji, duke e analizuar këtë ngjarje historike të popullit shqiptar me plot të drejtë, konstaton se “nën Skënderbeun e tërë bujaria shqiptare u bashku në luftë kundër turqve. U krijua shteti vërtetë shqiptar, pas rënies së Kostandinopojës, Serbisë dhe Bosnjës, shteti i fundit më i madh në Ballkan”.[19]
Skënderbeu – themelues i shtetit shqiptar
Formimi i shtetit mesjetar shqiptar më në krye Skënderbeun ishte hapi më i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk arriti të përfshinte të gjitha trojet shqiptare mesjetare. Shtetit mesjetar shqiptar, me Skënderbeun në krye, ishte hapi më i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk arriti të përfshinte të gjitha trojet shqiptare mesjetare. Shqipëria-Arbëria e Skënderbeu nuk ka qenë “Shqipëri etnike” dhe as ajo Shqipëri që formon Shtetin shqiptar. Princëria e Skënderbeut ka qenë vetëm një pjesë e vogël e Shqipërisë, një e katërta të themi.[20]
Duke iu referuar dokumenteve, Skënderbeu e deklaronte veten si pasardhës dhe vazhdues të luftës për bashkim, që kishin ndërmarrë fund të shekullit XIV sundimtarët shqiptarë nga dinastia e Balshajve. Rënia e kësaj dinastie, me të cilën mburret edhe vetë Skënderbeu, lidhet pikërisht me betejën e Savrës të vitit 1385 dhe me pushtimet osmanëve në Ballkan.[21]
Fillimisht ky shtet në të vërtetë ishte një federatë bujarësh, të cilët u deklaruan aleatë me njëri-tjetrin, me të drejta të barabarta. Skënderbeu, ndonëse u zgjodh kryetar i Lidhjes Shqiptare dhe komandant i përgjithshëm i ushtrive aleate, nuk kishte asnjë të drejtë mbi zotërimet e tyre. Ai ishte vetëm i pari në mes të barabartëve (primus inter pares).[22] Ata zgjodhën Skënderbeun 39-vjeçar si kryegjeneral.[23] “Ushtria e Ligës”, shkruan Noli, “ishte afro 18000 gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësi. Nga ky numër tri të katërtat ishin nga principata atërore e Skënderbeut, krutanë, matjanë, mirditas dhe dibranë”.[24]
Me një bazë të tillë politike, lufta kundër osmanëve që parashikohej të ishte gjatë, kishte fare pak gjasa për sukses. Partikularizmi i feudalëve e minonte forcën e shqiptarëve. E drejta e paprekshmërisë që ata guxonin, i pengonte veprimet e armatosura luftarake.
Mirëpo, nevojat e luftës mbrojtëse e bënë Skënderbeun së bashku me bashkëpunëtorët e tij të kërkonin kapërcimin e këtyre vështirësive të brendshme, kapërcim i cili, dashur e padashur u krye në dëm të pushtetit partikularist të bujarëve feudalë. Kjo ndërmarrje filloi me forcimin e ushtrisë. Ushtarët, të rekrutuar në pjesën më të madhe nga treva e Kastriotëve. Kështu, Skënderbeu, i vendosur për një luftë totale kundër armikut të përbashkët dhe i fortë nga përkrahja e pakufizuar e popullsisë së vendit, filloi të mos i përfillte, kur e donte interesi i luftës, privilegjet separatiste.[25] Gjatë veprimeve luftarake kundër armikut Skënderbeu filloi t`i shkelte kufijtë e zotërimeve të bujarëve feudalë, të vendoste garnizone ushtarake besnike dhe të merrte masa të tjera të sigurimit, që shkelnin të drejtat e tyre autonomiste dhe të paprekshmërisë. Për më tepër, ai filloi të zhvishte herë pas here bujarët e dyshimtë edhe nga zotërimet feudale, të cilat ua ndante ushtarakëve të shquar.
Siç ishte e natyrshme, ky proces shkaktoi pakënaqësinë e bujarëve, të cilët kërkonin të ruanin me xhelozi pushtetin e vet separatist. Pakënaqësia e tyre rritej, por në të njëjtën kohë autoriteti shtetëror i Skënderbeut rritej akoma më shumë.
Kur autoriteti i “Zotit të Shqipërisë”, sikurse filloi të mbiquhej Skënderbeu – u rrit edhe më tepër, disa bujarë, duke përfshirë edhe disa na bashkëpunëtorët më të afërt të udhëheqësit, kaluan në tradhti të hapur dhe u bashkuan me osmanët kundër atdheut të vet. Këto tradhti e keqësuan edhe më tepër gjendjen e Arbërisë, duke e vështirësuar luftën e shqiptarëve, të cilin duhej të përballonin në të njëjtën kohë fushatat e tërbuara të sulltanëve, provokimet e rafinuara të Venedikut dhe goditjet dëshpëruese të bujarëve. Megjithatë, nën udhëheqjen e Skënderbeut, shqiptarët vazhduan të korrnin fitore në luftën e tyre epike dhe krahas tyre, ta mposhtnin përçarjen feudale.[26]
Fuqizimi dhe konsolidimi i shtetit të përqendruar shqiptar e bëri atë një faktor politik e ushtarak të rëndësishëm aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lufta e Skënderbeut ishte pjesë e asaj lufte për liri me të cilën popujt e Evropës Juglindore, e midis tyre në radhë të parë të shqiptarëve, u bënë një ledh mbrojtës kundër zgjerimit osman, zgjerim ky që vinte në rrezik edhe fatet e qytetërimit evropian në përgjithësi.
Aktiviteti diplomatik i Skënderbeut
Për Skënderbeun ishte e qartë se një nga kushtet e luftës antiosmane në Shqipëri ishte edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme, të interesuara për luftë të përbashkët kundër sundimit osman.
Si çdo kryetar shteti i mesjetës, edhe Skënderbeu pati kancelarinë e vet – zyrën e posaçme që trajtonte në mënyrë vazhdueshme marrëdhëniet e tij me shtetet e tjera dhe me personalitete të veçanta brenda dhe jashtë vendit. Një organ i tillë nuk ishte i panjohur para tij në Shqipërinë mesjetare. Pothuajse të gjithë sundimtarët e zotërimeve ose shteteve feudale patën kancelarinë e tyre, qoftë edhe në nivelin e një sekretarie të thjeshtë me një apo më tepër sekretarë, të cilët hartonin ose redaktonin sipas diktatit dhe orientimit të zotit të tyre, aktet, shkresat, letrat politike, diplomatike ose financiare të zotërimit apo principatës. Zakonisht, aktet e tyre zyrtare, sekretarët i redaktonin në dy gjuhët e kulturës mesjetare evropiane; në latinisht me vendet e Perëndimit, në greqisht me trevën bizantine të Lindjes. Kur aktet apo letrat u drejtoheshin sundimtarëve ose institucioneve të fqinjëve perëndimorë ose veriorë përdorej latinishtja ose sllavishtja mesjetare.
Çështja se kur Skënderbeu e krijoi kancelarinë e vet, nuk dihet në mënyrë të dokumentuar. Ka të ngjarë që kancelaria e tij të jetë krijuar të jetë krijuar qysh në fillim të luftës së tij çlirimtare (1443). Por nuk përjashtohet mundësia që këtë zyrë, qoftë edhe si ofiq me një titullar, ta ketë trashëguar nga i atij i tij, Gjon Kastrioti, i cili dihet se ka pasur kancelarinë e vet qysh në vitet e para të shekullit XV. Megjithatë, kancelaria e Skënderbeut, kishte një frymëmarrje shumë më të gjerë se ajo e t`et të tij, Gjon Kastriotit, apo cilido princ a zot tjetër i Shqipërisë mesjetare. Gjatë epokës skënderbegiane, nga kancelaria e heroit kanë dalë një mori letrash të nënshkruara nga vetë Skënderbeu. Por shumica e tyre kanë humbur pa lënë fare gjurmë. Mjaft të tjera kanë humbur, por gjurmët e tyre i ndeshim në përgjigjet që ka marrë Skënderbeu nga deltinarët e letrave. Letrat autentike, ashtu siç janë shkruar nga Skënderbeu ose kancelaria dhe të nënshkruara nga Skënderbeu, janë shumë të pakta.[27]
Skënderbeut, si i pari shqiptar që çau edhe rrugën e komunikimit epistolar me katër papë të Romës, me Raguzën, Venedikun, Huniadin, Alfonsin etj. falë kancelarisë së tij të fuqishme dhe ambasadorëve të shkathët e të zotë që dërgonte ku ia lypte nevoja.[28]
Në të gjithë këtë veprimtari diplomatike dy ishin “ambasadorët shëtitës” më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gazulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë. Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historianë janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.
Pali Gazulli aty nga fillimi i viteve 50 e derisa u shua Fatosi i Kombit tonë, mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën, e me mbarë Gadishullin Apenine. Po kujtojmë vetëm një frazë të Barletit “.. e ishte ky Pal Gazulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemrën me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.[29]
Pra, krahas meritave si komandant dhe strateg në luftimet kundër perandorisë Osmane, Gjergj Kastrioti, komandant i ushtrisë shqiptare dhe Zoti i Shqipërisë, ka zhvilluar dhe një aktivitet të gjerë diplomatik, ka mbajtur kontakte te vazhdueshme me zotërinjtë më të shquar të kohës, nëpërmjet letër-kredencialeve të shumta si me Papët Eugjeni IV (1431-1447), Nikolla V (1447-1455), Kalisti III (1455-1458), Piu II (1458-1464), Pali II (1464-1471), me mbretin e Napolit e te dy Sicilive Alfonsin e Aragonës dhe më pas me të birin Ferdinandin; me dukën Françesko Sforca te Milanos, me kontin Gonzaga, me princin Lorenco dei Medici të Firences, me mbretërit e Francës dhe te Hungarisë, me dozhën e Venedikut, me mbretin e Spanjës, me mbretin e Polonisë etj.
