Lëvizja\UÇK

Shoqëria LËVIZJA përmbyll vitin me botimin e librit “Lëvizja 3”

Viti i rëndë 2020 u karakterizua me shumë pandemi e pak zhvillime tjera. Shoqëria LËVIZJA, sikur gjithë shoqëria u gjend në një situatë goxha të rëndë, për shkak të kufizimeve të lëvizjes dhe prioriteteve që shoqëria në përgjithësi i dha Pandemisë dhe kujdesit shëndetësor. Megjithatë, Shoqëria LËVIZJA, nuk u ndal tërësisht dhe ia doli me shënime qoftë edhe simbolike të mbajë gjallë gati gjithë axhendën e paraparë vjetore. Në saje të këtij angazhimi vetanak dhe mirëkuptimit që gjeti në shoqëri, ajo ia doli që për fund të vitit ta realizoj botimin e librit të radhës “Lëvizja 3”, botim i Shoqërisë LËVIZJA, ku përfshihen kumtesat e mbajtura në Simpoziumin Shkencor të Lëvizjes, që ishte mbajtur në Kryeqytetin Historik të Shqipërisë, në Prizren. Shtypja e librit është financuar nga komuna mikpritëse e Simpoziumit, Komuna e Prizrenit. Libri ka 268 faqe dhe paraqet interes të veçantë për studiuesit tanë dhe për lexuesin tonë. Temë bosht e Simpoziumit të Tretë ishte : Lëvizja e viteve 1985 – 1987 dhe Mbledhja e Parë e Përgjithshme.  

Shoqëria Lëvizja, po përgatit për botim edhe kumtesat e Simpoziumit të Katërt, i cili është mbajtur në Tiranë.  

Rrethanat e krijuara nga pandemia kanë bërë që të jemi konsiderueshëm të kufizuar, si për lëvizjet tona, po ashtu edhe për takime pune apo thjeshtë ndeja shoqërore. Përkundër kësaj, ne, për të uruar fundin e këtij viti të mbrapshtë dhe për ta uruar njëri-tjetrin për një Vit të Ri të mbarë, u takuam në Prishtinë, në ambientet e lokalit “AMARO”, në adresën tonë të imponuar, meqë akoma nuk e kemi realizuar shtëpinë e Lëvizjes, jo të shumtë në numër, por disa nga shokët këtu dhe dy-tre shokë nga mërgimi.  

Përveç urimeve për Vitin e Ri, evokuam veprimtarinë e Shoqërisë gjatë vitit të vështirë 2020, dhe biseduamë për veprimtarinë e Shoqërisë në vitin rendës 2021, ku na pret një volum shumë i madh i punëve, meqë dimë se është vit jubilar, dyzetvjetori i “Pranverës Shqiptare ‘81”. 

Urime për librin “Lëvizja 3” të cilin ia dolëm ta vëmë në duart e lexuesit!  

Urime për gjithë punët e mira që ia dolëm t’i bëjmë në këtë vit që mund të quhet edhe vit i mbrapshtë!  

Urime, shëndet e mbarësi në familjet tuaja për Vitin e Ri dhe dekadën e re!

Xh. Gjini