Flet Prof Lush Susaj: Është koha që të prevalojë nevoja e Shqipërisë mbi korrupsionin e shokëve të partisë
– Pavarësisht se çmimet e inputeve në tregjet rajonale kanë pësuar një rritje të lehtë me 3-5%, në Shqipërinë e varfër ka ndodhur një rritje e çmimeve me mbi 100%.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Eshtë e njohur se të ushqyerit e bimëve është një nga faktorët më të rëndësishëm për të kontrolluar cilësinë dhe produktivitetin në bujqësi. Mirëpo, përdorimi i tepruar i pesticideve dhe plehrave kimike apo përdorimi i tyre i skaduar, shkakton ndotje të mjedisit, gjithashtu ndikon direkt në shëndetin e njerëzve. Në vendin tonë shihet se çmimi i pesticideve është rritur ndjeshëm në raport me vendet e BE-së. Por, përdorimi i tyre nuk paraqet problem nëse nuk tejkalohen normat e lejuara, nëse ato përdoren në konsultime me ekspertët bujqësor. Në mënyrë të vazhdueshme, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes në respektimin e periudhës apo të bëhet kujdes për periudhën nga përdorimi i fundit i ilaçeve deri në kohën e nevojshme që ato të treten. Pesticidet në sasi të vogla nuk janë të dëmshme, mirëpo nëse ato merren në sasi më të mëdha përmes ushqimit edhe mund të kenë pasoja negative. Por ka dhe më keq, që përdorimi i tyre të skaduara dëmton dhe shëndetin dhe prodhimin. Me qëllim që të kemi ushqim cilësor dhe të shëndetshëm, fermerët duhet të bëjnë kujdes për përdorimin e pesticideve sipas rregullave dhe respektimit të parametrave të caktuara gjatë shfrytëzimit të këtyre ilaçeve. Po rata detyrohen të tërhiqen pasi çmimet po rriten.. Përdorimi i pesticideve në vendin tonë varion nga 400 në 500 ton/vit, me një tendencë në rritje vitet e fundit. Aktualisht, përdorimi kryesor i pesticideve vërehet në perimet në serra dhe fushë, në pemëtoret intensive dhe vreshta. Port të gjitha këto me çmime të kripura që frenon mbjelljen masive.
- Imputet bujqësore si farat përmirësuese, plehrat apo kimikatet e ndryshme kanë pësuar rritje në çmim, dhe sipas fermerëve janë shumë herë më të shtrenjta dhe shpesh nuk i plotësojnë rezultatet e dëshiruara. Si rezultat dëmtohet rendimenti, por edhe shëndeti njerëzve. Pse vijnë këto probleme?
Në Shqipëri, abuzimi me investimet, me projektet, me import-eksportet dhe me të ardhurat nga prodhimi bujqësorë e blegtoralë, është një sëmundje e vjetër e të gjitha qeverisjeve të korruptuara e nepotike të këtyre 34 viteve, por që fatkeqësisht mori përmasa edhe më shkatërrimtare gjatë 10 viteve të fundit, 2013-2024.
Klanet e korrupsionit, duket që pasi mbaruan punë me përvetësimin e aseteve, trojeve dhe tokave më të mira bujqësore, hartuan ligje dhe VKM-ra në shërbim të krijimit të monopoleve kudo, e sidomos në fushën e importit të pesticideve, farërave, fidanave, plehërave kimike, por edhe në importin e paisjeve mekanike. Unë vazhdoj të mendoj se është korrupsioni ai që ka prodhuar situatën monopol, e cila ka shkaktuar rritjen artificiale të çmimit të inputeve të bujqësisë, në një kohë që nuk është rritur cilësia dhe as efektiviteti i përdorimit të tyre.
Në këtë mënyrë, pavarësisht se çmimet e inputeve në tregjet rajonale kanë pësuar një rritje të lehtë me 3-5%, në Shqipërinë e varfër ka ndodhur një rritje e çmimeve me mbi 100%.
