Vështrim/Analizë

Dorëshkrimet e Kiço Mustaqit: Ja historia e Ushtrisë Shqiptare

Dosier/ Dorëshkrimet e Kiço Mustaqit: Ja historia e rrallë e Ushtrisë shqiptare

-Mehmet Shehu- Kiço Mustaqit: – Mirë, futu ti në tank dhe unë do të të gjuaj me flakëhedhës të lehtë, por kam për të djegur si miu.

– Po, i tha komandant Kiçoja, futem dhe do të dal si kokrra e mollës.

– Debatet që bëheshin në vitet ’80-të midis drejtorisë Operative dhe asaj të Organizim-Mobilizimit.

– Forcat e gatshme të çdo Korpusi (divizioni) ishin nga 1500 në 2500 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm.

– Forcat e gatshme u vendosën sa më afër kufirit tokësor, detar dhe zonave të desantimit masiv nga ajri.

– Shumë prej tyre kanë arkitekt të vendvendosjes Petrit Dumen dhe gjeneralët e tjerë të asaj kohe. -U krijuan batalionet artmitraljere, kazermat e të cilëve u ndërtuan në rajonin e mbrojtjes së tyre.

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

   Repartet me forcat e gatshme u organizuan në kapacitetin maksimal të kontingjenteve njerëzore, duke mbajtur në rezervë një sasi shumë të vogël. Më kujtohen debatet që bëheshin në vitet ’80-të midis drejtorisë Operative dhe asaj të Organizim-Mobilizimit, e cila ishte e kompletuar me specialistë të mirë (S. Xhoxhi, F. Kokona, R. Mihali, A. Xhaxhiu, M. Papathanasi, V. Alia, etj). Drejtoria Operative, e cila kishte ajkën e oficerave të ushtrisë (H. Qëndro, L. Shehu, T. Hila, H. Abazi, S. Halili, S. Demçolli, M. Subashi, Z. Lagji, P. Alia, S. Sheqi, R. Çekrezi, Q. Gjevori, Sh. Saliu, A. Andoni, F. Berberi, M. Harisi, H. Misja, A. Lame, Q. Gjoka, Y. Xhaho, P. Sula, S. Sako, Q. Abazi, L. Stefa, B. Xheka, A. Haxhia, etj) për të plotësuar detyrat e vëna nga Këshilli i Mbrojtjes kërkonte sa më shumë forca aktive, ata të Organizimit përpëliteshin dhe nuk donin t’i harxhonin të tëra rezervat, se “nuk dihet para çfarë situate mund të ndodhemi më pas”,- thoshin. Forcat e gatshme të çdo Korpusi (divizioni) ishin nga 1500 në 2500 ushtarë të shërbimit të detyrueshëm. Forcat e gatshme u vendosën sa më afër kufirit tokësor, detar dhe zonave të desantimit masiv nga ajri. Shumë prej tyre kanë arkitekt të vendvendosjes Petrit Dumen dhe gjeneralët e tjerë të asaj kohe. U krijuan batalionet artmitraljere, kazermat e të cilëve u ndërtuan në rajonin e mbrojtjes së tyre. Në vendin më të përshtatshëm nga ku ata me shpejtësi maksimale rrëmbenin armët e municionin dhe zinin pozicionin luftarak. Bile në disa prej tyre vendosja në kazerma u bë në bazë kompanie. Ato reparte nxirrnin edhe armë roje me shërbim të përhershëm, paçka se para tyre ndodheshin postat kufitare të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe që në rast agresioni kalonin në varësi të ushtrisë (ndoshta kishte ndonjë teprim). Në drejtim të Muriqanit, Hani Hotit, Qafë Morinë në Tropojë, Qafë Prush, Morinë të Kuksit, Maqellarës, Qafë Thanë, Tushemisht, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë etj. etj., armët roje ishin të përforcuara dhe me topa kundërtank 75 mm. Ishte një shërbim i vështirë dhe problematik për krijimin e kushteve të jetesës. Kërkonte ushtarë të përgatitur me vullnet e moral të lartë, të sakrificës. Po kërkonte dhe veshje të ngrohta e ushqim të mirë. Ato shërbime mundi t’i