Vështrim/Analizë

Prof. dr. Sabri Kiçmari: Lufta e ftohtë dhe detanti

Prof. ass. dr. Sabri KIÇMARI: LUFTA E FTOHTË DHE DETANTI
Në librin “Lufta e ftohtë dhe detanti”, i cili është botuar në vitin 1976 në Prishtinë, Ukshin Hoti përshkruan doktrinën dhe instrumentet e politikës ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë, karakterin e kësaj lufte, investimet në armatim të dy superfuqive të kohës, rolin e ShBA-së, të BRSS-së dhe të Kinës gjatë Luftës së Ftohtë, politikën e detantit, uljen e tensioneve dhe koekzistencën paqësore si dhe Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sot OSBE.
Hoti analizon me një precizitet të admirueshëm raportet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore në Marrëdhëniet Ndërkombëtare: në vendet e Evropës Lindore pushteti gradualisht kalon në duart e partive komuniste, ndërsa në vendet e tjera, në të cilat ishin të pranishme njësitë amerikane dhe britanike, mbahen zgjedhjet e lira demokratike. ShBA-ja dhe Britania e Madhe dalin nga lufta si superfuqi, Franca e humbi statusin e fuqisë së madhe, Bashkimi Sovjetik depërton në krye të ranglistës së fuqive të mëdha, Gjermania dhe Japonia vihen nën kontroll të fuqive fituese të LDB. Bota ndahet në sfera të interesit politik, ekonomik dhe ushtarak.
Hans Morgenthau në librin e tij “Politika ndërmjet kombeve” ka numëruar këto elemente të fuqisë së një kombi: gjeografia, burimet natyrore (ushqimi, lëndët e para), kapaciteti industrial, përgatitja ushtarake (teknologjia, udhëheqja, sasia dhe cilësia e forcave të armatosura), popullsia, karakteri kombëtar, morali kombëtar, diplomacia, cilësia e qeverisë (Morgethau 2011: 137). Në akord me pikëpamjet e Hans Morgethaut për elementet e fuqisë së një kombi, Hoti numëron si atribute të një fuqie të madhe shtetërore madhësinë e territorit shtetëror, numrin e banorëve, shkallën e zhvillimit ekonomik dhe orientimin politik. Republika Popullore e Kinës, sipas tij, e luan rolin e fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, jo pse i plotëson atributet e lartpërmendura, por vetëm me numrin e madh të popullsisë dhe madhësinë territoriale. Kjo gjendje në vitin 2019 ka ndryshuar.
Republika Popullore e Kinës, sipas tij, e luan rolin e fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare jo pse i plotëson atributet e lartpërmendura, por vetëm me numrin e madh të popullsisë dhe madhësinë territoriale. Kjo gjendje në vitin 2019 ka ndryshuar. Republika Popullore e Kinës, përpos që paraqet shtetin me popullsinë më të madhe në botë dhe njërin nga shtetet me territorin më të madh gjeografik, që nga viti 2010 zë vendin e dytë në botë për nga fuqia ekonomike (IMF 2019).
Nocioni “Luftë e Ftohtë”, sipas Ukshin Hotit, u vu në përdorim të përditshëm pas Luftës së Dytë Botërore, përmes të cilit përshkruhej “një situatë tendosjeje ndërmjet fuqive të mëdha me sistem të ndryshëm shoqëror-politik” (Hoti 1976: 14). Në të vërtetë, “Lufta e Ftohtë” paraqet konfliktin në mes të shteteve perëndimore nën udhëheqjen e ShBA-së dhe të ashtuquajturit Bllokut të Lindjes, nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, i cili zgjati në mes të viteve 1947-1989.
Edhe pse gjatë kësaj periudhe nuk erdhi deri te konflikti i armatosur në mes të dy blloqeve, ky konfrontim shfaqej si një lloj lufte ideologjike në mes të demokracisë liberal-demokratike dhe real-socializmit, si luftë sistemore shoqërore-ekonomike në mes të ekonomisë së tregut të lirë dhe ekonomisë së dirigjuar nga shteti si dhe si luftë për fuqi ushtarake në mes të Traktatit të NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Konflikti në mes të dy blloqeve ka pasur në radhë të parë natyrë filozofike politike: dy stile të ndryshme politike, dy sisteme të ndryshme ideologjike, dy botëkuptime të ndryshme filozofike për botën, shtetin, shoqërinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndryshe nga disa teoricienë perëndimorë, të cilët “marrëdhëniet ndërkombëtare, në esencë, i shpjegonin me ekuilibrin e fuqive”, dhe fuqia në kohë paqeje, sipas tyre, “shfaqej si prestigj”, me qëllim të fshehjes së karakterit të saj të vërtetë, Hoti konstaton se lufta e ftohtë në esencën e vet, “është vetëm formë e zbatimit të dhunës jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në atë psikologjik, ekonomik, politik dhe shoqëror” (Hoti 1976: 36).
