Lëvizja\UÇK

Hydajet Hyseni: Zijah Shemsiu – Hero i pavdekshëm i prangave

Zijah Shemsiu – Hero i pavdekshëm i prangave

Zijah Shemsiu është njëri nga dëshmorët e prangosur dhe duarlidhur dhe, poashtu, njëri nga luftëtarët e paepur të luftës heroike për këputjen dhe shkallmimin e prangave të robërisë shekullore.
U vra në mënyrë misterioze në”CZ”, në Burgun Qendror të Beogradit, më një maj 1985, ndërsa, në 5 majin kuptimplot, Ditën Kombëtare të Dëshmorëve, nderohet e përkujtohet, në vendlindje dhe gjithandej në hapësiren shqiptare dhe, veçmas, në mërgatën atdhetare anë e kënd Evropës.
Pandemia vrastare e “Korona Virusit” e kufizoi edhe shënimin e duhur të 35-vjetorit të martirizimit të Zijahut, siç i kufizoi dhe pamundësoi sa e sa veprimtari të planifikuara përkujtimore e esploruese, por studiuesit tanë të përkushtuar, bashkëveprimtarët, bashkëvuajtësit dhe dëshmitarët e ndryshëm, do të shfrytëzojnë forma të nduarndurshme, për ta kujtuar emrin dhe për të kompletuar tablonë e pakompletuar dhe Monografinë ende të pashkruar për veprën e Heroit (të pashpallur?!), Zija Shemsiu, në kuadër të vitit jubilar të 40 Vjetorit të Paraverës shqiptare ’81.
Zijah Shemsiu u lind më 1 korrik, në një familje të njohur atdhetare të fshatit Përlepnicë, fshat ky i njohur për përparim e atdhetari; por i njohur edhe për faktin e pazakonshëm: për qindra vjet – asnjë rast vëllavrasjeje.
Bijtë e Përlepnicës kishin luftuar krah Idriz Seferit, por kishin luftuar edhe në frontin e Kikës e Ushit, edhe në Bujanoc e Ferizaj. Prej Përlepnicës ishin nisur luftëtarët e Mulla Idrizit për të mësyrë Gjilanin. Shtabi i Mulla Idrizit ishte vendosur në shtëpinë e Zenel Shemsiut, gjyshit të Zijahut.
Që nga vitet e hershme të rinisë, si nxënës i shkollës fillore në fshatin e lindjes e pastaj edhe si normalist në Gjilan, tok me moshatarë e bashkëvendës, midis të cilëve shquheshin Fatmir Salihu. Irfan Shaqir e Xhavit Ahemti, ai angazhohet në forma të ndryshme të aktiviteteve artistike, teatrore e muzikore. Ishte i talentuar edhe si aktor, edhe si këngëtar, sportist dhe instrumentalist e valltar i apasionuar.
Gjatë viteve të shkollimit të mesëm, Zijahu njihet dhe miqësohet me veprimtarë politikë të asaj kohe, midis të cilëve edhe Rexhep Mala, Isa Kastrati, etj. Tok me ta lexon, shkëmben dhe shpërndan literaturë të ndaluar patriotike . Ai bënte pjesë në bërthamën politike që në nëntorin e vitit 1968 do të organizojë demonstratat në Gjilan. Zijahu ishte në radhët e para të demonstruesve dhe ishte midis atyre që shpërthyen me gjoks kordonin e udhëheqësve politikë dhe policëve që tentonin ta ndalnin dhe ta shpërndanin demonstratën. E gjithë kjo Zijahut do t’i kushtojë me ndjekje, burgosje, rrahje e mundime, por asgjë nuk mund ta ndalte në rrugën e nisur.
Kushtet e jetës e detyruan Zijahun që të ndërpresë studimet ende pa i filluar mirë dhe t’ia mësyjë rrugës së dhimbshme të kurbetit.
Qëndrimin e gjatë në kurbet ai e shfrytëzoi për t’u pajisur me kulturë të gjerë e univerzale, për të mësuar e perfeksionuar gjuhët e shumta ( frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanisht, anglisht) por edhe për të thelluar e zgjeruar edhe idetë patriotike e liridashëse. Ai jo vetëm që lexon dhe shpërndan midis mërgimtarëve literaturë klandstine patriotike, por edhe vendosi kontakte të shumta me mërgimtarë patriotë si dhe miq të ndryshëm të shqiptarëve nga vendet mikpritëse dhe nga mërgimtarët e popujve të ndryshëm që jetonin e punonin në Zvicër.