përballonte ajo moshë e re, bile me djem të zgjedhur. Në kufi, mitralozat e rëndë dhe topat 75 mm (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitraljerë në vijën e kufirit kishin bërë gati për luftim nga 25-27 mitraloz të rëndë. Po kështu për 15-20 minuta, artileria tokësore e gatshme ishte gati të hapte zjarr. Tanket për 5 minuta ç’konservoheshin dhe shkëputeshin nga reparti për 10-20 minuta. Këto reparte kishin në përbërjen e tyre edhe rezervistë të qendrave të banimit më të afërta. Kompletimi i atyre n. reparteve e reparteve 95-100% dhe zënia e rajoneve të detyrave luftarake bëhej brenda 2-3 orëve. Në rast kushtrimi, kishte edhe raste, që nëse dikush ishte larguar nga rrethi, në repart paraqitej një pjesëtar tjetër i familjes ose qendrës banimit. Në kohën që të gjitha ushtritë e botës historikisht janë të vendosur në garnizone të mëdha ushtarake, në bazë repartesh, regjimentesh, brigadash, ushtria shqiptare, pa ndryshuar destinacionin e saj, për të realizuar detyrën e shenjtë, mbrojtjen e Atdheut, doli nga kazermat klasike. Ushtria e kazermës e bën më pak të kushtueshme ushtrinë, e bën më të lehtë furnizimin e saj, favorizon krijimin e kushteve të jetesës më komode, lehtëson punën dhe krijon kushte më të mira për kualifikimin e kuadrove dhe efektivave, mundëson krijimin e poligoneve kualitativë etj. Por, e mban ushtrinë më larg kushteve të një lufte të mundshme dhe asaj i duhet shumë kohë për t’u vendosur në zonat e detyrave luftarake. Çka bën që të mos i përgjigjet si duhet faktorit befasi, i cili ishte më i preferuari për agresorin. Për eksperimentimin e asaj çka u planifikua dhe organizua, për të rritur aftësitë drejtuese dhe kompaktësimin e komandave e shtabeve, si dhe për t’u përgjigjur situatave kërcënuese, u zhvilluan disa stërvitje të mëdha, sidomos në vitet ’60 -’80. Ato zhvilloheshin me komandat e shtabet, me pjesëmarrje të kufizuar trupash ose me tërë efektivat. Ndër më të përmendurat ishte Stërvitja e Korçës ’68, “Peza – ‘72”, “Drini – ‘74”, “Fieri – ‘75”, “Manza – ‘78”, “Kaptina – ‘80”, Shebeniku – ‘81, “Kavaja – ‘84” dhe shumë të tjera. Stërvitjet edhe në 10-vjeçarin e fundit, që ishte tepër i vështirë për ekonominë, u zhvilluan. Nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, me çdo front, zhvilloheshin për çdo vit stërvitje komando-shtabi (divizion-brigadë-repart) dy-tri shkallëshe me pjesëmarrje të kufizuar trupash. Të tilla zhvilloheshin edhe nga divizionet (brigadë-repart). Çdo divizion në çdo vit zhvillonte stërvitje me kompletim me një brigadë. Po ashtu iu kushtua vëmendje e madhe skalionimit të municioneve e rezervave dhe provave të kushtrimit. Në ato dekada stërvitjet dhe harxhimet që bënin shtetet fqinje ishin tepër më të mëdha, por për ekonominë shqiptare dhe aq ishin shumë. Vitet ’70-të, kohë e trazuar me dallgë e tallaze, vitet ’80-të sollën vetminë e madhe, por përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjeve bëhej me nivel të mirë. “Manza –‘78” ishte një e tillë e organizuar në Korpusin Bregdetar të Tiranës, ku drejtonte ministri dhe asistoi si Kryeministër. Në atë stërvitje merrte pjesë dhe një pjesë e efektivit të repartit ku unë drejtoja, i dislokuar në rajonin e Vorës. Ishim të dislokuar tek “Druri i Bukur” në Gërdec, i cili do