Histori

Albert Z. Zholi: 80 – vjetori i çlirimit të Korçës

80-vjetori çlirimit të Korçës

24 TETOR 1944, SULMI I FORCAVE TË BRIGADËS IX DHE XX PËR SHPORRJEN E NAZISTËVE GJERMANË NGA QYTETI JUGOR

 Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

80-vjet më parë pas një lufte të gjatë e të vështirë kundër pushtuesve nazifashistë, u çlirua Korça dhe trevat e saj. Në vjeshtën e vitit 1944 lufta e popullit shqiptar kishte hyrë në fazën përfundimtare. Nazistët gjermanë ishin të detyruar të përqëndroheshin në qytete kryesore. Në Korçë, Ersekë e Bilisht kishin dislokuar forcat e dy divizioneve të këmbësorisë dhe një brigadë të motorizuar, të cilat kishin për detyrë të mbanin të lirë rrugëkalimin e korparmatës 21 gjermane, e cila pritej të kalonte nga Greqia për në Jugosllavi, nëpërmjet teritorit të qarkut të Korçës. Në këtë situatë të krijuar Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSh urdhëron shtabin luftarak të qarkut të Korçës për krjimin e brigadës së 90-të Sulmuese, në përbërje të së cilës, do të konsideroheshin batalionet “Hakmarrja”, “Skënder Çaçi” dhe “Fuat Babani”. Këto batalione kryenin veprime luftarake të suksesshme në të gjithë qarkun e Korçës, kishin përballuar me sukses operacionet e armikut të Dimrit 1943-’44 dhe të qershorit 1944. Në 13 tetor 1944 komandanti i Përgjithshëm i UNÇSh, gjeneralkolonel Enver Hoxha, jep urdhër për çlirimin e Korçës. Me qëllim që të kurorëzoheshin me sukses veprimet luftarake të forcave partizane të qarkut të Korçës, pra të përmirësohej raporti i forcave me ato të armikut, Shtabi i Përgjithshëm urdhëroi ngritjen e shtabit operativ me komandant Beqir Ballukun, i cili do të komandonte veprimet luftarake në zonë. Kështu, përveç efektivave të Brigadës së 9-të S, në veprimet luftarake do të merrnin pjesë edhe dy batalione të brigadave të 2-të dhe të 20-të S. Sipas detyrave të përcaktuara në urdhërin e ShP, më 18 tetor filluan luftimet në të gjithë qarkun. Më 19 tetor u çlirua Leskoviku, të nesërmen Erseka. Luftime u zhvilluan në Qafën e Qarrit, kundër forcave gjermane që do të depërtonin në drejtim të Korçës. U zhvilluan luftime edhe në zonën e Devollit, për bllokimin e rrugës Bilisht-Follorinë dhe për çlirimin e Bilishtit. Mbi bazën e situatës së krijuar, shtabi operativ urdhëroi rigrupimin e forcave dhe natën e 23 tetorit qyteti i Korçës ishte plotësisht i rrethuar nga forcat partizane. Armiku tentoi disa herë të çante rrethimin duke futur në luftim tanket dhe artilerinë, por pa sukses. Ai kishte minuar depot e municionit, dhe disa objekte me rëndësi çka fliste se ai përgatitej për të braktisur Korçën. Njësiti gueril i qytetit zbuloi objektet e minuara nga armiku, i cili mundi të hedhë në erë vetëm depot e municionit. Në orët e para të mëngjezit të 24 tetorit, të gjitha forcat partizane u hodhën në sulm të përgjithshëm. Të mbështetura nga njësiti gueril, ato depërtuan deri në brendëi të qytetit. Të ashpra qenë luftimet nga spitali në drejtim të prefekturës, tek mitropolia, në varrezat e francezëve, si dhe në afërsi të bankës. Nazistët mundën të çajnë rrethimin duke u tërhequr në drejtim të rrugës së Bilishtit, pasi la rreth 10 të vrarë, po kaq të plagosur e mjaft armatime. U kapën robër dhe 300 ballistë, të cilët mbështesnin forcat gjermane. 209 prej tyre, pasi dorëzuan armatimin u lanë të shkojnë në shtëpitë e tyre. Në orën 15.0 të datës 24 tetor, Korça u çlirua. Fitorja u arrit në saje të heroizmit partizan, kontributit të çmuar që dhanë kuadrot komandues të të gjitha formacioneve luftarake pjesëmarrëse, përfshi edhe njësitin gueril. Për të festuar çlirimin e qytetit, këtë ditë të shënuar, mbasditen e 25 tetorit, populli i Korçës e shumë banorë të fshatrave mbushën plot e përplot anët e rrugëve kryesore të qytetit. Me flamuj kombëtarë e shalle të kuq, me lule e banderola, populli përshëndeste me dashuri e plot gëzim bijtë e bijat partizane, që parakalonin ngadhnjimtarë në rrugët e qytetit. Kori miks i Korçës, kishte përgatitur një program, me këngë patriotike e partizane. Artisti i shquar Kristo Kono kishte kompozuar këngën e mirënjohur kushtuar kësaj dite, të cilën e interpretojnë vazhdimisht me virtuozitet artistët tanë, për “Korçën-djep të lëvizjes patriotike, vatër të dijes e kulturës kombëtare”, për Korçën që mbushi rreshta partizane të më shumë se 5 brigadave të UNÇSh.

