Shkruan: Xhevat Gjini
Shqiptari pushkën e lahutën, pra këngën e luftën, s’i ka nda kurrë. Jo vetëm në punë, por edhe në luftë shkonte duke kënduar. Këngën e tij, gjatë historisë, pushtuesë të shumtë, q lakmonin tokat tona, përpiqeshin ta vrisnin, ta zhduknin, sepse, sa të rronte kënga do të rront edhe shqiptari, do të rronte shpirti i popullit tonë. Terrori, vrasjet dhe mizoritë masive nuk ia dolën ta vrisnin këngën, shpirtin e kombit. Ajo oshtinte e kumbonte frikshëm në veshin dhe trurin e pushtuesit.
Edhe kur pushtuesit rrënonin e shkatërronin trashëgiminë materiale të popullit shqiptar, ishte gjuha (vlera themelore e kombit), ishte trashëgimia shpirtërore, me gjithë larminë e saj, që nuk pushtohejë dotë nga pushtuesit dhe i sfidonte ata. Edhe copëtimi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar këtë qëllim ogurzi kishte. Duke copëtuar tokën e Shqipërisë dhe kombin shqiptar, shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre, Fuqitë e Mëdha, synonin dhe po synojnë tjetërsimin e pjesëve të pushtuara të Shqipërisë e të popullit shqiptar, të shkëputur padrejtësisht (me dhunë, terror e gjenocid) nga Trungu. Këtë qëllim kishte edhe ripushtimi dhe ricopëtimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore nga Jugoserbia e Tito-Rankovicit. Shqiptarët e Sanxhakut, të ndarë ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, i tjetërsuan dhe i zhbënë për 50 vite deri në atë shkallë sa të flasin e të shkruajnë serbisht, duke harruar gjuhën e tyre shqipe, dhe të deklarohen si «boshnjakë» e si «myslimanë»!! Nuk kaloi më lehtë as gjysma e Malit të Zi, që ishin shqiptarë e sot nuk janë, ose janë në numër të vogël!! Fat të tillë tragjik pati edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve, që iu «dhuruan» Republikës së Maqedonisë, e cila shumicën e popullsisë e kishte shqiptare, por që me shpërngulje, dhunë, terror e asimilim i zvogëloi në përqindjen që janë sot!!
Shteti jugoserb i Tito-Rankovicit ndoqi politikë dhe hartoi platforma e projekte të njëjta edhe për popullin shqiptar në Kosovën pa vise (me kufijtë e «vizatuar» nga Jugoserbia…). Pas LDB shqiptarët e Kosovës quheshin me përbuzje «shiftari» nga pushtuesit jugoserbë! Kjo edhe për të bërë dallimin nga shqiptarët e shtetit Amë, me që llim të fundit: tjetërsimin dhe asimilimin. Përpjekja, angazhimi dhe qëndresa e bijëve dhe bijave më të mira të popullit të pushtuar shqiptar e detyroi pushtuesin dhe kolaboracionistët e tij që të bënin disa lëshime, sidomos për popullin shqiptar në Kosovën pa viset e saj. Që nga viti 1968, pas demonstratave që kishin shpërthyer kudo kundër shtypjes, terrorit e represionit të egër jugoserb, shqiptarët fituan të drejtën e përdorimit të Flamurit të tyre kuqezi, zyrtarizimin e gjuhë shqipe dhe disa të drejta të kufizuara kulturore. Këto rrethana të reja, të krijuara me shumë mund, sakrifica e gjak, i shfrytëzoi me shumë zotësi e diplomaci shteti Amë për t’i ardhur në ndihmë pjesës së pushtuar të kombit për arsimim, kulturë , art, shkencë dhe zhvillim e përparim të vetëdijsimit
kombëtar për angazhim dhe përpjekje liridashëse. Këto të drejta e liri të kufizuara u shfrytëzuan maksimalisht edhe nga atdhetarët e organizuar në grupe dhe organizata të fshehta (ilegale për pushtuesin), por edhe nga inteligjencia e kohës, nga arsimdashësit, dhe liridashësit e shumtë. Mirëpo, edhe pse me disa liri dhe të drejta të fituara, një pjesë e inteligjencies dhe e profesorëve nuk mundi të shkëputej nga koncepti jugoserbi “vëllazërim-bashkimit” dhe ndikimi i politikave shtetërore, herë të hapura e herë të veshura e të ambalazhuara me të “arriturat e mëdha të pakicës shqiptare në Jugoserbinë e satrapit Tito”. Për t’i dëshmuar botës, e sidomos Tiranës zyrtare, se sa të lumtur janë shqiptarët në tiraninë e diktatorit të madh, Tito, organizoheshin manifestime e festa të karakterit kulturor, sportiv, artistik, etj. I një karakteri dhe përmase të tillë ishte edhe festivali “Kosovarja këndon”. Vetë përkufizimi i shqiptares si “kosovare” flet mjaft! Ideja, që po “mbillet” me shumë këmbëngulje e fonde edhe sot, se ”ne jemi kosovarë», në thelbin e saj ka porosinë dhe angazhimin e thellimit të ndarjes së popullit shqiptar.