Gjurmët e para të këtij aktiviteti diplomatik i hasim qysh më 1443-1444 e më tej 1448-1456 kur Skënderbeu krijoi lidhje me Huniadin për të arritur edhe një front të përbashkët. Skënderbeu i kushtoi vëmendje sidomos bashkëpunimit me Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, Papatin e Romës, duke llogaritur në atë se ky bashkëpunim ishte edhe në vetë interesin e këtyre shteteve. Por këto shtete, me ndonjë përjashtim, synonin vetëm të përfitonin nga lufta e Skënderbeut dhe Huniadit, duke u lënë këtyre gjithë barrën e duke i përcjellë me fjalë të mira dhe urime.
Se Skënderbeu ishte i vetëdijshëm për këto qëndrime më së miri shihet sidomos në situatën e vështirë gjatë rrethimit II dhe III të Krujës (1466-1467) kur deklaronte se “nuk kishte besuar që mund të ekzistonte një shpirtligësi e tillë siç e treguan këta priftërinj” dhe se “duhej luftuar më tepër kundër këtyre se kundër turqve”.[30]
Nga fusha e dokumentacionit arkivor gjurmët më të hershme të letërkëmbimit të Skënderbeut i takojnë vitit 1445. Letra ka humbur, por nga përgjigjja e Senatit të Venedikut mësojmë se në muajt e parë të vitit 1445 (ndoshta edhe në muajt e fundit të vitit të mëparshëm) Skënderbeu, së bashku me vëllain e tij Stanishin, i kishin kërkuar Republikës së Shën Markut, që t`ua konfirmonte atyre ato koncesione dhe kapituj që ajo kishte lidhur me atin e tyre, Gjon Kastriotin, kur ky ishte gjallë. Po ashtu, nga përgjigjja që mbreti i Napolit, Alfonsi V, i dërgoi Skënderbeut më 14 dhjetor 1447,[31] mësojmë se heroi në letrën e vet shprehte vendosmërinë e tij për të luftuar kundër osmanëve.[32]
Nga dy vendime që janë marrë në Venedik, mësojmë gjithashtu se Skënderbeu i kishte dërguar Senatit të Raguzës të paktën dy letra, njërën më 1448, tjetrën më 1449. Të dhënat arkivore për letrat e Skënderbeut, vijnë kështu duke u rritur. Një dokument i hershëm është letra – kredenciale e lëshuar nga Skënderbeu, që është e pajisur me firmën dhe vulën e tij. Me anën e saj Skënderbeu ngarkon një nga kancelarët e vet Nincin, që ta përfaqësonte atë në veprimet e tij financiare me Komunën e Raguzës.
Letër-kredencialja, pjesërisht e dëmtuar, është redaktuar në këtë mënyrë:
“Zotërinj të ndershëm, bujarë dhe njerëz të ditur në të gjitha pikëpamjet, zotit knjaz dhe vlastelës, sundimtarë të qytetit të Dubrovnikut, shumë shëndet.
Zotërinj, më treguat … (?) për të cilën arsye e dërgova kancelarin tim Nincin, i cili do t`u flasë në emrin tonë, zotërinjve tuaj dhe në tërësi t`i besoni dhe t`ia jepni …(?) Ju shtofë Perëndia. Skënderbeu (nënshkrimi):
(Muaji) Çerëshinar, dita 7, në Lezhë (vula e vogël).
Dokumenti i takon vitit 1450. Muaji çerëshinar është shkruar shqip – kështu quhej në mesjetë nga shqiptarët muaji qershor. Vulën e vogël, Skënderbeu e mbante në unazë.[33]
Letra e drejtuar “Komunës së Qytetit të Sienës”, mban datën 8 gusht 1451[34] dhe është shkruar në dy gjuhë: në latinisht (adresa e marrësit dhe dy paragrafë pikërisht pjesa hyrëse me përshëndetjet dhe pjesa mbyllëse e nënshkrimit të letrës), ndërsa teksti është shkruar me korrektese ne italisht.[35] Letra është shkruar në Krujë disa muaj pas fitores madhështore që korrën shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër ushtrive osmane, të cilat, së bashku me sulltan Muratin II dhe me të birin e tij, sulltanin e ardhshëm Mehmetin II, e mbajtën të rrethuar kryeqytetin e Shqipërisë më tepër se pesë muaj. Në letër ndihet edhe entuziazmi i fitores së lavdishme. Qëllimi i Skënderbeut nuk ishte vetëm të njoftonte për fitoren e bujshme që korrën, por nëpërmjet saj ai synonte të nxiste shtetet e Italisë që të zgjoheshin nga gjumi dhe të merrnin pjesë, në mos me forca ushtarake të paktën me ndihma financiare në luftën jetike që zhvillonin shqiptarët kundër pushtuesve osmanë, në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Gadishullit Italik. Për këtë arsye përmasat e luftës së shqiptarëve janë rritur së tepërmi. Për të treguar madhështi në e rezistencës shqiptare Skënderbeu flet edhe për dëmet që pësuan bashkatdhetarët e tij.
Për jehonën e kësaj fitoreje madhështore të shqiptarëve kundër osmanëve dhe kontributin e Kuvendit të Sienës, Enrico Bolletti shkruan:
“Fisnikët dhe populli i Sienës i u përgjigjen kërkesës së Gjergj Kastriotit me një mbështetje të konsiderueshme financiare, për t’u përdorur për blerje armatimesh dhe për të organizuar fushata ushtarake kundër osmanëve. Këto ndihma të mbledhura, populli i Sienës ia dorëzoi murgut Lazër”.
Kjo lidhje miqësore e Gjergj Kastriotit me popullin e Sienës pasurohet dhe me një ngjarje tjetër të posaçme. Në vitet 1460 – 1461, Gjergji bëri disa udhëtime në Romë e në një prej tyre, ne vitin 1461 shkoi në Siena, i ftuar ne dasmën e Antonio Pikolominit (nipi i Papës Piu II), që u martua me të bijën e mbretit Ferdinand II të Napolit e të dy Sicilive. Në këtë kohë Piu II shenjtëroi Katerinën e Sienës (shenjtore nga Siena), Padrone e Evropës dhe Doktore e Kishës Katolike.
Gjatë ditëve të dasmës në Korsinjano-Val-Orçia të Sienës, Skënderbeu është takuar dhe me Xhiovani Bellinin (i njohur me emrin Xhiam-bellino), një ndër piktorët më të shquar të Rilindjes italiane të shekullit XV, i cili ka bërë dhe një portret të Gjergj Kastriotit, që me të drejtë konsiderohet origjinal dhe i pari. Krahas përputhjeve në ngjarje e në kohë, autori në këtë portret ka pikturuar dhe mbresën e një plagë në pjesën e tëmthit të Gjergjit, që përkon me një fakt historik. Muaj më parë, Gjergji ishte plagosur pikërisht në pjesën e tëmthit, gjatë një beteje të ashpër kundër osmanëve. Ky portet i Gjergj Kastriotit, që autori e ka titulluar “GIORGIUS SCANDER BEK”, ndodhet i ekspozuar ne Muzeun Uffizi të Firences.[36]
Gjergj Kastrioti (Pikturë: Xhiovani Bellini – Muzeu Uffizi të Firence)
Letra të tilla, zoti i Shqipërisë u drejtoi edhe shteteve të tjera të Gadishullit Italik. Përpara se të vinte në Sienë, abati Lazër, i cili duket se ishte kapelan personal i Skënderbeut, ia kishte dorëzuar një letër të Skënderbeut providurit venedikas të Danjës, Augustin de Renerio, për t`ia përcjellë Senatit të Republikës, kurse pasi vizitoi komunën sieneze, ai shkoi në Milano, ku ia dorëzoi dukës Francesko Sforca një letër të nënshkruar nga Gjergj Kastrioti, Zoti i Shqipërisë. Letrat kanë humbur, por përmbajtjen e tyre e njohim nga përgjigjet që i dërgohen Skënderbeut. Senati i Venedikut nuk i premtoi asnjë ndihmë veçse e njoftoi se ishte gati, po të dëshironte Skënderbeu, që të bëhej ndërmjetës për ta pajtuar me sulltanin. Duka i Milanos në përgjigjen e tij është më elastik. Thotë se e çmon luftën që Skënderbeu ka bërë në mbrojtjen e Krujës dhe pranon se ishte një detyrë e të gjithëve që jo vetëm ta pengonin marshimin e turqve, por dhe t`i largonin ata sa më larg. Veçse shtonte, se ai nuk ishte në gjendje që të jepte këtë ndihmë mbasi nuk kishte “anije” për të shpënë ushtarët në Ballkan dhe se dukata e Milanos ishte dërrmuar ekonomikisht nga luftërat e kaluara dhe nga murtaja që kishte mbërthyer vendin. Duka Francesko Sforca thotë më në fund se e kishte ngarkuar abatin Lazër që t`ia shpjegonte gjerësisht me gojë Skënderbeut situatën e tij të vështirë dhe premtimin se më vonë, kur të përmirësohej gjendja e tij, mund t`ia dërgonte ndihmat e kërkuara. Nga fjala e fundit e dukës së Milanos, del se abati Lazër, ndonëse në letrën e dërguar Komunës së Sienës, nuk cilësohet as ambasador, as orator, as nuntius, por portatore (prurës i letrës), ishte i ngarkuar me një mision, po aq të rëndësishme sa ai që kishte edhe një ambasador i zakonshëm.[37]
Nevojën për zgjerimin dhe thellimin e luftës kundër pushtuesve osmanë, trajton edhe letra që Skënderbeu i dërgoi nga Lezha më 8 prill 1456 Domenik Kapranikës, Kardainalit të Fermos (Itali).[38] Në këtë kuadër hyn e dhe një letër tjetër e shkruar nga Skënderbeu në Krujë, më 18 korrik 1456, drejtuar përsëri dukës së Milanos, Francesko Sforcës. Origjinali ndodhet në Arkivin e Shtetit të Milanos (Archivio di Stato di Milano). Letra është pajisur me vulën e Skënderbeut, një vulë e rrumbullakët fiskuar mbi dyllë, e cila paraqet shqiponjën dykrenore shqiptare. Nga përmbajtja duket sikur letra është një mesazh protokollar me falënderime dhe me përgëzime që Skënderbeu i dërgon Sforcës. Por rëndësia e letrës del jo nga fjalët që përmban, por nga ajo mund të lexohet midis rreshtave të saj. Ajo kuptohet po te kemi parahistorinë e temës që trajton.
