Lëvizja\UÇK

Ibrahim Kelmendi: Nostalgjike…

NOSTALGJIKE…
Kjo foto, e publikuar më 18 gusht 2023 Bashkëveprimtari veteran, Malsori i Percës së Tetovës, Samedin Ilazi, më ngjalli kujtime të vjetra 42 vjeçare. Pra, është një foto e bërë në Odën e Klubit Shqiptar në Dyseldorf.
E para, më befasoj, sepse atëherë nuk lejonim fotografime në ambientetë Klubit, meqë i binin në dorë SDB-së (siç quhej UDB pas riemërtimi në vitin 1966), e cila i përdorte si dëshmi për t’i persekutuar emigrantët e këtij Klubi kur ktheheshin për pushime në Vendlindje. Por, tani më vjen mirë që qenkësh bërë dhe ruajt.
Në epiqendër të fotos janë tre më pleqtë e Klubit, me plisa të bardhë; lartë, nga e majta Avdi Begisholli i Rrethit të Ferizajit, pranë tij Zymer Kryeziu i Opojës (në ndërkohë i ndier) dhe dhe Xhemaj Nuha më afër objektivit, i Jezrcit të Ferizajit, i zhdukur gjatë Lufte në Vendlindje; kufoma ende nuk i është gjetur.
Klubi në Dyseldorf është formuar në mars 1978. Nismën e ka ndërmarrë gjakovari Zenel Syla, nëpunës në Konsullatën jugosllave në Dyseldorf. Ishte metoda që praktikonin shërbimet inteligjente jugo-sllave të formonin edhe klube në emigracion, për t’i kontrolluar emigrantët. Por në maj 1978, kur po zgjedhej kryetari, Konsullata këmbëngulte të zgjedhej shkupjani Enver Maliqi (tashmë milioner dhe funksionar politik në Shkup). Ndërsa bashkatdhetarët e votuan Rrahman Begajn e Jezercit të Ferizajt, meqë emigracioni në Dyseldorf dominohej nga ferizajlinjtë. Në mbrëmjen e asaj ditë njerëz të shpërdoruar nga Konsullata e plagosin në vendbanim, me thika, Rahaman Begën. Gazeta gjermane pat informuar se është plagos enveristi nga sulmues titist…
Qysh në fillim që përvijua një përplasje në mes të personelit të Konsullatës jugo-sllave (nëpunësit Zenel Syla i erdhen përforcim nga Kosova kuadrot titistë Imer Bajra dhe Maxhun Raci), në dukje e pakuptimt. Konsullata insistonte Klubi të quhej i punëtorëve Jugosllavë, ndërsa bashkatdhetarët e angazhuar në Klub këmbëngulnin ta quanin “Klub i punëtorëve shqiptarë”. Fatmirësisht një nga ish-shefat e SDB-së e KSA të kosovës (SDB kishte 5 drejtori), Shefqet Hashani, i lindur në Gremë të Ferizajt, i emëruar Sekretar i parë në Amasadën jugosllave në Gjermani Perëndimore, u angazhua t’i përkrahte bashkatdhetarët e Klubit, duke iu kundërvënë personelit të Konsullatës. Bile, mbaj mend një tubim më mbi 200 pjesëmarrës, kur Shefqeti i bërtiti Jusuf Buxhovit: “Ti picimul bëje punën e korrespodentit të ‘Rilindjes’, për çka paguhesh, mos i frikëso punëtorët tanë këtu, sepse këta kanë të drejtë kushtetuese të prezantohen shqiptarë…” (perifrazim). Për atë angazhim ai e vuajti me arrestim në maj 1981 në aeroport të Beogradit, kur po shkonte në vizitë në vendlindje dhe e dënuan 8,5 vjet burg…
Sapo gjetëm lokal për Klubin në Graf-Adolf-Str. 63-65, rreth 300 metra larg stacionit të trenit, një hapësirë rreth 70 metra katrorë, e improvizuam si “odë shqiptare”. Improvizuam oxhak, shilte, sixhade e qilima. Këto rekuizite i sollën dhe rregulluan Bashkëveprimtaret e Klubit. Në Odë çdo fundjavë praktikonim lexim të artikujve të përzgjedhu nga shtypi dhe librat dhe diskutime pasuese. Këtë e bënin kryesisht Samedin Ilazi dhe Hyzri Reka, sepse ishin të vetmit që kishin arsim mbi 8-vjeçarë; Samedini kishte frekuentuar vitin e dytë gjimnaz në Tetovë, ndërsa Hyzriu kishte frekuentuar zanatin për teknikë dhëmbësh. Shumica nuk kishin të mbaruar 8-vjeçarën. Leximi dhe diskutimi ndodhte çdo të premte e të shtune, nga ora 19 deri rreth orës 24 (mesnatë). Shpesh edhe të dielave, por deri rreth orës 22, sepse duhej të shpërndaheshin për shkak të punës në mengjesin e të hënës.
