NË MBIJETESË NUK BËHET FJALË PËR VLERA
Në një shoqëri ku nuk jetohet por mbijetohet, nuk mund të bëhet fjalë për vlera. Prandaj edhe pjestarët e asaj shoqërie nuk jetojnë por mbijetojnë në mënyra të ndryshme.
Por jo të gjithë kanë aftësi dhe mënyra të njejta të kësaj mbijetese.
Disa njerëz mbijetojnë duke xhelozuar të tjerët, duke i penguar ata në mënyra të ndryshme për ti arritur qëllimet e veta, jetojnë duke ushtruar shtypje sistematike te të tjerët.
E tëra që duhet bërë është ti njohësh këto metoda të shtypjes sistematike. Aty ku nuk rritesh dhe zhvillohesh mos rri, ik!
E rëndësishme është poashtu të njihen motivet e këtyre shtypësve sistematik. Sipas një trajnereje të psikologjisë për zhvillimin e personalitetit, këto motive ndahen në shtatë grupe:
1. Kërcënimi
Për një kategori njerëzish ti je kërcnim. Veç ekzistenca jote, qoftë edhe në skaj të botës e bën këtë kategori njerëzish të ndihen të kërcënuar. Arsyet mund të jenë të ndryshme, sepse je më i zgjuar, më komunikativ, më i bukur, më i lumtur, më i guximshëm, më i realizuar, më emocional. Shtypësi i këtij grupi, nuk pajtohet me faktin që dikush tjetër të jetë më i mirë, më i lumtur, më i realizuar, më i pranuar se ai. Janë shumë toksik dhe të pavetëdijshëm për sjelljen e tyre. Zakonisht bëhet fjalë për narcistët dhe psikopatët.
Të takon ty ti njohësh në mënyrë që të mbrohesh prej toksicitetit të tyre.
2.Hija
Shtypësit sistematik të këtij grupi, prezenca jote i bën të ndihen nën hijen tënde. Kur janë në shoqëri me ty, atyre ju duket që nuk vërehen fare, sepse kanë përshtypje që ti ua ke zënë krejt diellin. Ju pengon drita, rrezatimi ytë dhe gjithmonë janë të koncentruar tek ti, tek drita jote të cilën bëjnë të pamundurën ta fikin. Kështu mbijetojnë ata.
3. Xhelozia
Kjo kategori e shtypësve sistematik mbijeton duke xhelozuar. Nuk dijnë ndryshe. Nuk janë zhvilluar përtej xhelozisë. Socialisht janë shumë primitiv, ndonëse mund të jenë edhe të arsimuar.
4. Pushteti / kontrolla
Kjo kategori njerëzish mbijetojnë duke ushtruar pushtet dhe kontrollë ku të mundin. Zakonisht shfrytëzojnë hierarkinë familjare, partneritetin/bashkshortësinë, apo ndonjë hierarki shoqërore tjetër si psh hierarkinë në firmën ku punojnë. Shfrytëzojnë lidhjen e gjakut, pozicionin e më të madhit në familje apo lidhjen emocionale që ke ndaj atyre.
Para tyre gjithmonë je o fajtor o borgj. Gjithmonë gjejnë ndonjë arsye për të të akuzuar. Ndërsa gjejnë dhe të nënshtruar që ju besojnë, në mënyrë që akuza kundër teje të jetë më bindëse dhe më e rëndë njëkohësisht.
5. Parazitizmi
Këta shtypës, të duan veç për vete. Ta njohin aftësinë, poenat, biografinë. Ta përdorin emrin, personalitetin si dhe të gjitha resurset tua të shumta që i ke, veç për vete. Të shtrydhin si limoni. Të shfrytëzojnë edhe fizikisht për punë, në shërbim të tyre dhe “gjenialitetit” të tyre. Dhe po patën mundësi, të fshehin si të përhiturën. Kësaj forme të shtypjes i thonë parazitare.
6. Burgu
Këta shtypës të pengojnë nëse dëshiron të shkosh, të ikësh, të dalësh nga ai burgu imagjinar në të cilin në një farë mënyre a në një tjetër ke rënë. Të pengojnë të braktisësh një lidhje, një partner, familjen toksike, apo ndonjë lidhje tjetër. Këtu shtypja manifestohet duke të bërë të vogël, duke të mvarë, duke të dobsuar, që ti të mos kesh guxim të çlirohesh e as të ikësh kurrë prej tyre.
7. Agresiviteti
Këtu bëjnë pjesë njerëzit që janë agresiv dhe kanë nevojë agresivitetin e tyre t’a zbrazin te dikush.
add a comment