Nevoja e studimit të përkufizimit juridik të gjenocidit, sidomos nga studiues shqiptarë është e menjëhershme. Po aq e menjëhershme shfaqet edhe domosdoshmëria e shpjegimit të gjenocidit sipas kuptimit të dytë të dhënë nga Lemkin, gjegjësisht gjenocidi i ftohtë, të cilin ndonjëherë mund ta hasim në literaturë edhe si gjenocid i ngadalshëm.
E pata lexuar “Mosmarrëveshjen” e Kadaresë me një frymë kur u botua për herë të parë. Atëherë, e mahnitur nga mënyra mjeshtërore e sjelljes së të vërtetave tona, e pata cilësuar si kryevepër shqiptare, libër të shenjtë shqiptar. Kohë pas kohe i kthehem këtij kryelibri për gjërat që më kanë dalë mendsh.
Kështu, tek po rilexoja kreun për shqiptarët e Maqedonisë, fetarizmin atipik shqiptar të tyre, për veprën makabre të shpërnguljes së tyre dhe shqiptarëve të tjerë të ish-Jugosllavisë për në Turqi, në një nga fusnotat e këtij libri hasa në konceptin “gjenocid i ftohtë”. Kështu e emërton kryeshkrimtari këtë tretje të kombit shqiptar, siç vazhdon ai më tej. Koncept i dëgjuar, por kurrë i shkoqitur fill e për pe nga vetë ne.
Duke qenë se politikat gjenocidale kanë veprimtari shumëdimensionale, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim i kujdesshëm për të dekonstruktuar thelbin e këtyre politikave dhe varianteve të implementimit.
Kuptimet tradicionale mbi gjenocidin i gjejmë te përkufizimet për Holokaustin. Për herë të parë termin gjenocid e përkufizoi juristi polako-hebrej Rafael Lemkin, në vitin 1944, sipas të cilit, “Gjenocid është shkatërrimi i një grupi etnik. Gjenocidi nuk do të thotë patjetër shkatërrim i menjëhershëm i një kombi, përveç se kur kryhet përmes vrasjeve masive të të gjithë pjesëtarëve të një kombi. Gjenocidi mund të nënkuptojë një plan të koordinuar të veprimeve të ndryshme që kanë për qëllim shkatërrimin themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, me qëllim të asgjësimit të vetë grupeve. Qëllimet e një plani të tillë janë ç’integrimi nga institucionet politike dhe shoqërore, nga kultura, gjuha, ndjenjat kombëtare, religjioni dhe qenia ekonomike e grupeve kombëtare, si dhe shkatërrimi i sigurisë personale, lirisë, shëndetit, dinjitetit, madje edhe jetët e individëve që u përkasin grupeve të tilla. Gjenocidi drejtohet kundër grupit kombëtar si tërësi dhe veprimet ndërmerren kundrejt individëve, jo në cilësinë e tyre individuale, por në cilësinë e pjesëtarit të grupit kombëtar.” (Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation – Analysis of Government – Proposals for Redress, Washington, D.C.: Carnegie Endowment for International Peace, 1944)
Megjithëse ky term, është konceptuar që në fillim për të përkufizuar dy procese të njëjta për nga qëllimi përfundimtar, të ndryshme vetëm nga kohëzgjatja dhe mënyra e realizimit, termi gjenocid s’është përdorur kurrë për të pasqyruar të dy kuptimet e tij. Gjenocidi në diskursin politik por edhe shkencor ka përfaqësuar vetëm veprimet sipas kuptimit të parë. Veçanërisht në rastin e çështjes dhe historisë shqiptare, ku akoma s’është pranuar ndërkombëtarisht as përdorimi i termit gjenocid sipas kuptimit të parë. Gjenocidi çam dhe ai i kryer në Luftën e Kosovës nuk janë pranuar akoma si të tillë.
Nevoja e studimit të përkufizimit juridik të gjenocidit, sidomos nga studiues shqiptarë është e menjëhershme. Po aq e menjëhershme shfaqet edhe domosdoshmëria e shpjegimit të gjenocidit sipas kuptimit të dytë të dhënë nga Lemkin, gjegjësisht gjenocidi i ftohtë, të cilin ndonjëherë mund ta hasim në literaturë edhe si gjenocid i ngadalshëm.
