Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Për manipuluesin Liri Loshi dhe loshistët e stërmbushur me paragjykime, shpifje dhe urrejtje për Veteranët e Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare (të burgosurit politikë)

Për manipuluesin Liri Loshi dhe loshistët e stërmbushur me paragjykime, shpifje dhe urrejtje për Veteranët e Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare (të burgosurit politikë)
   Mjeku manipulues, Liri Loshi (paska qenë edhe “komandant për moral”), ka marrë përsipër ta shpie përpara fushatën dhe propagandën kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të periudhës 1945 – 1999). Lexova komentin e tij manipulativ dhe të mbushur fund e krye me të pavërteta dhe shpifje të një karakteri propagandistik dhe të një stili gebelsian: Gënje, gënje se diçka do të mbetet!
Propaganda e organizuar dhe sistematike kundër veprimtarisë patriotike antipushtuese nuk është e re dhe as e panjohur për ne dhe për publikun. Komente si ky i Liri Loshit kemi lexuar dhe dëgjuar me qindra në mediat e shkruara dhe elktronike jugosllave (mjerisht, edhe në ato që shkruheshin ose që flisnin në gjuhën shqipe). Në themele të kësaj fushate dhe të kësaj propagande gebelsiane është mohimi i ideve, përpjekjeve dhe i luftës së popullit të pushtuar shqiptar kundër Jugoserbisë pushtuese komuniste! Rrënjët e kësaj fushate dhe propagande kanë qenë dhe janë në Beograd, kurse altoparlantët ishin dhe mbetën shqipfolësit, që ishin bërë syri, veshi dhe goja e tij, madje edhe huri dhe pushka që torturonte deri në vdekje dhe vriste në rrethim ose në prita patriotët shqiptarë, që përpiqeshin dhe luftonin për të drejtën themelore të një populli: LIRINË, të drejtat e liritë ekonomike, politike, kombëtare, demokratike e njerëzore. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Të tjerat janë pjesë e propagandës së organizuar të pushtuesit dhe kolaboracionistëve të tij të tipit Vëllasi, Morina, Hasani, Shiroka, etj., që Lëvizjen tonë kombëtare e kualifikonin si “ nacionaliste”, “irredentiste”, “separatiste”, “kundrrevolucionare” (ndonjëherë edhe “balliste”), kurse ideologët dhe veprimtarët e saj si “nacionalistë”, “irredentistë”, “separatistë”, “kundërrevolucionarë” dhe, kur ua donte puna, edhe “ballistë”!
E njëjta klasë jugokomuniste e kolaboracioniste ose pjella e tyre nga viti 1990 ndërruan kostumin e flamurin dhe, duke u fshehur pas flamurit të pluralizmit e demokracisë liberale, vazhduan fushatën kundër Lëvizjes Kombëtare dhe drejtuesve e veprimtarëve të saj me kualifikime të reja: “marksistë – leninistë”, “komunistë”, etj.. Ishin të suksesshëm për njëfarë kohe me fushatën e tyre gebelsiane, sepse kishin mediet në dorë, nuk ndiqeshin nga pushtuesi, e kishin lirinë e plotë (edhe mbështetjen) që ta luftonin LËVIZJEN dhe t’i luftonin veprimtarët, luftëtarët dhe drejtuesit e saj. Kini parasysh, lexues të nderuar, që të gjithë këta janë gjallë dhe të organizuar mirë edhe sot për ta luftuar, mohuar dhe varrosur çdo gjurmë të përpjekjeve dhe të luftës sonë për liri e bashkim kombëtar. Mission impossible! Humbja e “kauzës” së tyre në përballje me Lëvizjen dhe Luftën Çlirimtare të LPK – UÇK – së i ka tërbuar fare. Fushata dhe propaganda e riorganizuar dhe e rikonceptuar pas Luftës Antipushtuese Çlirimtare është e karakterit dëshprues të këtij krahu kolaboracionist dhe të ndonjërit që është mashtruar ose paguar nga ky krah, që veç dhimbje, lotë e vdekje i kishte sjellur Lëvizjes Kombëtare Liridashëse (kuptohet duke qenë dorë e zgjatur e pushtuesit)!!