Pranverën e vitit 1981 Zijahu e përjetoi si kthesë të madhe e të shumëpritur, si rimëkëmbje të Kosovës dhe lëvizjes së saj kombëtare, si ripërtëritje të kërkesës së mirënjohur për Kosovën-Republikë,si shkallare të zgjidhjes së drejtë e të qëndrueshme të çështjes shqiptare. I rreshtuar në radhët e Lëvizjes për Republikën, përkrah Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës, Hasan Malës etj.,Zijahu ishte njëri nga më të angazhuarit dhe më të palodhshmit në organizimin e demonstratave, mitingjeve e protestave të shumta që u organizuan nëpër vendet e ndryshme evropiane. Siç do të përgjigjej më vonë edhe para trupit gjykues në Beograd, në manifestimet e atjeshme për Kosovën, ai thjesht nuk kishte “asnjë mungesë, as të arsyeshme, as të paarsyeshme” dhe zakonisht ishte në ballë të tyre. Aty ku flitej, protestohej, punohej e luftohej për Kosovën, aty ishte edhe Zijah Shemsiu. Ai ishte nimsëtari i prishjes dhe pamundësimit të mbledhjeve diferencuese që autoritetet jugosllave kishin organizuar nëpër klubet e shoqatat kosovare në mërgim dhe njëri nga më të angazhuarit në shpërbërjen e klubeve jugosllave dhe shndërrimin e tyre në klube atdhetare sipas modeleve të klubeve dhe kolonive atdhetare të Lëvizjes së Rilindjes Shqiptare
Zijahu ishte njëri nga të ftuarit dhe organizatorët e dasmës historike e përbashkuese të Kadri Zekes dhe Saime Isufit . Aty ishin edhe Jusufi, Bardhoshi e shumë veprimtarë atdhetarë të orëve të para të organizatave dhe grupeve patriotike. Ishte dasmë bashkimi, dasmë betimi për punë e luftë deri në fitore…
Rënia heroike e Tre dëshmorëve, vetëm 2-3 javë më vonë e goditi rëndë Zijahun, por nuk e ligshtoi… Ai u betua përsëri për ta vazhduar me përkushtim edhe më të madh për të realizuar amanetin e shokëve dëshmorë për luftë deri në kurorëzimin me fitore. Dhe kështu bëri…
Zijahu ishte një nga prijatarët e Lëvizjes për Republikë dhe i përkiste bërthames së atdhetarëve që e mbajtën të gjallë e të pashuar flakën e luftës për liri. Gjithë kohën dhe gjithë pagën dhe kursimet e tij i shkrinte për Kosovën dhe kauzen e saj. “Edhe sikur gjithçka që kemi, ta japim për Kosovën, përsëri pak është”, thoshte Zijahu .
Zijah Shemsiu u përkiste djemve të Kosovës që e donin fort Shqipërinë. Motoja e rilindasve: ” Shqipëri – të qofsha falë! ; Të kam Nënë e më ke djalë”, ishte moto e tij jetësore. Vizitat në Shqipëri dhe takimet e atjeshme të ngrohta dhe vëllazërore, për të ishin përjetim i paharruar dhe frymëzim i ri për sfidat e reja.
Ashtu si Rexhep Mala edhe Zijahu ishte nga ata veprimtarë e atdhetarë që qysh herët ishin të bindur për domosdonë e pashamngshme të ballafaqimit të armatosur me pushtuesin shovinist serbomadh për planet e tij gjenocidale. Kjo ishte arsyeja pse Zijah Shemsiu me shokë, jo vetëm që studion nga afër përvojën kryengritëse të popujve tjerë, por ndër të parët organizon aktivitete përgatitore e stërvitore për luftën guerile që po afrohej dhe që dukej gjithnjë e më e pashmangshme . Të vetëdijshëm për mangësitë e mëdha në këtë drejtim, Lëvizja në mërgim në koordinim me Rexhep Malen me shokë organizon dhe realizon zgjeron dhe konsolidon rrjetin e veprimtarëve për futjen e literatures, teknikës dhe armatimit në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Lista e emrave në vijim, e bërë nga bashkëveprimtarët e Zijahut, është vetëm një pjesë jo e plotë e veprimtarëve te devotshëm e të pakursyer të angazhuar në forma të ndryshme veprimtarie brenda dhe jashtë atdheut: Hasan Mala, Saime Isufi, Xhafer Shatri, Rrustem Mahmutaj, Taip Zeka, Ahmet Isufi, Sami Kurteshi, Kadri Abdullahu, Ismet Rashiti, Shahin Ajdini, Kadri Rexhepi, Ilaz Krasniqi, Sali Basha, Zahir Kamberi, Nuhi Muhadri, Halil Mala, Saqip Zymberi,Haqif Krasniqi, Nexhmedin Ahmetaj ,Jakup Halimi, Shyqeri Ukshini, Elfi Agushi, Rexhep Halimi, Qamil Isufi, Hasan Kadriu, Qamil e Januz Salihu, Selman Kllokoçi, Arif Idrizi, Hevzi Thaçi, Ilaz Bajrami, Hajdin Daka, Rashit Rashiti, Hajdar e Adem Sadrija, Shefket Musliu, Nazif Haziri, Saqip Zymberi, Ragip Rexhepi, Gafurr Qalaj, Ejup Ahmeti, Enver dhe Zahide Avdullahu, Vehbi Kastrati, Zydi Adem Islami, Beat Schaffer, Kathrin Asal, Sarah Gretler dhe sa e sa të tjerë poashtu të përkushtuar dhe të merituar që duan përfshirë në listën e kontribuesve të pakursyer… Shumë nga armët që i janë kundërpërgjigjur armës vrastare shoviniste, teknika e shtypit, komunikimit dhe veprimtarisë ilegale dhe mijëra ekzemplarë gazetash, revistash e librash te ndaluara, që qarkullonin atëbotë, janë futur në Kosovë, nga Zijah Shemsiu dhe shokët e tij.