Ky lloj angazhimi pat ngrit shumë oratorinë dhe ndërgjegjësimit e anëtarëve të Klubit. Në fund të vitit 1979 morën libreza 470 anëtarë, siç pat informuar publikisht Kryetari Nebih Reka. Delegacionet e politikaneve, edhe të shkrimtarëve (si Sabri Hamiti), që vinin nga Prishtina për t’i frymëzua emigrantët me titizëm, befasoheshin nga diskutimet oratorike të anëtarëve të Klubit. Ajo përvojë më ka bë të kuptoj oratorinë e militantëve kurtianë, që kanë frekuentuar kurse ideopolitike të partisë…
Kryeplak të Odës kishim zgjedh Avdi Begeshollin dhe Zymer Kryeziun. Të gjithë i thërrisnim “Bacë”. Akoma më i moshuar e më i zgjuar ishte Ali Bega, por ai e kishte refuzuar rrolin e kryeplakut të Odës.
Në klub kishim organizim paralel, klandestin, fillimisht në kuadër të Frontit të Kuq Popullor, nga 17 Janari 1982 në kuadër të Lëvizjes. Në atë organizim dominonte mendimi se kryepleqët Avdi e Zymer, ishin informatorë të Konsullatës. Prandaj përshtatnim taktikën që “spiunimi” i tyre në Konsullatë të ishte vetëm për ato që ata i shihnin në Klub. Kishim mirëkuptim për ata dy pleq, sepse mendonim se ata ishin kërcënuar nga kuadrot e SDB-së se do ta pësonin djemt e tyre në Kosovë (secili kishte nga një djal) nëse ata nuk do të informonin. Përherë i kemi mirëkuptuar e respektuar, edhe pse i kemi dyshuqar se po na spiunonin….
Fatkeqësisht gjatë viteve 1979 – 1982 në Kosovë u arrestuan dhe ua morën pasaportën të paktën 27 vetave, siç ndodhi me Kryetarin Nebih Reka (Nerodime të Ferizajt), Sekretarin Qazim Shala (Mushitisht, Suharekë), anëtarë të Kryesisë Musa Daka (Korish e Prizrenit), Samedin Iljazi (Percë e Tetovës), Safet Azizi (Davidovc i Shtimës), Haxhi Bega (Jezerc i Ferizajt), në vitin pasues qenë arrestuar kryetarët Sylejman Haxhija (Llabjan i Pejës), Malush Ademaj (Katun i Ri i Pejës), Mustafë Kelmendi (Llabjan i Pejës), e të tjerë bashkëveprimtarë. Por as ato arrestime dhe konfiskimi i pasaportave nuk i frikësuan bashkatdhetarët e Dyseldorfit me rrethinë, të bëheshin qendra më e afirmuar dhe më masovike e Emigracionit në perëndim, që përherë ka kontribuar për çështjen kombëtar, siç e quanim atëherë.
(ibrahim kelmendi)