Veprimet që karakterizojnë gjenocidin e ftohtë janë përfshirë padrejtësisht në kornizat ligjore brenda kuadrit të të drejtave të njeriut, qofshin kombëtare apo ndërkombëtare, por kurrë s’kanë arritur të pasqyrojnë faktorët kyçë që dallojnë dhunimin e të drejtave të njeriut nga gjenocidi i ftohtë: shkaqet dhe qëllimi përfundimtar. Në të gjitha rastet e gjenocidit të ftohtë shkaku është përkatësia kombëtare, ndërkaq qëllimi përfundimtar – asgjësimi i tërë grupit etnik.
Përveç planeve dhe operacioneve ushtarake serbe për spastrim etnik siç ishte Operacioni Patkoi e ngjashëm, gjenocidi i ftohtë është kryer ndaj shqiptarëve pa përjashtim, në kohë të ndryshme dhe me intensitet të ndryshëm. Ky gjenocid është mbështetur mbi një motiv – atë të inferioritetit të shqiptarëve në çdo fushë të jetës. Antishqiptarizmi ka qenë mënyrë e përshtrirjes së tyre, mënyrë e sundimit, mënyrë e krijimit të shtetit të tyre, mënyrë e jetesës dhe mbijetesës. Antishqiptarizmi i tyre është patologjik dhe është justifikimi i vetë ekzistencës së tyre. Andaj çështja kyçe ka qenë dhe mbetet jo çlirimi i shqiptarëve nga sllavët, por çlirimi i sllavëve nga fantazma e vetësajuar shqiptare. Kështu koncepti dhe programi koherent e ambicioz i spastrimit etnik ka ecur në histori paralelisht me gjenocidin klasik të realizuar në Luftën e Kosovës dhe atë të ftohtë të kryer në mënyrë sistematike ndaj popujve jo serbë në Ballkan dhe shqiptarëve në veçanti.
Ky gjenocid i ftohtë i planifikuar përmes doktrinave dhe projekteve zyrtare nacionaliste serbe, të hartuara nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera shkencore e shtetërore është shndërruar në mendësi dhe ndjesi e cila fatkeqësisht jeton edhe sot në të gjitha shtetet e Ballkanit ku sllavët jetojnë me shqiptarët.
Më shumë se një milionë shqiptarë të Maqedonisë kërkohet të jenë lojalë të një shteti i cili lëre që s’përfaqëson asnjë shqiptar dhe asgjë shqiptare, por madje është antishqiptar që në gjenezën e krijimit të tij. Lojaliteti i shqiptarëve të Maqedonisë i shprehur përmes politikave integruese dhe parimit të “pranisë së papranishme” nëpër institucione, qëllim final ka etnicizimin e një nocioni thjesht gjeografik dhe krijimin e një kombi politik maqedonas bashkë me shqiptarët si një e keqe e domosdoshme.
E habitshme se si një rajon ndërkombëtarisht, politikisht dhe ekonomikisht strategjik si Lugina e Preshevës, sipas Strategjisë për zhvillimin ekonomik afatgjatë të komunave të jugut të Serbisë Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, përbën zonën më të pazhvilluar të Serbisë. Sipas përcaktimit të nivelit të zhvillimit ekonomiko-social, këto tri komuna më shumë se tri dekada e mbajnë statusin e komunave më të pazhvilluara. Popullata shqiptare këtu jeton në një gjendje okupimi. Marrja e të drejtës së shtetësisë, moslejimi i librit shqip, si edhe instrumente të tjera të dhunës strukturore, të ngadalshme duke pozicionuar shqiptarët si qytetarë inferiorë, përbëjnë thelbin e gjenocidit të ftohtë që kryhet në këtë territor.
Në kohën kur aktorë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, studiues e politikanë po punojnë për ndriçimin dhe pranimin ndërkombëtar të masakrave ndaj çamëve si gjenocid, shqiptarët e Malit të Zi po përballen me rrezikun e asimilimit përmes margjinalizimit të tyre politik, ekonomik e institucional.
Jashtë Shqipërisë viabël, shqiptarët jetojnë në gjendje emergjente e të jashtëzakonshme. Jo gjithmonë vetëm qëllimi i shkatërrimit apo asgjësimit, mund të përkufizohet si gjenocid. Sipas Lemkin, edhe planet e koordinuara me qëllimin e shkatërrimit të themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare merren për gjenocid. Dhe ky është një gjenocid i ftohtë, i rrënjosur thellë në doktrinat dhe ideologjitë tradicionale antishqiptare që jetojnë paradoksalisht edhe sot.