të bëhet i njohur në vitin 2008, asokohe, baza e nisjes e tankodromit. Sa na u dha sinjali, nga udhëheqja e stërvitjes, filluam lëvizjen me shpejtësinë maksimale, që lejonte terreni dhe arritëm në vijën e bllokimit të desantit ajror në kohë rekord, ku zumë pozicionet e zjarrit në mënyrë perfekte. Kryeministri, që e ndiqte me shumë vëmendje stërvitjen deri në detaje, si dukej e kishte dëgjuar dhe fiksuar kohën kur neve na u dha urdhri për lëvizje. Pyeti komandantin e Korpusit, se nga ishin nisur tanket dhe komandanti i ishte përgjigjur se neve vinim nga rajoni ku ishim të dislokuar për kohë paqe, në rajonin e Vorës. Ai që kishte parimin beso dhe kontrollo dhe nga që dolëm si rrufeja, nuk iu besua dhe erdhi më pyeti në pikën e drejtimit të batalionit: – Nga u nisët dhe përsa kohë e bëtë ardhjen? Përgjigja ime ishte e njëjtë me atë të komandantit të korpusit. Atëherë Kryeministri m’u kthye: – Dëgjo! Nëse keni ardhur vërtet nga ku po më thoni, u lumtë se erdhët në kohë rekord, por nëse do të më dalë ndryshe, do t’u fus në burg! – Si urdhëron, shoku Mehmet, arrita t’i thosha. Më pas ai filloi një debat të lënë përgjysmë me K. Mustaqin, komandantin e korpusit. Mehmeti i thoshte se flakëhedhësi i lehtë po të qëllojë tankun e asgjëson ekuipazhin, që është brenda. Kiçoja, i konsultuar dhe me specialistë, i thoshte jo. Dukej që Kryeministrit i vinte mirë për argumentet që i jepeshin për trashësinë e blindit dhe të dhënat taktiko-teknike të tankeve T-59, por bënte oponencën. Në fund si me shaka i tha Kiços: – Mirë, futu ti në tank dhe unë do të të gjuaj me flakëhedhës të lehtë, por kam për të djegur si miu. – Po, i tha komandant Kiçoja, futem dhe do të dal si kokrra e mollës. Shehu, i cili e njihte mirë Artin Ushtarak, futej dhe në taktikën e vogël, bile pak kohë më parë kishte organizuar një stërvitje treguese për stërvitjen e vogël në Kashar dhe kërkonte të dinte me shumë imtësi mbi të dhënat taktiko-teknike të çdo lloj arme e teknike. Ai futej deri atje sa plumba për metër linar duhet të hedhim në çdo lloj terreni që mbrojtja jonë të ishte e sigurtë. Mbi bazën e terrenit dhe armikut të pritshëm, vendoseshin forcat dhe mjetet tona, për ta bërë atë të pakalueshëm nga kushdo që do të kalonte në agresion ndaj Shqipërisë. I ruheshin përplasjeve të drejtpërdrejta me të oficerat, se të merrte erzin, por në ato vite ndjeheshim mirë që ministër të Mbrojtjes kishim Kryeministrin, njëkohësisht strateg ushtarak të kalibrit botëror. Ai për rastin që u debatua vuri detyrë të eksperimentohej dhe t’i raportohej. Në ato dekada çdo vit me çdo shtab e repart bëheshin prova kushtrimi të befasishme. Ato zhvilloheshin nga Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e Korpusve (divizioneve), sipas kompetencave që u jepte Vendimi i Këshillit të Mbrojtjes. E fundit me rezultate të shkëlqyera ishte ajo e fundvitit ’89, kur Presidenti i Republikës, ai dhe Kryetar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Komandant i Përgjithshëm dha Kushtrim Luftarak, në rrethet Veri dhe Verilindore. U shpall mobilizimi i përgjithshëm për forcat e Divizionit të Shkodrës, Tropojës, Kukësit, Peshkopisë, Bulqizës dhe Librazhdit. Sistemi i lajmërimit i organizuar dhe dubluar në mënyrë perfekte deri te qendrat e banuara dhe