Pas kuintave, zyrtarët amerikanë gjithashtu besojnë se Izraeli e ka të kufizuar kohën në dispozicion për të realizuar objektivat e veta kundër Hamasit, para se reagimi ndërkombëtar për pasojat te civilët të arrijë kulmin. Në fakt, burime thonë se ky çast mund të vijë shumë shpejt dhe presioni mbi qeverinë amerikane dhe Presidentin Biden për të bërë thirrje për armëpushim mund të jetë shumë i lartë.
Në terren, nuk ka asnjë shenjë që operacioni ushtarak i Izraelit po ngadalëson. Dy persona me dijeni mbi ngjarjen thanë për CNN se administrata Biden u vu veçanërisht në pozitë të vështirë pas bombardimeve të kësaj jave në një kamp refugjatësh në veri të Gazës dhe publikimit të skenave të vdekjes dhe shkatërrimit atje.
“Problemi për Izraelin është se kritikat sa vijnë e shtohen, edhe nga radha e miqve më të ngushtë”, tha për CNN një zyrtar i administratës.
Burimet thanë për CNN se Biden gjithashtu i ka thënë Natanyahut se është i shqetësuar edhe për dhunën në rritje që po ushtrojnë izraelitët e vendosur në Bregun Perëndimor kundër palestinezëve. Administrata Biden dhe vetë presidenti i kanë bërë thirrje Izraelit që të lejojë pauzat humanitare dhe të rikthejë disa të drejta të cilat deri më tani ia ka hequr popullsisë civile, si interneti, karburanti dhe uji.
Netanyahu mësohet se i ka refuzuar me këmbëngulje disa nga këto të drejta, duke u shprehur edhe publikisht se nuk do të ketë armëpushim nëse nuk lirohen pengjet që Hamasi mban në Gaza. Zyrtarët e Pentagonit besojnë se Izraeli po godet me saktësi bazat e Hamasit, por mbeten të shqetësuar se numri i viktimave nga radhët e civilëve është shumë i madh.
p.c. / dita