Në kullën e vjetër, aty ku jemi rritur, aty kemi fjetur dhe kemi ngrënë një copë bukë me kripë. Po, ne ishim të vegjël atë botë, flinim në odën e madhe, ku tymi i duhanit që pinin të mëdhenjtë dhe mysafirët ta zinte fytin. Tym ky, që u kishte dhënë trarëve të odës, një ngjyrë të kafet nikotine të pa krahasueshme me ndonjë ngjyrë tjetër, dëshmi kjo e një kohe ku mbyteshin hallet në ambiente të mbyllura me çaji e duhan, dhe së bashku me peshën e halleve, mbytej edhe shëndeti ynë, përderisa, ne u rritëm dhe u burrëruam për të ikur nga aty, për të marrë rrugët e reja në sy, për të ndryshuar kahen dhe ngjyrat e jetës!
Dhe kush qante kokën se ne, kur
do rriteshim çfarë do bëheshim, fatin duhej marrë vet mbi supe, si të rinj që
ishim, me frikën e vrasjes së ndërgjegjes, me ankth të pakrahasueshëm për fatin
e mëtejmë se ku do arrinim e ku do të mbaronim, me pasiguri në jetë, në
shkollim, në punësim, në të shprehur, në paraqitje. Me dashuri të parealizuara,
braktisura e vrara nga myku i kohës së vrazhdë, më frikën se po vrisnim
traditën konservatore që po na rrethonte si tërkuzë e vjetër mbështjellë nëpër
këmbët tona, me dhjetëra dëshira mbetur peng e të parealizuara, me ëndrrën e
madhe në gj për ditë më të lumtura!
Po, ishin kohë të vrazhda ato, hapat që do merrnim për të kundërshtuar levën e
pushtuesit, ishin një kapitull me vete, kapitull të cilit po i printe elita e
kombit. Elitë kjo, që duhej hapur rrugën e para, rrugë të cilat i kishin nisur
që moti tribunët tanë popullor. Pa dyshim për të kaluar nëpër ato rrugë;
pasonin arrestime, burgje dhe dënime drakonike, në mos, arratisje e degdisje
gjithandej rrugëve të Evropës dhe botës së madhe e cila kishte mbyllur njërin
sy, dhe të dy veshët!, dhe bënte sikur nuk po shihte shkeljet e të drejtave të
njeriut, që po i bënte ish pushtuesi Serbo- Jugosllav i cili bëri ploje gjaku
mbi popujt jo serb në ish Jugosllavi, në veçanti mbi shqiptarët, boshnjakët dhe
kroatët, deri në përmasa gjenocidi!…
Megjithatë, kjo nuk ishte e tëra,
kohëzgjatja që përfundoi me një fund përgjakjeje tragjike e nuk vazhdojë më
tej, me një tragjedi të pafundme shekullore, zbrazur me aq mllef mbi popullin
shqiptarë. Edhe ne, me gjakun e derdhur për liri, morëm të drejtën të frymojmë
pak më lirshëm, por kjo nuk do të thotë edhe të shthuremi e të hallakatemi nga
mëndet e kokës e të mohojmë çdo gjë që lidhet me çlirimin e Kosovës, me
çlirimtarët, në veçanti të mohojmë ata që lanë gjymtyrët dhe kokën në altarin e
lirisë për ty, për mua, për të gjithë ne, për atdhe!…
E rëndë kjo sjellje, e paedukatë, e rëndë kjo ngërdheshje, e rëndë kjo mbrapa
mbetje që mund të identifikohet vetëm në meset e shoqërive primitive, ku hanë
kokat e njeri-tjetrit, dhe në të ngrënë e sipër përjargën e zgërdheshen- kështu
na qenka kjo botë, për fat a fatkeqësi; çdo popull ka mbeturinat e veta,
prandaj nuk bëjmë përjashtim as ne!…
Për fatin tonë: ne që adhuronim ikonat e lirisë sonë kombëtare, nuk ushqeheshim
vetëm me iluzione të çastit, por synonim ato të perspektivës, nuk ishte dëshira
jonë për të qenë vetëm si dëshmitarë të historisë sonë të përvuajtur, për më
shumë se kaq, ne, synonim për të qenë personazhe dhe protoganist me besimin e
madhe se edhe ne, do ta bënim historinë- siç e bënë Ademi, Hamza, Shabani,
Zahiri, Edmondi, Luani, Shkëlzeni, Muji, Adriani, Xheva, Fehmiu e qindra
dëshmorë tjerë, para të cilëve populli ynë duhet të përkulet përjetësisht.
Kjo gatishmëri u vërtetua katërçipërisht anë e mbanë atdheut, më shumë se
njëherë, me qindra të rinj e të reja, me pushkët e lirisë krahut i vunë vulën
historisë sonë më të re.
Tani edhe sot, ne, duhet ta bëjmë historinë e kohës bashkëkohore të cilën e
shtron nevoja imediate. Ne, si pjesëtarë të këtij globi, botën e madhe duhet ta
shohim dhe ta jetojmë si të tjerët; të lirë e me mundësi të barabarta si gjithë
njerëzimi. Pyetja e vetme që mund të shtrohet në këtë rast është: si duken këto
personazhe që bëjnë historinë sot?!
Fare thjeshtë: të përkushtuar, modest, të afërt me popullin në nevojë, të
përpiktë në zbatimin e ligjit, në ruajtjen e rendit dhe shtetit. Të pa
kompromis me të gjithë ata, që me veprat e tyre të pamira vrasin imazhin e
shtetit, kaq dhe vetëm kaq, në fakt, jo si deri tani, jo, JO!…
28-12-2020