Misionin ia ngarkoi Pal Gazulit, një nga bashkëpunëtoret e tij më të ngushtë. Përpara se të vinte në Milano, Pali shkoi me porosi të Skënderbeut në Dizhon (Francë) te duka i Burgundisë (Burgonjës), Filipi III, të cilit i shpuri si dhuratë në emër të Skënderbeut, 6 robër osmanë. Nëpërmjet dhuratës simbolike, një praktikë kjo e njohur në mesjetë, ai e ftonte sovranin frëng të merrte pjesë në luftën kundër pushtuesve osmanë. Gjatë kthimit nga Burgundia në Shqipëri, Pali u ndal në Milano për të zhvilluar takimin me Françesko Sforcën. Takimi duket të ketë ndodhur në pranverën e vitit 1456. Pasi u kthye në Shqipëri dhe pasi referoi për rezultatin e bisedimeve me Sforcën, Skënderbeu i dërgoi dukës së Milanos letrën.[39]
Letra, të cilën e çoi në Milano, një nga nëpunësit e kancelarisë së Skënderbeut, Gjergj Pjetri, fillon me shprehjet e nderimit. Thotë se Pal Gazuli ishte ngarkuar që pasi të mbaronte punën në Burgundi të kthehej në Milano dhe t`i shprehte F. Sforcës “me devocion shumë të lartë dhe me ndjenjat më intime të zemrës”, nderimet e tija të pamasa ndaj “princit shumë të shkëlqyer”, siç cilësohet prej tij duka i Milanos. Përmbajtja e mirëfilltë e letrës fillon aty kur Skënderbeu i thotë Sforcës se ai edhe përpara kishte dashur t`i tregonte atij dashurinë e vet, por nuk kishte pasur mundësi për shkak të luftërave që atëherë Milanoja zhvillonte me Venedikun dhe të armiqësisë që kishte me Napolin, me të cilin “zoti i Shqipërisë” kishte lidhje të veçanta. Pra, sa kohë që Milanoja ishte në luftë me Napolin, aleatin e Shqipërisë, Sforca nuk mund të ishte mik i Skënderbeut. Por tani që Milanoja kishte lidhur paqe me Venedikun dhe Napolin, kishte ardhur koha, shkruante Skënderbeu, që ai dëshironte t`i shprehte Sforcës, më tepër se kurdoherë “dashurinë” e tij dhe priste prej Sforcës që ai të angazhohej, si edhe Napoli, në luftë kundër pushtuesve osmanë. Në letër ekziston një frazë nga e cila kuptohet se Skënderbeu i kishte propozuar Sforcës, nëse ky nuk do të kishte kundërshtim, që të dërgonte një ambasador “solemn” d.m.th., fuqiplotë në Milano, i cili në mos gjë tjetër do t`i shprehte dukës, mendimin e tij. Duket se Sforca nuk i qe përgjigjur ftesës. Ndryshe kishte vepruar duka i Burgundisë. Menjëherë pasi u kthye Pal Gazuli në Krujë, erdhi në Shqipëri një kalorës frëng me emrin Montreal, arladi i dukës së Burgundisë, së bashku me 50 ushtarë me qëllim që të luftonin në radhët e shqiptarëve, kundër ushtrive osmane. Nuk dimë nëse luftuan ose jo kundër osmanëve veçse ka një të dhënë arkivore që tregon se në vjeshtën e vitit 1457, fill pas betejës së Albulenës, e cila ndodhi në fillim të shtatorit, luftëtarët frëngj u kthyen në atdheun e tyre. Me këtë rast, Skënderbeu i dërgoi dukës së Burgundisë si dhuratë një rob osman, ndoshta një nga robërit e shumtë të kapur në Albulenë.[40]
Në këtë kuadër të këtyre raporteve ndërkombëtare bën pjesë dhe letra Papa Kalisti III drejtuar Skënderbeut, më 9 qershor 1457:
«I dashuri bir…
Nga dy letrat tuaja, që i morëm në të njëjtën kohë, mësuam për ardhjen e turqve të prapësht që kërkojnë të pushtojnë qytetet tuaja dhe me sa përpjekje ti do të mund t’i bësh ballë gjithë këtij armiku, që është lëshuar kundër teje, por jo se të mungon guximi, pse ti ke vendosur t’i dalësh armikut përpara me tërë fuqitë e tua. Ne, bir i dashur, kemi patur kurdoherë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde dhe e kemi ditur se me sa durim dhe trimëri iu ke qëndruar në ato vende, i vetëm, Turqve të egër, të cilët, me shumicë të madhe, shpërthejnë në tokat tuaja që të dëmtojnë dhe shkatërrojnë besnikët e Krishtit. Emri yt i lavdishëm është përhapur në të gjithë popujt katolikë për gjithë këto punë të mira që ke kryer, për këtë fitore të shkëlqyer. Prandaj të porositim që të ruash vazhdimisht trimërinë e mëparshme, të thyesh sulmet e barbarëve dhe të përdorësh mirë fuqinë e ushtarëve dhe mbrojtësve të Krishtit…
Megjithëkëtë, ne s’kemi ndërmend t’iu braktisim; sepse, sado të mëdha e të rënda që të jenë misionet tona që i kemi ngarkuar flotës që dërguam në Orient, dhe sado të mëdha që të jenë detyrimet që kemi marrë përsipër për mbrojtjen e fesë, prapë se prapë, me shpejtësinë më të madhe, po dërgojmë në ndihmë të fisnikërisë tënde një anije të armatosur dhe do të përpiqemi t’iu dërgojmë ndihma të tjera në të pritmen…”[41]
Nga kancelaria e Skënderbeut kanë dalë edhe letra që trajtojnë çështje financiare të shtetit të tij. Nuk ka dyshim se burimet kryesore financiare me të cilat u përballua lufta epike skënderbegiane, u siguruan brenda vendit. Megjithatë, me thellimin e luftës, me rrënimet e mëdha që pësoi vendi dhe me nevojat gjithnjë në rritje që kërkonte lufta e pabarabartë, burimet e vendit u bënë gjithnjë e më tepër të pamjaftueshme. Vendosmëria për të vazhduar deri në fund luftën çlirimtare e detyroi Skënderbeun t`iu drejtohej për ndihma financiare vendeve që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi osman.[42]
Krahas kërkesave për ndihmë financiare, në një letër të vitit 1457, Skënderbeu ngarkoi protonotarin e vet, Gjergj Pelini, që të kërkonte nga senati sqarime, përse nuk e lejonin ushtrinë shqiptare të kalonte nëpër tokat e Zetës (Mali i Zi i sotëm), për t`i çliruar ato nga sundimi osman. Ai e porositi protonotarin që t`u thoshte zotërinjve venedikas në emër të Skënderbeut ndër të tjera:
“Në qoftë se doni të më jepni leje, unë do të kaloj. Po qe se nuk me jepni, do të veproj si të më duket më mirë.”
Në përgjigjen e vet, senati i lutej Skënderbeut që tërhiqte dorë nga kjo kërkesë, sepse kjo do t`i jepte pretekst sulltanit të sulmonte zotërimet e Venedikut në Shqipëri, gjë që republika nuk e dëshironte në asnjë mënyrë.[43]
Edhe në një letër drejtuar Venedikut në vitin 1459 pasqyrohet karakteri i fortë Skënderbeut. Kjo letër ka karakterin e një proteste kundër kapitenit venedikas të Gjirit të Adriatikut, Laurent Mauros, i cili në një takim që pati me Skënderbeun, më 4 qershor 1459, në kështjellën e Lezhës, kishte akuzuar Skënderbeun se ky kishte rrëmbyer tokën e Shatit nga duart e venedikasve, kurse në fakt ai kishte çliruar nga duart e osmanëve. Në letrën që i drejtoi Sinjorisë, Skënderbeu deklaronte ndër të tjera:
“Më 4 qershor 1459 në kështjellën e Lezhës, Laurent Mauro, kapiten i Gjirit dhe ambasador i Sinjorisë së Venediku, duke u mbështetur në njoftimet që mori nga rektorët e saj në Shqipëri, se gjoja unë Skënderbeu kam rrëmbyer tokën e Shatit nga duart e asaj Sinjorie më dha urdhrin mua Skënderbeut që, meqenëse kam vepruar kështu t`ia kthej tokën e Shatit asaj Sinjorie me anën e kontit të Shkodrës. Por meqenëse nuk është e vërtetë se e kam rrëmbyer gjë nga duart e asaj Sinjorie të Venedikut, nuk e pranoj atë akuzë por them se e kam rrëmbyer nga duart e armikut”.[44]
Në vargun e letrave të Skënderbeut janë edhe dy letrat e njohura të shkruara në pragun e ekspeditës ushtarake që ai ndërmori në vjeshtën e vitit 1460 në Itali për të ndihmuar aleatin e vet, Ferdinadin e Napolit, i cili ndodhej në situatë tepër të vështirë për shkak të kryengritjes së baronëve feudalë të mbretërisë së tij.
