25 vjet të themelimit të medieve të luftës
NË FLAKËT E LUFTËS PËR LIRI LINDËN MEDIET E LUFTËS
I.
Nëntor 1998, Krojmir: Zëdhënësi i SHP, J. Krasniqi më njofton se në Shtabin e Përgjithshëm kishte mbërri një pajisje e radios, e cila duhej të funksionalizohej sa më parë që ishte e mundur. Ia paraqes atij edhe idenë për formimin e një agjencie lajmesh, e cila, i them, mund të bëhet me pak mjete. I porosisim menjëherë furnizuesit tanë, Ilmi Ramadanin dhe Fatmir Xhelilin, të siguronin mjete te donatorët dhe të blenin pajisje të nevojshme, sipas listës që ia dhamë. Nuk vonoi shumë dhe në Krojmir na vijnë pajisjet e kërkuara. Propozimet, në formë të një projekti, ia paraqesim me shkrim Shtabit të Përgjithshëm për formimin e dy institucioneve; agjencisë dhe radios. Shtabi, në një mbledhje më 13 nëntor 1998, miraton në tërësi propozimet tona dhe emëron përgjegjësit për dy mediet në themelim; Berat Luzhën, për agjencinë dhe Ahmet Qeriqin, për radion. Gjithashtu, kishte emëruar D. Goranin, drejtor të Drejtorisë për Informim Publik dhe B. Luzhën, zv/drejtor.
Zëdhënësi i SHP jep një afat që radion ta lëshojmë për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin. Për këtë tha, duhet të takohesha menjëherë me një ekip ekspertësh, që kishte ardhur nga Prishtina për ta instaluar aparaturën e radios, deri në transmetim. Shpreha habinë time për afatin aq të shkurtër, gjithësej katër-pesë ditë, ndaj e luta Jakupin dhe Ramën (Bujën) që gjithashtu të vinin në takim me ekspertët, për të parë nëse ishte e mundur të realizohej puna në këtë afat. Pas një udhëtimi të gjatë në një natë të ftohtë me borë e acar, i takojmë ekspertët, të cilët do të na ndihmonin për ta aktivizuar radion. Për fat, edhe ata e përjashtuan afatin dhe mbeti që të punohet intensivisht edhe pas 28 Nëntorit, sepse kërkohej kohë, mund dhe precizitet, pasi puna ishte mjaft e ndieshme. Në ndërkohë, duhej të sigurohej edhe ekipi profesional gazetaresk, që duhej të punonte, por që nuk gjendej lehtë.
Nga Gjermania në frontet e luftës kishte ardhur ish-gazetari i Radio-Prishtinës, Martin Çuni. Në ekipin përgatitor menjëherë u angazhua profesori Nezir Myrtaj, bashkëpunëtor shumëvjeçar nga Prishtina i “Zërit të Kosovës”. Inxhinjeri i elektros, Isa Krasniqi, i plagosur në luftë, gjithashtu iu bashkangjit ekipit tonë. Edhe Nusret Pllana, i ardhur në SHP për të punuar në sektorin për financa, megjithatë erdhi me ne. Ftesës iu përgjigj edhe gazetari i “Rilindjes”, Qemal Aliu. Ekipit iu bashkangjit edhe luftëtari, që kishte përvojë të punës në radio, Habib Zogaj dhe studenti Metë Bytyçi. Më vonë në Redaksi kanë ardhë edhe Ismet Sopi, Besnik Berisha, Valdet Hoti, Fatmir Dugolli. Në Kosovë ishin të angazhuar dhjetra bashkëpunëtorë, veçanërisht nga njësitë e UÇK-së në të gjitha zonat dhe brigadat. Me agjencinë bashkëpunonin që nga ushtarët e deri te komandantët e zonave operative, veçanërisht ata që ishin të angazhuar për informim publik në njësitë ushtarake. Mirëpo, bashkëpunëtorët vinin edhe nga radhët e popullsisë civile, si ata në Prishtinë, në Gjakovë etj.
Agjencia “Kosovapress”, të cilën fillimisht e kishte ndihmuar gazeta “Zëri i Kosovës” në Zvicër, duke ia lënë për disa ditë në disponim faqen e vet në internet, kishte hapur zyrën e vet, përfaqësinë në Zvicër, prej nga plasoheshin informacionet në internet, shumë prej të cilave përktheheshin edhe në tri gjuhë të huaja. Aty punonin me përkushtim Skënder Krasniqi, Bekim Krasniqi, Isak Zhitia e të tjerë. Zyra tjetër e “Kosovapress”-it, me udhëheqës Nuhi Paçarizin, ishte hapur në kryeqytet, në Prishtinë. Më vonë, një zyre tjetër, në krye me Bekim Qollakun, ishte hapur edhe në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Korrespondentura në Bruksel, me z.Ekrem Krasniqin, ishte nga më të angazhuarat në kryeqytetin e Evropës. Kurse, korrespondentë agjencia kishte edhe në Nju-Jork – Naim Balidemajn, në Zvicër – Ismet Rashitin, në Gjermani – Sylë Ukshinin, në Danimarkë – Ibrahim Xhemaili. Njëra ndër korrespondentët më të zellshëm ishte Fitnete Ramosaj nga Zona Operative e Dukagjinit.
Të theksojmë se Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje e ka përcjellur më mirë se çdo medie tjetër agjencia jonë përmes korrespondentit E. Krasniqi. Informacionet nga Rambujeja ishin përherë origjinale, të shpejta, të shumta dhe të freskëta.
II.
