Komenti

Xhevat Bislimi: “Tradhti vëllezërish” apo përpjekje dhe luftë për liri e bashkim kombëtar

“TRADHTI VËLLEZËRISH” APO PËRPJEKJE DHE LUFTË PËR LIRI E (RI)BASHKIM TË KOMBIT
(Dy fjalë zemre për (anti)emisionin e Pandurit)
Ky farë Panduri, që hiqet si gazetar e “patriot naiv” dhe i pa hile, i ishte drejtuar SHBP – së me një kërkesë për bashkēpunim me emisionin “tradhti vëllezërish”, ku shokët tanë, Veteranë të Lëvizjes e të Luftës Çlirimtare, do të rrëfeheshin para këtij “engjulli” se si ishin arrestuar e torturuar nga “vëllezërit” e tyre udbashë, që kishe i paskan “tradhtuar”! Kërkesa e Pandurit u diskutua në një mbledhje të Kryesisë së Shoqatës së Burgosurve Politikë. Pas diskutimit u mor qëndrim që Shoqata nuk pranon të bashkëpunojē me një emision që idetë liridashëse, përpjekjet, veprimtarinë, qëndresën dhe luftën çlirimtare antipushtuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e redukton, e kornizon në “tradhti vëllezërish”!!?
Por, Panduri nuk hoqi dorë nga emisioni i tij (mbase nuk është veç i tij!) i konceptuar dhe realizuar me dashakeqësi dhe i përvijuar në “tradhti vëllezërish”!! Natyrisht, që ky emision nuk mund të realizohejë pa heronjtë e burgjeve të pushtuesit dhe të torturave çnjerëzore, shtazarake që kishin përjetuar ata në zyrat e përgjakura të inspektorëve të sigurimit të brendshëm shtetëror jugoserb. Megjithatë, është e drejtë e secilit të vendos nëse do të shkojë në këtë emision apo jo…
Deri tash kanë shkuar më shumë se 10 veta, Veteranë të Lëvizjes, të qëndresës stoike dhe të Luftës! Por, unë për vete, mendoj që në një emision të “kornizuar” si ky i Pandurit nuk duhet shkuar… Cilido nga veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë e ka patur të qartë se po u kap nga organet represive e terroriste të pushtuesit do të rrahet, torturohet, përgjaket e vritet… Se cili e luante hurin, kërbaçin e torturat tjera nuk ka rëndësi fare. Populli shqiptar luftën e kishte me shtetin, Jugosllavinë, që e kishte pushtuar dhe robëruar. Ata, inspektorët e sigurimit, krerët e Lidhjes Komuniste të Kosovës, elitat intelektuale e kulturore, “akademikët”, gjykatësit e prokurorët… ishin kolaboracionistë, pjesë e aparatit të dhunës dhe terrorit shtetëror pushtues e jo “vëllezër”. Populli dhe toka jonë ishte e pushtuar që nga viti 1912, prandaj dy rrugë kishin atdhetarët shqiptarë: o kundër pushtuesit dhe në anën e popullit, o me pushtuesin dhe në anën e Jugosllavisë pushtuese!
Keqtrajtimi, rrahja, torturimi çnjerëzor dhe sadizmi i inspektorëve “shqiptarë” të UDB-së nuk ishte thjesht manifestim i karakterit të tyre njerëzor, por ky ishte karakteri, kjo ishte natyra represive dhe terroriste e shtetit pushtues, me të cilin populli shqiptar ishte në luftë të përherëshme që nga dita e pushtimit. E rëndësishme është të dihet se sigurimi (UDB-ja) dhe inspektorët e tij ishin mekanizëm ose degë shtetërore që zbatonte politikat dhe detyrat që dilnin nga Lidhja Komuniste dhe nga institucionet politike, legjislative dhe ekzekutive të shtetit pushtues!