Një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Ferdinandit, princi i Tarentit, Johan Antonio Ursini, i dërgoi më 10 tetor 1460 një letër zotit të Shqipërisë, me të cilën u përpoq ta binde dhe ta këshillonte Skënderbeun të hiqte dorë nga ekspedita italiane në qoftë se nuk dëshironte të mbulohej me turp:
10 tetor 1460[45]
“I ndershmi, i madhërueshmi dhe i vlerti trim, miku ynë fort i dashur… Tani ne na ka ardhur fjala se ju paskeni dërguar në Pulje njerëz tuaj këmbësorë e kalorës, dhe se ata po plaçkitkan e po dëmtokan tokët e Madhërisë Mbretit Ranier dhe tonat; …ju me shqiptarët nuk mjaftoni të ndihmoni don Ferrantin as për të sulmuar kaq armiq të fuqishëm që ka ai, dhe prandaj po ju lusim e po ju nxisim që të hiqni dorë nga sa keni vendosur dhe, nëpër një rrugë të mirë, t’i tërhiqni njerëzit tuaj… Dhe, nëse gjithsesi keni dëshirë të luftoni, ja ku e keni ndërmarrjen aty pranë, kundër turqvet, e cila mund të ju apë më shumë lavdi e më shumë nderim se sa të përziheni një ndërmarrje të humbur, e cila ndërmarrje nuk ju përket dhe në të cilën nuk do të mund të keni veçse humbje pa ndonjë fitim, duke vënë në rrezik të gjithë ata që keni dërguar e do të dërgoni.
Nga kështjella e mbretit tonë të lumtur, pranë Agrolamit, ditën X tetor
Johanes Antonius de Ursinis, princ i Tarentit.
Letrës së princit të Tarentit, Skënderbeu iu përgjigj nga Kruja menjëherë, më 31 tetor 1460, me një letër të ngjeshur me një varg argumentesh dhe arsyetimesh shumë interesante të cilat ndriçojnë platformën politike dhe normat morale të Gjergj Kastriotit:
31 tetor 1460
Fort i kthiellti Princ e zot i nderuar.
Mora letrën e Z. Suaj e cila më çuditi më fort se sa do të më hidhëronte, duke parë mënyrën me të cilën ju shkruani… Dhe, mbasi thoni se çuditeni si njerëzit tonë plaçkitin e po dëmtojnë tokët tuaja dhe të Mbretit që e kini bërë tuajin[46], … po ju përgjigjem: nëse për këtë punë tani mbreti Ferrant, është në gjendje të vështirë, faji është i juaji për të gjitha të këqijat që do të rrjedhin si edhe për turpin e poshtërsinë, sepse ju kini qenë më i madhi dhe kini vepruar sikurse gratë e përdala të cilat kur plaken, bëhen kodoshe që me fjalë të ëmbla i tërheqin të tjerat të bëjnë atë që ato vetë kanë bërë, ashtu ju kini tërhequr baronë e popullsi si deshtë në thertore… Dhe mbasi thoni se me shqiptarët unë nuk do të mundem ta ndihmoj as ta mbroj as t’i dëmtoj armiqtë e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem: ka ndryshuar puna, e nëse kronikat tona[47] nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë, dhe duhet të kini dijeni se në kohë të tjera paraardhësit tanë (aludim i qartë në Pirron L. Lajçi) kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me romakët dhe ne e dimë se më të shumtën e herës u ndanë me nder se sa me turp; por unë do të shtije në punë të gjitha fuqitë më te mëdha, me cilësitë e mija si edhe me të gjithë miqtë e besëlidhurit që kam, për të ndihmuar e për t’i dhënë dorë zotit tim Mbretit Ferrant…”
Lëshuar në Krujë, ditën e fundit të Tetorit.
Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe.
Nga ky letërkëmbim i Skënderbeut ndeshim, pos faktografisë historike, edhe norma të shkëlqyera të virtytit. “Çdo gjë që të ndodhë, i shkruan Skënderbeu aleatit të vet Ferdinandit të Napolit (1460), unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit”. Me këtë sentencë me përmbajtje të thellë moral, filozofike dhe politike heroi ynë donte të thoshte se nuk do të linte veten në dorën e rastësisë, por do t`i qëndronte besnike fjalës së dhënë, besës tradicionale shqiptare, pavarësisht se ajo do t`i kushtonte shtrenjtë. Kurse, kur aleati i tij, Johan Anton de Ursini, princ i Tarentit, e këshilloi të hiqte dorë nga aleanca me Ferdinandin e Napolit sepse kauza i tij ishte e humbur, heroi ynë iu ishte përgjigjur “se duke mbajtur fjalën e dhënë ne kemi kaluar shume rreziqe sa nuk mund të numërohen, e sa shumë herë e kam përballuar vdekjen me sy, sepse shkulja e besës së dhënë do të na sjellë poshtërimin e vetes sonë, do të na mbulojë me turpin e pandershmërisë dhe të mosmirënjohjes”. Midis normave të shkëlqyera të virtytit, Skënderbeu përfshinte, para së gjithash, respektin e drejtësisë njerëzore dhe qëndrimin e paanshëm ndaj aleatëve. “Nëse për këtë punë mbreti Ferrante është tashti në gjendje të vështirë, i shkruante Skënderbeu Ursinit, faji është i juaji për të gjitha të këqijat që do të rrjedhin, si dhe për turpin e poshtërisë, sepse ju keni qenë më i madhi dhe keni vepruar sikurse gratë e përdalura, të cilat kur plaken bëhen kodoshe që, me fjalë të ëmbla, i tërheqin të tjerët të bëjnë atë që ato vetë i kanë bërë, ashtu ju keni tërhequr banorë e popullsi si deshtë në thertore” .
Po ashtu krahas të dhënave që flasin për personalitetin kompleks të heroit tonë kombëtar, nga ky letërkëmbim, të një rëndësie jo të vogël, janë edhe ato dromca që flasin për kulturën tonë, e cila është po aq e vjetër sa edhe ajo e popujve të tjerë. Në letrën që Skënderbeu i dërgoi Ursinit (1460) shkruan: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë ne quhemi epirotë dhe duhet ta dini se në kohë të tjera, stërgjyshërit tanë (aludim i qartë në Pirron dhe stërgjyshërit tanë ilirët L. Lajçi), kanë kaluar vendin tuaj që mbani ju sot dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se në të shumtën e herës u ndanë më nder se me turp.”[48]
Po atë ditë, Skënderbeu i drejtoi një letër edhe vetë mbretit Ferdinand me të cilën e vë në dijeni se ai e kishte ndjerë vetë, pa ia kërkuar njeri, detyrën për ta ndihmuar aleatin e vet.[49]
Edhe Letërkëmbimet me Sulltan Muratin II, ish-perandorin e tij, dhe me Sulltan Mehmetin II Fatihun, pushtuesin e Kostandinopojës, zbulojnë qartazi një këndvështrim sa strategjik, aq edhe të natyrshëm të heroit, me të cilët shfaqet. Duhet pranuar se në sytë e sotëm duket e çuditshme gati absurde kjo korrespondencë në pamjen e parë, pa mësuar të vërtetën e shkruar.
Në njërin prej këtyre rasteve, sulltan Murati II i dërgoi Skënderbeut, që tani qëndronte si pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Perandorisë Osmane drejt Evropës, një letër kërcënuese:
15 qershor 1444[50]
“Unë, Murati, mbret i turqve e perandor i Orientit, të përshëndes ty, o bukëshkalë i mbrapshtë, që të kam rritur e ushqyer ne oborrin tim, me përkujdesje e dashuri atërore. Nderet dhe favoret që kishe gjatë gjithë kohës që ke jetuar pranë meje, nuk të kanë munguar kurrë, o djalë bukëshkalë e sofërpërmbysur…
Mjaft kam duruar deri tash dëmet, shkatërrimet dhe djegiet; mjaft më ke mërzitur me dhunimet tua të shumta, duke më bërë të ndiej gjithë ato të zeza; mjaft më ke bërë të vuaj në shpirtin tim; mendon se nuk do të dënohet veprimi yt tradhtar ndaj ushtrisë sime në Hungari, mendon se do ta harroj lehtë humbjen e gjithë atyre qyteteve të perandorisë sime në Epir dhe Maqedoni, se unë do të fal gjakun e gjithë atyre ushtarëve të mi të vrarë, mendon se nuk do të dënohen veprimet tua të fundit, shpartallimi i ushtrisë së Ali Pashës, shkretërimet e fushave pjellore, djegia e të lashtave; pastaj nuk u ndale me kaq, por plaçkite dhe shkretërove principatën e vjehrrit tim Gjuragj (Brankoviqit), ngaqë ai nuk mori pjesë në anën e hungarezëve; pra mblidh mendjen njëherë e mirë, o i prapë, e mos prit më shumë, se kur të shpërthejë zemërimi im, atëherë do të jetë tepër vonë për ty dhe principatën tënde…
O Skënderbe, ti tashmë e njeh forcën time, ushtrinë time dhe urrejtjen time, para vetes ke si dëshmi fatkeqësinë e hungarezëve, prandaj nuk kam dëshirë të të preferoj këshilla të tjera, si dëshmi të armës sime të pamposhtur…
Nëse jemi mirëkuptuar, Zoti qoftë me ty!
Qofsh me shëndet të mirë!