Ka shumë për të shkruar për “bëmat” e atyre që u gjetën në anën e gabuar të historisë e që duan të “pastrohen”, por nuk është vendi dhe as qëllimi i këtij reagimi…
Po i kthehemi komentit të mbushur me ligësi e manipulime të Liri Loshit, i cili që në fillim shkruan pa iu trembur qerpiku i syrit: “Shumica e ish të burgosurve politikë, pas lufte kanë marrë poste politike, rroga të majme, meditje, kanë pasur edhe dy, tre e më shumë vende të punës. Ndaras nga të gjitha këto, kanë marrë mijëra euro nga buxheti i Kosovës si kompenzim për kohën që kanë kaluar nëpër burgje. Shumica e tyre janë bërë veteranë të luftës pa qenë pjesë e UÇK-së fare”.
A thua e di ky farë Liri sa është shumica e veprimtarëve dhe drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare që janë dënuar nga shteti pushtues terrorist i Jugosllavisë komuniste dhe i kolaboracionistëve të tij, në krah të të cilëve po afishohet?!!
Janë mbi 15 000 shqiptarë të dënuar nga Jugosllavia titiste terroriste për veprimtarinë e tyre politike e atdhetare antipushtuese, liridashëse. Mbi 10 000 janë dënuar penalisht pas Pranverës Shqiptare ’81. E pyes Liri mjekun ose Liri “komandantin”, meqë paska mbajtur shënim: Sa ishte numri i të dënuarve politikë (Veteranë të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare) që kanë marrë poste të larta, rroga e mëditje të majme?! Nëse nuk i ka të dhënat dhe nëse ia ka futur si kau pelës duhet t’i skuqet faqja, nëse nuk do t’i skuqen pasardhësit, dhe të kërkojë falje botërisht për shpifje, manipulim dhe rrenë të stilit gebelsian!
Pa fijen e turpit Liri “komandanti” paska përdorur për propagandë manipulative edhe kompensimin e të dënuarve politikë nga shteti i tyre (rreth 17 euro për 24 orë burg), konform rezolutës dhe standardeve të BE – së. Për një shqiptar, jo më për një mjek e “komandant për moral”, do të duhejë të përbënte shqetësim banda terroriste e politikanëve, inspektorëve, denoncuesve dhe bashkëpunëtorëve shqipfolës të Jugoserbisë, që marrin pensione të majme nga Serbia pushtuese edhe sot dhe i shërbejnë asaj me të gjitha mjetet dhe metodat që kanë në kushtet e pasluftës çlirimtare!! Shqetësim, qoftë edhe për një shqiptar të zakonshëm, do të duhejë të përbënte edhe sitemimi dhe angazhimi (kryesisht nga UNMIK -u dhe vasalët e tij) i asaj armate kolaboracionistësh dhe i pjellës së tyre në sistemin e drejtësisë, në partitë politike, në administratë, në arsim, në media, në institucionet dhe organet e sigurisë dhe të mbrojtjes, në institucionet shtetërore dhe në gjithë sistemin politik! Ndodhi kështu, sepse u vendosë administrata e OKB – së dhe Kosova shqiptare nuk u lejua (falë edhe pjesës kolaboracioniste) ta aplikojë drejtësinë tranzicionale, që t’i jepej vendi dhe haku secilit sipas “meritës”…
“Komandant” Liri, kuptohet, gjithmonë në rolin e “komandantit për moral”, po shkruan se “shumica e të burgosurve politikë janë bërë veteranë të Luftës pa qenë luftëtarë të UÇK – së”! Manipulues dhe gënjeshtar par excellence! Punën e shumicës e shpjegova më lartë dhe nuk do të ndalem më gjtaë. Gënjeshtra e tij bën muuu… dhe s’ka nevojë për komentim. Vetëm një i “ndershëm” si ky Liri mund të shpif e të gënjejë deri në këtë shkallë!