Tjetër, të burgosurit politikë, para se të binin në burg, ishin veprimtarë, drejtues, organizatorë të kërkesave politike, kombëtare e demokratike, organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave, të shtypjes dhe shpërndarjes së trakteve, pamfleteve, gazetave, pastaj parullave dhe të të gjitha formave antipushtuese, që lejonin kushtet dhe rrethanat e kohës. Prandaj, emisioni, nëse vërtet do të kishte qëllime të shëndosha kombëtare, do të duhejë të kishte karakter krejt tjetër…
Të ftuarit në studio do të kishte qenë e udhës të pyeteshin për idetë e tyre, për kërkesat që kishin, për mënyrën se si ishin organizuar, si vepronin, për programin apo statutin e organizatës ku bënin pjesë, për pozitēn e rëndë politike, kombëtare dhe ekonomike tē popullit shqiptar, për mënyrat dhe metodat e organizimit të veprimtarisë patriotike, për shtypjen, dhunën, represionin dhe terrorin që ushtronte shteti pushtues i Jugosllavisë mbi popullin e pushtuar shqiptar, etj. dhe jo për dhunën që paskan ushtruar disa inspektorë “shqiptarë” të UDB-së, duke e paraqitur si “tradhti vëllezërish”!!?
Inspektorët e përmendur në këtë emision kanë qenë të ditur dhe të njohur edhe atëherë si dorë e zgjatur e pushtuesit, bashkëpunëtorë dhe puthadorë të tij, të dhunshëm dhe torturues deri në përgjakje, sakatosje e vrasje të rinisë shqiptare, të anëtarëve, veprimtarëve dhe drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare në Shqipërinë Verilindore (Kosova me viset e saj). Më e rëndësishme dhe më me interes do të ishte sikur këta farë pandurët dhe padronët e tyre të bënin hulumtime dhe të zbulonin veprimtarinë e fshehtë dhe rrjetin e panjohur të bashkëpunëtorëve, denoncuesve, spiunëve (hafijeve), informatorëve…, që kishin këta inspektorë, të njohur për ne dhe për publikun, të sigurimit shtetëror jugoserb. Kjo do të ishte me interes, siç është shumë e rëndësishme të pyeten dhe të dihet nëse këta inspektorë kanë hequr dorë nga bashkëpunimi me shërbimet sekrete serbe, malazeze e “maqedone”?
Me mjaft interes për publikun, sidomos për rininë e pas Luftës, do të ishte emisioni me këta inspektorë, bashkëpunëtorë e sahanlëpirës të pushtuesit. Ata do të duhejë t’i pyeste Panduri apo ndonjë pandur tjetër për arsyet qê i kishin shtyrë të bëheshin vegla qorre të pushtuesit, për arsyet qê i shtynin t’i persekutonin, torturonin, përgjaknin e vrisnin “vëllezërit” e tyre, të rinjtë dhe të rejat shqiptare… T’i pyesnin prej nga gjithë ai pasion e motiv për t’i shërbyer shtetit terrorist pushtues, t’i pyesnin për përfitimet që kishin nga puna e tyre prej qeni, t’i pyesnin për bindjet e tyre ideologjike, për metodat e tyre të ndjekjes së Lëvizjes Kombëtare, për metodat e rekrutimit të njerëzve, bashkëpunëtorëve, për kënaqësinë (sadizmin) që ndjenin kur i torturonin, sakatonin e vrisnin liridashësit dhe për një mal krimesh e poshtërish që kanē bërë ndaj popullit të pushtuar shqiptar për hesap të pushtuesve…
Me shumë rëndësi dhe interes do të ishte një emision me shumë “seri” me shefat politikë të këtyre “udbashve”… Krerët e Lidhjes Komuniste të Kosovës (jugosllave) dhe të institucioneve tjera krahinore, por edhe ata të viseve të Kosovës, ishin kolaboracionistë shumëherë më të rrezikshëm se këto shtazët që luanin hurin dhe torturonin e vrisnin liridashësit… Këta, “shefat politikë”, ishin bashkëpërgjegjësit e gjithë persekutimit, shtypjes, dhunës, represionit dhe terrorit që ushtronte shteti pushtues ndaj popullit shqiptar dhe liridashësve, bijëve dhe bijave të tij. Ishte kjo klasë politike