Ai polemizon edhe me autorët e proveniencës lindore, të cilët insistojnë se Lufta e Ftohtë ka karakter klasor, përkatësisht është një “formë e luftës ndërkombëtare klasore”. Hoti konstaton se është “bukur vështirë të përcaktohet karakteri klasor i politikës së “Luftës së Ftohtë”, meqë asnjëherë nuk ka ekzistuar dallimi i qartë ndërmjet politikës praktike të ndonjë vendi, pa marrë parasysh sistemin e tij politik dhe qëllimet e tij të deklaruara” (Hoti 1976: 15).
Duke mbajtur një qëndrim drejtpeshues në analizën e tij, Ukshin Hoti i vë në tavolinë tezat e të dy sistemeve kundërthënëse ideologjike, politike dhe ushtarake. Ai ja ofron lexuesit këndvështrimin perëndimor për Bashkimin Sovjetik, duke cituar përfaqësuesin më eminent të teorisë së realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare Hans Morgenthau, i cili shkruan se “ideologjia socialiste ishte tërheqëse për njerëzit në deceniet e para të shekullit XX vetëm si mit, e jo si realitet” (Morgenthau 2011: 9). Sipas Morgenthaut “ajo që, në të vërtetë, i kërcënohet Perëndimit, nuk është miti komunist, por forca e Rusisë”. (Morgenthau 2011: 9).
Pra, shohim se Morgenthau e përqendron vëmendjen te forca dhe jo te ideologjia si mit. Në të njëjtën kohë, Hoti dekonstrukton teorikisht edhe linjat vepruese të Stalinit në politikën e jashtme. Ai konstaton se Stalini “interesat ideologjike të proletariatit ia nënshtronte politikës shtetërore sovjetike, ndërsa ideologjinë e shndërroi në instrument të kësaj politike” (Hoti 1976: 16). Sipas tij “Stalini gjithnjë shërbehej me fjalor revolucionar të marksizmit klasik, por në të shumtën e rasteve ndiqte interesin e politikës së shtetit të vet” (Hoti 1976: 16). Pra, jo ideologjia, por në radhë të parë interesi shtetëror, jo revolucioni marksist, por interesi, ishin linjat e veprimit të Stalinit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Stili mprehtë analitik i Hotit vërehet edhe në analizën e konfliktit në mes të SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës. Sipas tij “Shtetet e Bashkuara ndaj RP të Kinës, zbatonin metodën e zhonglerizmit politik” (Hoti 1976: 34). SHBA nuk pranonin që Republika Popullore e Kinës të anëtarësohej në OKB, duke u arsyetuar se qeveria e Kinës kontinentale nuk përfaqëson popullin kinez, por Taivani është përfaqësues legjitim i tij. SHBA do të bllokonin pranimin e Republikës Popullore të Kinës deri në vitin 1971. Megjithë gjuhën e ashpër në mes të SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës, të dy palët u kujdesën që të shtensiononin situatën, sidomos pas ardhjes së Richard Nixonit në krye të Administratës së SHBA.
Sipas Ukshin Hotit politika e koekzistencës paqësore në kontinentin e Evropës gradualisht u shndërrua në politikë të detantit, e cila implikonte “klimë të re, atmosferë më të butë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ton më miqësor dhe mundësi më të mëdha për bashkëpunim, që do të jetë shtytje për zhvillim më të madh teknik-teknologjik dhe ekonomik” (Hoti 1976: 72). Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur Ost-Politika e kancelarit gjerman Wili Brandt.
Ukshin Hoti e rreshton veten natyrshëm në mbështetës të demokratizimit dhe barazisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe në mbështetës të lëvizjeve nacionalçlirimtare, duke u deklaruar kundër privilegjeve të shteteve të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, kundër të drejtës për eksportim të revolucionit ose kundërrevolucionit si dhe kundër kufizimit të sovranitetit të shteteve të pavarura./EPOKA E RE/
/Autori Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari, është diplomat. Ka shërbyer si ambasador i Republikës së Kosovës në disa shtete./