Komenti

Xh. Gjini: 1 QERSHORI – DITA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË VËRBAN

1 QERSHORI – DITA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË VËRBAN
1 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Për vërbanasit kjo Ditë është ngjarje dhe festë e dyfishtë, sepse më 1 Qershor 1943 mësuesi patriot, Jetish Bislimi – Vishi, pasi kishte marrë vendimin e emrimit, me përkrahjen e pakursyer të farefisit dhe të bashkëfshatarëve (vërbanasve), kishte hapur Shkollën e parë Shqipe në Vërban për fëmijët vërbanas. Kjo ishte dhurata më e madhe që u bëhej vërbanasve të vegjël në Ditën e tyre.
Shkolla e parë Shqipe për vërbanasit e vegjël kishte nisur me 80 fëmijë-nxënës të regjistruar (40 vajza e 40 djem). Numri i madh i fëmijëve të regjistruar, sidomos numri i madh i vajzave të regjistruara, ishte shprehje e dashurisë dhe etjes së vërbanasve për gjuhën e tyre dhe për dituri, nga njëra anë, si dhe shprehje e autoritetit dhe respektit që gëzonte themeluesi dhe Mësuesi i parë i Shkollës Shqipe në Vërban, në Anamoravë e më gjerë në trojet e pushtuara shqiptare, në anën tjetër.
Me përkushtimin, autoritetin dhe respektin që kishte fituar në qarqet patriotike dhe arsimdashëse, Mësuesi Jetish Bislimi – Vishi, kishte hapur shkollën shqipe edhe në Rashçe të Shkupit, në Zhelinë të Tetovës dhe ishte ndër mësuesit e parë edhe në shkolla të Kumanovës, në Bllacë, në Gajre, etj.
1 Qershori për vërbanasit ishte dhe është ngjarje e një rëndësie historike. Por, në kohën e pushtimit jugokomunist kjo ngjarje ishte heshtur dhe anatemuar për shkak se Mësuesi patriot, Jetish Bislimi-Vishi, ishte dënuar nga gjykata ushtarake e pushtuesit për veprimtarinë e tij atdhetare e liridashëse bashkë me shumë veprimtarë e drejtues të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare ose, siç njihet gjerësisht: Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, dhe ishte shpallur “armik i Jugosllavisë komuniste – titiste, nacionalist e irredentist”.
Mirëpo, represioni, propaganda, shpifjet, dhuna dhe terrori i pushtuesit dhe hyzmeqarëve të tij nuk kishin mundur kurrë ta shkulnin nga zemrat dhe mendjet e vërbanasve 1 Qershorin e Shkollës së tyre Shqipe dhe emrin e Mësuesit patriot, Jetish Vishi.
Fara e mbjellur nga Shkolla e parë Shqipe dhe nga themeluesi dhe Mësuesi i saj nuk mund të mbytejë nga aparati shtetëror terrorist i Jugosllavisë komuniste. Vërbani pas Mësuesit Jetish pati me dhjetëra mësues, profesorë, mjekë, inxhinierë dhe profile tjera. Sot, Vërbani ka mbi 200 vërbanas me arsimim të lartë…
Çlirimi i Kosovës shqiptare krijoi kushte që data, ngjarje dhe personalitete, që pushtuesi i kishte ndaluar dhe shpallur armiqësore dhe armiq të ideologjisë dhe shtetit të tyre titisto-shovinist, të shënohen, të nderohen dhe të festohen lirshëm dhe pa frikën e persekutimit, dhunës, represionit dhe terrorit të pushtuesit.
Shumë nga ata, që dikur ishin në anën e gabuar të historisë (në anën e Jugosllavisë komuniste pushtuese), e kanë kuptuar gabimin – fajin e tyre dhe po u gëzohen kushteve dhe mundësive që krijoi Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK – së, e cila kishte fituar zemrën dhe përkrahjen e mbarë kombit shqiptar dhe të botës demokratike…
Të pakët janë ata, që nuk po mund të “akomodohen” në kushtet e lirisë kombëtare dhe të lirive politike, qytetare e demokratike!! Një pjesë e vogël e tyre janë kryesisht shqiptarë me “hipoteka” dhe mëkate të rënda (këta janë lehtësisht të shantazhueshëm!…). Të tillët diku i gjenë të veshur me kostumin prej “atdhetari”, diku tjetër i gjenë të veshur me kostumin prej “mësuesi – arsimtari a profesori”… Janë të shumtë ata që kanë veshur kostumin e “fesë-religjionit”, të tregtarit, ndërsa të tjerë kanë veshur kostumin e politikanit, të gjyqtarit, të qeveritarit, diplomatit… dhe nga ato pozita sulmojnë vlerat dhe interesat themelore kombëtare!
Kurse pjesa tjetër janë shqiptarë të pa arsimuar, me dije të kufizuara (edhe kur kanë siguruar ndonjë diplomë me ryshfete!!) dhe të mashtruar për një pozitë, për një vend pune, për një përfitim, etj..
Pavarësisht këtyre “donkishotëve”, që përpiqen t’i fusin shkopinj rrotës së lirisë, përparimit, demokracisë, arsimimit, zhvillimit…, populli shqiptar në Kosovë dhe në gjithë gjeografinë e tij shqiptare po ecën më i fuqishëm, më i sigurt dhe më i bashkuar se kurrë më parë drejt jetësimit të programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe BETIMIT të UÇK – së. Pjesë e këtij procesi historik dhe e këtij zhvillimi janë edhe vërbanasit, komuna e Vitisë dhe gjithë Anamorava.
Prandaj, vërbanas atdhetarë, arsimdashës dhe përparimtarë: GËZUAR 1 QERSHORIN – DITËN E HAPJES SË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË KATUNDIN TONË!
Gjithmonë gëzime për ju dhe familjet tuaja këtu dhe kudo në botë!
Në jetë të jetëve nderim për Mësuesin patriot, vërbanasin, Jetish Bislimin – Vishin!

P. S. Nuk do të jetë e largët dita kur vërbanasit do ta rindërtojnë Shkollën e tyre të parë Shqipe (ashtu siç ishte) dhe ta bëjnë Muze të traditës shkollore, arsimdashëse, kulturore, trashëgimisë historike e shpirtërore, etj. Sepse, si kudo në trojet tona, edhe në anët tona ka shqiptarë (fatkeqësisht) që janë angazhuar dhe angazhohen për ta fshirë kujtesën tonë kolektive dhe për ta shkatërruar trashëgiminë tonë kulturore, shpirtërore dhe historike!!… Edhe pushtuesi barbarë jugoserbë e kishin shkatërruar e rrafshuar Shtëpinë e Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit, por pas çlirimit u ngritë edhe më e bukur dhe me themele, që nuk mund t’i tundin armiqtë dhe kolaboracionistët e tyre…