PolitikëVështrim/Analizë

Blerim Muriqi: RRUGËT QË PRITEN ME SHPATËN E ZGJEDHJEVE

Që kur politika e Kosovës kuptoi fatin e përballjes së kryetarit Thaqi me dhomat e specializuara në 27 qershor të këtij viti që po e lëmë, asgjë më nuk ishte jetë e rregullt institucionale e as shihej dritë në fund të  tunelit ku u fut qeverisja e vendit pas rrëzimit të bujshëm të z.Kurti dhe gjysmë qeverisë së tij. Të rralla janë qeveritë që rrëzohen përgjysmë, por kësaj gjysmë qeverie, gjysmë pushteti e gjysmë performance kishte dy vite që po i frynin vet Albin Kurti e Isa Mustafa me afrimin e tyre të pakushte edhe pse në panatyrshmëri. Për gjithçka që LVV ia kishte dalur të vinte e të rritej nga e mbi zhgënjimin qytetar, pasojë e qeverisjes së keqe të PDK-së me partnerët e saj ndër vite (e që ishin jo pak, por afër dy dekada të plota), Isa Mustafa veçanërisht dhe LDK realisht përbënin dyfishin e të keqes si shtrirje kohore e lëre më si e bërë e dëmshme për vendin. Isa Mustafa bartë hipotekën e politikanit jugosllav të viteve të errëta të Kosovës, të si-ministrit të Rrahman Morinës në gjirin e Miloshevçit dhe të tri dekadave pasuese të LDK-së. Pra afrimi i botës së re, i frymës për ndryshimin e madh, të cilën z.Kurti po mëtonte t’ia afronte shoqërisë së Kosovës, kishte përfunduar mbështjellur në të keqen më të madhe të vendit dhe domosdo se do përfundonte si gjysmë rënie qeverie të gjithçka që nuk ishte LDK.  

Kryetarit Thaqi i faturohet e gjithë skema, qoftë e rrëzimit të qeverisë Kurti, qoftë e kompozimit të qeverisë Hoti. Po ashtu atij i faturohen edhe votat që mbajtën pezull vendin  për gjatë këtyre gjashtë muajve, ato të z.Arifi dhe të z.Shala. 

Me njoftim akuzën, që dhomat e specializuara ia prenë rrugën kryetarit Thaqi për në Shtëpinë e Bardhë, vakanca e karrigës së Kryetarit të shtetit, që po shihej në horizont, shtroi kalkulimet së pari të mediave dhe pastaj edhe të spektrit politik.  

Kalkulimet e mediave prekën shumë emra, derisa ato të spektrit politik një të konfirmuar z.Haradinaj dhe dy – tri gatishmëri për të ofruar kandidatët e tyre. PDK këmbënguli se kishte kandidatin e saj derisa LVV, në zakonin e saj të përdorjes së emrave, duke i bërë poshtë tavolinës që të merrte erë puna vetiu, sikur dikur kishte bërë me Adem Demaçin, tani po përfolte Murat Jasharin.  

z.Haradinaj vuri gurin e madh në rrugën e marrëveshjes për të vazhduar, meqë e kishte kapur momentin kur LVV kishte vetëm një opsion: zgjedhje para Kryetarit. Në një rast të tillë bërja e tetëdhjetë numrave në parlament, sa kërkojnë rregullat për zgjedhjen e kryetarit pa AAK-në e tij, ishte e pamundur, andaj atij nuk po i bëhej vonë. Opsioni zgjedhje për spektrin politik, përjashto LVV-në, ishte një gjellë që nuk po përtypej dot. Sondazhet dhe fryma që ia doli ta impononte LVV-ja përmes armatës së saj të internetit, kudo nëpër media e në dhoma sociale, po bëhej e frikshme. Zgjedhjet në Besianë i dhanë të drejtë opsionit zgjedhje. Legjitimiteti tashmë ishte i munguar në të gjitha dimensionet përveç atij të legalitetit, edhe të cilin dje e rrëzoj Gjykata Kushtetuese me shpalljen nulë të vlefshmërisë së votës së deputetit Arifi. 

Derisa parti, pa LVV-në, po besonin se kanë në dorë marrëveshjen dhe me të edhe fatin e zgjedhjeve, për çka po tërhiqnin e nuk po këputnin për hisen e tepsisë së qeverisjes për tri vitet në vazhdim të mandatit aktual, z.Haradinaj tiganin nuk e hiqte prej zjarrit, të cilin po e mbante pa shumë flakë, por edhe të shuhej nuk po e linte,  përkundër se peshqit ishin diku në det, e Kosova derisa t’i bashkohet Shqipërisë, det as nuk ka e as nuk do të ketë. 

Kështu sikur ishte ndërtuar kjo humbëtira pushtetbërje në Kosovë, e cila gjithçka mund të ishte veçse pushtetbërje jo, që nga dorëheqja e z.Hradinaj nga qeverisja ”Haradinaj II”, edhe erdhi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tamam qershi mbi tortën kallamutur të një pushteti krejt konjuktural e të fanitur. 

Zgjedhjet e shpejta brenda katërdhjet (40) ditëve në vazhdim, të cilat i imponoi Gjykata Kushtetuese me rrëzimin e votës së deputetit Arifi, janë vetëm zbritja e subjekteve tona me këmbë në tokë. Viti që po hyjmë do të varet shumë nga ajo që do kenë mësuar partitë tona këto dy vite brishtësie nga mungesa totale e funksionimit të institucioneve në kapacitete të plota e më pak se ato. Gjithçka në këto dy vite ishte fiktive. Institucionet nuk patën shpirt, sepse qeveritë erdhën e shkuan me grykësinë e praktikës “kap çka të kapësh”! 

Para kemi katërdhjetë ditë deri në zgjedhje, por që nuk do të thotë se kemi po aq deri në bërjen e një qeverie, e aq më pak mund të besojmë se bërja e një qeverie pas zgjedhjeve nuk do të bëhet në zakonin e qeverive të mëparshme, nëse nuk do të kemi përmbysje të rezultatit.  

Se cila do të jetë më e mirë, një qeveri në zakonin e të shkuarës apo një me përmbysje, mbetet të shihet nëse ndodhë! Por, një gjë tashmë dihet: vendi ka nevojë për ta çrrënjosur të keqen që ka kapur gjithë jetën e vendit nga tenderomania e deri te punësimet, qoftë edhe të një rojtari në dyert e institucioneve, nëse diku ka mbetur një i tillë, sepse kapja e shtetit gjithçka e ka kaluar në tenderomani për firmat e shefave kapo të krimit ekonomik, i rrjedhur nga ai politik e që mund të kenë përfunduar krejt kollaj edhe te ai ordiner e mafioz. 

Zgjedhjet, jo zgjedhjet dhe aspirata e z.Haradinaj për karrigën e Kryetarit, në këtë përbërje bashkërenditjeje të gjithë janë tashmë fatprerë. Kutitë e votimit janë ato nga ku do të dalin marrëveshjet e ardhshme, pozita e opozita, qeveria e kryetari.