Lëvizja\UÇK

Xh. Gjini: Nënë Fatimja e Lëvizjes dhe e Luftës Çlirimtare

NËNË FATIMJA E LËVIZJES DHE E LUFTËS ÇLIRIMTARE
Nëna Fatë, siç e thërrasin, po i afrohet 90 vjetorit të lindjes. Jeta e saj ishte përpjekje dhe luftë për lirinë e trojeve të pushtuara shqiptare. Të shtatë fëmijët e saj (5 djemë e dy vajza) ishin veprimtarë, luftëtarë dhe drejtues të LËVIZJES dhe LUFTËS ÇLIRIMTARE. Bajrushi dhe Emrushi e vazhduan luftën me mjete politike edhe pas çlirimit të Kosovës shqiptare si deputetë e drejtues partish…
Nëna Fatë u bë pjesë dhe frymëzuese e përpjekjeve, qëndresës dhe luftës për liri përkrah bijëve e bijave të saj dhe përkrah LËVIZJES E LUFTËS PËR LIRI E BASHKIM KOMBËTAR. Përballja me politikën, presionin, dhunën dhe terrorin shtetëror pushtues ishte e përditëshme që nga viti 1979 kur kishte rënë në burg Emrushi. Dy – tri vite pas tij ishin arrestuar e dënuar edhe Bajrushi e Nazifja me shumë vite burg, bashkë me djemtë e motrës së saj (Nënë Sofijes): Gursel e Bajram Sylejmanin, Dëshmorë të Atdheut… Bajrushi ishte riarrestuar dhe ridënuar me burg të rëndë nga pushtuesi edhe në vitin 1993 (gjithësejt 22 vite burg, i ka mbajtur 14 vite).
Nëna Fatë ishte nënë e baba për shtatë fëmijët e saj, sepse babai Muharremi u kishte vdekur qysh në vitin 1979. Ajo i kishte rritur dhe edukuar fëmijët e saj me shumë dashuri, mund e sakrificë prej Nëne shembullore që t’i bëheshin krah çështjes shqiptare, pjesës së pushtuar të Shqipërisë. Bijtë e saj, që në moshë të re iu futën “valles” së përpjekjeve dhe luftës për liri. Përkrah tyre Nëna Fatë, që u jepte zemër dhe i motivonte me forcën, trimërinë dhe qëndresën e një Nëne Heroinë përballë presionit, shantazhit dhe dhunës së autoriteteve të pushtuesit dhe kolaboracionistëve (sahanlëpirësve).
Shtëpia e saj ishte kthyer në vatër dhe bazë të sigurt për veprimtarët dhe luftëtarët e LËVIZJES dhe të LUFTËS ÇLIRIMTARE. Bastisjet e shtëpisë, kërcënimet, keqtrajtimet dhe dhuna psikologjike e fizike që ushtrohejë ndaj saj në zyrat terroriste të UDB – së nuk e trembën dhe nuk e thyen për as një çast Nënën Fatë. Ajo edhe kur i bastisej shtëpia, edhe kur merrej në hetuesi i mbronte me zë të lartë dhe pa iu dridhur qerpiku i syrit bijtë e saj dhe kërkesat e LËVIZJES dhe të popullit të pushtuar shqiptar, tamam si Nënë e LËVIZJES…
Nēnë Fatimja për dy dekada (1979 – 1999, kur doli nga burgu Bajrushi, pas çlirimit) u kishte qëndruar pranë bijëve të saj që mbaheshin në burgje të ndryshme të Jugosllavisë komuniste pushtuese.
Rruga për t’u shkuar në vizitë bijëve të saj ishte e mundimshme. Pritjet e gjata para dyerëve të gjykatave e të burgjeve të pushtuesit dhe përballja me presionet dhe shantazhet e tyre nuk e lodhën dhe nuk e dëshpëruan kurrënjëherë Nēnën Fatë, e cila u jepte kurajo dhe motiv për të qëndruar të pathyeshëm edhe bijēve të saj.
Ajo i kishte përballuar me heroizëm prej Nëne shqiptare edhe presionet dhe shantazhet e organeve terroriste të pushtuesit kur i kishin kërkuar të fliste serbisht me djalin e saj në burg, Bajrushin… “Ne jemi shqiptarë dhe kemi gjuhën tonë”, u kishte thënë Nëna Fatë dhe kishte protestuar e kishte këmbëngulur të fliste shqip dhe vetëm shqip… Protesta dhe kēmbëngulja e saj i kishte detyruar të lëshonin pe organet terroriste të pushtuesit, duke njohur gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj për të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe familjet e tyre që u shkonin për t’i vizituar.
Krenaria, vendosmëria dhe qëndresa e Nënë Fatimes u bënë shembull dhe inkurajim edhe për shumë nëna e familje shqiptare që udhëtonin ditën e natën (ku me autobus e ku me tren), duke pritur në stacione autobusësh e trenash për të shkuar t’i takonin në burgje bijtë e tyre atdhetarë e liridashës… Nëna Fatime dhe mijëra nëna shqptare që ishin krah i pathyeshëm i LËVIZJES dhe qëndresës shqiptare duhet të jenë shembuj për nënat e reja shqiptare, të cilat duhet të rrisin dhe edukojnë bijë e bija të përkushtuara për zhvillimin dhe përparimin e Atdheut dhe për mbrojtjen e tij… Bijë e bija që do të punojnë e luftojnë për çlirimin dhe bashkimin e çdo pëllëmbe tê tokës shqiptare në një Shqipëri.
Edhe sot, në moshë të shtyrë, Nënë Fatimja nuk dorëzohet… Është e kënaqur që përpjekjet, lufta, vuajtjet dhe sakrificat e mēdha u kurorëzuan me çlirimin edhe të 10887 km² të tokës shqiptare. Ajo ka krenarinë e ligjshme se ishte pjesë e pandashme e kësaj përpjekjeje dhe lufte të madhe për liri bashkë me shtatë fëmijët e saj dhe me bijtë e motrave dhe familjet e tyre, bashkë me LËVIZJEN që i dha kombit dhuratën më të madhe, USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.
Pasi e përqafuamë, bashkë me Binakun, i uruam Nënës Fatë shëndet e pleqëri të bardhë!