ndërmarrjet më të vogla, funksionoi perfekt. Forcat aktive të postave kufitare, të reparteve artmitraliere, artilerisë kundërajrore, artilerisë tokësore, tankeve etj., zunë për 2 deri 30 minuta pozicionet e tyre luftarake. Forcat rezerviste u paraqitën në kohën rekord pranë pikave të hapjes së tyre, u pajisën me armatimin dhe pajimet e tjera luftarake shumë shpejt dhe dikush shkoi në pozicion e dikush në rajonet e pritjes e të përqendrimit. Sa kishte rënë dëbora e parë në bjeshkët e Korabit, Kallabakut, Gjalicës, Çeremit, Vermoshit e gjetkë. Dëbora ishte e paktë, por të thante suferina dhe thëllimi. Megjithatë, ajo ishte e papërfillshme për ata banorë të mrekullueshëm, të kalitur me vështirësi. Normat e miratuara të kompletimit të reparteve të vijës parë, e kishin për 2-3 orë, brigadat e skalionit të parë për 5-6 orë dhe krejt divizionet për 10-12 orë, kohë rekord, vetëm izraelitët mund të na e kalonin në këtë organizim. Nga Vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm ndiqej me vëmendje kompletimi i reparteve në vazhdimësi. Çdo divizion kishte grup drejtimi, në vendkomandën nëntokësore, e cila ishte në gjendje të përballonte edhe plasjet bërthamore, me zyrë më vete, që mbante lidhje direkte 24 orë në 24 orë në situata të tilla. Atje filluan të raportonin situatat. Në repartin e Kroit Bardhë dhe Turaj të Kukësit kompletimi është 96%, por në postbllok presin shumë për të zëvendësuar ata që ndodhen jashtë rrethit me X ose Y punë. Ata njerëz të përkushtuar u mblodhën dhe u folën e i falenderuan drejtuesit e reparteve edhe në emër të ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Kompletimi për herë të fundit në çdo divizion arriti 96 deri 98%. Një përqindje mjaft e mirë. Nëse do të ishin inkuadruar në reparte edhe të paraqiturit vullnetarë, shifra e kalonte 100%. Ky ishte mobilizimi i malësorëve në ato kohë, ky ishte organizimi i sistemit të lajmërimit, kjo ishte ndjenja e përgjegjësisë për mbrojtjen e Atdheut. Me një të rënë të bilbilit, u ngritën në kushtrim 6 divizione mesatarisht me 14-15. 000 forca, pra u ngritën 85-90 mijë forca, po t’u shtosh edhe Forcat Vullnetare, Rininë Shkollore të armatosur dhe strukturat e tjera, numri gati dyfishohej. Pa i bërë një analizë argumentuese asaj ushtrie, në vitet e ekonomisë tregut ekziston edhe mendimi ndryshe për atë çka u bë në organizimin e ushtrisë, destinacionin, gatishmërisë dhe përgatitjen e saj në vitet ’66-‘90. Dikush ka ngritur versionin se masat e marra në ushtri në ’66 ishin fatale, duke prishur ushtrinë e kazermës. Njerëz jo profesionistë, pavarësisht kulturës së përgjithshme, thonë se pikat e hapjes e shkërmoqën ushtrinë, asaj në ’66 iu ndërrua destinacioni, etj. Koha dhe historia do të gjykojnë më me vërtetësi e gjakftohtësi, por të mos harrohet se gjithë ushtritë e botës ishin në gatishmëri për luftë. Armatosja dhe gara e armatimeve nuk ishin për lojë futbolli! Ishte fat i madh për njerëzimin që nuk filloi Lufta e Tretë Botërore, që do të ishte shumë fatale, sa sot gjykohet se do të mbeteshin gjallesa mbi tokë apo jo! Një defekt në Çernobil të Ukrainës tregoi se çfarë katastrofë njerëzore ndodhej pas qindra centraleve bërthamore nëpër botë. A mund të ironizosh me cinizëm se pse bënim përgatitje ushtarake gjithë popullore?!