Në Adrianopojë, Pallati im, 15 qershor 1444,
Murati II, mbreti i turqve dhe perandor i Orientit..”[51]
Pasi e kuptoi shumë mirë letrën dhe pasi e dëgjoi me kujdes fjalën e ambasadorit të Sulltan Muratit, Skënderbeu e falënderoi dhe e nderoi ambasadorin e pas pesë ditësh e nisi duke i dhënë një letër për padronin e tij, në përgjigje të asaj të Sulltanit, me këtë përmbajtje:
14 gusht 1444[52]
“Atleti i Krishtit, Gjergj Kastrioti, i quajtur edhe Skënderbe, Princ i Epirotasve, i dërgon përshëndetje turkut të madh, /Muratit II/, Osman, prijësit të turqve:
I nderuar prijës i Osmanëve, dikur, siç shkruan, më paskëshit bërë shumë borxhli me gjithfarë nderimesh e privilegjesh. Unë sot do t’i shlyej me urtësinë dhe gjuhën time të peshuar mirë, sepse mendoj se asgjë nuk është aq e ulët si mospërmbajtja e vetvetes nga një ligjërim aq i shëmtuar dhe nga fjalë tepër të ulëta, si ato Tuajat, qoftë edhe kundrejt një armiku nga më të pamëshirshmit. Prandaj në, letrën Tuaj dhe të dërguarin Tuaj, i pritëm dhe i pranuam me respektin më të thellë, pa u shqetësuar fare, madje, që ta themi sinqerisht, letra Juaj na bëri më shumë të qeshnim sesa të zemëroheshim…
Të gjitha këto sharje e fyerje Tuajat, o Murat i Madh, do të mund t’i jepnin të drejtë kujtdo, edhe atij më të duruarit, për të sharë dhe fyer, por unë, prapëseprapë, një pjesë të tyre po ia falë moshës e prirjes gojëlëshuar dhe mendjes sklerotike të një plaku; pjesën tjetër, pikëllimit Tuaj, që nuk është fare e lehtë ta zbutësh, sidomos kur kam vendosur që të luftoj me Ju, jo me sharje e me të këlthitur, por me forcën e armëve, mërinë dhe inatin e luftës së drejtë për liri…
Si krim ma llogaritni edhe çlirimin e atdheut tim, që e bëra me trimëri e zgjuarsi? Por, o njerëz, unë jam i gatshëm të pranoj me gjithë dëshirë të shpallem prej Jush përgjegjës në jetë të jetëve për këto krime!…
Mbretërinë atëherë ma rrëmbyet, më ndatë nga vëllezërit dhe mua vetë, që nuk i trembesha vdekjes, më dënuat me përbuzje, dinakëri dhe vuajtje, që të shuhesha me turp para botës…
Pas gjithë kësaj, as mua nuk më mbeti gjë tjetër, pos që me kujdes dhe veprime të matura, gjithsesi në mënyrë diskrete, të përcillja të gjitha dhelpëritë dhe dinakëritë Tuaja, gjersa nuk më buzëqeshi fati i shumëpritur për të fituar lirinë time dhe të atdheut tim…
Çdo njeri ka zemrën e vet, ka orën e vet, ka fatin e vet, o Prijësi im, të cilin na e kanë caktuar Perënditë, që ne do t’i dalim zot me durim, mençuri dhe vendosmëri të palëkundur.
Ne, o Murati i madh, nuk kërkojmë këshilla e as mëshirë nga armiku për veprimet dhe qëndrimet tona, e as që kërkojmë paqe prej Jush, por, me ndihmën e Perëndive, fitoren e mbrojmë vetë, me gjakun tonë.
Shumë i përuluri,
Me nderime‐Qofshi shëndoshë!
Në Kështjellën tonë, në Arbëri, më 14 gusht 1444.
Gjergj Kastrioti, i quajtur edhe Skënderbe.[53]
Në përgjigjen e tij Skënderbeu, megjithëse Sulltani e njihte në ata dhjetëvjeçarë shërbim ndaj tij, e që rezultuan strategji në kohën e duhur, i shkruan me nota të qarta se ai ishte pushtues dhe se heroi vetë ishte një rifitues i lirisë.
Po ashtu ekziston edhe një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit II dhe Gjergj Kastriotit Skënderbeu.[54] Sulltani në pamundësi të mposht “vëllain”, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes:
Konstandinopojë, 7 maj 1463:[55]
I madhi dhe i fuqishmi mbret Mehmeti II, perandor i mbarë rruzullit që nga Lindja në Perëndim, të madhërishmit Skënderbe, princ të Epirit.[56]
Besën dhe ndershmërinë tënde, o princ fort bujar Skënderbe, unë e kam nderuar gjithmonë. Për këtë arsye nuk mund ta besoja, që ti, princ shpirtmadh e fisnik, t’i shkelje aq lehtë dhe pa menduar shumë, besën e paqen që kishe prej kohësh me mua…
Dhe me të vërtetë unë, siç e di, të kam dashur gjithmonë me një mënyrë të veçantë dhe të kam rrethuar ngaherë me një dashuri të rrallë dhe sa herë që sjell ndërmend atë moshën tonë të njomë dhe shoqërinë tonë, kur jetonim së bashku në pallatet e t`et, në Adrianopojë, është e pamundur që të mos ndjej se kam për detyrë të të nderoj në mënyrë të veçantë.
Prandaj, o Skënderbe, më tepër të këshilloj që ne, duke përtëritur kushtet e mëparshme të paqes sonë, ta vazhdojmë përsëri duke e forcuar atë me be(së), sepse, po ta kishim siguruar që më parë me be(së), ti nuk do t’i kishe lejuar vetes në asnjë mënyrë që atë ta prishje, i shtyrë nga venedikasit apo të bije në grackat dhe lajkat e tyre.
Përndryshe, besomë mua, do të pendohesh shumë shpejt. Ti i di tashmë fuqitë e mia dhe mendohu a mund t’u bësh ballë me sukses. As mbretërit, fqinjë të tu, as venedikasit mendjemëdhenj e mashtrues, nuk mundin të të shpëtojnë nga dora dhe tërbimi im. A nuk e sheh se gjithë grekërit pothuajse janë zhdukur; se perandori i Trapezunit është rrëzuar nga froni prej nesh, se princërit rashianë (serbë) dhe tribalë (shqiptarë) janë rrënuar; se ilirët (kroatë e boshnjakë janë shpartalluar dhe se mbretëritë e gjithë Azisë dhe mbretër e princër të tjerë janë vënë nën zgjedhën dhe nën sundimin tim ?
Dëgjo pra, o Skënderbe, këshillën time, qëndroju zotimeve, sepse, për Herkulin, s’do të gabosh!
Prandaj, shikoni me kujdes edhe njëherë sa keni bërë për marrëveshjen tonë të mëparshme; ju rekomandoj të pranoni mundësitë e ofruara të bëni një marrëveshje të re; të pranoni paqen me vullnet të mirë, në mënyrë që të mbeteni Zot i vendit tuaj.
Për këtë punë ne kemi ngarkuar Mustafanë, shërbëtorin dhe lajmprurësin tonë, i cili po vjen te ti; atij t’ i zësh besë pa asnjë dyshim për të gjitha çështjet që do t’jua thotë.
Qofshi me shëndet të mirë e jetë të gjatë.
Nga Kostandinopoja, qyteti ynë mbretëror, 7 maj 1463 (Hixhri, 869). Mehmeti II, mbret i turqve dhe perandor i Lindjes dhe Perëndimit.[57]
Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajë, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si princ dhe jo si sulltan dhe emir.
25 qershor 1463
“Atleti i Krishtit Gjergj Kastrioti, ndryshe i quajtur edhe Skënderbe, princ i Arbërisë dhe Epirit, i dërgon shumë të fala Mehmetit II‐të, prijësit të shkëlqyer të Turqve.
Me sa marr vesh prej letrës suaj që solli te ne ambasadori juaj, Mustafa, ti o prijës i shkëlqyer Mehmet, qenke befasuar shumë që ushtarët e mi qenkan futur, siç thua ti, kundër besëlidhjes që kishim ne, në tokat tua, duke shkelur kushtet e paqes sonë, duke marrë që andej, një plaçkë shumë të madhe…
Sipas teje mjafton që ta siguroj me be [besë shqiptare,] dhe ta lidh përsëri me po ato kushte marrëveshjen që kishim më parë mes nesh. Për këtë gjë më këshillon e më nxit që ta pranoj këshillën tënde, sepse, në rast se nuk do të veproj kështu do të vuaj pasojat e zemërimit tënd; duke iu shmangur dëshirave të venedikasve, ngase kjo gjë është e dobishme për mua dhe pasardhësit e mi.
Përveç këtyre, me qëllim që të më tregosh forcën tënde apo ndoshta edhe të më frikësosh, ke renditur një varg të gjatë, duke numëruar me radhë, njërin pas tjetrit, fiset, popujt, mbretërit, princërit, që janë shkatërruar e pushtuar nga ti dhe ushtria jote e pathyershme…
Kërcënimet e tua, o prijësi i madh Mehmet, që po i shfaq këtu, kundër meje, sipas zakonit barbar, nuk më trembin sepse, edhe të pësosh kur e do puna, edhe të bësh trimërira, është veti arbërore kjo. Nuk ke për të më frikësuar, mua një mbret, të vogël, por as venedikasit e mi.
Cili qenka ky sundimtar, siç e quan veten ti, kaq i madh i Lindjes e i Perëndimit dhe i gjithë viseve të botës. Me të vërtetë, këtu më bëre të qesh. Po qeshim gjithashtu edhe princër e tjerë të krishterë. Si ja vure me kaq lehtësi që të mos them me kaq paturpësi, sundimin e gjithë botës vetes. Çfarë janë këto fjalë të kota; çfarë zotëron në Azinë e Madhe; asgjë sigurisht; mos janë tuat ato që ndodhen në Azi të Vogël; aspak; çfarë ke në Evropë përpos Thrakës, Misisë, një pjese të Greqisë dhe të Peleponezit, të Militenës dhe të krahinës së Taurikës; në Afrikë këmba jote nuk ka shkelur kurrë; mos është vallë ky sundimi i gjithë botës?
