Veteranë dhe invalidë të dashur të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare! Familje të nderuara të Dëshmorëve! Studiues, gazetarë dhe publicistë të respektuar! Të zgjedhur të pushtetit vendor e qendror, politikanë, zyrtarë e qeveritarë!
Të nderuar përfaqësues të Organizatave të dala nga Lufta e Lavdishme e UÇK -së! Kryetar i nderuar i Shoqatës së Burgosurve Politikë! Përfaqësues i Institutit të Shqiptarëve në Maqedoninë tonë! Zëvedëskryetar i Shoqërisë LËVIZJA! Kryetar i nderuar i Degës së Shoqërisë LËVIZJA jashtë Atdheut dhe gjithë ju miq-vëllezër e motra të pranishëm në këtë Akademi jubilare!
Sot, me ne janë edhe drejtuesit e LPK – së që, më 17 Nëntor 1994, morën vendime historike, në përputhje me vendimet, qëndrimet dhe orientimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK -së: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti dhe Gafurr Elshani. Mungojnë: Xhavit Haliti, i cili për shkaqe shëndetësore është në Zvicër, Adem Graboci që ka rast vdekje dhe Muhamet Kelmendi.
Në themele të çlirimit të Kosovës dhe të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në viset e Kosovës janë gjaku dhe jeta e të rënëve, Dëshmorëve tanë, të cilët kombi shqiptar i kujton dhe nderon në ditë hidhërimi e kujtimi, i nderon dhe kujton me përulje edhe në ditë gëzimi e festimi… Prandaj, ju ftoj t’i nderojmë me një minutë heshtje Dëshmorët e Atdheut!
……… Në jetë të jetëve NDERIM e LAVDI!
Zonja dhe zotërinj! Motra dhe vëllezër!
17 Nëntori është datë e shënuar në historinë e re të kombit shqiptar, është DITA E UÇK-së, është NËNTORI I ADEM JASHARIT. Sot, po shënojmë 30-vjetorin e UÇK-së (emërtimin e njësiteve të armatosura të LPK-së, konform vendimeve të Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, me emrin: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS, e cila fitoi përkrahjen e mbarë kombit në Iliri dhe në botë, si dhe të Perëndimit – botës demokratike.
Lëvizja Popullore e Kosovës i dha kombit shqiptar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kurse Ajo (UÇK-ja), me luftën e saj heroike, ia ktheu Kombit dhe Atdheut rreth 11 000 km² tokë të pushtuar e të grabitur nga Serbia dhe i dha shpresë, liri e të drejta më të mëdha edhe shqiptarëve në Maqedoninë e tyre dhe shqiptarëve të krahinave tjera nën Mal të Zi e nën Serbi…
LPK-ja dhe Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK-së hapën perspektiva të reja për Kosovën dhe për pozitën e kombit shqiptar në Iliri (Ballkan). Çlirimi i Kosovës (në kufijtë krahinor) hapi perspektiva të reja edhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Lufta e Armatosur Çlirimtare e UÇK – së ishte ndërmarrja më e suksesshme e përbashkët e forcave patriotike liridashëse, demokratike dhe përparimtare të popullit të pushtuar dhe e mbarë kombit shqiptar, ishte ndërmarrje e përbashkët për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë.
Çlirimi dhe pavarësimi i plotë i Republikës së Kosovës ishte kusht i domosdoshëm për mbijetesën dhe përmirësimin e pozitës së pjesës së pushtuar të kombit shqiptar… Çlirimi dhe bashkimi i tokave të pushtuara shqiptare do të ndihmonte shumë edhe për shërimin e Serbisë nga shovinizmi dhe hegjemonizmi i trashëguar serbomadh dhe të vendeve fqinje që kanë grabitur tokat tona. Ky shërim do t’i bënte mirë popullit serb dhe “normalizimit” të marrëdhënieve me popujt e rajonit.
Në këtë kuptim mund të thuhet se Lufta e UÇK-së dhe e kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të saj ka dhënë një kintribut të jashtëzakonshëm edhe për shërimin e të sëmurës së Ilirisë (Ballkanit), Serbisë dhe për stabilizimin, konsolidimin dhe emancipimin e paqesë, sigurisë dhe të marrëdhënieve në rajonin tonë. Prandaj, luftën me Serbinë duhet ta fitojmë deri në fund edhe në fushën diplomatike dhe në atë të mbrojtjes. Deri atëherë garën dhe përballjen e kemi me Serbinë dhe me të gjitha qarqet shoviniste të rajonit që përbëjnë kërcënim dhe angazhohen kundër lirive dhe të drejtave të popullit tonë autokton dhe kurrësesi me njëri-tjetrin… Forcat patriotike, demokratike e përparimtare garën e kanë me të gjitha rrymat ideologjike, fetare, artistike e mediatike që mohojnë gjuhën, traditën, flamurin, historinë dhe kulturën shqiptare… Lëvizja Kombëtare, përpjekjet dhe Lufta jonë Çlirimtare, që nga viti 1912 e deri në ditët tona, duhet të përfshihen në planprogramet dhe tekstet shkollore dhe universitare…
Bashkë dhe të bashkuar kundër atyre qarqeve e vendeve që cenojnë dhe mohojnë identitetin-qenien tonë kombëtare!
Përjetësisht Nderim e Lavdi përpjekjeve, luftës dhe sakrificave të Lëvizjes sonë Kombëtare dhe Luftës Çlirimtare të UÇK-së ! Nderim dhe falënderim deri në përulje Komandantit Legjendar-Familjes Jashari dhe Dëshmorëve të Atdheut! Nderim dhe mirënjohje deri në përjetësi shtetit tonë Amë, që ishte pjesë organike dhe besnike e të gjitha përpjekjeve dhe e luftës sonë në të gjitha periudhat! Mirënjohje dhe falënderim vendeve perëndimore, NATO-s dhe vendeve tjera që e njohën dhe e mbështetën luftën titanike të UÇK-së dhe të kombit tonë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë!
LAVDI DËSHMORËVE! Rroftë populli shqiptar! Gëzuar festat e Nëntorit shqiptar!