Më konkretisht, fara e misrit që shitej me 400 lek/kg, aktualisht është rritur në 700-800, pra me një rritje rreth 200%. Edhe fara e grurit që kushtonte 60 lek/kg, tani kushton 100-120, apo fara e jonxhës që kushtonte 400 lekë/kg, tani kushton 800-1000-1200 lekë/kg. Kështu ka ndodhur me të gjitha llojet e farave, një rritje rëndon direkt mbi prodhuesit. Në të njëjtën mënyrë abuzive janë rritur edhe pesticidet në masën mbi 20-30%. Akoma më shumë janë rritur plehërat kimike (bazë dhe ato specifike, kristalore), sikurse janë ureja që kushtonte rreth 3500 lekë/kv, tani kushton dyfish, shitet me 7500-8000. Po kështu është rritur edhe nitrati që shitej me 2100 lek/kv, që tani është rritur rreth tre herë, duke u bërë rreth 7000 lekë/kv, apo plehu kompleks (NPK) që shitej me 6000 lek/kv, tani po shitet me 10500-11000 lekë/kv, apo supërfosfati që shitej me 300, tani po shitet me rreth 550-600, e kështu me radhë, deri edhe plehu organik. Një rritje e tillë nuk është e justifikuar dhe se kjo barrë e rëndë dhe e pamerituar për fermerët e Shqipërisë nuk mbaron këtu, pasi fermerët dhe specialistët e terrenit sinjalizojnë herë pas here për mungesën e efektivitetit të përdorimit të plehërave. Shumë prej fermerëve dhe specialistëve, para përdorimit po i provojnë duke i tretur plehërat në një kovë me ujë, nga ku ju ka rezultuar që pasi është tretur substancë mbështjellëse (granuluese), në fundin e kovës kanë ngelur copa guri të bardhë, pa asgjë ushqyese për bimët. Ndërsa situata me pesticidet është edhe më e rëndë, pasi në jo pak raste nuk e japin efektin e duhur (janë skarco), edhe në kushtet e zbatimit perfekt të protokolleve të trajtimit. Kjo me ka ndodhur edhe mua, herën e fundit në muajin maj të vitit të kaluar. Në këto kushte, fermerët dhe specialistët e Shqipërisë nuk kanë as ku ankohen, e as nuk kanë mundësi për të kërkuar analiza dhe dëmshpërblim. Kjo sepse dora e zezë e korrupsionit dhe injorancës i shembi me kohë laboratoret dhe institucionet shkencore të bujqësisë. Akoma më keq, edhe pse BE dhe donatorë të tjerë kanë dhënë disa herë fonde e projekte me para për t’i ndërtuar dhe funksionalizuar, ato nuk u ndërtuan dhe nuk funksionuan asnjëherë. Në këtë mënyrë, duke mos patur laboratore për analizat e përmbajtjes së inputeve, dhe as për përbërjen kimike të produkteve bujqësore, fermerët janë në mëshirë të fatit. Në mëshirë të fatit dhe të humorit të doganave të rajonit janë edhe eksportuesit. Në mëshirë të fatit është edhe siguria ushqimore.
- Rritja e çmimeve ka bërë që shumë fermerë të penalizohen dhe të reduktojnë të mbjellat pranverore pasi kostot sipas tyre janë të papërballueshme. Si do ndikojë ky problem në ekonominë shqiptare? Pse ndiqet kjo politikë?
