Çfare thuhet dhe si flitet nga një pjesë e madhe e parlamentarëve të këtij vendi sot është produkti i korrur i rrënjëve të arsimit e të edukimit që kemi mbjellë deri më sot. Që nesër të kemi një lloj të ri ligjvënësish, më mirë të arsimuar, më të ditur, më të sjellshëm, më qytetarë, më pak të korrupueshëm, më patriotë se shumica e këtyre që kemi, lipset që këto virtyte t’ua mësojmë fëmijëve dhe të rinjve të sotëm.
Fëmija i sotëm është qytetari i nesërm, mësuesi i nesërm, inxhinieri i nesërm, shkencëtari i nesërm, polici i nesërm, gjyqtari i nesërm, ligjvenësi i nesërm, ministri i nesërm i arsimit, i shëndetësisë dhe i ekonomisë, kreu i nesërm i qeverisë dhe kreu i nesërm i republikës sonë–me një fjalë, Shqipëria e nesërme.
Nuk është e vështirë të arrihet nëse këtë e dëshirojmë dhe përpiqemi ta arrijmë. 165 teoritë sociale që qarkullojnë në tregun e ideve do u thonë se tradita e munguar dhe prapambetja kulturore, sidomos kultura politike, janë pengesa të mëdha në këtë proces transformues të shoqërisë sonë kur, ndërkohë, përvoja ka dëshmuar se edhe prapambetja më e thellë ekononike e kulturore mund të tejkalohen dhe kultura politike mund të ndryshojë edhe brenda një gjenerate.
Detyra dhe përgjegjësia historike për ngritjen e një sistemi arsimor tërësisht modern, mbi themele te reja për këtë shekull, nuk mund t’u lihet disa zyrtarëve burokratë në ministrinë e arsimit, as disa mësuesve me përvojë, të angazhuar në konsultime e debate nga ajo ministri, sado pasionantë që mund të jenë, as një profesorati të vjetër, që është edhe vetë produkt kulturor i atij realiteti që duhet ndryshuar.
Ne marrim të gatshme dhe aplikojmë sot nga bota teknologjitë më të avancuara për prodhim dhe shërbime në shumë fusha. Kjo, në kushtet e sotme të një globalizimi tërësor dhe të një ndërvarësie gjithnjë e më të madhe mes vendeve, ekonomive dhe kulturave të ndryshme, është bërë sot një domosdoshmëri, ndaj së cilës nuk mund të reagohet ndryshe veçse, (pa hequr dorë nga disa tradita kukturore identitare), duke përqafuar të renë, më të avancuarën, atë që lind e krijohet sot për t’i shërbyer së nesërmes.
Nëse prej japonezëve, finlandezëve, suedezëve apo hollandezëve marrim sot teknologjitë më të avancuara dhe arkitekturën moderne, po prej tyre duhet të mësojmë “teknologjitë” e zhvillimit të aftësive njohëse, arsyetuese e krijuese të fëmijëve tanë të sotëm, që brezi i tyre të mos jetë më i prapembetur se sa moshatarët e tyre në këto vende nesër.