Mos u mendo o prijës i ndritur Mehmet, se gjithë bota, që nga ana e anës së oqeanit, ka rënë skllave në këmbët e tua; nga kjo gjë nuk duhet të krenohesh aq shumë sa të mos i përfillësh gjithë të tjerët. Pusho, pusho së mburruri dhe merr mësime po qe i zoti nga shembujt e shënuara të paqëndrueshmërisë njerëzore. Me të vërtetë, ku janë asirët, që patën dikur në dorë sundimin e gjithë botës; ku janë medët; ku janë persët; ku janë grekët; ku më në fund romakët, zotërit e botës?
Më i madh, sigurisht se ti, ka qenë Tamerlani, mbreti i skythasve, tmerri, siç shkruajnë, i njerëzisë, i cili, pasi e mundi në tokat e Armenisë, së bashku me 200 mijë ushtarë stërgjyshin tënd Bajazitin e dëgjuar, që kishte sa e sa suksese të mëdha në luftëra dhe pasi e zuri në arrati e sipër, e solli si triumfator të lidhur me pranga para qerres së vet. Në ushtrinë e tij thonë se kanë qenë një milion e dyqind mijë ushtarë, më shumë se Kserksi dhe Dariu, nga ushtritë e të cilëve të vjetrit thonë se janë mbuluar detrat, e tharë lumenjtë. Me gjithëkëtë, ata i fshiu nga sipërfaqja e dheut dora e Perëndisë. Prandaj, kupto se edhe ti njeri je…
Pastaj mos kujto se duhet dyshuar, o i ndrituri perandori im Mehmet, që vetë perëndia e ndihmon çështjen më të drejtë? Dhe ti e di, e di mirë se kudo ke përdorur dhunë, se të gjitha i ke shtënë në dorë dhe i mban me dredhi e padrejtësi. Për këtë arsye mua nuk më mungon guximi, o prijës i madh otoman, që jo vetëm të dal përpara ty, një sundimtari kaq të madh, kur më sulmon, por edhe të të sfidoj i pari pa frikë dhe tërë zemër në fushë dhe të shpresoj se do t’ia arrij, me ndihmën e Zotit, një fitoreje të shënuar kundër teje. Edhe ne kemi ushtarë që dinë të qëllojnë, të marshojnë përpara, të hidhen në mes të betejës dhe të vdesin për liri.
Çfarë më flet pra, për nevojën e paqes, që duhet siguruar përsëri mes nesh. Më kot kërkon të më shtiesh në dorë me favore të tilla. Për mua, shumë e dyshimtë është besa jote dhe krejt e urryer dashamirësia, sepse për çdo gjë që flet, për çdo gjë që më zotërohesh, ti vepron gjithmonë duke ndjekur zakonet e të parëve tu, në mënyrë të mbuluar dhe dredharake, ti i bën të gjitha me qëllim që të më shkatërrosh, që të më lësh pa mbretëri dhe pa pronat e mija. Megjithëkëtë, unë u kam shpëtuar gjer me sot, me ndihmën e Zotit, gjithë pusive tua, gjithë dredhive dhe dhelpërive tua. Por, për së shpejti, si shpresoj, do t`i lashë ti duart nga gjithë këto, kur as dredhitë tua e as dhelpëritë s`anë për të lehtësuar, kur as zgjuarsia otomane, as mburrja jote prej barbari, s`anë për të vlejtur më…”
Përfundim
Këto pak fragmente për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun paraqesin pa asnjë mëdyshje personalitetin që përmes tij sintetizohet një epokë e tërë në historinë tonë kombëtare, luftën njëshekullore kundër sundimit osman (1380-1479) për mbrojtjen e trojeve shqiptare, luftën e cila i vuri themelet e qëndrueshme të asaj ndërtesa kombëtare-shtetërore dhe shpirtërore që brezat tonë luftuan dhe sakrifikuan gjatë shekujve. Skënderbeu është: “krijesa më hyjnore i kësaj race më të tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte i gjallë u madhërua me legjenda të ndryshme nga Evropa Perëndimore”, shkruan, më 1925, historiani i njohur kroat Millan Shufflay.[58]
Arsyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi forcat e panumërta osmane në një kohë kur Evropa po përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare. Armatat e Perandorisë Osmane, të pajisura me një energji të pashtershme luftarake, me në krye dy sulltanët me ambiciozë, pasi kishin përfunduar pushtimin e Gadishullit Ballkanik, iu vërsulën Hungarisë, për ta çarë rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar nga brigjet e saj në Gadishullin Italik. Përballë këtij rreziku serioz, fuqitë evropiane, në mënyrë të veçantë shtetet italike, ishin thellësisht të përçara. Në vend që të bashkoheshin për t`i bërë ballë bashkërisht rrezikut të madh ata luftonin me njërin-tjetrin, duke lehtësuar kështu vrullin pushtues të ushtrisë osmane. Si rrjedhim, roli i Shqipërisë në këtë situatë dramatike ishte i barabartë me atë të Hungarisë. Të dy palët, si hungarezët, të udhëhequr nga Huniadi, ashtu edhe shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, me rezistencën e tyre heroike penguan për disa dhjetëvjeçarë përparmin e sulltanëve, të parët drejt Evropës Qendrore, të dytët drejt Gadishullit Italik.[59]
Këtë e dëshmon edhe mbreti i Hungarisë, Mathia në letrën që i dërgonte Papës më 1464 ku thotë shkoqur arsyen e fushatave osmane kundër Shqipërisë: “Unë e di se Shenjtëria Juaj, është e informuar se çfarë ka bërë sulltani gjatë ditëve të kaluara në Shqipëri. Askush nuk e vë në dyshim se ai nuk dëshiron vetëm malet epirote, por përmes tyre, ai kërkon t`i përgatisë vetes një urë kalimi për të shtypur gjithë Evropën”.[60]
Një vlerësim lakonik për Skënderbeun në mbrojtjen e qytetërimit evropian e dha edhe kalorësi Newport, i cili kishte ardhur nga Anglia e largët për të luftuar nën flamurin e Skënderbeut në Shqipëri. Gjatë kthimit të tij ai deklaroi në Romë, në shkurt të vitit 1458: “Po të bjerë kështjella shqiptare, pushtimi i Evropës nga turqit, është i sigurt, mbasi nuk ka fuqinë tjetër që të bëjë këtë rezistencë”.[61]
Madje, edhe vetë Skënderbeu ishte i ndërgjegjshëm se në Krujë luhej jo vetëm fati Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë Skënderbeu ne letrën që i drejtonte princit të Tarentit G. A. Orsinit, më 31 tetor, kur i shkruan: ”Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është i juaji, do të ishte i turqve”.[62] Nga këto del qartë Skënderbeu i dha jo vetëm një frymë heroike, po edhe një karakter kombëtar dhe ndërkombëtar qëndresës shqiptare kundër osmanëve.
Pra, vdekja e Skënderbeut, më 17 janar 1468, 550 vjet më parë, ka qenë një humbje e madhe për Arbërinë dhe për botën aksidentale. Arbëria humbi, me vdekjen e tij pavarësinë, kurse bota aksidentale humbi një nga mbrojtësit e sa më të shquar. I vetmi që iu gëzua vdekjes së Skënderbeut ishte sulltan Mehmeti II, pushtuesi i Kostandinopojës, cili thuhet se thirri:
“Vdekja e Skënderbeut është një humbje e rëndë për krishterimin, që humbi kështu shpatën dhe mburojën e vet”.[63]
“…Prandaj, me plot gojë mund të themi, shkruan Arbën Xhaferi, se roli i tij historik është i madh dhe vendimtar, jo vetëm pse ai u bë atlet i krishtit, por te fakti se ai nuk u bë atlet i sulltanit. Po të kishte zgjedhur rolin e dytë historia e Evropës do të ishte krejt ndryshe..[64] Figura dhe vepra e Skënderbeut është nyja kryesore që e ndërlidh historinë, qenien, identitetin e popullit të sotëm shqiptar me periudhën mesjetare kristiane dhe antike ilire, me të cilin shqiptarët gjithmonë janë identifikuar, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Pa figurën Skënderbeut shqiptarët e humbin shtegun, vegzën që e ndërlidh të sotmen e tyre me të kaluarën e lavdishme, vazhdimësinë e traditës, pa e trajtuar atë si aksomë të identitetit tonë kombëtar do ta humbin kodin ku puqen të gjitha diversitetet e brendshme fetare, krahinore etj.” [65]
Po ashtu vepra dhe figura e Skënderbeut nuk ka aq rëndësi për të kaluarën e shqiptarëve sa do të ketë për të ardhmen e shqiptarëve. Lufta e tij, motivet që e shtyn të braktisë ushtrinë osmane, atë sistem të vlerave që mbase i ofronte karrierë dhe të mira të tjera materiale, kthimi i tij në atdheun e varfër, marrëdhëniet e tij diplomatike e krijojnë mapon orientuese të shqiptarëve gjatë historisë, pra edhe në të ardhmen. Pa, këtë mapë shqiptarët do të humbin orientimin, qenien kështu që do të zhdukeshin në margjinat e historisë, apo në konfliktet shteruese të brendshme. Vetëm në kuadër të kodit kastrotian mund te krijohet kohezioni i brendshëm pa të cilin nuk mund të krijohet as edhe të ruhet kombi dhe shteti shqiptar.[66] Pra, kodi kastriotian është nyja që na lidh me të kaluarën duke i dhënë kuptim traditës sonë, por njëherësh është edhe mapa jonë orientuese për të ardhmen ku na presin sfida të reja më të fuqishme dhe më kanosëse.[67] Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga lindja apo perëndimi. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit që i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq. Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve.”[68]
Për ta përfunduar çështjen e vlerësimit të atdhedashurisë së Skënderbeut, po sjellim vlerësimin e bërë nga Fan S. Noli, në gusht të vitit 1960, ku theksohet se
“… nga ndonjë herë pyes vetën,
i habitur, nëse kemi në mes nesh
ndonjë tjetër njeri që është aq i gjallë,
sot, sa edhe Skënderbeu!”[69]
Propozim – apel: Ligj për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun
Dhe krejt në fund, e ndiej një obligim moral dhe intelektual që në këtë përvjetor të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut të bëjë një apel drejt instancave më të larta shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës që të nxirret një ligj i veçantë (lat. lex specialis)[70] për Gjergj Kastriotit – Skënderbeun. Ky ligj do të draftohej nga një komision miks, i përbërë nga deputetë të Parlamentit të Shqipërisë dhe të Parlamentit të Kosovës dhe si ligj i parë përbashkët, pas miratimit në të dy parlamentet, do të zbatohej në të dy shtetet shqiptare. Nxjerrja e këtij ligji do të kishte edhe simbolikën e vet.
