Vështrim/Analizë

Arjan Gjonça: Si ta përballojmë tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë, fokusi i politikave zhvillimore

Ka një periudhë kohe që çështja e tkurrjes së popullsisë së Shqipëri diskutohet gjërësisht, që nga politika e, media  deri tek njeriu i thjeshtë që dëshiron një Shqipëri më të mirë.
    Mendoj që është shumë e drejtë dhe pozitive, që ndryshimet e popullsisë janë më në fund në fokus, pasi u bënë rreth 33 vjet që popullsia e Shqipërisë po tkurret dhe kjo ka prekur çdo familje shqiptare; nga 3.2 milionë në regjistrimin e fundit të popullsisë (të ashtuquajturin census) në regjimin shtetëror socialist (1989), dhe deri në 2.6 million (vlerësim i autorit, Gjonça, A. et al, UNFPA, 2020) apo 2.7 milion (vlerësim i Institutit të Statistikës, INSTAT 2020).

Pra ka një rënie të popullsisë në çdo vit me nga -0.6%, ose në numër absolut, përafërsisht 20,000 banorë në vit, që nga 1990. Në pamje të parë nuk duket shumë, por për demografinë si shkencë është një rënie drastike, një nga rëniet më të larta në Evropë, në kohët moderne.

Nga pikëpamja e faktorëve që kanë shkaktuar këtë rënie drastike të popullsisë, demografia na mëson, t’u referohemi komponentëve përbërës të ndryshimit të popullsisë: lindshmërisë, vdekshmërisë dhe emigracionit.

Dihet qartë që shqiptarët sot jetojnë më gjatë se ç’jetonin në 1990, me një jetëgjatësi mesatare në lindje për meshkuj 75.2 vite dhe për femra 79.6 vite në 2022. Pra duke ruajtur një vazhdimësi pozitive që nga 1950 e deri më tash, të përmirësimit të jetëgjatësisë në vite. Sidoqoftë këto vitet e fundit (2019-2022) ka një një keqësim të vogël të vdekshmërisë, i cili duhet adresuar nga studiuesit dhe politikë-bërja, por që nuk është fokus i këtij shkrimi.

Një arritje e madhe veçanërisht është dhe rënia e vdekshmërisë foshnjore nga 41 vdekje nën një vjeç për 1,000 lindje në 1990 (Gjonça. A., 2001, UNFPA 2021), në rreth 7.5 vdekje nën një vjeç për 1000 lindje të gjalla në 2022. Pra, thënë thjesht, në rënien e popullsisë  nga 1990 deri në 2022 vdekshmëria nuk është aspak faktor përcaktues.

Lindshmëria ka rënë shumë në këto tre dekadat e fundit, nga 3.2 fëmijë për grua në 1990 në 1.32 fëmijë për grua në 2021. Kjo është një rënje drastike në një kohë shumë të shkurtër.

E para analitikisht, kjo rënie është një vazhdimësi e kurbës në rënie të lindshmërisë që nga koha e regjimit socialist shtetëror, që u ul nga 7 fëmijë për grua në 1960, në 3.2 fëmijë për grua në 1990 (Gjonca A. et al, 2001, 2008).

Pra edhe rënia e vazhdueshme gjatë viteve të fundit nuk është suprisë për njohësit e fushës, për arësye se përmirësimi i jetesës ndikon shumë në zgjedhjen që bëjnë çiftet e sotëm në lidhje për numrin e fëmijëve që dëshërojnë.

E dyta, është e rëndësishme të theksojmë që diferenca vdekje – lindje nuk ka qënë negative në numër absolut deri në vitin 2021, kur vdekjet vjetore i kaluan lindjet vjetore. Sidoqoftë, ky ndryshim është i papërfillshëm në rënien e popullsisë në Shqipëri (UNFPA, 2021). Pra mund të themi me siguri të lartë që as lindshmëria, ashtu si edhe vdekshmëria nuk e kanë influencuar rënien e popullsisë në tre dekadat e fundit.

Pra mbetet të themi që popullsia e Shqipërisë është ulur si rezultat i emigracionit, komponentit të tretë të ndryshimit të popullsisë. Për këtë ka shumë studime dhe shumë evidencë, qoftë edhe nga autori i këtyre rreshtave (Gjonca, A. 2002, UNFPA 2021). Këto analiza tregojnë që popullsia e Shqipërisë ka rënë në proporcion të njëjtë me rritjen e emigracionit (UNFPA, 2021).

Vlerësohet që më shumë se një e treta e popullsisë së Shqipërisë është larguar nga vëndi (UNFPA, 2021). Më e rëndësishmja është që emigracioni ka prekur moshat e reja: moshën e popullsië aktive në punë (15-60 vjeç) dhe moshën riprodhuese (15-50 vjeç). Kjo të lë të kuptosh, që në këto dy aspekte kemi edhe efektin më të lartë të kësaj rënie të popullsisë dhe të rritjes së vazhdueshme të emigracionit.

