Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Dita e Tokës

DITA E TOKËS
(Edhe në Viti)
Sot, në Viti dhe në gjithë botën ishte Dita e Tokës… Kjo DITË hyri në kalendarin e ditëve të shënuara në botë nga shqetësimi në rritje i degradimit të tokës dhe mjedisit nga veprimtaria e shteteve dhe ekonomive të fuqishme (kryesisht kapitaliste) eksploatuese. Kundër këtij shkatërrimi të tokës, mjedisit dhe ekosistemeve njerëzit u organizuan dhe protestuan kudo që mundën. Nga kjo Lëvizje protestuese kundër degradimit të tokës rezultoi Dita Ndërkombëtare e Tokës…
Në këtë Ditë zakonisht organizohen veprimtari të ndryshme për sensibilizimin e shoqërisë, të ndërmarrjeve dhe të institucioneve që të jenë më miqësore me tokën dhe mjedisin ku jetojmë e ku ushqehemi… Në shumë vende protestohet kundër shtetit dhe kompanive që me veprimtaritë e tyre eksploatuese degradojnë tokën dhe janë bërë kërcënim serioz për jetën në tokë!…
Kurse në Viti (besoj edhe në shumicën e komunave në Kosovë) Dita e Tokës shënohet në parkun e vogël të qytetit (s’ka tjetër!), duke vënë doreza të bardha në duar dhe duke bërë sikur po mbledhin ndonjë copë letër a ndonjë gjethe pemësh! Për këtë “veprimtari” (ritual!) del Kryetari i komunës me drejtorë e zyrtarë tjerë komunal, disa ushtarë të KFOR-it dhe disa policë! Rituali, si çdo vit edhe sivjet, filmohet nga kameramani dhe ngjarja transmetohet në televizionin e qytetit! Kaq është Dita e Tokës dhe kujdesi për tokën, mjedisin dhe ekosistemin e degraduar dhe rrezikuar seriozisht!!
Po të shikosh rretherrotull qytetit kupton se edhe qytetarët e Vitisë do të duhejë të shqetësoheshin dhe të protestonin për gjendjen ku është katandisur toka në këtë komunë… Sigurisht jo vetëm në këtë komunë!!
Jashtë perimetrit të qendrës së Vitisë dhe kudo në fshatra (jashtë oborreve të shtëpive!) toka është e pushtuar barbarisht nga plehrat dhe mbetjet e të gjitha llojeve!! Në territorin e komunës sonë (fatkeqësisht edhe kudo në Kosovë) nuk ka lum, nuk ka përrua apo prroskë që nuk është mbytur nga plehrat dhe mbetjet (sidomos ato plastike, goma, ujërat e zeza…) e të gjitha llojeve!! Nëse dikur pinim ujë në përrenjtë dhe lumenjtë tanë, sot as bagëtia nuk mund të pi ujë, sepse do të helmohet!!
Ujërat e zeza ka vite që janë futur në tuba edhe në fshatra… Por, i gjithë ky rrjet kanalizimesh ka mbetur i pa finalizuar me gropa septike!! Për impijant nuk bëhet fjalë! Të gjitha ujërat e zeza derdhen në lumenj, në përrenj dhe në natyrë të hapur, në tokën që na ushqen e na mban në jetë!! Pasojat e këtij degradimi të tokës, ujit, ajrit dhe mjedisit s’do të mund të riparohen as për 100 vite!! Kjo ndotje e tmerrshme dhe ky degradim ndikon jashtëzakonisht keq edhe në shëndetin e popullit tonë që ushqehet me prodhimet e kësaj toke skajshmērisht të ndotur…
Toka jonë, që është jeta jonë, po degradohet edhe me ndërtimin e shtëpive dhe pallateve pa pyetur se ajo është tokë buke! Qindra (mbase mijëra) hektarë tokë buke janë “shndërruar” në tokë ndërtimi dhe janë zënë me shtëpi!! Toka e zënë me shtëpi në Viti dhe rreth saj është tokë kryesisht e klasit të parë dhe të dytë!! Askush askujt nuk ia ndalon ndërtimi e shtëpisë në këtë tokë pjellore!! Përveç degradim ky është edhe krim ndaj tokës dhe ndaj brezave që vijnë pas nesh! Toka e bukës degradohet dhe uzurpohet me shtëpi banimi dhe me objekte afariste pa as një kriter edhe në fshatrat e komunës së Vitisë!!…
Për këtë degradim dhe shkatërrim të “planifikuar” do të duhejë të jepte alarmin kryetari i komunës, komuna, partitë politike, OJQ -të, mediat, shkollat (mësues e nxënës), hoxhallarë e priftërinj dhe çdo qytetar… Për këtë degradim të tokës dhe mjedisit jetësor do të duhejë të tundej shteti dhe gjithë shoqëria!!…