Arsyetim i shkurtër: Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është kryeheroi ynë kombëtar, burrështetasi më i madh politik e ushtarak i historisë së Arbërisë, kryegjenerali i të gjitha kohërave, themeluesi i shtetit shqiptar dhe i Besëlidhjes Shqiptare në nivel kombëtar.
Me emrin e tij lidhet flamuri kombëtar i shqiptarëve, uniteti dhe rezistenca epike shqiptare dhe një epokë e tërë – epoka skënderbegiane.
Skënderbeuishte i pari që përpunoi vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga lindja apo perëndimi. Ai është testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve.”[71] Pa vizionin e tij properëndimor ne do të humbnin orientimin, qenien, kështu që do të zhdukeshin në margjinat e historisë apo në konfliktet shteruese të përgjakshme të brendshme. Vetëm përmes vizionit properëndimor të Skënderbeut mund të krijohet një kohezion i brendshëm pa të cilin nuk mund të krijohet dhe të ruhet kombi dhe shteti përkatësisht këto dy shtete shqiptare që i kemi sot. Pra, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përbën edhe hallkën kryesore që ndërlidh historinë, qenien, identitetin e popullit të sotëm shqiptar me periudhën mesjetare krishtere dhe antike ilire me të cilën shqiptarët gjithmonë janë identifikuar pa marrë parasysh përkatësinë fetare.
Prandaj përmes këtij ligji jo vetëm që do të mbrohej kryeheroi ynë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nga përdhosja, denigrimi, fyerja, nëpërkëmbja e kësaj figure, dukuri kjo në rritje dhe tepër shqetësuese, në kohë të fundit, por me këtë ligj do të mbroheshin edhe themelet e identitetit tonë kombëtar dhe shtetëror që janë lidhur ngushtësisht me Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Thënë shkurt
Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është një rast “sui generis” në historinë e
popullit shqiptar dhe meriton një ligj të veçantë.
[1] Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, “Infobotues”, Tiranë, 2005, f. 484.
[2] Fjalori enciklopedik, Tiranë 1985, f. 963-964.
[3] Mr. Lulëzim Lajçi, Letërkëmbime të Skënderbeut 1, “Fjala jonë, Prishtinë 1995, nr.4, f.14.
[4] Arbën Xhaferi, Kodi Kastriotan,Gjergj Kastrioti – Skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f.133.
[5] Edwin jacques Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Lajmi i mirë, Tiranë,?, f. 213.
[6] Mr. Lulëzim Lajçi, Letërkëmbime të Skënderbeut 1, “Fjala jonë, Prishtinë 1995, nr.4, f.14.
[7] Joseph DioGardi, gjergj kastrioti “skenderbeg – skënderbeu”, skënderbeu – shok me të mëdhenjtë e më të mëdhenjve, “Matchable to the greatest of the great”-Edmund Spenser (poet i periudhës Elizabetiane). https://www.aacl.com/post/alb-vatra-sympo sium-on-skenderbeg.
[8] Moikom Zeqo, “Lirinë s’e solla unë, atë e gjeta midis jush” – Skënderbeu, botuar në ZP, 25 shkurt 1994.
[9] http://shqiperiaebashkuar.al/?p=23400&fbclid=IwAR0xzaeR_S0C1LbpRrob3y6a jM3 NQtp 8mrs 5nqWy YIE_FX0U08jUngvLhvE.
[10] Po aty.
[11] Joseph J. Dioguardi – President i LQSHA, Evropa i përulet Skënderbeut edhe 600 vjet më pas “Matchable to the greatest of the great” – Edmund Spenser (poet i periudhës Elizabetiane) https://www. parajsa.com /forum/t/evropa-i-perulet-skenderbeut-edhe-600-vjet-me-pas.
[12] Kristo Frashëri, Skënderbeu, themelues i shtetit kombëtar shqiptar mesjetar, Studime për Skënderbeun, 3, Tiranë, 1989, f. 29-30.
[13] Po aty.
[14] Zef Mirdita, Lidhja Shqiptare ose Lidhja e Lezhës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f. 6.
[15] Moikom Zeqo, “Lirinë s’e solla unë, atë e gjeta midis jush” – Skënderbeu, botuar në ZP, 25 shkurt 1994.
[16] Po aty.
[17] Po aty.
[18] Kristo Frashëri, Skënderbeu, themelues i shtetit kombëtar shqiptar mesjetar, Studime për Skënderbeun, 3, Tiranë, 1989, f. 30.
[19] Zef Mirdita, Lidhja Shqiptare ose Lidhja e Lezhës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f. 36.
[20] Dhimitër Beratti, Evropa në kohën e Skënderbeut, Skënderbeu 1468-1968, Vatra, Boston, 1968, f. 50.
[21] Fjalori enciklopedik, Tiranë 1985, f. 966.
[22] Kristo Frashëri, Skënderbeu, themelues i shtetit kombëtar shqiptar mesjetar, Studime për Skënderbeun, 3, Tiranë, 1989, f. 30-31.
[23] Edwin jacques, Shqiptarët – Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Lajmi i mirë, Tiranë,?, f. 204.
[24] Zef Mirdita, Lidhja Shqiptare ose Lidhja e Lezhës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f.36.
[25] Kristo Frashëri, Skënderbeu, themelues i shtetit kombëtar shqiptar mesjetar, Studime për Skënderbeun, 3, Tiranë, 1989, f. 30-31.
[26] Po aty, f. 30-32.
[27] Kristo Frashëri, Letrat e Skënderbeut, shih në: Studime për epokën e Skënderbeut 3, Tiranë 1989, f.191-202; Lulëzim Lajçi, Përplasjet e Skënderbeut me sulltanët, “Koha ditore”, 20 qershor 2015. http:// arthive. koha.net/ ?id=1&l=62918.
[28] Faik Konica dhe Guillaume Apoliner, e vërteta e një miqësie. http://www. Gazeta express.com/ arkiva/ faik-konica-dhe-guillaume-apoliner-e-v-235-rteta-e-nj-235-miq-235-sie-130917/?arch_tb=temp;http://www.nacionalalbania.al/2014/01/faik-konicadhe-guillaume-apoliner-e-ver teta-e-nje-miqesie/.
[29] https://www.voal.ch/gjon-gazulli-astronom-e-diplomat-shekulli-xv-nga-daniel-gazulli/ Daniel Gazulli, Gjon Gazulli, astronom e diplomat i shekulli XV, https://www. voal. ch/gjon-gazulli-astronom-e-diplomat-shekulli-xv-nga-daniel-gazulli/.
[30] Po aty.
[31] Skënderbeu-Alfonsi V, letërkëmbimi “vjen” në Tiranë. http://www.arkiva lajmeve. com/ Skenderbeu-Alfonsi-V-leterkembimi-vjen-ne-Tirane.134206/.
[32] Kristo Frashëri, Letrat e Skënderbeut, shih në: Studime për epokën e Skënderbeut 3, Tiranë 1989, f. 193.
[33] Po aty, f. 194.
[34] “Fisnikë të madhërishëm dhe burra të urtë, pas përshëndetjeve të detyruara, Ju vë në dijeni se në vitin e kaluar, perandoria me katërqind mijë turq, mbajtën të rrethuar një vend që quhet Krujë në viset që i përkasin Shqipërisë dhe nuk munden ta marrin dhe u bë një betejë e madhe nga e cila të krishterët, midis robërve dhe të vrarëve, ishin gjashtëdhjetë mijë. Prandaj, juve si të krishterë besnikë dhe komunë me autoritet të madh jeni të lutur dhe të detyruar nga ana e zotit të plotfuqishëm dhe nga ana jonë të lutur nxehtësisht që për mbrojtjen dhe të këtij vendi të Krujës të denjoheni të jepni aq ndihmë sa t`u duket me vend dhe sa t`u pëlqejë juve. Dhe për këtë, denjohuni t`i keni besë dhe besim abatit Lazër, kapelanit tonë, sjellësit të pranishëm të kësaj (letre) si të ishte vetë personi ynë. Shkruar në Krujë ditën e 8-të të muajit gusht indikacioni XIII…
Ndaj jush i detyruar për çdo gjë-Gjergj Kastrioti, zoti i Shqipërisë”.
Në Arkivin e Shtetit te Sienës, gjendet letra origjinale e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (Zoti i Shqipërisë), i cili ne vitin 1451 ua ka drejtuar qytetarëve fisnikë të Kuvendit të Sienës (në atë kohë Republika e Sienës), me anë të së cilës i informonte për fitoren kundër pushtuesve osmanë, që kishin rrethuar Krujën. Shih: Lutfi Alia: Letër e Skënderbeut – drejtuar fisnikëve të Kuvendit të Sienës, Itali https:// web. Facebook. com/ Arena Dard ane/posts/451354211572642?_rdc=1&_rdr. Shenim: -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të qytetit Siena –Itali.
[35] Po aty.
[36] Po aty.
[37] Kristo Frashëri, Letrat e Skënderbeut, shih në: Studime për epokën e Skënderbeut 3, Tiranë 1989, f. 195.
[38] “Ylli”, nr. 1, Tiranë, 1967, f.16-18.