Rënia e popullsisë dhe rritja e emigracionit kanë influencuar shoqërinë shqipëtare në shumë aspekte, por unë do ndalem vetëm në dy prej tyre; e para mplakja e popullsisë dhe e dyta tkurrja e tregut të fuqisë punëtore, që për mendimin tim, janë dy nga pasojat më të rëndësishme të ndryshimeve demografike në Shqipëri.

– Mplakja e popullsisë, në mënyrë të thjeshtuar, nënkupton që një popullsi ka proporcionalisht më shumë njerëz në moshën mbi 65 vjeç e sipër dhe më pak në moshën e re, 0-15 vjeç. Kjo mplakje e popullsisë që në shifra reale nënkupton që përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç, nga 1990 deri në 2022, ka ndryshuar nga 5.7% në 16.2% (UNFPA, 2023, World Bank 2023), dhe projektohet që në  2030, do jetë rreth 21% (UNFPA, 2023), Pra pas 6 vitesh kjo rritje nënkupton që më shumë se një e pesta e popullsisë së Shqipërisë do jetë në moshën mbi 65 vjeç.

Kjo grupmoshë ka nevojë për mbështetjem e shtetit në shumë aspekte; së pari ato financiare, pra pensionet që duhet të vijnë nga taksat e popullsisë 16-65 vjeç, që teorikisht janë në marrëdhënje pune. Është tashmë fakt që shumica e kësaj grupmoshe është larguar drejt emigracionit dhe është tkurrur shumë si numër (shiko piramiden e popullsisë).

Grafikë krahasues 1989 dhe 2019

Pra, thënë thjesht, ekonomia shqipatre nuk do të jetë në gjëndje të përballojë (në kushtet e sotme të rritjes ekonomike) rritjen e të ardhurave që nevojiten për pensione. Dhe këtu flasim jo larg por në jo më shumë se një dekadë.

Por kjo popullsi ka nevojë edhe për kujdesin shëndetësor, i cili megjithë përmirësimet e viteve të fundit, akoma nuk është në nivelin e duhur për të përballuar shpenzimet e kësaj rritje të popullsisë në moshën e tretë. Kjo për arsye se me rritjen e moshës rritet edhe prevalenca e sëmundjeve kronike, të cilat janë më të kushtueshme për sistemin shëndetësor.

Dhe problemi i tretë, që vjen si rezultat i mplakjes së popullsisë, është kujdesi shoqëror i popullsisë mbi 65 vjeç. Tradita jonë dhe e shumë vëndeve të tjera, e kërkon që ky kujdes duhet të sigurohet brënda familjes. Është një gjë e mirë që megjithë ndryshimet e vlerave të shoqërisë shqiptare në tridhjetë vitet e fundit, kujdesi nga dhe në familje, mbetet akoma forma kryesore e kujdesit shoqëror në Shqipëri.

Por problemi qëndron në faktin se kush do kujdeset brenda familjes, në një kohë kur nuk ka më të rinj. Fëmijët e kësaj grupmoshe, që duhet të kujdeseshin për prindërit, janë në emigracion, që në demografi mund të adresohet si një gjeneratë e tërë e ‘humbur’.

Nga ana tjetër, jo vetëm tradita, por edhe investimi publik dhe privat në kujdesin institucional në Shqipëri nuk mund ta përballojë dot këtë rritje të madhe të nevojave për këtë kujdes shumë të rëndësishëm shoqëror. Le të mos harrojmë një gjë shumë të rëndësishme, që një shoqëri e emancipuar, midis të tjerave, dallohet edhe nga kujdesi ndaj moshës së tretë.

– Tkurrja e tregut të punës është një tjetër pasojë direkte e emigraimit të moshës së punës në Shqipëri (shiko piramidën e popullsisë). Ky treg është tkurrur shumë për mungesë të ofertës së fuqisë punëtore, pra nuk ka njerës në moshën e punës për t’u punësuar në shumë sectorë, saqë biznesi në disa fusha, si ajo e turizmit apo ndërtimi, ka filluar të marrë fuqi puntore nga jashtë. Por për sa kohë mund të vazhdojë kjo?

Nga ana tjetër, për arësye se emigracioni ka prekur edhe njerësit e kualifikuar, ka një mungesë të përsonelit të kualifikuar si në administratë ashtu edhe në sektorët e tjerë. Natyrisht që kjo fushë ka nevojë për analiza më të thella për të përcaktuar nevojat e tregut të punës, që nuk është qëllimi i këtij artikulli.

Sidoqoftë duhet të themi që ky nuk është vetëm fenomen shqiptar por në këtë shekull është fenomen i Evropës Lindore, apo edhe i vendeve të tjera në Akerikë Latine dhe në Afrikën Sahariane. Por kjo nuk duhet të na ngushëllojë, në të kundërt duhet të na vë në pozitën që të gjithë të mendojmë se si mund të përballohet kjo situatë. Cilat duhet të jenë politikat e drejta me afat të shkurtër dhe me afat të gjatë?

Më poshtë po jap disa mendime modeste për atë çfarë mendoj unë duhet të jetë fokusi i politikave zhvillimore të qeverisjes në vënd.