Ëndërr dhe përkushtim i Zijah Shemsiut dhe shokëve të tij ishte organizimi i një Ushtrie Çlirimtare që do t’i dilte zot Atdheut. Ai ishte njëri nga paraprijësit dhe pararendësit të UÇK-së heroike, organizimit, konsolidimit armatosjes dhe epopesë së saj të lavdishme.
Në tetor të vitit 1983, Zijah Shemsiu së bashku me shokun e tij, Sami Kurteshin, arrestohet në një pritë që i ishte kurdisur tinëzisht, në afërsi të Beogradit. I arrestojnë edhe babanë plak Hasanin dhe dy vëllezërit, Shabanin dhe Fetahun, praktikisht, të gjithë meshkujt e familjes. Për një kohë të gjatë gjithë familja e madhe atdhetare Shemsiu, ishte mbajtur në gjendje rrethimi e burgu shtëpiak. Por as kjo, as torturat shtazarake, të cilave iu ekspozua për shtatë muaj me radhë nuk e thyen dhe nuk e luhatën nga përcaktimet e tij. Edhe para policisë, në hetime, edhe para trupit gjykues, ai mbrojti me guxim e vendosmëri jo vetëm kërkesën për Republikën e Kosovës, por edhe luftën e ligjshme për liri të plotë kombëtare…
I fortë e i pamposhtur ishte qëndrimi i Zijah Shemsiut edhe pas dënimit me 13 vjet burg. Para se të burgosej, Zijahu mbante lidhje me shokët e burgosur dhe bënte plane për lirimin e tyre nga burgu, ndërkaq edhe gjatë qëndrimit në burg ai kurrë nuk pushoi veprimtarinë atdhetare e çlirimtare si dhe përpjekjet për të organizuar arratisjen e tij dhe të shokëve nga burgu.
Burgu i rëndë që iu shqiptua, Zijahun e forcoi edhe më shumë. Me dënimin e shqiptuar ai thjesht tallej: “po më mbetet merak që nuk m’i rrumbullakësuan të 15 vjetët dënim”, thoshte në shaka, por thoshte edhe fare seriozisht, se i mbetej merak që në vend se në autostradë të Beogradit të ishte provuar arrestimi i tij në shtëpi, ku ai kishte një arsenal të tërë armësh. Do të ishte përsëritur, thoshte Zijahu, epopeja e Tahir Mehës në Prekazin heroik .
Zijahu ishte njeri i aksionit, por në të njejtën kohë ai edhe lexonte shumë. Pos literaturës shqipe, ai lexonte në gjuhë të ndryshme, edhe literaturë botërore. Pak para se të vritej, ai i kishte hyrë edhe njëherë leximit me pasion të veprave të Shekspirit, të cilat i pëlqente aq shumë .
Ashtu si gjatë hetimeve, edhe gjatë vuajtjes së dënimit, Zijahu ishte i shembull i qëndresës dhe pamposhtjes. Dora e tij nuk shkroi asnjë lutje, asnjë kërkesë a ankesë… E vetmja shkresë që nënshkroi, bashkë me shokë bashkëhartues dhe bashkënënshkrues, ishte letra e hapur, dërguar organeve më të larta partiake e shtetërore, me anën e së cilës ai dhe të dënuar të tjerë politikë,( Ali Ldemaskonin shpifjet dhe trillimet dhe mbronin edhe njëherë hapur kërkesat e drejta e të ligjshme të popullit. Teksti i kësaj letre është gjetur nga familja në veshjen e Zijahut të vrarë, dhe është botuar nga shokët e Lëvizjes si libër me titullin e mirënjohuar : “Ngjarjet në Kosovë, nuk janë kundërevolucion”.