Historiku Brigadës IX Sulmuese
Kjo brigadë u krijua me qëllimin e shtimit të veprimeve ushtarake në zonën e Korçës. Detyra ishte të eliminonte autokolonat armike që lëviznin në aksin Janinë-Korçë-Manastir-Follorinë, Korçë-Pogradec-Tiranë, por detyra më e rëndësishme ishte çlirimi i qyteteve të Korçës, Ersekës dhe Bilishtit. Me marrjen e këtyre qyteteve armikut i priteshin rrugët e komunikacionit dhe paralizohej tërheqja e ushtrisë gjermane nga Greqia për në Jugosllavi nëpërmjet territori shqiptar.
Urdhri për krijimin e brigadës u dha nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në përbërje të tij u caktuan batalione me përvojë në luftë kundër pushtuesve. Inaugurimi i brigadës u bë para efektivit të saj ku u rreshtuan të gjithë batalionet e saj. Brigada kishte një armatim që dispononte e gjithë ushtria shqiptare në atë moment, ajo kishte armë të dhuruara nga populli, por edhe nga ndihmat aleate të hedhura me parashutë, si armë automatike, por që nuk plotësonin të gjithë numrin e pjesëtarëve të brigadës. Brigada ishte e pajisur me shërbim shëndetësor. Pranë shtabit të brigadës qëndronte një mjek dhe 2-3 infermiere vullnetare.
Pas ngritjes së Shtabit Operativ për çlirimin e Korçës, Brigada IX, që përbënte dhe një nga forcat kryesore pjesëmarrëse në operacion, kishte në përbërje të saj 1580 partizanë. E gjithë forca partizane në zonën e Korçës arrinte në 3000 veta, po të shtohen këtu edhe partizanët e Brigadës II me 1150, dhe brigada XX me 430. Këtu mund të shtojmë edhe forcat guerile që vepronin brenda në qytete, si në Korçë dhe Bilisht, të cilat arrinin në rreth 1000 vetë.
Menjëherë pas çlirimit të qarkut të Korçës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, dy nga batalionet e brigadës IX u vendosën në mbrojtje të qytetit të Korçës dhe dy të tjerë në mbrojtje të qytetit të Bilishtit. Detyrë ishte edhe mbrojtja e kufirit me Greqinë, e cila po mbante një qëndrim agresiv ndaj popullit shqiptar sidomos çamëve. Pas qetësimit të gjendjes forcat e Brigadës IX, që tashmë kishin hyrë në përbërje të Divizionit të IV, morën urdhër të largohen nga qarku i Korçës dhe të vendosen në Shqipërinë e Mesme në rajoni Krujë-Ishëm-Kavajë

KRONIKË E NGJARJEVE TË RËNDËSISHME HISTORIKE PËR MUAJIN TETOR

  • 4 tetor 1944 -U formua në Bicaj të Lumës Brigada e XXIV-të S. e U.N.Çl.SH.
    • 4 tetor 1937 – Ka rënë në Spanjë Heroi i Popullit Asim Vokshi, komandanti i batalionit të III i Brigadës Internacionaliste “Garibaldi”.
    • 7 tetor 1942 – Ra heroikisht duke lufuar në rrethim me fashistët, komandanti i njësiteve guerile të Tiranës, Heroi i Popullit Vojo Kushi, bashkë me shokët e tij Xhorxhi Martini dhe Sadik Stavaleci, në shtëpinë e qytetares Ije Farka.
    • 9 tetor 1943 – U formua në Pezë Brigada e III-të S. e UNÇlSH
  • 10 tetor 1943 – U formua Batalioni i Pezës.
    • 10 tetor 1943 – U formua Batalioni “Antonio Gramshi” i përbërë prej 170 vullnetarësh proletarë italianë. Nga ky batalion ranë dëshmorë 15 partizanë, kurse 24 të tjerë u plagosën.
    • 10 tetor 1944 – U formua Divizioni i III-të S. i U.N.Çl.SH., i përbërë nga Brigada 12-të, 14-të dhe e 19-të S.
    • 11 tetor 1925 – Lindi në Tiranë Heroi i Popullit Myslim Keta.
    • 11 tetor 1944 – U çlirua qyteti i Sarandës prej Brigadës 12-të e 14-të S.
    • 13 tetor 1944 – Brigada III dhe V Sulmuese të U.N.Çl.SH. kaluan kufirin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit fashistë.
    • 15 tetor 1944 – U çlirua qyteti i Vlorës prej partizanëve të Brigadës 12-të Sumuese.
    • 16 tetor 1944 – U formua në Lozhan të Korçës Brigada e IX-të Sulmuese e U.N.Çl.SH., prej batalionev “Fuat Babani”, “Reshit Çollaku”, “Skënder Çaçi”, “Tomorri” dhe “Hakmarrja”.
    • 17 tetor 1944 – U çlirua qyteti i Kuçovës prej Brigadës VIII dhe XVI Sulmuese.
    • 18 tetor 1943 – U qëllua me top pallati ku ishte mbledhur Asambleja Kuislinge, që do të legalizonte pushtimin e ri të Shqipërisë nga nazistët gjermanë, e cila shënon edhe ditën e armës sëArtilerisë së Ushtrisë Shqiptare.
    • 20 tetor 1942 – U formua çeta e Kolonjës.
    • 20 tetor 1944 -U bë mbledhja e II-të e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.
    • 24 tetor 1944 – U çlirua qyteti i Korçës.
    • 28 tetor 1940 – Italia fashiste sulmoi Greqinë.
    • 28 tetor 1941 – Demonstratë e madhe antifashite në Tiranë.