Kulturë\Letërsi

“MBI TË VËRTETËN DHE VETËM TË VËRTETËN” (Tregim)

Megjithëse kishin hyrë në zonën e ndalim-qarkullimit, ata të tre, po kënaqëshin me ndjenjën që të jep vullneti rebelues prej shkelësi dhe shija e verës së vjetër njëzet vjeçare. Në restorantin “Ardhmëria”, pikërisht në bodrumin e tij, aty ku ditën nuk pihej duhan, midis mjegullave të tymit, të tre “ilegalët”, me shumë hare, e kaluan edhe kufirin që ndante të shtunën nga e diela. Pikërisht në atë çast ndodhi e çara e parë. Një e çarë që bënte shtrat që nga krijimi i botës, lufta midis të Vërtetës dhe Gënjeshtrës. Ata qenë miq të mirë dhe nuk mbanin mend të ishin acaruar deri atëherë për një hiçgjë si kjo puna e filozofemës për të Vërtetën dhe Gënjeshtrën. Gjithnjë kishin menduar se, sidomos kjo puna e së Vërtetës (dhe vetëm së vërtetës), s’ishte veçse një formulë mashtrimi e Betimit në gjykatë. Mu këtu shpërtheu zjarri i mallkuar i mospajtimit dhe zënkës kur, njëri nga të tre, nxitur nga një dyshim i pashpjegueshëm, këmbënguli për të Vërtetën absolute. Ja, po ju jap një shembull kokëfortë, – tha ai, – a mund të kontestohet fakti se sot është e diel dhe vetëm e diel? Ç’na the edhe ti!? – ndërhyri i dyti. Jo se kjo është relative, por është e kundërta. Sot, pikërisht tani, është e hënë në Zelandën e Re.Sipas kodit të mirësjelljes dhe rendit logjik nuk duhej të mungonte as gjykimi i të tretit, dhe ai qiti e tha: Qysh e di unë, dhe kjo është “e vërteta dhe vetëm e vërteta”, pikërisht në këtë çast, në Amerikë është ende e shtunë dhe vetëm e shtunë.Kur pritej tashmë që shamata të kapte kulmin, ndërhyri kamerieri me të vërtetën e tij, në vend të kuponit fiskal, me faturën e hollë prej letre dhe me shifrën e trashë të monedhave.Të tre “ilegalët” me inat e çakërqejf dolën në botën e vërtetë, reale, sapo kishte ikur mesnata. “Ej, qytetarë, ndaloni! – erdhi një zë polici prej gjirit të gjysmëterrit. – Keni shkelur vendimin e qeverisë për ndalim-qarkullim në kohën e pandemisë, Covid 19”.Po kjo? Të jetë e vërteta dhe pikërisht e vërteta vetëm kjo…?