Lëvizja\UÇK

Faton Mehmetaj: Gjeneralmajor Adrian Krasniqi (12.10.1972 – 16.10.1997)

Gjeneralmajor Adrian Krasniqi (12.10.1972 – 16.10.1997)
Sot mbushen 26 vjet nga rënia heroike e Heroit të Kosovës gjeneralmajor Adrian Krasniqit i cili ra heroikisht gjatë një sulmi të ndërmarrë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në stacionin e policisë serbe në Kliçinë. Është ushtari i parë i rënë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adriani ishte student i Fakultetit Ekonomik të UP-së dhe ishte themelues i njërës nga celulat e para të UÇK-së me gradën e komandantit të logjistikës në nivel të SHP të UÇK-së. Gradën gjeneralmajor e mori pas vdekjes. Rrjedhë nga familja e Sylërexhëve të Vranocit e njohur prej kohësh për tradita atdhetare dhe patriotike. Babaj i Adrianit, Rexhep Krasniqi vdes i ri duke e lënë Adrianin në moshën tetëvjeçare. Adriani bashkë me të vëllain, Ilirin, përveç nënës Majremes, rriten nën përkujdesjen e gjyshes Fanë, xhaxhait Xhafer Krasniqi dhe dajëve të tyre. Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Vëllazërimi” në Baran, ndërsa shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë. Në vitet 1991-1993 studimet i vijoi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, dhe pastaj vazhdoi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Konsiderohet njëri ndër themeluesit e parë të logjistikës së UÇK-së. Adriani e kishte angazhuar edhe djalin e Xhafer Krasniqit, Përparim Krasniqin (tani dëshmor i kombit) të cilin e kishte djalë axhe në celulat e hershme të UÇK-së në. Familja e gjërë e Adrianit ishin të kyqur masovikisht në luftën e UÇK-së. Gjatë luftës së UÇK-së një kohë shtëpia e Xhafer Krasniqit ishte improvizuar në Spital Ushtarak të UÇK-së. Me emrin e tij u emërtua Brigada 133 e Lugut të Drinit, në Zonën Operative të Dukagjinit. Emrin e Adrianit e mbante me pietet e nderim kazerma e Zonës së Tretë Mbrojtëse e TMK-së në Pejë. Në Varrezat e Dëshmorëve në Vranoc, ku prehen në amshueshmëri eshtrat e dëshmorit Adrian Krasniqi, është ngritur lapidari, me pllakën përkujtimore. Për veprën dhe heroizmin e Gjeneralmajor Adrian Krasniqit janë thurur këngë, janë shkruar libra, dhe qindra shkrime të ndryshme.
Lavdi jetës dhe veprës madhore të Adrian Krasniqit!