Politikat duhet të diskutohen në afat shkurtër dhe në afat gjatë. Në afat të shkurtër janë politikat që ndalin/zvogëlojnë emigracionin masiv drejt Perëndimit veçanërisht të profesioneve të rëndësisë kombëtare dhe rëndësisë social-ekonomike të vendit.

Këto politika duhet të influencojnë si kërkesën në vendet perëndimore për këto fusha, ashtu edhe ofertën e vendit tonë për këto profesione. Duke marrë si shëmbull largimin e mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë, politika e duhur afatshkurtër për të influencuar ofertën tonë, ishte ajo, që filloi, por u implementua keq për kontratat me studentët e mjeksisë.

Kjo bëhet dhe është e drejtë legjitime e shtetit (e kanë bërë edhe vende në Amerikën Latine), por siç ndodh me çdo kontratë, shteti nuk mund ta implementojë pa mbaruar kontrata që ke me këta të rinj, nëse ata nuk duan; pra jo me studentët që janë në sistem.

E dyta për të mbajtur studentët në sistem duhet të krijosh insentiva; t’u rritësh të ardhurat kur mbarojnë, t’u garantosh vëndin e punës me bazë merite e shumë të tjera. Por në të njëjtën kohë mund të bësh marrëveshje me shtetet që kanë një kërkesë të lartë për ta (si Gjermania dhe Italia) për dhënien e mundësisë për punësimin me afat të kufizuar kohor për të ardhmen.

Një tjetër politikë afatshkurtër është edhe ajo e fokusimit tek moshat e reja në drejtim të nevojave të tyre, si punësimi, arsimimi, garantimi i vëndit të punës kur mbarojnë studimet e të tjera.

Por në afat të gjatë, zhvillimi ekonomik i vëndit është receta më e mirë për të shëruar këtë sëmundje. Për këtë nuk do na duhet të presim Shqipërinë të ketë rritjen ekonomike me dy shifra. Kjo mund të arrihet edhe me politika zhvillimore të fokusuara tek të rinjtë; si për shëmbull dhënia prioritet e degëve të reja preferenciale, ku të rinjtë duan të punësohen, por që janë njëkohësisht edhe e ardhmja e zhvillimit ekonomik; fokusimi në ekonominë që ofron pasuria njerëzore dhe materiale e vendit është një tjetër politikë zhvillimore; si në fushat e industrisë së përpunimit, atë të energjisë së rinovueshme, turizmi e të tjera.

Të rinjtë nuk duan të gjithë të largohen. Edhe ata e duan vëndin e tyre, por politika duhet ta shikojë të ardhmen e vëndit siç e perceptojnë ata, se vetëm kështu krijohet një shpresë për ta. Dhe kjo bëhet duke i inegruar ata më mirë në politikë-bërje.

Ka shumë politika të tjera që specialistët në Shqipëri i dinë dhe duhet t’i adresojnë për politikë-bërjen, por është e pamundur të adresohen të gjitha në një artikull të vetëm.

Përsa i përket lindshmërisë, qeveria e ka tërësisht gabim. Dhënia e insentivave financiarë, nuk është politika e duhur, sepse mungesa e të ardhurave nuk është arsyeja pse të rinjtë nuk bëjnë fëmijë, është mungesa e një vizioni për të ardhmen që ata duhet ta kenë dhe qeveria duhet t’ia ofrojë; është egzistenca e një tregu të paqëndrueshëm pune, ku jo vetëm që nuk ka punë afatgjata, por nuk ka edhe legjislacion të fortë të punësimit për të mbrojtur ta punësuarin.

Pra dhënia e insentivave financiarë do të shtyjë ato grupe të popullsisë që janë më të varfër, të cilët e shikojnë si mundësi për të dalë nga varfëria bonusin financiar për lindje. Kjo bën që këto grupe vullnerabile të popullsisë të hynë në ciklin e varfërisë prapë, se dihet që lindshmëria dhe varfëria janë pjesë e të njëjtit rreth vicioz.

Po si mund të rritet lindshmëria? Përveç politikave zhvillimore ne duhet të fokusohemi tek barazia gjimore dhe më tepër. Shkenca na tregon që vetëm kur egziston një legjislacion i fortë për punësimin e femrës, që e mbron atë në rast të lejeve të lindjes, dhe garanton kthimin në atë vënd pune pavarësisht sa gjatë do të rrij nëna me fëmijën.

Shkenca na tregon që nuk mjafton vetëm barazia në punësim, por edhe ajo në familje, që ka një efekt të madh si në emancipimin e femrës, ashtu edhe rritjen e lindshmërisë. Duhët t’u garantohet nënave që kur ato vendosin të kthehen në vendin e punës, e para që duhet bërë është kujdesi shtetëror falas  për moshat parashkollore. Ko është shumë e rëndësishme për të akomoduar edhe kohën e punës së nënave, e cila duhet të jetë fleksibël.

Do vazhdoja më shumë të flisja për këto politika por jo në këtë artikull, por në artikujt e javëve të tjera dhe muajve të tjerë në DITA. Gjithashtu shpresoj që kolegë të tjerë të shprehen për politikat që ata sugjerojnë. Vetëm kështu mund të ndihmojmë qeverisjen dhe veten për zhvillimin e vendit.