Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXVII)
GOROZHUPI – FSHATI NË “ZONËN USHTARAKE RREPTËSISHT TË NDALUAR” DHE I “EPOPESË SË UÇK-së”
Fshati Gorozhup i krahinës së Hasit shtrihet poshtë malit të Pashtrikut dhe sipër lumit Drini i Bardhë. Ndodhet në zonën kufitare Kosovë – Shqipëri, rreth 25 km nga Prizereni.
Gorozhupi është i ndarë në katër lagje, kurse lagjja e pestë, Pogaj, nga viti 1913 i përket Shqipërisë. Kur është vendosur kufiri ndërshtetëror Shqipëri – Serbi, janë ndarë tokat shqiptare, është ndarë edhe krahina e Hasit, është ndarë edhe fshati Gorozhup, janë ndarë edhe njerëzit e këtij fshati. Derisa dikur Gorozhupi e ndante, sot e bashkon Atdheun.
Regjimi i hekurt kufitar i shtetit jugosllav në Gorozhup kishte vendosur karakollin dhe kazermën ushtarake, që tash janë në gërmadha. Ushtria jugosllave i kishte ndërprerë plotësisht lidhjet me anën tjetër të kufirit, duke i kufizuar kullotat, tokat e bukës, kullotjen e bagëtisë etj. Çfarë ishte jeta 50 e sa vjeçare në një fshat të shpallur “zonë ushtarake rreptësisht e ndaluar” vetëm banorët e Gorozhupit e dinë. Prandaj, ata i janë gëzuar më shumë se kushdo tjetër çlirimit të Atdheut, prandaj ia dinë vlerën aq shumë lirisë e pavarësisë.
Çka është interesant, është ndarë në dy pjesë edhe kroi apo çezma e fshatit. E ndodhur në luginën mes dy lagjeve të ndara të Gorozhupit, drejtpërdrejt në vijën e kufirit, çezma ishte bërë krua i ndarjes dhe i bashkimit, i mbiquajtur edhe “Kroni i lotëve”. Ky krua, i vetmi në disa fshatra të Hasit andej e këndej kufirit, u mundësonte banorëve të mbushnin ujë, por edhe të shiheshin apo të shkëmbenin fshehurazi ndonjë fjalë apo të jepnin ndonjë lajm. Mirëpo, vendosja e karakollit ushtarak, rreth 2 km larg kroit, e kishte bërë shumë të vështirë udhëtimin nëpër mal të banorëve që shkonin për të mbushur apo për t’u furnizuar me ujë. Sepse, edhe mbushja e ujit në çezmën e përbashkët bëhej me një orar të caktuar dhe kontrollohej nga ushtarët e të dy shteteve.
Që çudia të jetë edhe më e madhe, siç ishin ndarë kroi, fshati, krahina e Atdheu, ashtu ishte ndarë edhe lisi dydegësh afër çezmës, kur një degë kishte mbetur andej e dega tjetër këndej kufirit.
Jo vetëm tokat, kufiri i kishte ndarë edhe njerëzit, e kishte ndarë të atin me të birin. I ati në Jugosllavi, i biri në Shqipëri! Maliq Morina nga Pogaj i Krumës (dikur lagje e Gorozhupit) një ditë të vitit 1948 kishte shkuar për treg në Prizeren. Po atë ditë ishte mbyllur kufiri dhe Maliqi kishte mbetur përgjithmonë në anën tjetër të kufirit, pa mundur të kthehej në shtëpinë e tij. Në shtëpi kishte lënë djalin 5-vjeçar, i mbetur jetim me të atin të gjallë. Fëmija, tash i moshës së tretë, e ka kërkuar gjithandej varrin e të atit, po kurrë nuk e ka gjetur.
Për shkak të pozitës strategjike, në fshatin kufitar të Gorozhupit kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike. Veçanërisht, gjatë luftës së fundit çlirimtare, Gorozhupi ishte bërë log i betejave të vështira me ushtrinë armike. Një njësit i UÇK-së, në krye me komandantin Mujë Krasniqi, që bartte armë për t’i futur në Kosovë, kishte rënë në pritë të forcave serbe. Gjatë një beteje të pabarabartë, e zhvilluar në mëngjesin e ftohtë të 14 dhjetorit 1998 te L’kenet e Hasit në Gorozhup, kanë rënë dëshmorë 41 luftëtarë, janë plagosur dhjetëra e janë zënë rob disa të tjerë.
Për çdo vit në Gorozhup shënohet “Epopea e Gorozhupit”, që njihet edhe si operacioni “Shigjeta”. Operacioni “Shigjeta”, i zhvilluar në malin e Pashtrikut gjatë maj – qershorit 1999, është njëra ndër operacionet luftarake më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e UÇK-së, më 31 maj 1999, kanë sulmuar forcat serbe përgjatë kufirit në fshatin Gorozhup. Në këto beteja kanë rënë 18 dëshmorë dhe shumë luftëtarë janë plagosur. Në nderim të dëshmorëve të rënë, në Gorozhup është ngritur Përkujtimorja e Dëshmorëve të Kombit, ku për çdo vit organizohen manifestime kulturore.
Fshati Gorozhup në liri po bëhet një pikë lidhëse mes dy anëve të krahinës së Hasit. Gorozhupi shpejt do të lidhet me rrugë të asfaltuar me fshatrat e zonës së Hasit në R. e Shqipërisë përmes fshatrave Kishaj e Cahan. Rëndësia e ndërtimit të kësaj rruge është jetike për popullsinë e Hasit në të dy anët e kufirit, me ç’rast do të bëhet një lidhje e shkurtër e Krumës me Prizerenin, që do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik dhe të turizmin në Has. Se shpejt Gorozhupi do të kthehet në një pikë turistike në hartën e Atdheut tonë tregojnë edhe investimet nga komuna e Prizerenit, duke filluar nga çezma e fshatit, që simbolizon bashkimin dhe ndarjen e njerëzve dhe të shteteve tona.
Gorozhupi ka shkollë fillore 4-klasëshe, e ndërtuar në vitin 2000 nga një donacion i qytetit gjerman Bingen. Mirëpo, çka duhet shkolla kur mungojnë nxënësit.
Fshatin Gorozhup të bukurive mahnitëse natyrore sot e gjejmë me shtëpi të djegura që në luftë, e gjejmë të zbrazur e të heshtur, e gjejmë pa zërat e ëmbël të fëmijëve tanë. E fshati rrezikohet të braktiset plotësisht. Sepse, kurbeti e ka bërë të vetën. Dhe, Gorozhupi nuk mund të mbijetojë vetëm nga e kaluara e mundimshme dhe krenare.
add a comment