Vetëm pak ditë pas dorëzimit të Letrës së hapur, familjes Shemsiu, i komunikohet lajmi për kinse “vdekjen natyrale” të Zijahut, pa kurrëfarë arsyetimi për shkakun e vdekjes. Por shkaqet e vërteta diheshin dhe merreshim me mend. Ditë më parë ishin shpërndarë nëpër burgje të ndryshme të gjithë shokët e dhomës së Zijahut, dhe të gjithë pa përjashtim i ishin ekspozuar një dhune fizike të egër, brutale e shtazarake.
U vra në mënyrë misterioze në”CZ”, në Burgun Qendror të Beogradit, më një maj 1985, ndërsa, në 5 majin kuptimplot, Ditën Kombëtare të Dëshmorëve, nderohet e përkujtohet, në vendlindje dhe gjithandej në hapësiren shqiptare dhe, veçmas, në mërgaten atdhetare anë e kënd Evropës.
Më 6 maj të vitit l985, një kolonë e gjatë njerëzish, bashkëfshatarësh, shokësh, miqësh e dashamirës të Zijahut dhe të çështjes së tij, i jepte lamtumirën e fundit, Zijahut të tyre, të mbështjellë me flamurin që aq shumë e deshi. Ishin të kota presionet e pushtetarëve dhe misionarëve të UDB-ës për ta bojkotuar varrimin e Zijasë dhe familjen e tij. Përlepnicasit këtë turp nuk e kishin gëlltitur kurrë .
Mbetet e paharruar qëndresa e pazakonshme e nënë Lutfijes, në momentin e takimit me trupin e pajetë të birit të saj të dashur si dhe qëndresa e babait të tij Hasanit dhe vëllezërve Shabanit dhe Fetahut, të ngujuar në burgjet famëkeqe shoviniste.
Por UDB-ja famëkeqe dhe regjimi gjakatar shovinist nuk u mjaftuan me kaq. Ata tentuan ta vrisnin edhe njeherë Zijahun e vrarë dhe gjithë familjen e tij me anë të famëkeqes “Afera Martinoviç”. Me metodat më të egra, më të ulëta dhe më të pështira ,të luftës speciale, po synohej që akti i turpshëm i Martinoviçit devijant t’i mvishej familjes së rrespektuar të dëshmorit Zija Shemsiu, madje konkretisht babait dhe vëllezërve të tij, edhe pse ata po vuanin dënimin brenda mureve dhe grilave të burgut famëkeq të Pozharecit. Verbëria e urrejtjes dhe maliciozitetit shovinist u kishte vërbuar sytë dhe u kishte turbulluar mendjen sa të shënojnë edhe autogola të tillë të politikë. Megjithate familjarëve të Zijahut, zullumi i gjithanshëm shovinist nuk u kaloi pa pasoja. Nga dhembja,stresi dhe vuajtja e pabërballueshme vetëm, pas ndonjë viti pushuan zemrat e përvëluara e atdhetare të prindërve të Zijahut, Hasan dhe Lutfije Shemsiu.
Në themelet e lirisë, pavarësisë dhe të arriturave tjera në Kosovën martire, qëndron e gravuar për jetë edhe vepra e pavdekshme dhe kontributi i gjithanshëm i Zijah Shemsiut. Emri dhe përkushtimi i Zijah Shemsiut ka gëzuar dhe gëzon gjithandej rrespekt e mirënjohje dhe pa dyshim që në të ardhmen do të ketë vlerësim dhe trajtim edhe më të denjë dhe më meritor. Emri dhe vepra e Zijahut është përjetësuar në filmin dokumentar “Atdhe të qofsha falë” si dhe në këngë, poezi dhe shkrime publicistike…Me emrin e Zijah Shemsiut janë pagëzuar rrugë, shkolla, shtëpi kulture etj. dhe ka ide e kërkesa qe t’i ngritet edhe një përmendore përkatëse. Presidenti i Shqipërisë e ka dekoruar Zijah Shemsiun me “Urdhërin e Shqiponjës”, kurse presidentja e Republikës së Kosoves e ka dekoruar Heroin me “Urdhërin e Lirisë”.
Heronjtë e prangosur shqiptar janë të shumtë dhe drejtësia e vonuar për ta dhe për vrasjen e tyre është jo vetëm drejtësi e mohuar por edhe e drejtësi e harruar e minimizuar dhe e shtrembëruar.
Brezat e tashëm dhe brezat e ardhshëm u kanë borxh dëshmorëve të pavdekshëm, vlerësimin e drejtë, respektin për përpjekjet dhe flijimet dhe, mbi të gjitha, e kanë obligim vazhdimësinë e kauzes dhe idealeve të përbashkëta.
HH.