Ç’ËSHTË KY ZELL I TEPRUAR PËR T’I PERSONALIZUAR-PRIVATIZUAR VENDIMET HISTORIKE TË ORGANIZATËS, LPK-së, PAS 30 VITESH?!!
Tridhjetë vite pas, 25 vite pas Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës, shokë, bashkëveprimtarë, bashkëdrejtues e bashkëluftëtarë të LPK-së, edhe të UÇK-së, shfryjnë në rrjetet sociale kundër njëri-tjetrit me një vulgaritet e mllef primitiv për cikërrima e vogëlsira, që edhe ashtu ishin të Organizatës, siç ishim edhe ne. I gjithë kontributi, të gjitha idetë, propozimet, nismat tona, veç e veç, jashtë ORGANIZATËS-LPK-së, do të ishin dhe do të mbeteshin personale, private… Por, shokë e miq shumë të dashur, të gjitha idetë, propozimet, nismat dhe kontributet tona gjatë kohës sa ishim anëtarë, veprimtarë e drejtues të Organizatës i takojnë asaj dhe vetëm asaj, kuptohet ato ide, propozime, nisma e veprime që miratoheshin nga organet e Organizatës… Kurse, ato ide, propozime, nisma e veprime që nuk miratoheshin nga Organizata (organet e saj vendimmarrëse dhe ekzekutive) mbeteshin personale, kontribut për çështjen që ishte shtruar për debat, për vendimmarrje, etj..
Një mal me llafe, komente, deklarata dhe intervista për Ditën e UÇK-së!! I gjithë theksi i debatit vendoset te personi që e paska propozuar emrin, dikush e mohon Ditën e UÇK-së me “argumentin” se edhe para kësaj Dite kishte njësite të armatosura, dikush shkon më tej dhe i kërkon rrënjët e UÇK-së te Partia e Luftës, e Rexhep Malës, dikush te ÇETA Azem Bejtës, pastaj do të hapet debat i madh për Heroin që shkrepi pushkën e parë kundër Serbisë pushtuese, kundër Kral Nikollës, kurse një autor i huaj, Xhimi Petiferi, me të drejtë ka konstatuar se “themelues i UÇK-së ishte Enver Hoxha”, etj.
Kështu, me apo pa dashje, kemi hyrë në një rreth vicioz !! Kjo nuk është metodologjia shkencore për trajtimin dhe shtjellimin e çështjeve kaq të rëndësishme për historinë më të re të kombit tonë… UÇK-ja nuk lindi nga hiçi, dihet… Ajo ishte rezultat i qindra miliona fjalëve të folura e të shkruara nga goja e popullit tonë të pushtuar, nga pena e bijave dhe bijëve atdhetarë, të ditur e të emancipuar brenda e jashtë Atdheut dhe, nga goja e Radiotelevizionit Shqiptar, Radio Kukësit, filmit dhe muzikës shqiptare, nga gazetat, revistat e librat që shkruheshin, botoheshin e shpërndaheshin edhe për pjesën e robëruar të kombit, etj.
