Vështrim/Analizë

Dhimitër Shtembari: A punohet sot me njerëzit siç punonte dikur Naje Allkanjari

A punohet sot me njërëzit, si dikur Naje Allkanjari në Lushnje?
    Thuajse çdo ditë mësojmë për vrasje e krime! Policia e Shtetit sistematikisht njofton për arrestime! Kapen e dërgohen nëpër komisariate dhjetëra qytetarë, sa që krejt natyrshëm shtron pyetjen: ku gjenden tërë këto mjedise paraburgimi?!
Tepër të dhimbshme janë sidomos njoftimet që bëjnë të dijtur masakrimin e grave! Dikush vret gruan për një zënkë dosido! Tjetri le jetim fëmijët, duke përdorur thikën ndaj bashkëshortes apo bashkëjetueses së vet! Një i tretë e ka më të lehtë ta vrasë, se sa ta divorcojë shoqen e jetës…
Sociologu Prof. Gaqo Tanku, pedagog në Universitetin e Durrësit, duke na folur për dukurinë kriminale të vrasjes makabre të grave, shprehet: Nga një pjesë e mirë njërëzish demokracia është kuptuar si liri e pakufizuar! Individ të veçantë i japin të drejtë vetes të kritikojnë. Të fyejnë. Deri edhe të vrasin! Ndodh kjo, ndër të tjera, – vazhdon Prof. Gaqoja, – nga që s’punohet me elementin e paedukuar, apo me individin me prirje kriminale. Më e bukura është, se edhe kur e ngre çështjen e një komunikimi të ngrohtë në shkallë, në pallat apo në lagje, menjëherë të drejtohen: mos po na sugjeron kohën e Enverit?!
Ndërsa dëgjoj këtë shpjegim të qartë të këtij Profesori, natyrshëm mendja më shkoi te kryetarja e Organizatës së Gruas të ish rrethit të Lushnjes, Naje Allkanjari.
E lindur në Këmishtaj të ish rrethit të Lushnjes, vajzë prifti, mbasi mbaroi shkollën në Tiranë Naja kthehet në vendlindje. Caktohet përgjegjëse e Shtëpisë së Kulturës. E para në veprimtaritë artistike. E para edhe në ato sportive. Edhe në ato shoqërore. Mësoi të ngiste biçiklektën. E para myzeqare me biçikletë. Dhe ku nuk e gjeje Najen! Në lagje, ku kishte lindur një shqetësim. Në familje, ku duhej shprehur një fjalë e ngrohtë para atyre që grindeshin.
Gjenë të tillë shëmbuj sot?
Edhe pse e re në moshë, por tashmë e martuar me mjekun e njohur Petraq Koli Allkanjari, në vitin 1968 zgjidhet kryetare e Organizatës së Gruas të ish rrethit të Lushnjes. Teksa merrte detyrën, ndokush pat menduar: ku ma paske pasur atë mik, moj Naje, që të çoi në këtë fole pëllumbash!
Mirëpo nuk kishte qenë kështu. Naja kishte mbetur po ajo e Këmishtajt: përherë e gjeje atje ku duhej hedhur një fjalë e ngrohtë. Nxitonte për atje, ku duhej shprehur një mendim i mënçur për zgjidhje problemi. Dhe jo vetëm: me shoqe vullnetare, që i shtoheshin përditë. Kështu, plot 17 vjet në krye të grave të Lushnjes.
Në një rast, pasi njohu gratë që prisin të punësoheshin, me listë në dorë pat shkuar në Seksionin e Punës pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit: “Shoqja Aleksandra (Roshi), na duhen, ju lutem, disa Fletë Pune për këto shoqet tona. Sepse janë me halle në familje”. Dhe arriti t’u ofronte punë shoqeve, si t’i kishte motra.
E kush interesohet sot!
Në informacionet me shkrim a me gojë që i vinin në zyrë, ndalonte te njoftimi që “bërtiste” më shumë. Menjëherë shkonte te Komiteti Ekzekutiv i Qytetit dhe… “Shoqja Naile (Bali), kam një hall shumë të madh: në familjen… ka zënka të përdtëshme mes nuses dhe vjehrrës! S’kemi mundur t’i pajtojmë! Rrezik të na vriten. Ju lutem, afrojani radhën e marrjes së banesës kësaj familjeje të re”. Dhe gjëndej kështu zgjidhja brënda të gjitha rregullave.
E mbështetur nga dhjetëra e dhjetëra veprimtare shoqërore, Najen e gjeje kurdoherë në aksione masive në qytet dhe në fshatra.
Mbase ndonjëri mendonte, se si e shtyn Naja tërë ditën e ditës në zyrë; e vërteta ishte krejt ndryshe: kryetares së Gruas nuk i dilte koha.
– Shoqja Sekretare (e Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit), këto ditë kthehet nga vuajtja e dënimit me burg djali i një shoqes sonë që i ka vdekur burri; ju lutem të punojmë së bashku për ta sistemuar me punë në ndonjë ndërmarrje me frymë të shëndoshë kolektiviteti.
E kush ia prishte Najes!
Punonjësja e përkushtuar e Zyrës së Gruas, Ndine Loshe (Toni), i vinte Najes përpara problemet më të mprehta , që kishin dalë gjatë javës.
– Katër vajza në Zgjanë nuk shkokan për të vazhduar klasën e tetë?! – pat ngritur zërin Naja. – Që sot të shkojmë atje.
Dhe, së bashku me Ndinen, shkuan dhe e zgjidhën problemin. Vajzat e vazhduan klasën e tetë të shkollës.
Në një rast në mbledhjen e Kryesisë së BGSH të rrethit u shtrua problemi i ngritjes së Gruas në përgjegjësi. More, të gjithë drejtorët e shkollave tetëvjeçare e të mesme të qytetit dhe të fshatrave për rreth qënkan vetëm burra! S’paskemi vajza e gra që mund ta kryejnë detyrën e drejtoreshave?! Apo quajnë shoqe të ngritura në përgjegjësi drejtoreshat e çerdheve e të kopshteve?!
E ngriti Naja çështjen edhe në mbledhjen e Byrosë së Partisë të rrethit dhe problemi mori rrugën e zgjidhjes.
Një ditë Najes i shkon në zyrë gazetarja Afërdita Selimi (mjerisht ndarë nga jeta pak kohë më parë!) dhe interesohet për punën me gratë, kur…
– Ku flini ju, Afërdita? – e ndërpret Naja.
– Në një apartament një dhomë e një guzhinë, 9 shoqe të ardhura nga Tirana!
– Në një dhomë e një guzhinë?!
Që të nesërmen Naja nguli këmbë, që vajzave të ardhura nga Tirana, kush gazetare, kush muzikante e kush ekonomiste, t’iu jepeshin edhe dy apartamente të tjera.
– A foli dje ndokush nga shoqet tona në lamtumirën e fundit të …?
Bisedonte kështu Naja në telefon me një nga anëtaret e kryesisë së Gruas të kooperativës bujqësore të Ngurrëzës.
– Si, moj, nuk paska folur asnjë! Po a e dini ju, se ajo grua që përcillej dje për në banesën e fundit ka dalë guximshëm përpara nazistëve, teksa këta i vrisnin njerëzit e xhanit?!
E për çfarë tjetër nuk interesohej Naja!
Duke lexuar këtë shkrim modest, besoj se Naja do të mund të thotë: Eh, more Dhimitër! Ikën e shkuan ato kohë, kur shoqen e konsideronim motër. Sot s’i afrohet askush tjetrit edhe në rastet kur e shikojnë ta fyejnë apo ta rrahin!