Mr. UKSHIN HOTI: Populli shqiptar duhet bashkuar
Argumentimin e tij për rëndësinë e bashkimit të kombit shqiptar, Ukshin Hoti nuk e bazon në mitologji dhe nacionalizëm primitiv, por në interesin zhvillimor të kombit. Formulimin strategjik e përmbledh në Fjalën e tij të mbrojtjes para Gjykatës serbe në Prizren, më 29. 09. 1994: “Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dinë të gjithë dhe askush më nuk e konteston”.
Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve.
Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët” (Hoti 1995: 179).
Në procesin e konstituimit të shtetit të bashkuar shqiptar, Hoti fton që Shqipëria të jetë bartëse e politikës gjithëkombëtare. Ai insiston që të mos rrezikohet ekzistimi i Shqipërisë si shtet. Ai përmbledh si më poshtë interesat vitale të kombit: “Në qoftë se me nocionin komb nënkuptohet përmbajtja anglo-saksone e tij, d.m.th. kombi i konstituuar si shtet (nation-state) atëherë do të ishte fare e natyrshme dhe e logjikshme që Shqipëria të jetë bartëse e një politike gjithëshqiptare, sikundër që është e natyrshme dhe e logjikshme që shumica absolute e shqiptarëve të diasporës shqiptare ta synojnë qëllimin e bashkimit, por duke mos e rrezikuar ekzistencën e vet si komb, dhe të shtetit amë – Shqipërisë.
add a comment