Arkiv / Ripublikim

Xh. Gjini: Po ndjehem mirë në lëkurën time

PO NDJEHEM MIRË NË LËKURËN TIME
(e shkruar 1 vit më parë)
Një zyrtar i lartë i një partize joparlamentare paska pyetur sot publikisht: “A po ndjehet mirë Xhevat Bislimi”? Ky që ka bërë pyetjen besoj që e di më mirë se shumëkush që unë ndjehem mirë në lëkurën time. Por, nëse nuk e di po i përgjigjem dhe po i them se, si gjithmonë, edhe tash po ndjehem mirë.
Për vete (qofsha une i gabuar) nuk jam ndjerë keq edhe kur ndonjë shok i organizatës nuk ishte në nivelin e detyrës… Natyrisht se mbaja qëndrimin tim dhe ndjeja keqardhje për të! Nuk jam ndjerë keq edhe kur ndonjë bashkëveprimtar bënte gabime dhe na bënte dëm. Nuk ndjehesha keq, sepse nuk ishte për fajin tim… Ndjeja keqardhje për të! Ashtu siç nuk u ndjeva keq, sepse nuk isha pjese e atyre mbrapshtive, edhe kur të tjerët (bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë e bashkëpartiakë) u bënë pjesë e bisedimeve dhe pranuan shpikjen e “komunave serbe”, duke e shndërruar Kosovën shqiptare në “multietnike”, ndarjen e Mitrovicës (jugore e veriore!!), shpikjen e zonave, monumenteve dhe kishës “serbe”, imponimin e një flamuri të huaj për Kosovën dhe popullin e saj, heqjen dorë (ndalimin!!) nga bashkimi me shtetin tonë (Republikën e Shqipërisë), vendosjen e fusnotës për Republikën e Kosovës (vënien në pikëpyetje të pavarësisë-shkëputjes nga Serbia!!), trafikimin dhe kontrabandimin e pasurive dhe ekonomisë së Kosovës shqiptare me anë të “privatizimit”, rihapjen e pakos së Ahtisarit (marrëveshjet vetëposhtëruese dhe vetërrënuese të Brukselit!!), faljen e tokës Malit të Zi (82 km katrore), etj., etj. Për të gjitha këto ndjeja keqardhje në shpirt për Kosovën e Shqipërisë dhe për “asistentët” (bashkëaktorët) e këtij projekti antishqiptar!… Por, nuk u ndjeva keq asnjëherë në lëkurën time, sepse isha qartë dhe fuqishëm (me gjithë aftësitë dhe mundësitë e mia) kundër këtyre politikave, negociatave, planeve dhe marrëveshjeve antishqiptare dhe antihistorike. I denoncova në parti, në Kuvendin e Republikës, në media, në komunë e kudo tjetër… Ç’është e vërteta nuk kam dënuar dhe as vrarë kend për këtë punë sepse, nuk e kisha as te drejten dhe as fuqinë – pushtetin! Nuk u ndjeva keq as kur Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi ligj të posaçëm për rehabilitimin dhe amnistimin e të gjithë kriminelëve, dhunuesve dhe keqbërësve serbë në Kosovën Veriore, që kishin bërë krime ndaj popullsisë shqiptare edhe pas luftës(!!), sepse nuk kisha asnjë përgjegjësi në atë punë, ndjeja vetëm keqardhje për atë klasë të mjerë politike dhe për ata deputet të padinjitet e të paintegritet personal!! Nuk ndjehem keq fare as për deklaratat, politikat, vendimet dhe sjelljet e Albin Kurtit apo të partisë së tij. Kam mbajtur qëndrimin tim pa ekuivoke për çdo gjë që kam menduar se po e bënte gabim… Në fund të fundit ç’punë a ç’përgjegjësi paskam unë për të dhe partinë e tij?!! Ka pesë vite që nuk jam pjesë aktive e politikave partiake. Partitë politike aktuale nuk kanë ndonjē dallim thelbësor konceptual apo programor… Partinë që heq dorë nga programi dhe koncepti i saj (sidomos kombëtar) jo vetëm kanë të drejtë ta braktisin anëtarët e saj të lirë e me ndërgjegjie të papërlyer kombëtare, por kanë edhe detyrim ta braktisin atë… Janë parti vasaliste, tamam si LDK – ja! Deri sot jam Kryetar i Shoqërisë LËVIZJA, e cila është adresa e shokëve, miqve, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve (pa dallim krahine, feje e partie) që i bashkojnë vlerat kombëtare liridashëse, demokratike dhe emancipuese… Adresë e secilit shqiptar që për “fe” ka SHQIPTARINË e për Atdhe SHQIPËRINË… Prandaj, them pa asnjë hezitim se ndjehem mirë në lëkurën time. Ndjej keqardhje për të gjithë ata që ishin dhe janë përgjegjës për gjendjen jo të mirë në Kosovë dhe në gjithë Shqipërinë (gjeografinë shqiptare), që po zbrazet nga rinia e saj, por nuk jam pa shpresë…