Pas “analizës”, që i ka bër ky mjeku “komandant” veprimtarisë së të dënuarve politikë nga shteti pushtues terrorist ka nxjerr përfundimin “shkencor”, kryekëput manipulativ dhe antishqiptar se “UÇK-ja dhe të burgosurit politikë janë dy kategori krejt të ndryshme dhe çdo angazhim i tyre brenda UÇK-së ka qenë në baza ekskluzivisht individuale”! Qëllimi është fare i qartë dhe krejt armiqësor! Ky dhe krahu i tij do të donin që UÇK – ja të ishte jetime, një krijesë e ardhur dhuratë nga qielli, një formacion pa të kaluar dhe pa histori e jo siç ishte vazhdimësi dhe produkt i përpjekjes një shekullore për liri e bashkim kombëtar. Soji i këtyre do të donin një UÇK të krijuar atë ditë kur i janë bashkuar vet, sepse s’kishin nga t’ia mbanin më në mars të vitit 1998, dhe në një fazë tjetër të “dëshmonin” se edhe UÇK – ja ishte “kurdisje”, “kurth” dhe “dorë e zgjatur” e Jugoserbisë!!?
Faktet flasin ndryshe dhe kundër tezave antishqiptare që qenkan përvetësuar edhe nga mjeku “komandant”!! Po përmend shkurtimisht se UÇK – ja është krijuar nga LPK – ja, ku një pjesë e mirë ishin edhe veprimtarë e drejtues të dënuar politikë, kishte edhe të pa dënuar, sepse angazhimi për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë nuk i mohohejë asnjë shqiptari dhe se synim i Lëvizjes nuk ishte burgu, por çlirimi i pjesës së robëruar të Atdheut. Mirëpo, kur je i pushtuar nga një shtet dhe kur je i rrethuar nga një klasë kolaboracionistësh mund të përfundosh edhe në burg e të vritesh. Këto i kishte parasysh çdo veprimtar i organizuar…
Për ta nxjerr manipulues dhe gënjeshtar, siç është, mjekun Liri, po përmend vetëm disa nga figurat e shumëta që ishin në LPK – UÇK e që kishin qenë të dënuar politikë: Adem Demaçi (pjesë e pandashme e LPK – UÇK – së, Përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK – së), Ahmet Haxhiu, shtylla e LPK-së dhe pioner i organizimit të luftës së armatosur çlirimtare, Azem Syla, anëtar i Kryesisë së LPK – së, anëtar i sektorit të veçantë dhe Komandant i Përgjithshëm i UÇK – së, Jakup Krasniqi, anëtar i Shtabit të UÇK – së, Zëdhënës, etj., Nait Hasani, veprimtari i LPK – së, koordinator i Shtabit Qendëror të UÇK – së (tri – katër herë i dënuar politik), Ali Ahmeti, një nga drejtuesit e LPK – UÇK – së dhe dhjetra veprimtarë, luftëtarë e drejtues të LPK-UÇK-së nga Maqedonia shqiptare dhe viset tjera të Kosovës, Emrush Xhemajli, Sekretar Historik i LPK – së dhe një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesor të luftës së UÇK – së, Sokol Bashota, anëtar i SHP të UÇK – së, etj., Adem Graboci, anëtar i Kryesisë së LPK – së dhe anëtar i SHP të UÇK – së, Fehmi Lladroci, anëtar i KP të LPK – së, Kryetar i LPK – së në Gjermani dhe një nga komandantët dhe drejtuesit e spikatur të UÇK – së, etj., Heroina e LPK – UÇK – së, Xhevë Lladroci, Gjeneral Shaban Shala, një nga drejtuesit kryesor të LPK – së dhe të UÇK – së, Xhavit Haziri, “shefi” (përgjegjësi) i parë i krahut ushtarak të LPK – së brenda vendit (pas Mbledhjes së Katërt historike të LPK – së në Prishtinë), Gjeneral Jashar Salihu, anëtar i Kryesisë së LPK – së, anëtar i SHP dhe Kryetar i Fondit Çlirimtar “Vendlindja Thërret”, Ramë Buja, anëtar i SHP të UÇK – së, Gani Krasniqi, luftëtar dhe drejtues i orëve të para të UÇK-së, Beqir Beqa, Bislim Elshani, etj, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK – së dhe kryeredaktorë të gazetës së vetme të LPK – UÇK – së, “Zëri i Kosovës”, Berat Luzha, luftëtar i UÇK – së dhe themelues i Agjencisë “Kosovapress”, Ahmet Qeriqi, luftëtar dhe drejtues i Radios “Kosova e Lirë”, Martin Çuni, Dervish Çadraku, Sali Lajçi, Nezir Myrtaj, Gaspër Karaçi, etj., Ramadan Avdiu, një nga drejtuesit e LPK-UÇK-së, Hasan Ukhaxha, Xhavit Hoxha, Bardhyl Mahmuti, Halil Selimi, Remzi Ademaj, komandant “Petriti”, Hydajet Hyseni, anëtar i delegacionit të Rambujes në krah të UÇK – së, Gani Koci, luftëtar dhe pjesë e strukturave të UÇK – së, etj. Shukri Buja, anëtar i Këshillit Përgjithshëm të LPK – së dhe Komandant Zone i UÇK – së, Ahmet Isufi, Komandant Zone i UÇK – së, Ramush e Nasim Haradinaj me vëllezërit e tyre, Xhavit Haliti, drejtues i sektorit të veçantë, anëtar i Kryesisë së LPK – së dhe anëtar i SHP të UÇK – së, një nga emblemat e UÇK -së, Qerim Kelmendi… Janë me qindra emra tjerë, të dënuar politikë (veteranë të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare), që kanë ideuar, përgatitur, organizuar, kanë luftuar, kanë drejtuar (brenda dhe jashtë Atdheut, kanë rënë edhe Dëshmorë) Luftën e Armatosur, e cila më 17 Nëntor 1994 u emërtua nga LPK – ja (Kryesia e saj): USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS. Nuk duhet të harrojmë asnjë herë dhe kurrë se mbështetja e shtetit tonë AMË ishte vendimtare në të gjitha periudhat e përpjekjeve, qëndresës dhe Luftës së Armatosur për liri e bashkim kombëtar.
Konstatimi i Lirit “komandant” se “të burgosurit politikë, pas daljes nga burgu, paskan vërshuar në LDK”, është kaq sharlatanesk sa nuk meriton vëmendjen tonë! Liri nuk e ka kuptuar ose nuk ka dashur ta kuptojë se një pjesë e të burgosurve politikë u përfshinë në LDK për ta shkëputur këtë parti nga ndikimi i administratës së pushtuesit, ku ishte regjistruar(!) dhe për ta kthyer në krah të kërkesave, programit, përpjekjeve dhe luftës që kishte filluar populli i pushtuar shqiptar dhe bijtë e bijat e tij menjëherë pas ripushtimit të Kosovës (me Kosovë LËVIZJA kuptonte të gjitha trojet e pushtuara nga Jugosllavia), në vitin 1945, por ndikimi i krahut kolaboracionist dhe i pushtuesit ishte më i fuqishëm se krahu patriotik deri në krijimin e USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS nga LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS, që ishte produkt i bashkimit të organizatave atdhetare në vitin 1982. Ishte ndikimi i këtij krahu kolaboracionistësh që e rreshtoi dhe e mbajti LDK – në në anën e gabuar të historisë…
Tendenca e ulët dhe e pistë për ta denigruar figurën e Hydajet Hysenit apo të Ali Lajçit, që ishin bërë emblema të Pranverës Shqiptare ’81, tregon qëllimin e vërtetë të kësaj fushate dhe propagande fashisoide ndaj Lëvizjes dhe Luftës Çlirimtare! Krahu mjeran kolaboracionist e ka të qartë se Pranvera Shqiptare ’81 përbën kthesën e madhe historike dhe shkëputjen përfundimtare nga ideologjia komuniste jugosllave (titiste) dhe nga “bashkim – vëllazërimi” vrastar e terrorist jugoskomunist. “…pas vitit 1981, shkruante njohësi i mirë dhe shumë i informuar, Viktor Çami, çdo ngjarje në Kosovë, çdo zhvillim në Kosovë, më ka bindur dhe sot jam krejtësisht i bindur, se ajo që zhvillohet atje është një lëvizje që nuk mund të kthehet prapa” (Viktor Çami, “Letra nga Mërgimi”, f. 483). Prandaj, atyre që ishin rreshtuar pas Titos dhe Jugosllavisë së tij diktatoriale e terroriste, atyre që përkundeshin në djepin jugosllav dhe rriteshin me qumësht Beogradi, atyre që merrnin rroga e mëditje të majme për shërbimin që u bënin pushtuesve terroristë, Pranvera Shqiptare ’81 ua kishte shembur “perandorinë e