Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIX) – BAJZA – FSHATI QË E THEMELOI MBRETËRINË KROATE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIX)
BAJZA – FSHATI QË E THEMELOI MBRETËRINË KROATE
Bajza, është një fshat apo një qytezë e vogël në krahinën e Kastratit. Është qendër e njësisë administrative për 15 fshatra me 12 mijë banorë, pjesë e bashkisë dhe e rrethit të Malësisë së Madhe (Koplik). Ndodhet në afërsi të bregut lindor të Liqenit të Shkodrës, në rrugën nacionale dhe në hekurudhën Shkodër – Hani i Hotit, rreth 25 km nga Shkodra, 7 km nga Kopliku dhe 8 km nga Hani i Hotit. Qyteza fushore e Bajzës ka një qendër të vogël, por të rregulluar mjaft mirë.
Që para Epokës së Re Bajza dhe rrethina e saj ka qenë e banuar me popullsi ilire të fisit të Labeatëve, e cila rreth vitit 60 e.r. e ka përqafuar krishterimin. Janë gjetur artefakte antike në Kalanë e Marshejt, në Shpellën e Shkurtajve, në Shpellën e Bajrakut, në tumulat ilire e në pika tjera arkeologjike. Në mesjetë tërë Malësia e Madhe ka qenë e përfshirë në Principatën e Balshajve, ndërsa në vitin 1336 ka rënë nën pushtimin serb, rreth vitit 1420 është pushtuar nga Venediku, në vitin 1506 ka rënë nën pushtimin osman në përbërje të Sanxhakut të Shkodrës.
Pas luftës së Deçiqit, ku u ngrit flamuri kombëtar nga Dedë Gjo Luli në vitin 1911, ishte lufta e Sukave të Moksetit. Në këtë luftë malësorët e Kastratit dhe të Shkrelit sulmuan garnizonin ushtarak turk, me ç’rast u shënua fitore e thellë dhe çlirim i Kastratit nga trupat e huaja.
Në Bajzë jeton familja e madhe Kaçaj. Sipas Dr. M. Shufflay në veprën “Serbët e shqiptarët”, Kaçajt e Bajzës dhe Kukajt e Marsheit (Kastrat), ishin ndër 12 fiset që, në vitin 1060 kanë themeluar Mbretërinë Kroate. Fis i parë i kësaj mbretërie ishin Kaçajt (Kaciqët), të cilët kanë rënë nga fuqia rreth vitit 1165. Edhe më vonë Kaciqët kanë dhënë figura të mëdha, ndër të cilët përmendet Andrea Kaciqi, i cili në shek. XIX ka shkruar një roman për Skënderbeun.
Bajza krenohet me bijtë e vet, veçanërisht me Lukë Kaçajn, njërin ndër artistët muzikor me renome evropiane, i shkolluar në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Ai ka interpretuar me sukses vepra të autorëve të muzikës botërore, pos në skenat shqiptare, edhe në skenat me famë evropiane e botërore në Bashkimin Sovjetik, Gjermani Lindore, Hungari, Bullgari, Poloni, Çekosllovaki etj. Në vitin 1953 Luka ka interpretuar me shumë sukses rolin e rapsodit të verbër në filmin “Skënderbeu”.
Dikur Bajza krenohej me stacionin e trenit apo stacionin hekurudhor, që ishte stacioni më i madh dhe stacioni i fundit në vijën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, që kishte statusin e stacionit të vetëm ndërkombëtar të mallrave në Shqipëri. Hekurudha, bashkë me stacionin, si dhe dogana në Hanin e Hotit, vetëm 7 km larg, kanë pas rëndësi të posaçme për Bajzën. Pas vitit 1990 hekurudha, bashkë me stacionin hekurudhor të Bajzës, ka degraduar dhe ngadalë është shkatërruar dhe pasivizuar në tërësi.
Shkolla e parë shqipe në Bajzë është hapur në vitin 1901. Dikur Bajza kishte edhe shkollë të mesme, shtëpi kulture, shtëpi lindjeje, qendër shëndetësore etj.
Bajzë shtrihet në zonën e ulët fushore të Malësisë së Madhe, zonë kjo e pasur me bimësi të llojllojshme, ku dallojmë sherbelën, salepin, mullagën etj. Banorët janë marrë gjithnjë me bujqësi, blegtori e peshkatari. Bajza ka në afërsi liqenin, ka tokë shumë të mirë bujqësore, kullota të gjera, bjeshkë të pasura dhe ujëra nëntokësore. Klima e përshtatshme dhe toka pjellore kanë mundësuar zhvillimin e bujqësisë, ku kultivohen gruri, misri, duhani, pemët e perimet, vreshtaria etj. Gjithashtu, Bajza ka kushte dhe mundësi shumë të mira për zhvillimin e turizmit, veçanërisht në brigjet e liqenit të Shkodrës. Syri i Sheganit dhe Syri i Zi janë dy burime mjaft atraktive të ujit të ftohtë dhe shumë të vizituara nga turistë vendorë e të huaj. Syri i Sheganit është një burim si një pus me thellësi shumë të madhe. Vende interesante për zhvillimin e turizmit janë edhe pjesët malore, si Bjeshka e Granazhdolit (930 m/lm) dhe Fushë-Zeza (1000 m/lm).
Vizitori apo turisti, që kalon apo e viziton pjesën fushore të Malësisë së Madhe, mund dhe duhet të kthehet për pak apo për më shumë kohë ta vizitojë Bajzën e bukur të Kastratëve, e vendosur atje në fushë, në bregun e Liqenit të Shkodrës.