4 Janar 1999, Berishë: Ishte ndër ditët më të shënuara të luftës sonë çlirimtare. Atë ditë luftëtarët e lirisë shkrepën armët edhe për gëzim, duke përuruar kështu lëshimin në etër të valëve të radios së parë kombëtare në Kosovë. Atë ditë radio “Kosova e lirë” emetoi nga territori i lirë komunikatën e Shtabit të Përgjithshëm për themelimin e Agjencisë dhe të Radios, përcjellë me këngën luftarake të V. Kukajt: “Ndalu vëlla ta puthi pushkën”. Kurse, agjencia shtetërore informative “Kosovapress” plasoi në internet lajmin për themelimin e institucioneve të para shtetërore. Lajmi për themelimin e institucioneve të UÇK-së mori dhenë, por më shumë i gëzoi vetë luftëtarët, ushtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u bënë edhe me dy “armë” shumë të fuqishme në luftën titanike kundër armikut shekullor.
III.
Dy motrat binjake, të lindura në flakën e luftës për liri, filluan të rriteshin, duke thithur aromën e barotit. Ekipi filloi të zgjerohej, programi të rritej, emisionet të zgjateshin, lajmet të shtoheshin.
“Kosova e lirë” mbulonte me valë pothuajse tërë Kosovën, kurse emisionet e saj shtoheshin gjithnjë. Ishte bërë kjo radioja më e parapëlqyer dhe më e dëgjuar, ishte bërë burim shprese e frymëzimi për popullin, që tashmë ndodhej para agut të lirisë, por edhe përballë rreziqeve të mëdha e të shumta që sillte armiku. Ora 16 e çdo dite shënonte kohën dhe zërin autentik të Kosovës vërtet të lirë, sillte jehonën e luftës çlirimtare, krismat e lirisë në çdo shtëpi dhe te çdo shqiptar. Ky zë emblematik pritej me interesim dhe me padurim kudo dhe te çdokush.
“Kosovapress”-i tashmë ishte shndërruar në një agjenci prestigjioze e lajmeve, e krahasuar, sipas vizitorëve, me agjencitë më të mëdha botërore. Me informacionet e saj të dorës së parë, nga zjarri i luftës, shërbeheshin mediat kombëtare e ndërkombëtare, shumë qarqe politike, diplomatike e ushtarake botërore, duke përfshirë edhe Aleancën Veriatlantike.
IV.
Mars 1999, Berishë: Ishte dita e 27 marsit 1999, vetëm tri ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, kur dy aeroplanë të armikut ishin ngritur ulët dhe fluturonin shpejt për të likuiduar bazën e informimit publik të UÇK-së. Ata, me bomba-kasetë (shpërdarëse), që janë të ndaluara me konventa ndërkombëtare të luftës, e gjuajtën selinë e medieve të luftës. Bombat e njërit aeroplan ranë në oborrin e një shtëpije në skajin e njërës lagje të Berishës, që vranë Elbasanin 15-vjeçar, djalin e dëshirit dhe plagosën 7 persona të një familjeje. Aeroplani tjetër i huqi bombat jashtë lagjes, pa pasoja në njerëz.
Në pamundësi të vazhdohej puna e mëtejshme në selinë e deriatëhershme, në odën e Riza Berishës në Berishë, dy institucionet detyrohen të dalin në mal. “Kosova e lirë” pushon për një javë emetimin, për të krijuar kushte të reja pune, bunkerin, kurse “Kosovapress”-i vendoset në shtëpinë e Sinan Gegajt në Katundin e Ri, jo larg nga Berisha. Prej këtu rrugët e binjakeve fillojnë të ndahen. Megjithatë, bashkëpunimi mes tyre ka vazhduar deri në çlirimin e Kosovës dhe kthimin e tyre fitimtar, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në kryeqytet, në Prishtinë.
V.
Përfundim. Dy institucionet e para reale informative të Kosovës, dy binjaket e lindura në flakët e luftës për liri, e kryen një detyrë të rëndësishme dhe fisnike, të cilën atyre ua ngarkoi e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Binjaket pra, u bënë zëdhënëse besnike dhe autentike të luftës sonë çlirimtare, duke e çuar zërin e krismave të pushkëve të lirisë anembanë Kosovës, në çdo shtëpi dhe te çdo shqiptar, duke e çuar atë zë në të katër anët e botës, si një jehonë të jashtëzakonshme të luftës sonë të drejtë çlirimtare e vendimtare.
Agjencia mbante edhe kontakte të drejtpërdrejta me shumë media të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, si me TVSH, me DW (V.Saraqinin), me kanalin televiziv turk NTV (B.Rushitin), me shumë televizione, radio, gazeta e agjenci botërore, por edhe me struktura politike e diplomatike, si KDOM etj. Aty gjenin strehë edhe gazetarë të vendit e të huaj, me qëndrim në zonat e lira, të kontrolluara nga UÇK, kurse, pos të tjerëve, për radion e agjencinë shkroi dhe incizoi emision edhe ekipi televiziv i BBC, Shërbimi Botëror, me gazetarin e njohur, z. Llojd.
***
Agjencia “Kosovapress” dhe radioja “Kosova e Lirë” shpërndanë jehonën e pushkëve të lirisë anekënd atdheut tonë dhe në tërë botën, sidomos gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, kur kishin heshtur të gjitha mediat tjera në Kosovë. Kështu, misioni informativ i “Kosovapress”-it dhe i “Kosovës së lirë” ka marrë peshë të jashtëzakonshme. Ndaj, duhet ta shënojmë 4 Janarin, si një ditë të shënuar të gazetarisë shqiptare dhe, në përgjithësi, si një ditë të lavdishme të luftës sonë çlirimtare.
add a comment