kolaboracioniste që miratoi me kënaqësi dhe pa asnjë kundërshtim kualifikimim e demonstratave dhe kërkesën për Republikë si “armiqësore” dhe “kundërrevolucionare”! Ishte kjo klasë politike, nga Fadili e deri te Rrahmani, që bëri fushatë dhe diferencim e leçitje të patriotëve dhe familjeve të tyre! Por, të mjerët trutharë nuk e kuptonin që ideja dhe kërkesa për Republikë, deri në shkëputje, me Pranverën Shqiptare ’81 ishte masivizuar dhe përvetësuar nga mbarë populli dhe s’kishte fuqi qē mund ta thyente… Në fund të fundit Lëvizja Kombëtare dhe populli shqiptar e fituan luftën me Jugoserbinë pushtuese, shteti jugosllav u shkatërrua. Kontribut vendimtar në këtë luftë tepër të pabarabartë ka shteti ynë AMË, i vetmi mbështetës në botë i kërkesave dhe përpjekjeve liridashëse të popullit të pushtuar shqiptar. Kolaboracionistët ishin dhe mbetën në anën e pushtuesit, në anën e gabuar të historisë… Panduri dhe cilido tjetër që bën emision të kësaj natyre duhet t’i pyes këta kolaboracionistë (këta që janë gjallë) pse nuk distancohen as sot nga diktatori dhe antishqiptari Tito, nga ideologjia e tij komuniste dhe nga Jugosllavia e tij pushtuese?…
Me interes do të ishte edhe një emision me disa kalemxhinj (gazetarë, studiues, profesorë, krijues, artistë, pastaj hoxhollarë e priftërinj, pleqnarë, etj.) që i thurrnin himne shtetit pushtues, partisë që sundonte dhe diktatorit e satrapit Tito. Ky element, ishin “shpirti” dhe “buka” e kolaboracionizmit, që ushqente dhe frymëzonte “patriotizmin jugosllav”…
Ndryshe, hilja e pandurve është e madhe! Shokët tanë, gjithmonë sipas mendimit tim, nuk duhet të bien në kurthin e pandurëve dhe të pandurinave, duke u prezantuar si viktima, kur janë heronj dhe fitimtarë… Emisone të këtilla nuk i kontribuojnë ndriçimit të rrugëtimit liridashës dhe antipushtues, nuk i ndihmojnë as unitetit politik e kombëtar kaq të domosdoshëm…
Çështjet e kolaboracionizmit (fenomen i njohur edhe te popujt tjerë) dhe e kolaboracionistēve nuk marrin zgjidhje në mënyrën si po bëhen këto emisione joprofesionale dhe dashakëqija. Shoqëria jonë (shteti) shqiptare këtë çështje do të duhejë ta kishte hapur dhe “mbyllur” me aplikimin e drejtësisë tranzicionale… Edhe sot nuk është vonë të kërkohet dhe aplikohet një paketë ligjesh të domosdoshme për zbatimin e drejtësisë tranzicionale… Jo për të kënaqur “viktimat” e shtetit pushtues jugosllav dhe kolaboracionistëve të tij, por për të shëruar shoqërinë tonë nga ky fenomen i pranishëm edhe sot në çdo pore të jetës sonë!!… Përfshirja e klasës kolaboracioniste në sistemin politikë, në sistemin e drejtësisë, në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë, në medie, në arsim, në religjion… përbën kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin tonë kombëtar…
Detyrë e Veteranëve të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare është që të organizohen dhe të bëjnë presion pozitiv te partitë ku militojnë, te Kuvendi (deputetët) dhe te Qeveria që të përgatitet dhe të miratohet paketa ligjore e drejtësisë tranzicionale (më adekuate se lustracioni), në mënyrë që çështja të shtrohet dhe të zgjidhet në rrugë ligjore dhe institucionale e jo të “vajtojmë” para pandurëve! Kërkesat, përpjekjet dhe lufta e popullit të pushtuar shqiptar për liri e bashkim kombëtar ishte e drejtë dhe legjitime. Lufta jonë, pas shumë dekadash, u njoh dhe u legjitimua edhe nga bota demokratike… Populli ynë ka të drejtë dhe detyrim ta fitojë edhe paqen. Ky është interes jetik i kombit shqiptar, por edhe i popujve fqinj…