NJERIU DHE UJI Degradimi i natyrës, prishja e ekuilibrave, shfrytëzimi barbar i pasurive, që na ka ofruar Nëna natyrë, dhe vrapimi i çmendur për ” “pushtimin” dhe zotërimin e botës, po rrezikon jetën e qetë (pa tronditje) dhe të ardhmen e saj në tokë! Njeriu me gryksinë dhe paditurinë e tij është përgjegjës edhe për ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike, që po “prodhojnë” katastrofa kudo në botë… Nuk është më pak përgjegjës edhe njeriu shqiptar, sidomos për punën e ujërave (përmbytjeve), për ndotjen me ujëra të zeza, për “përmbytjen” e tokës e të ujit me mbetje të të gjitha llojeve, për prerjen e djegien e pyjeve, për grryerjen dhe degradimin e tokës shqiptare, etj.
Shqiptarët në vend që t’i gëzohen shiut e borës , si gjithmonë, këto dekadat e fundit shirat e borën i presin me shqetësim e frikë për tokat dhe shtëpitë e tyre. Kanalet e kullimit të ujërave, përrenjtë e lumenjtë janë zënë me lloj-lloj mbetjesh inerte, janë mbyllur e janë rrafshuar sikur të besonin se s’do të bie më shi e s’do të bie më borë! Ujit kudo i është prerë rruga! Janë ndërtuar rrugë të reja e të vjetra, por rrallë kund janë vendosur gypa ose janë bërë ura aty ku duhet të kalojë uji! Kanalet përgjatë rrugëve pothuaj se janë mbyllur kudo! Askush nuk u thotë këtyre njerëzve se nuk mund të bëjnë ç’të duan e si të duan me kanalet e rrugëve e të fushave! Vetë komunat e vet shteti bëjnë projekte nga zyrat ose me “kopi past” pa dalë kurrë në terren e pa bërë studimet e duhura! Sytë katër i bëjnë vetëm kur vjen puna te tenderi dhe te përfitimi korruptiv që do të kenë! Prandaj, shoqëria shqiptare ka nevojë për një reformë të thellë në të gjithë sektorët e jetës, e mbi të gjitha për SHTET… Edhe këto ditë uji kishte mbuluar sipërfaqe të mëdha toke në komunën e Vitisë, në Lypjan, në Lezhë, Shkodër, Malishevë, Vlorë, Drenas, Elbasan…