ëndërrave dhe të lumturisë së tyre, të cilën e konsideronin të “përjetëshme”!! Këtu duhet kërkuar arsyet e kësaj fushate dhe propagande gebelsiane ndaj Veteranëve të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, ndaj të dënuarve politikë! Jo goja, mendja dhe kalemi i “komandant” Lirit, po sikur të bëheshin bashkë, si dikur, të gjitha gojët, mendjet dhe kalemxhinjtë jugotitistë e jugokosovarë nuk do t’ia arrinin ta denigronin figurën e të dënuarit politik, Veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, nuk do t’ia arrinin ta “degradonin” Pranverën Shqiptare ’81, që u është bërë kancer vllasistëve kolaboracionistë dhe nuk do të arrinin ta shkëputnin Ushtrinë Çlirimtare nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, fryt i të cilës ishte. Duhet ta kuptoni pas kaq dekadash se jeni gjetur në anën e humbësve. Lëvizja Kombëtare dhe Çlirimtare e popullit të pushtuar shqiptar e ka fituar luftën ndaj Jugoserbisë dhe ndaj hyzmeçarëve të saj shqipfolës! Ky është thelbi dhe boshti i çështjes, tjerat janë broçkulla të trashëguara nga “bashkim – vëllazërimi” pushtues terrorist…
Qëllimi i tezave “liriane”, në fakt vllasiane e kolaboracioniste, shpërfaqet pa ekuivoke edhe në këtë “konstatim” të tij: “Ne e dimë se pushteti komunist i dominuar nga fashizmi dhe shovenizmi serb ka kurdisur vazhdimisht situata ku shqiptarët kanë rënë në kurth dhe janë viktimizuar”. Atë që nuk ka arritur ta “artikulonte” as propaganda dhe fushata jugoserbe e artikulon qartë Liri “komandanti”! Nuk duhet të ketë njeriu shumë shkollë për ta kuptuar se Liri ka ardhur në përfundim (si njeri i informuar!) se Lëvizja Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare paska qenë një “kurdisje dhe një kurth i shtetit pushtues jugosllav për t’i viktimizuar shqiptarët”!!?? O tempora, o mores!
Po të mos ishin “teza” dhe propagandë që trumbetohet nga altoparlantët e Beogradi tash 43 vite, komenti i “komandant” Lirit nuk do të meritonte vëmendjen dhe kohën time!
E kuptoj edhe brengën e mjekut “komandant” për “mungesën e kreativitetit të të burgosurve politikë edhe pas Luftës” (kjo pjesë ka të bëjë edhe me zgjedhjet që po afrohen dhe me porositë që ka marrë nga krahu i tij, të cilin po e përfaqëson në këtë koment!). Kurse, sa i takon çështjes së prezantimit të ndonjë të dënuari politik (jo ajo “shumica” e Lir “komandantit”) më duhet të them se në shoqërit demokratike dhe në shtetet me dell dhe traditë kombëtare për Lëvizjen dhe Luftën Çlirimtare flasin e shkruajnë institutet, universitetet dhe studiuesit që kualifikohen dhe paguhen për atë punë… Pranimi i ndonjë Veterani të Lëvizjes, të dënuari politik për të folur në një emision të “kurdisur” me qëllim që dikush të paraqitet si “viktimë” e jo si veprimtar, luftëtar dhe aktor politik e kombëtar ishte i papranueshëm edhe për SHBP, por edhe për mua personalisht. Mediet e mercenarizuara janë kryesisht në shërbim dhe altoparlante të “tezave” antikombëtare të Lirit “komandant” dhe të “bosëve” të tij të vjetër e të rinj. Këtu pajtohemi!
Krejt në fund, dua të them për lexuesin, po edhe për rrethin e gjerë të miqve të mi, që komenti i Lirit “komandant” mund të jetë edhe produkt i mendjes së tij naive, i pa ndikuar, dhe s’ka të bëjë fare me tezat dhe propagandën jugotitiste e jugokosovare… Nëse është kështu i bëj thirrje publike “komandant” Lirit të kërkoj falje dhe ta fshijë komentin e tij fund e krye manipulativ dhe kompremetues në radhë ta parë për vet mjekun Liri !
Prishtinë, më 9 gusht 2024