[39] Po aty, f. 196.
[40] Po aty, f. 196-197.
[41] Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1468-1968 (përgatitur për shtyp nga Edward A. Licho, Pan Albanian Federation of America, Vatra, Boston, Massachusetts (1968) f. 125-127.
[42] Kristo Frashëri, Letrat e Skënderbeut, shih në: Studime për epokën e Skënderbeut 3, Tiranë 1989, f. 197.
[43] Po aty, f. 99.
[44] Po aty, 200-201.
[45] Skënder Blakaj – Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.54-57; “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, Vëll. II, Shek. VIII-XV, (Tiranë, 1962) përgatitur nga Aleks Buda, Injac Zamputi, Kristo Frashëri e Petraq Pepo, redaktor Kristo Frashëri, botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë.
[46] Në vend të Ferdinandit të Arragonës, bujarët kryengritës kishin shpallur mbret Ranierrn e Anzhuve.
[47] Këtu flitet për kronikat tona të vjetra, mjerisht të zhdukura në valët e trazirave të historisë sonë kombëtare. Këto kronika që i përmend Skënderbeu, por edhe analet dhe librat që i përmend G. Adae më 1332 (“Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja megjithatë kanë alfabetin latin (litteram latinium) në përdorim në librat e tyre”), Barleti më 1501 (“Tani vonë më ranë në dorë anale,, që është më të drejt t`i quash fragmente se sa anale, të cilat flasin në bazë të gojëdhënave së stërgjyshërve tanë, për rindërtimin më shumë se për ndërtimin e këtij qyteti. Në to është shkruar në gjuhën e popullit (in vernacula lingua)”. E cila gjuhë tjetër mund të ishte gjuha e popullit në Shkodër në kohën e Barletit në mos shqipja – L. Lajçi), Gj. Muzaka më 1510 (Gj. Muzaka, kur u qahet të bijve, për të cilët shkruan “Memorien” thotë se kujtimet e para të fisit të tij nuk i njeh, sepse “kanë humbur kronikat e vendit”), paraqesin një letërsi të re në frymën laike humaniste, fryt të punës intelektuale, njerëzish të shkencës e të dijës në studimin e historisë së lashtë të vendit, një letërsi që nuk destinohej vetëm për të plotësuar nevojat e intelektuale të një rrethi të ngushtë e të mbyllur njerëzish të dijes, por për interesat e një shoqërie të zgjuar. Ndonëse kjo letërsi është e panjohur për gjerësinë dhe tematikën e saj, sepse u shkatërrua siç na dëshmojnë Barleti e Gj. Muzaka, në valët e trazuara të historisë sonë kombëtare, ato pak dëshmi flasin në mënyrë direkte apo indirekte lidhur me përmbajtjen e saj themelore, lejojnë të përfundohet se me to hidheshin hapat e para të historiografisë shqiptare. Si e tillë ajo shërbeu si traditë e vyer për formimin më pas të një varg tjetër shkrimtarësh, historianësh, humanistësh të shquar të shekullit XV, si Andrea Alesi, Gjon Gazulli, Leonik Tomeo, Marin Barleti, Marin Beçikemi, Viktor Karpaçi, Martin Segoni etj. Mr. Lulëzim Lajçi, Letërkëmbime të Skëndërbeut 3, “Fjala jonë”, Prishtinë, 1995, nr.6, f.14.
[48] Mr. Lulëzim Lajçi, Letërkëmbime të Skënderbeut 3, “Fjala jonë”, Prishtinë, 1995, nr.6, f.14.
[49] Madhëri e Shenjtë Mbretërore,
Zot: më duket se është natyrë shumë e keqe ajo e atyre njerëzve që shohin zotërinjtë e tyre, farefisin ose miqtë, të ngushtuar nga ndonjë nevojë dhe presin të jenë të lutur ose të kërkohen. E dijë me siguri se Madhërisë Suaj i kujtohet se, fill mbasi nisën të ngjisnin sulmet dhe u bë kryengritja në Mbretërinë Tuaj, unë, për të plotësuar detyrën time, i dërgova t’i dhuroj vetveten, pasuritë dhe çdo gjë që kisha në botë. Madhëria Juaj, a sepse besoi se s’do të kishte nevojë, a sepse mendoi se unë s’do të vija në veprim atë që thosha, nuk më kërkoi asgjë. Por unë, nga lajmet që dëgjoj se punët e Madhërisë Suaj shkojnë çdo dit keq e më keq, pa ndonjë këshillim tjetër me Madhërinë Tuaj, me ato pak anije që munda të kem, dërgova në Pulje disa njerëz, këmbësorë dhe kalorës, në shërbim të Madhërisë Suaj. S’kam dëgjuar nëse ata do të kenë dhënë ndonjë fryt gjer tani; por vetëm Princi i Tarantit më shkruan një letër, kopjen e së cilës si edhe përgjigjen time po ia dërgoj Madhërisë Suaj, dhe çuditem që Zotëria e tij kujton se unë, nga fjalët e tij të ashpra, do të ndryshoj mendim. Mirëpo një gjë dua të them: Zoti e ruajt Madhërinë Tuaj nga e keqja, nga dëmi e nga rreziku dhe çfarëdo që të ndodhë unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit. Le të shikojë Madhëria Juaj në se njerëzit e mijë i kanë sjellë ndonjë shërbim a nëse kanë për t’i sjellë dhe, nëse më duhet të dërgoj të tjerë dhe sa; dhe po lajmëroj se ka shumë ditë që kam përgatitur mirë dyqind kalorës, të cilët janë për vullnetin e Madhërisë Suaj, që me bindje po e lus që, nëse sheh ndonjë kërcënim për shtetin e vet, le të më lajmërojë sepse unë vetë kam për të ardhur me aq njerëz sa, edhe po të mos ketë asnjeri tjetër, unë kam guxim t’i zëvendësoj me njerëzit e mijë dhe me besën se dua të vdes me të gjithë në shërbim dhe në shtetin e Madhërisë Suaj, te këmbët e së cilës me përvujtëri po porositem.
Lëshuar në Krujë, ditën e fundit të Tetorit, 1460.
Shërbëtor dhe vasal i Madhërisë Suaj,
Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe.
[50] Skënder Blakaj – Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.52-54.
[51] Skënder Blakaj-Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.52-54. Po aty, shih: Musa Ahmeti: Origjinali ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, Fondi: Miscellanea: ARM.H.Vol.2. F.397. Letra është shkruar në pergamenë, ka një vulë plumbi të rrumbullakët. Pergameni është i spërkatur me flori. Përmasat 59.5 x 96cm. Origjinali është i shkruar në osmanishte dhe e ka të bashkangjitur përkthimin zyrtar të kohës, në gjuhën latine. Ne kemi përdorur tekstin në gjuhën latine për të bërë përkthimin e këtij dokumenti.
[52] Skënder Blakaj – Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.54-57.
[53] Letrat i zbuloi, i përktheu dhe i përgatiti: Musa Ahmeti. Letra e Skënderbeut është e shkruar në gjuhën latine. Është origjinali dhe mban firmën e Skënderbeut. Në asnjërën letër nuk janë ruajtur vulat, edhe pse në të dyjat ekzistojnë gjurmët e vulave, dhe është ruajtur vetëm litari. Nga letrat shihet se Murati II dhe Skënderbeu kanë pasur letërkëmbim edhe para këtyre letrave. Skënderbeu i shkruan “më ndatë nga vëllezërit”, që do të thotë se nuk ishin helmuar. Tash dihet që Reposhi ka vdekur në manastirin e Hilandarit, Stanishin disa herë e ndeshim si bashkëluftëtar të Skënderbeut, kurse Konstantinin e gjejmë si ambasador të Skënderbeut te Alfonsi V në Napoli. Skënder Blakaj – Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.52-54.
[54] Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titull “Historie de Scanderbegh au Turks et Chretiens au XV siecle” të vitit 1855, gjendet edhe letërkëmbimi sulltan Mehmetit II dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit (f. 302-305). http:// www. Gazetadita. al/leterkembim-mes-sulltan-mehmetit-dhe-gjergj-kastriotit/.
[55] Skënder Blakaj-Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.65-67.
[56] Ky letërkëmbim në mes të Mehmetit II dhe Skënderbeut lidhet me Marrëveshjen e paqes, të nënshkruar në Shkup, më 27 prill 1462.
[57] Origjinali ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit. Fondi Miscellaniae-ARM. n.Vol.3, f.653r-654v, ose paginimi i vjetër: 648r-649. Shih: Skënder Blakaj – Ismail Ismaili, Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Biblioteka “Kujtesë”, Prishtinë 2014, f.65-67
[58] Kristo Frashëri, Skënderbeu dh Evropa, shih: gjergj kastrioti – skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f. 17l.
[59] Po aty, f. 19-20.
[60] Po aty, f. 22.
[61] Kristo Frashëri, Skënderbeu dh Evropa, shih: gjergj kastrioti – skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f.22.
[62] Po aty, f. 20.
[63] Anton Athanasi, Njeriu dhe heroi, Skënderbeu 1468-1968, Vatra, Boston, 1968, f.12.
[64] Arbën Xhaferi, Kodi kastriotan, gjergj kastrioti – skënderbeu 600 vjet pas, Zagreb, 2005, f. 133-134.
[65] Po aty, f. 136.
[66] Po aty, f. 136-137.
[67] Po aty, f. 139-140.
[68] Ismail Kadare, Këln, 12.12.2010.
[69] Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1468-1968 (përgatitur për shtyp nga Edward A. Licho, Pan Albanian Federation of America, Vatra, Boston, Massachusetts (1968) f. III.
[70] Ligj i posaçëm (lat. lex specialis) – është ligj i veçantë që rregullon një fushë të caktuar, për dallim nga ligji i përgjithshëm që rregullon disa fusha.
[71] Ismail Kadare, Këln, 12.12.2010.