Kjo ide nuk është “zbuluar” nga shqiptarët, por nga pushtuesit e tokave të Shqipërisë, me qëllimin final: shkërmoqjen e substancës shqiptare edhe në Kosovën pa vise, si në krahinat tjera, ku tashmë shqiptarët janë: “boshnjakë ”, “myslimanë ”, “turq”, “torbesh”, “goranë ”, “malazezë ”, “grekë ”, etj.!! Atëherë, në ato kohëra të një persekutimi e terrori masiv edhe mund të “kuptoheshin” disa artistë-kwngwtarw, profesorë, gazetarë, shkrimtarë, “intelektualë ”, “akademikë ”, etj., herë të trembur e herë të joshur nga shteti pushtues (shumë prej tyre ishin të bindur në “përjetësinë” e Jugosllavisë së Titos!), por jo sot. Nuk mund të kuptohen dhe arsyetohen: “politikanët”, “akademikët”, “gazetarët”, “artistët”, “shkrimtarët”, madje as “klerikët” dhe askush tjetër që edhe sot, në kushte dhe rrethana lirie e pavarësie, i bien telit “kosovar” për të krijuar opinion publik se ne në Kosovë jemi “kosovarë ”, me demek, “nuk jemi shqiptarë ”! “Ju marroftë i madhi Zot”…, do të thoshte Fishta për këtë specie që, “u shoftë me arë e me farë ”. Idenë e një “kombi kosovar” tashmë e dëgjojmë dhe e shohim të propagandohet hapur nga disa individë dhe qarqe të kapura e të financuara nga vende e fonde tërësisht antishqiptare. Në krah të tyre janë edhe disa OJQ dhe armata e “klerit” që, edhe ata, angazhohen për tjetërsimin dhe zhbërjen e qenies shqiptare, duke e “transformuar”, në kundërshtim me vullnetin e Zotit, në “myslimane”, “turke”, etj.!?
Nuk janë të pakët “akademikët”, por ka edhe “profesorë” universitar, “gazetarë ”, “artistë ” e “krijuesë ”, etj., që angazhohen për prishjen edhe të gjuhës së një suar shqipe, duke kërkuar të “krijojnë” një gjuhë “kosovare” për “kosovarët”!! E vërteta është se këta “dinozaurë” janë kryesisht mbetje të Jugoserbisë ose pjellë e tyre. Të këtillët ka njëzet vite që po mundohen ta ruajnë dhe imponojnë si kujtesë të kaluarën e tyre të “lumtur” në Kosovën e pushtuar edhe përmes veprimtarive botuese, artistike, kulturore, sportive, etj.
Shkas për këtë shkrim u bë edhe festivali “Kosovarja këndon”, që po organizohet në qytetin shqiptar, në Ferizaj tash njëzetë vite me të njëjtën monotoni dhe varfëri artistike e kombëtare! Ky festival qenka organizuar edhe sivjet, pavarësisht pandemisë dhe rrezikut nga infektimi me virus!! E transmetoi i vetmi television, “Tema”. Ky rreth i ngushtë njerëzish, që organizojnë këtë “festival”, me vlera të kufizuara e të “demoduara”, sa për t’i dhënë njwri-tjetrit “cmime”, nuk duan t’ia dinë se Kosova ka njëzet vite që është e lirë… Këta ngjajnë më shumë me donkishotizëm se me festival artistik të kohës sonë! Prandaj, po të ishin krijuesë dhe artistë normalë , do t’i këndonin lirisë, Shqipërisë, që s’kishin “guxuar” ta përmendnin, zhvillimit, përparimit, etj., në një festival si: “I këndojmë Kosovës shqiptare” ose: “Shqiptarja këndon” (shembull), etj.. Organizatorët duket që janë nga ata që kishin privilegje e përfitim nga shteti pushtues i kohës, bënin jetë të lumtur e të pa brenga! Nostalgjia për ato kohëra nuk po i lejon të shohin kohën tonë, Kosovën e lirë e të pavarur nga Jugoserbia pushtuese! Rinia jonë do të shoh përpara e jo të ngelet me kokën prapa. Populli shqiptar i Kosovë e kujton e do ta kujtojë kohën e “bashkim-vëllazërimit” si kohë persekutimesh, vrasjesh, shpërnguljesh me dhunë, arrestimesh, dënimesh e masakrash masive. “Kosovarja” dhe “kosovarët” do të studjohen nga rinia shqiptare e Kosovës dhe e gjithë Shqipërisë si mbetje të një ZEZONE…