Rritja abuzive e këtyre kostove patjetër që ka ndikuar, por jo në atë masë sa ka ndikuar e po ndikon mungesa e subvencionimit për njësi të prodhimit të formalizuar, e në mënyrë të drejtëpërdrejtë për prodhuesin, e jo sikurse ka ndodhur me fondet që me shumicë kanë shkuar për grumbulluesit, për klanin nepotikë apo edhe patronazhistët e lagjeve të varfëra. Bazuar në ato që shoh përditë në terren, dyshoj që ka një dorë e mendje djallëzore që ka shkatërruar edhe prodhimin e drithërve të bukës, duke stopuar të gjithë subvencionin për grurin, në një kohë që Kosova ka financuar me mbi 470 euro/ha. Pasojat e kësaj sjellje antishtet do ti shohim në korrjet e këtij viti, ku prodhimi kombëtar i grurit ka të ngjarë që të përgjysmohet. Në këto kushte, shqiptarët që deri me tani importonin rreth 250000 ton grurë në vit, për mungesë të prodhimit vëndas do të jen të detyruar që të importojnë shumë më tepër. Sikurse dihet, cilësia e grurit të tokës tone, është shumë më e lartë se sa cilësia e grurit që vjen nga importi. Në këtë mënyrë, duket që korrupsioni dhe politikat e gabuara, pothuajëse e kan rrënuar edhe cilësinë dhe sigurinë ushqimore të vëndit, deri edhe tek copa e bukës. Akoma më alarmante është situata me prodhimin e misrit dhe perimeve në zonën kodrinore e malore, ku për shkak të abuzivizmit dhe mungesës reale të investimeve në veprat dhe kanalet e ujitjes, në të shumtën e fshatrave të Shqipërisë nuk është mbjellur as 10% e sipërfaqës me misër. Sikurse dihet, misri dhe perimet nuk prodhojnë pa ujitje, sepse Shqipëria pa ujitje është Sahara. Kjo ndodh për shkak se nga muaj Maj e deri me 15 Shtator, i gjithë territori i Shqipërisë rezulton me një deficit të thellë të lagështirës, me mbi 150 ditë pa reshje. Në këtë mënyrë, edhe misrin që në vitin e kaluar (2023) fermeret u detyruan ta shesin nën kosto me rreth 23-25 lekë/kg, këtë vit do ta importojmë nga Serbia dhe vendet e tjera të rajonit. Kjo situatë absurde po ndodh edhe në ato fshatra e rajone ku ka rezervuar të mbushur me mbi 5 milion metërkub ujë gjendje, e ku në mbi 400 ha të tokës bujqësore nën ujë, akoma nuk është mbjellë asnjë hektarë me misër e as me grurë. Për mua, kjo lloj sjellje e ky model menaxhmenti, është një mizori dhe goditje e pamerituar mbi fermerët dhe ekonominë e Shqipërisë, goditje e që buron nga korrupsioni dhe injoranca e prodhuar në shërbim të korrupsionit dhe të dëbimit të fermerëve dhe të specialistëve më të mirë të Shqipërisë.
Rrënimi që është bërë dhe po i bëhët prodhimit bujqësorë e blegtoral, përveçëse prodhon varfëri, po prodhon shpopullim. Shqiptarët duhet të bashkohen në luftën jetike kundër korrupsionit dhe shpopullimit. Është momenti historikë për të hedhur menjanë njëherë e përgjithmonë sherrnajën dhe dallimet politike e krahinore, sepse nga kjo situatë po përfitojnë karakteret më të ulëta të shoqërisë, e deri edhe pjesa më armiqësore ndaj shtetit dhe kombit shqiptarë. Është koha që të kuptojmë që nga shpopullimi dhe ulja e fuqisë puntore dhe konsumatore, Shqipëria humbet mbi 1, 2 miliardë euro në vit, ndërsa edhe Kosova humbet rreth 600 milion euro në vit (sa gjysma e Shqipërisë). Në këto kushte, ajo që mund të rregullohet më mirë dhe më lehtë, e që nuk ka nevojë për shpikje avionesh e as satelitësh, është bujqësia dhe blegtoria shqiptare, e cila i kontribuon më shumë se asgjë tjetër punësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vëndit. Nuk duhet të harrojmë se edhe turizmi pa bujqësinë dhe pa prodhimin vëndas, është thjeshtë dhe vetëm propagandë, është pasiguri, për mendimin tim është një rrenë e madhe-sikurse thoshte i madhi Tef Palushi. Në këto kushte, thirrja ime e sinqertë si specialist dhe si profesionist i bujqësisë është që për bujqësinë, duhet të bëhen kompromise për të stopuar sa më parë korrupsionin, inkopetencën profesionale dhe situatën monopol. Shpresoj që njëherë të vetme, të mund të prevaloj arsyeja dhe nevojat e Shqipërisë mbi egoizmin dhe korrupsionin e “shokëve” të partisë.
Akoma më keq, edhe pse BE dhe donatorë të tjerë kanë dhënë disa herë fonde e projekte me para për t’i ndërtuar dhe funksionalizuar, ato nuk u ndërtuan dhe nuk funksionuan asnjëherë. Në këtë mënyrë, duke mos patur laboratore për analizat e përmbajtjes së inputeve, dhe as për përbërjen kimike të produkteve bujqësore, fermerët janë në mëshirë të fatit. Në mëshirë të fatit dhe të humorit të doganave të rajonit janë edhe eksportuesit. Në mëshirë të fatit është edhe siguria ushqimore.