UÇK-ja, si vetë LPK-ja, ishte rezultat edhe i qindra mijëra takimeve të vogëla e të mëdha, i mijëra veprimeve të vogëla e të mëdha (edhe të përpjekjeve dhe veprimeve të armatosura)… Ajo, i dedikohet kryesisht ekzistencës së shtetit tonë Amë… Ajo, ishte një Ndërmarrje e Përbashkët Kombëtare, lindja e saj ishte e vështirë, e përgjakshme.. . Mbi 200 shokë tanët, të LPK-së, edhe qindra patriotë tjerë më herët, kishin rënë para 17 Nëntorit të Adem Jasharit, Ditës së UÇK-së. Kjo rrugë e shtruar me shumë mund, përpjekje, përballje e gjak të shokëve tanë meriton vëmendjen, fjalën dhe penën tonë, nëse jo shkencore, të paktën afirmative e përkujtimore… Nuk kemi nevojë të shpërndajmë tym e mjegull ne, sepse po shpërndajnë me tepri ata që ishin në anën e gabuar të historisë, ata që nuk dhanë qimen e flokut dhe as një qindark për çlirimin e Kosovës shqiptare…
Myslim Peza kishte krijuar Çetën e Parë Antifshiste në Evropë, jo vetëm në Shqipërinë Londineze… Më vonë u krijuan çeta, njësite guerile dhe 22 batalione të armatosura anembanë vendit, por nuk quheshin Ushtri deri në Konferencën e Labinotit (10 Korrik 1943), kur u krijua Shtabi i Përgjithshëm dhe Ushtria Nacionaçlirimtare Shqiptare. Histori që dihet…
Rrugë të njëjtë pati edhe Alfabeti ynë, që lindi më 22 Nëntor, DITA ALFABETIT. Para kësaj date ishin në përdorim Alfabeti i Stambollit, i Shoqërisë “Bashkimi”, etj. Kuvendi (kongresi) i ALFABETIT zgjati 7-8 ditë, por 22 Nëntori u bë Dita e tij…
Këtë rrugë kanë ndjekur edhe lëvizje e procese tjera politike, çlirimtare e shoqërore në botë (edhe në shkencë, teknologji, art, kulturë, etj.). Këtë rrugë me gjithë specifikat (veçoritë) e saj ka ndjekur edhe Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare, edhe krijimi i UÇK-së më 17 Nëntor 1994, që me të drejtë quhet Nëntori i Adem Jasharit…
Organizata që mori këtë vendim historik (Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, në emër të Organizatës dhe secili anëtar i saj) duhet të jetë krenare dhe me kokën lartë, jo pse mori një vendim, por pse ky vendim u përqafua, u pranua dhe u jetësua nga luftëtarët e lirisë, fillimisht nga anëtarët-luftëtarët e LPK-së në terren, nga Adem Jashari e deri te i fundit dhe, pa vonuar, pas RËNIES së Shaban, Hamzë e Adem Jasharit dhe Familjes Jashari, emri UÇK u pranua, u bë i dashur, i nderuar dhe i shenjtë për mbarë kombin dhe për shqiptarët kudo në botë. Lufta Çlirimtare e UÇK-së fitoi edhe përkrahjen e Botës Perëndimore dhe të NATO-s… Lufta e fituar nuk gjykohet! Ç’do të thonim ne, që po lëmë nam me këto përplasje koti, po të mos fitohejë Lufta ?!! A thua do të ndjeheshim të gjallë (nëse do të kishim shpëtuar)?!!
Ç’të themi për punën e emblemës, që u bë çështje për një debat absurd midis shokëve që patën fatin dhe nderin e madh të ishin pjesë e atij procesi, sepse ishin anëtarë e drejtues të Organizatës, LPK-së, e jo pse kishin emrat që mbajnë edhe sot…
Emblema e UÇK-së nuk doli pse u kujtua dikush rastësisht për të, por pse në shkallën që kishte arritur ngritja dhe strukturimi i UÇK-së ishte e domosdoshme, kërkesë e kohës… Emblema ishte dhe erdhi natyrshëm si një prej elementeve të një Ushtrie Çlirimtare (s’ishim të parët!), për ngritjen e së cilës ishin bërë këshillime e studime të thelluara dhe permanente kryesisht me oficerë të lartë e patriotë në Tiranë. Janë me mijëra faqe të shkruara për këtë çështje, për krijimin dhe ndërtimin e një force të armatosur çlirimtare (ne, pjesa më e madhe, s’merrnim erë nga lufta e armatosur, arti ushtarak)…
Por, në atë kohë, nuk ishte si sot punë fejsbuku, me këto çështje merrej kryesisht Sektori i Veçantë dhe Kryesia e zgjedhur prej nesh. Kush e di sa takime e biseda janë bërë edhe për emblemën në Tiranë e gjetiu, sidomos me ushtarakë. Me to “administronte” dhe operonte Kryesia, në bashkëpunim me shokët e emruar në krye të UÇK-së, gjë normale, sepse nuk ishim cuba mali, por formacion i organizuar politiko-ushtarak… Shoku ynë thotë se nuk e mori “porosinë” nga Emrushi, por nga Gafurri!! Po ky Gafurri ishte ngarkuar nga Kryesia, nuk ishte çështje personale e tij, kurse ky Emrushi ishte Sekretari, nuk ishte person privat… Ç’rëndësi paska nëse ishte edhe Emrushi me Gafurrin në Redaksi apo s’ishte ?!! Pastaj, edhe kjo Redaksia dhe Gazeta ishin të Organizatës, nuk ishin private!! Apo e kam gabim, shokë?! Vet shoku ynë thotë që kishte realizuar 18 variante të emblemës dhe ia kishte dhënë Kryesisë, siç i kishin kërkuar, për t’i parë dhe për ta miratuar njërën prej tyre (mund të mos miratohejë asnjëra!). Kryesia mori vendim që të miratohet Emblema që u bë Emblemë e UÇK-së… 17 variantet tjera mbetën personale, sepse nuk u miratuan nga Kryesia… Vetëm ajo që u miratua u bë Emblema e UÇK-së, prandaj nuk është personale dhe s’ka si të jetë personale…
Një debat si ky pati para tre-katër vitesh midis dy shokëve tanë për një Deklaratë që ishte shkruar për t’u lexuar në emër të LPK-së në vitin 1991 (nëse nuk gaboj)… Shoku që e kishte lexuar, i ngarkuar nga drejtuesit e Organizatës, e publikoi si deklaratë të tijen, personale ! Kjo u bë shkak për një debat bukur të ashpër midis shokësh!!
Dua ta përmbyll me “porosinë”-dëshirën që të mos harrojmë se ishim ata që ishim dhe aq sa ishim pse patëm fatin e madh të ishim anëtarë të Organizatës së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Fehmi e Xhevë Lladrocit, Adem Jasharit e Adem Demaçit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fadil Vatës, Fahri Fazliut, Xhemajli Berishës, Xhavit Hazirit, Adrian Krasniqit, Xhemajl Fetahut, Agim Bajramit, Mujë Krasniqit, Beqir Limanit, Arif Seferit dhe të qindra shokëve, luftëtarëve e drejtuesve që ranë në Altarin e Atdheut dhe me jetën e tyre jetësuan idetë, propozimet, porositë e vendimet e Organizatës, LPK-së e të UÇK-së… LAVDIA DHE NDERIMI U TAKON ATYRE!
Natyrisht, pa harruar kontributin e jashtëzakonshëm të anëtarëve, veprimtarëve, luftëtarëve e drejtuesve që mbetën gjallë… Dhe, tepër e rëndësishme, pa harruar as njëherë BETIMIN e UÇK-së, fatin e trojeve shqiptare, që i konsideronim KOSOVË e që mbetën jashtë Kosove-Shqipërie!
Për vete përulem me nderim e krenari para Deshmorëve të Atdheut, në gjithë hapësirën shqiptare dhe të të gjitha kohërave, po se po, por edhe para secilit anëtar, veprimtar e drejtues të LPK-së (brenda e jashtë vendit, LPK-ja ishte NJË) dhe para secilit shqiptar që në kohën e duhur ishte në krah të Lëvizjes e të Luftës Çlirimtare (edhe para LKÇK -së, që iu bashkua UÇK-së), ishte në anën e lirisë, në anën e popullit të tij dhe në anën e duhur të Historisë… Përulem me nderim të veçantë para shtetit tonë AMË, që deri vonë, në kohë të vështira ishte e vetmja mbështetje në botë për Lëvizjen Kombëtare në pjesën e pushtuar të Shqipërisë !
Nderim e dashuri për shokët e LPK-UÇK-së, dje, sot e nesër!
add a comment